| E premte, 05.07.2024, 08:05 PM |
GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU DHE ANDRONIKA ARIANITI KASTRIOTI,
NE
TRE OPERAT MUZIKALE TË SHEKULLIT XVIII
Nga
Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali
Jeta dhe veprat
heroike të Gjergj Kastriotit Skenderbeu, janë prezantuar në mbi 2800 vepra të
shkruara nga historianë, kronista, shkrimtar, poetë, nga Papë dhe klerikë, nga
strategë ushtarakë dhe diplomatë, madje janë shkruar dhe librete, me të cilat janë
kompozuar muzikat e tre operave. Në këtë arsenal krijimesh letrare dhe
artistike, përshkruhen kontributet e Gjergj Kastriotit - Zotit të Arbërisë në
mbrojtje të atdheut, të Europës dhe të krishtërimit nga sulmet e Perandorisë
Osmane. Krahas Gjergj Kastriotit, të gjithë këta autorë tregojnë dhe për
bashkëshorten e tij, për gruan fisnike Princeshën Andronika Arianiti Kastrioti.
Në shekullin XVIII
janë shkruar libretet dhe është kompozuar muzika e tre operave të dedikuara
Princit Gjergj Kastrioti dhe bashkëshortes së tij Andronika Arianiti Kastrioti:
- “Scanderbeg”, e
Antonio Luçio Vivaldi (1718);
- “Scanderberg”, e
François Rebel dhe François Francoeur (1731)
- “Scanderbeg”, e Bernard
Germaine Etiènne Médard de la Villesur-Illon, conte de Lacépède (1785).
Opera e parë “Scanderbeg”, drama per muzikë në tre akte, u
kompozua në vitin 1718 nga Antonio Luçio Vivaldi (1678 - 1741), prift katolik,
violinisti më virtuoz i kohës së tij dhe kompozitori më i madh i barokut
europian. Autori i libretit të operas është Antonio Salvi. Libreti origjinal ndodhet
në Bibliotekën e Bolonjës. Disa studiues mendojnë se libreti i Antonio Salvi është
përshtatje në italisht e tragjedisë "The True History of George
Scanderbeg", vepër që ka humbur e shkrimtarit inglez Christopher Marlowe,
për të cilin thuhet se ai ishte autori i vërtetë i veprave të Shakespeare. [Paolo
Betinetti, Storia della litteratura inglese. Einaudi, Torino 2000, pp. 128 -129]
Antonio Vivaldi për
dyzet vite shërbeu prift në Kuvendin Shen Maria e Mëshirës (Santa Maria di
Pietà) në Venezia, institutcioni më i vjetër në botë, që i ishte dedikuar
asistencës, mirërritjes dhe edukimit të fëmijëve jetima. Në këtë kuvend kishin bujtun
dhe shumë jetimë arbërorë, kryesisht nga Shkodra, që kishin mbërrijt në Venecia
pas vdekjes të Gjergj Kastriotit. Edhe në vitet e më vonëshme, klerikë dhe
familje ikanake nga Arbëria gjetën strehim në Venecia dhe në këtë kuvend të famshëm
u sistemuan fëmijë jetima arbëror. Si tregon Vivaldi në memoriet e tij, gjatë
bisedave me klerikët arbëror, me vajzat jetime në këtë kuvend, por dhe nga
takimet me familjet katolike arbërore që banonin prej vitesh në venecia në
gjashtë Calle degli Albanesi (Rrugica e Shqiptarëve), u njoh me jetën dhe
veprat heroike të Gjergj Kastriotit dhe të bashkëshortes fisnike Andronika
Arianiti. Vivaldi i zgjeroi njohuritë për Gjergjin dhe Andronikën kur lexoi
libretin e Antonio Salvi.
Ashtu si klerikët
e tjerë të këtij kuvendi dhe Vivaldi ishte përkushtuar kujdesit, mirërritjes
dhe edukimit të fëmijëve jetima, i impenjuar në tutelën dhe formimin e tyre
arsimor e kulturor dhe shpirtëror. Gjithashtu Vivaldi ishte dedikuar muzikës, ishte
mësuesi i violinës për fëmijët në kuvend, të cilët i aktivizonte në
interpretimin e krijimeve të tij, madje kishte organizuar një orkestër harqesh
vetëm me vajza jetime, ndër të cilat ishin dhe vajza arbërore.
