| E shtune, 06.07.2024, 07:56 PM |
KUKËS, NJË KAFE ME SHKRIMTARIN PETRIT PALUSHI
-
Bisedë për Eposin e Lumës dhe Drinin -
NGA
NDUE DEDAJ
Petrit
Palushi është njëri ndër romancierët më të njohur bashkëkohorë të vendit. Jeton
në Kukës dhe kësisoj ai është mikpritësi i shkrimtarëve në këtë qytet prej
tridhjetë vitesh. Ka pritur Ismail Kadarenë, Ali Podrimjen, Rexhep Ferrin, Vath
Koreshin, Frederik Rreshpjen, Ramadan Musliun etj. Nga këto kontakte deri tani
ai ka botuar një libër, që është intervista e fundit e Frederik Rreshpjes gjatë
një nate qëndrimi në Kukës me Petritin, por që në të ardhmen mund të jetë një
libër i tërë, me kujtime për të gjithë ata që trokitën tek ai, dhe për faktin
se kurrë nuk u largua nga qyteti i tij. Petriti ka drejtuar klubin letrar
“Anton Pashku”, disa kohë ka qenë dhe drejtor i Bibliotekës së Kukësit, ka bërë
botime letrare dhe monografike, ka organizuar promovime dhe takime letrare, si
vite më parë një veprimtari përkujtimore kushtuar poetit të njohur Agim Spahiu,
ku kemi marrë pjesë dhe ne. Ai evokon me shkrime e kujtime herë pas here poetin
e ndjerë Myftar Gjana, apo letraren e re Sabajeta Peposhi që nuk rron më.
Letërsia “kukësiane” është e larmishme, nga Namik Dokle, Bajazit Cahani te
Shqiponja Axhami. Libri i fundit i Petritit është “Eposi i Bjeshkëve të Lumës”,
që na e dhuroi me dedikim. Në parathënien e tij ai shkruan se përmes këtij
libri përcillet një tubë legjendash për Lumën, të cilat janë rrëfye (ritregue)
tue u ruejtë e paprekshme palca e origjinalit. Ato lidhën më së shumti me
Mallin e Gjalliçes, Drinin e Bardhë e të Zi etj.
Petriti
është miku ynë dhe vemi shpesh tek ai me miqtë e përbashkët krijues, Zef Zefi,
Salvador Gjeçi, Bardhok Pulaj, Hekuran Koka etj. dhe kësaj here me Alfred
Dukën. Ka kaluar një sëmundje jo të lehtë dhe dje, në lulishten e bar - kafesë
“Kinemaja”, qendruam rreth tri orë duke folur për letërsinë, më së shumti për
Kadarenë dhe për Drinin. Por dhe për Havzi Nelën. Ishin aty dhe djemtë e tij,
Milosao dhe Maliani, që e shoqërojnë gjatë gjithë kohës sa Petriti ta marrë
plotësisht veten.
Petriti
më të vërtetë është shkrimtar, por ai është njëherësh dhe një punëtor i
zellshëm i gjuhës, veçmas i të folmes së Lumës. Na thotë se në vjeshtë do të
botojë një fjalor të Drinit, me 700 fjalë të urta dhe njësi frazeologjike të
mbledhura prej tij kohë pas kohe. Njëra nga këto njësi është mallkimi “Të
pafsha mes dy Drinave”, domethënë si mos më keq. Po ashtu krejt befasuese na u
duk shprehja tjetër, “Drini shëndosh!”, kur nuk ka mbetur askush tjetër për t’u
ngushëlluar pas ndonjë tragjedie të rëndë familjare.
Urat
janë gjithmonë një grishje për udhëtarin e sidomos turistët. Përshkojmë në
këmbë urën e re të çeliktë të Kukësit, që po i jepet dora e fundit. Ajo është
320 metra i gjatë, pa asnjë këmbë në mes, e gjitha e varur. Ura ka harkun më të
lartë në Evropë, 67 metra lartësi, po kjo nuk do të thotë se është ura më e
madhe në Evropë. Ura notoi mbi liqen me “hapin e breshkës” në muajin prill 2024
për të hipur mbi dy këmbët e bëra gati. Është vepra më e madhe e këtij lloji në
Shqipëri. Kur kundon atë në sfondin gri të Gjallicës, nuk ka se si të mos të të
shkojë mendja te urat e vjetra të Drinit. Izet Duraku i kthehet herë pas here
kujtesës së Kukësit të Vjetër me fotografi e shkrime, sidomos Urës së Vezirit,
që ngrihej pak kilometra poshtë vendit ku bashkoheshin Drini i Bardhë e Drini i
Zi, e ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit 18 nga Karamahmut Pasha, i cili
ndërtoi edhe Urën e Ndërmjetme dhe Urën e Kullës së Lumës, të cilat dijetari
francez Amie Boué i quan si urat më të bukura në Perandorinë Osmane. Ura e
Vezirit u hodh në erë nga ushtria serbe në vitin 1915 dhe rrënojat e saj janë
nën ujrat e liqenit të hidrocentralit të Fierzës.
Luma
është shpaluar shkencërisht në veprën e vëllimshme të studiuesit të mirënjohur
Shefqet Hoxha, me kanunin, etnografinë, besimet, historinë, traditat,
monumentet, reliktet të ndryshme të saj etj. Fatri Bajraktari, mësues i
edukimit fizik, pasardhës i shtëpisë së Bajraktarit në Bicaj ka sjellë për të
na treguar një flamur të vjetër të krahinës së Lumës. Mendohet se është të
paktën dyqindvjeçar, por ai kërkon t’i bëjë analizat shkencore për të
përcaktuar saktë vjetërsinë. Krahas shqiponjës flamuri është i “stolisur” dhe
me disa “pëllëmbë gjaku” në të, që dëshmon qendresën e përgjakshme për liri e
pavarësi të Lumës kundër pushtuesve. Shumë vite më parë ka ardhë për ta parë
Robert Elsie dhe e ka vlerësue. Fatriu tregon se ruan dhe një pasaportë të
vitit 1924 të një familjari të tij të vjetër, ku te zëri profesioni, shkruhet:
“bajraktar”...
Sa
herë vijmë në Kukës, Petrit Palushi do të gjendet patjetër aty, në “oborrin” e
institucioneve kulturore të qytetit, si Radio, Pallati i Kulturës, Ish -
Kinemaja etj. Na kujtohen plot miq tanët që kanë punuar për vite e vite në këtë
Radio duke iu dhënë zë këtyre trevave: Lumës, Hasit, Prizrenit, Gjakovës,
Dibrës, Pukës etj., si Zana Spahiu, Mëhill Tanushi, Izet Duraku, Nermin Spahiu,
Sulejman Dida, Rexhep Shahu, Besim Cengu etj. E papërsëritshme mbetet për valët
e Radio - Kukësit Lufta e Kosovës, që i ktheu gazetarët e saj në reporterë
lufte, si dhe ata të mediave të tjera të këtij qarku verilindor, ndër të cilët,
krahas gazetarit veteran Zylfi Tola, Bashkim Shalës etj., kujtoj me dhimbje
shokun tim të studimeve universitare, gazetarin e ATSH-së Riza Hoxha, njëherësh
oponionist në gazetën “Sot”, ndarë nga jeta para pak vitesh.
Në
Kukës, një kafe me Petrit Palushin është shumë më tepër se kaq...
NDUE DEDAJ
Kukës, më 4 korrik 2024