Vivaldi kryesisht
kompozoi muzikë për koncerte dhe soneta (600 koncerte dhe soneta), më i
famëshmi ndër ato është koncerti për violina “Katër stinët”, por kompozoi dhe
muzikë për komplekse instrumentale, muzikë fetare (rreth 100 kompozime) dhe
muzikë për opera, ndër të cilat muzikën e operas “Scanderbeg”.
Vivaldi e ndryshoi
tërësisht muzikën barok italiane, gjallëroi strukturën formale dhe ritmike të
koncerteve dhe të operave, sidomos të operas “Scanderbeg”, duke shtuar
kontraste harmonike dhe melodi të bukura sidomos për ariet. Krijimet e tij
vlerësoheshin të mrekullueshme dhe moderne. Duke njohur famën e Vivaldit, Filippo
d’Assia-Darmstadt, princi austriak i Mantovës, e emëroi Vivaldin mjeshtëri i
Kapellës të oborrti të tij, madje i dorëzoi libretin e Antonio Salvi dhe kërkoi
të kompozonte muzikën e operës “Scanderbeg”.
Pasi studioi
libretin, Vivaldi filloi kompozimin e muzikës të operas dhe brenda 20 ditësh e
përfundoi. Më 25 maj 1718 partiturat e operas iu dorëzuan orkestrës dhe më 22 qershor
1718, u shfaq premiera e operas “Scanderbeg” në teatrin në rrugën Pergola,
shfaqie e organizuar me rastin e inaugurimit të Teatrit të Akademisë
“Immobili” të
Firences. Përgatitjet dhe shfaqia e operas Scanderbeg u inkurajua në veçanti
nga Violante Beatriçe di Baviera, bashkëshortja e princit Ferdinando de’Medici,
Princesha e Madhe e Firenzes dhe Guover-natore e Sienës. Premiera e operas në
Firence u shfaq nën patronazhin e Lartësisë Mbretërore, i Përndrituri Princi i
Madh i Toskanës, Ferdinando de’Medici.
Libretisti Antonio
Salvi ka prezantuar dy grupe personazhe në këtë opera: a. Arbërorët: Scanderbeg
(Mbreti i Albania), Andronica – Doneca (bashkëshortja e Skenderbeut, në skenë e
veshur si baroneshë); Arianiti - Aroniz (i ati i Andronikës); Ormondo (konte
Urani – gjeneral i ushtrisë albaneze) dhe Klementi (kapiten i ushtrisë albaneze);
b. grupi i dytë turqit: Amurat II (sulltani i Perandorisë Osmane), Asteria (e
bija e Amurati II) dhe Akomati, gjeneral turk dhe i dashuri i Asteria. Roli i
Andronikës iu besua sopranos së famëshme Francesca Cuzzoni - Sandoni. [Reinhard
Strohm. The operas of Antonio Vivaldi, Firenze, Olschki 2008, p. 232]
Pas premierës së suksesshme në Firenze, opera
“Scanderbeg” e Vivaldit u shfaq në vazhdim edhe 18 herë të tjera, fillimisht në
Siena dhe në vazhdim në Bologna dhe në qytete të tjera italiane.
Më 25 korrik 1718, opera “Scanderbeg” e Vivaldit u shfaq në
Teatrin “degli Illustri” të Akademisë “Intronati” të Sienës, nën patronazhin e
Lartësisë Mbretërore, të Përndriturës Violante Beatrice di Baviera, Princesha e
Madhe e Toskanës dhe Guvernatore e Sienës.
Megjithë shfaqet e suksesshme dhe vlerësimet e kritikës,
për fat të keq opera “Scanderbeg” e Vivaldit nuk pati jetë të gjatë, madje nga
nëntori 1718 u ndaluan shfaqiet e kësaj opere. Ky vendim radikal lidhet me
rrethanat gjeopolitike të asaj kohe, sepse pas shumë disfatash në luftimet e
Republikës së Venecias, kundër Perandorisë Osmane dhe krizës të Perandorisë
Absburge, më 21 korrik 1718, në Passarovitz, u nënshkrua traktati i paqes
ndërmjet Venecias dhe Perandorisë Osmane. Me këtë traktat u ndërprenë
konfliktet e Venecias me Perandorinë Osmane, si dhe u ndryshuan skenaret
gjeo-politike dhe aleancat ndërmjet shteteve europiane. Pas përfundimit të luftimeve
veneciano – turke dhe nënshkrimit të traktatit të paqes, për të shmangur
konfliktet diplomatike me Perandorinë Osmane, Serenissima urdhëroi të ndalohen
shfaqiet publike të gjitha pjesëve teatrale dhe të operave, që shprehnin
aspekte të konflikteve më turqit, ndër ato e para u ndaluan shfaqiet e operës
“Scanderbeg” e Antonio Vivaldit.
Nga viti 1719 e në vazhdim, opera “Scanderbeg” nuk u
shfaq, u harrua. Në këto rrethana proibitizmi, Antonio Vivaldi nuk mund të
braktiste muzikën e bukur të operas “Scanderbeg”, por zgjodhi një rrugë tjetër,
pjesë muzikore të kësaj opere si ariet, duetet dhe pjesë korale, i përdori
mjeshtërisht në kompozimin e operave të tjera. Në fillim të viti 1719, Vivaldi kompozoi
muzikën e operas “Teuzzone” me libretin e Apostolo Zeno, opera që u shfaq për
herë të parë në festën e karnevaleve, në sallën e teatrit Arcidukal të Mantova.
Pikërisht në muzikën e kësaj opere, Vivaldi ricikloi muzikën e dy arieve të
operës “Scanderbeg”, njera aria e Andronikës dhe tjetra aria e Skenderbeut. Në
të njëjtën mënyrë, Antonio Vivaldi veproi me operën tjetër “Il cimento
dell’armonia e dell’invenzione”, e cila u shfaq në vitin 1721. Në muzikën e
kësaj opere, Vivaldi përfshiu disa arie të tjera dhe dy duete të Gjergjit me
Andronikën të operas “Scanderbeg”.
Në vitin 1723, pra pesë vite pas kompozimit operas
“Scanderbeg”, Antonio Vivaldi kompozoi koncertin për violina “Katër stinët”,
ekzekutuar për herë të parë nga orkestrina e formuar vetëm me vajzat jetime të
Kuvendit Shen Maria e Mëshirës (Santa
Maria di Pietà) në Venezia, ndër ato ishin edhe vajza arbërore.
Në muzikën e koncertit të parë “Pranvera (RV 269)”,
Vivaldi përfshiu dy ariet e Andronikës të operas “Scanderbeg”, saktësisht koha
e parë Allegro dhe koha e tretë Allegro pastorale të këtij koncerti të famshëm.
Koncerti “Katër stinët”, simbolizon epokën kur jetonte dhe krijonte Antonio
Vivaldi, koncert që shquhet jo vetëm për përshkrimin spektakular të stinëve,
por dhe për gjuhën muzkore dhe në veçanti se linja muzikore ka brenda botën e
femrës arbërore, botën shpirtrore të Andronika Kastriotit. Ky koncert me
violina e befason spektatorin me melodi me bukuri të rrallë, të kompozuara me
ritmikë dhe rritje të kontrasteve harmonike, kësisoj shpreh dhe dallimet
ndërmjet stinëve. Muzika e Vavldit është e lirë dhe fluide, me fuqi shprehëse
të subjektit që tregon në koncertin e parë “Pranvera”, dhe këto vlera muzikore
shprehen me muzikën e dy arieve të Andronikës të operas “Scanderbeg”.
Për rreth 300 vite, opera “Scanderbeg” e Antonio Vivaldi mbeti
e mbuluar nga pluhuri i harresës, madje dhe partiturat konsideroheshin të
humbura, por në fillimet e shekullit XX, u zbuluan dhe musikologët Arnold
Schering, Marc Pincherle, Alberto Gentili, Alfredo Casella e Gian Francesco Malipiero,
të cilët me studimet e
tyre prestigjioze, e rikthyen këtë opera me vlerat dhe
shkëlqimin e saj muzikor.
Arnold Schering (1877 - 1941) ishte musikolog gjerman,
violinist dhe kritik i artit muzikor. Schering në vitet 1898 – 1902 studioi në Shkollën
Superiore të Muzikës në Berlin dhe muzikologji në Universitetin Lipsia në
Leipzig. Para se të diplomohesh, Schering studioi partiturat e koncerteve dhe
të operave të Antonio Vivaldi. Në vitin 1902 Schering në tezën e diplomës u
prezantua me studimin “Koncertet instrumentale të Antonio Vivaldi – Geschichtes
des Instrumentalkonzertes bei Antonio Vivaldi”. Nga studimi i koncertit për
violina “Katër stinët” të kompozuar në vitet 1723 – 1725, Schering evidenzoi se
në koncertin e parë “Pranvera”, Vivaldi kishte ricikluar të njejtat melodi
muzikore të dy arieve të Andronikës të operas “Scanderbeg”. [Bernoholf
Schmid. Schering Arnold, Neu Deutche Biographie, Bd. 22, Berline, 2005, f. 696]
Në studimin e aktivitetit të Antonio Vivaldi, një
kontribut të rëndësishëm ka dhënë francezi Marc Pincherle (1888 – 1974),
muzikolog, kritik muzike dhe violinist i talentuar.
Në vitin 1913, Marc Pincherle, gjatë studimit të
partiturave të operave dhe koncerteve të Antonio Vivaldit që ndodheshin në Bibliotekën
e Amsterdamit, zbuloi shumë partitura, pjesa më e madhe ishin dorëshkrime
origjinale, ndërmjet tyre edhe disa pjesë të partiturave të operas
“Scanderbeg”. Këtë arsenal dorëshkrimesh të Vivaldit, Biblioteka e Amsterdamit e
kishte huazuar nga Biblioteka e Torinos. Partiturat e Vivaldit ishin pjesë e dy
koleksioneve: e Mauro Foà (87 partitura dorëshkrime dhe 66 partitura të
shtypura operash) dhe e Renzo Giordano (167 partitura dorëshkrime dhe 145
partitura të shtypura operash). Në përbërje të dy koleksioneve ishin 27 volume
dorëshkrime partiturash origjinale me autograf të Antonio Vivaldit, ku
përfshiheshin partitura operash, serenata, kantata korale, kompozime vokale sakre
dhe koncerte instrumentale, ndërmjet tyre koncerti për violina “Quattro
stagioni – Katër stinët” dhe dy arie dhe dy duete të operas Scanderbeg.
Në fakt, të dy koleksionet voluminoze Mario Foà dhe Renzo
Giordano, fillimisht ishin në pronësi të kontit Xhiakomo Durazzo (Giacomo
Durazzo), fisnik gjenovez me origjinë arbërore. Konti Durazzo - ambasadori
perandorak në Venezia, ishte personalitet i kulturës italiane, iluminist,
koleksionist veprash arti dhe pronari i teatrit kryesor të Gjenovës, i ndërtuar
në pallatin e families Durazzo. Duke filluar nga viti 1780, konti Durazzo bleu
shumë dorëshkrime veprash muzikore, ndër ato ishin dorëshkrimet e Antonio
Vivaldit, ku përfshiheshin partiturat e
operas “Scanderbeg” dhe koncerti për violina “Katër stinët”. Në vitet e më
vonëshme biblioteka e pasur e kontit Durazzo, iu dhurua Kolegjit Salesian San
Karlo në Borgo San Martino dhe ndërmjet materialeve të shumta ishin
dorëshkrimet origjinale dhe partiturat e shtypura të Antonio Vivaldit. [Angela
Valenti Durazzo. Il fratello del doge. Giacomo Durazzo, un illuminista alla
corte degli Absburgo tra Mozart, Casanova e Gluck. CHRA, Principata de Monaco.
2012, pp. 25 - 28]
Në vitet e para të shekullit XX, krijimet e Antonio
Vivaldit në pronësi të Xhiakomo Durazzo, kaluan në pronësi të dy
koleksionistave të veprave të artit, agjentit të kambizmit Roberto Foà dhe
pronarit të industrisë tekstile Filipo Giordano. Nuk dihet si mundën t’i marrin
në pronësi këto vepra të rëndësishme, por dihet se të dy koleksionet, i quajtën
me emërat Mauro Foà dhe Renzo Giordano, në kujtim të dy djemëve të tyre të
vdekur parakohe. Në vitet 1922 – 1930, Roberto Foà dhe Filipo Giordanove, të dy
këto koleksione ia dhuruan bujarisht Bibliotekës së Torinos.
Ndërmjet dorëshkrimeve muzikore të operas barok “Scanderbeg”,
janë partiturat e dy arieve të aktit të parë, njëra arie e Andronikës, tjetra e
Gjergj Kastriotit (aria e palmave dhe e dafinave), si dhe partiturat e dy
dueteve të Gjergj Kastriotit me Andronikën të aktit të dytë të operas.
Marc Pincherle, i studioi muzikën e arieve dhe të
dueteve, dhe në vitin 1913 rezultatet i
prezantoi në tezën e doktorraturës, duke evidencuar vlerat dhe talentin e
Antonio Vivaldi, të cilin e cilëson gjeniu i barokut europian. Në veprën “Vivaldi:
Génie du baroque” botuar në Paris në vitin 1948, Marc Pincherle vlerëson
talentin e Antonio Vivaldit në shprehjen në muzikë të figurës të Gjergj
Kastriotit dhe fisnikërinë, kurajon dhe personalitetin e bashkëshortes së tij
Andronika Arianiti.
Pas këtyre zbulimeve, shumë orkestra italiane dhe të
vendeve të tjera europiane ekzekutuan kompozimet e Antonio Vivaldi, sidomos të
famëshmin koncertin per violina “Katër stinët”, ndërsa opera “Skenderbeg” mbeti
në harresë, madje nuk u ekzukutuan dhe ato pak arie dhe duete të zbuluara nga
Schering dhe Pincherle.
Pas një harrese të gjatë, 300 vjet më pas, mjeshtri
shqiptar Perikli Pite, violinisti i talentuar dhe pedagog i violonçelit në
Liceun Shtetëror të Muzikës G. Markoni në Pezaro – Itali, pedagog i violës në
Konservatorin “A. Boito” në Parma dhe “G. Frescobaldi” në Ferrara, pedagog i
violonçelit barok në Konservatorin “L. Marenzio” në Breshia etj, arrijti të
rikuperoi edhe gjashtë arie të tjera të operas “Scanderbeg” të Vivaldit. Me
këtë kontribut të mjeshtrit Perikli Pite, u arrijt të plotësohen dhjetë arie të
kësaj opere.
Pas një impenjimi të grupit të muzikantëve të drejtuar
nga mjeshtri Perikli Pite, muzika e gjashtë arieve u ekzekutua në Firencë më 22
qershor 2018 nga orkestra Toscana Classica, shfaqie e suksesshme, që përkoi me 300
vjetorin e premierës të operas “Scanderbeg” të Vivaldit në Teatrin e Pergola në
vitin 1718.
Më 6 shtator 2018, Instituti për Fëmijërinë - Shen Maria
e Mëshirës në Venecia, në bashkpunim me Associazione Culturale Fenice Estense, orkestra
e Ansamblit “Aurata Fonte” nën drejtimin e mjeshtrit Perikli Pite, ekzekutoi të
plota gjashtë ariet. Ariet e Andronikës u kënduan nga sopranoja Miho Kamiya. Koncerti
u organizua në kishën e Mëshirës (Della Pietà) në Venecia dhe ishte gratis për
publikun. Në një koncert me orkestër harqesh të ansamblit “Aurata Fonte”,
Perkli Pite drejtoj simfoninë për harqe në Sol Maggiore, “Fra catene ognor
penando”, të operas “Scanderbeg” RV 732 të kompozuar nga Antonio Vivaldi.
Pas koncerteve të
suksesshme në Venecia dhe në Firence, në kuadër të festimeve të Vitit Ndërkombëtar të Gjergj Kastriotit, të ftuar nga Don Lush Gjergji, Vikari i Përgjithshëm i
Ipeshkëvisë së Kosovës, në Katedralen Shen Nënë Tereza në Prishtinë – Kosovë, orkestra
nën drejtimin e mjeshtrit të talentuar Perikli Pite, më 24 nëntor 2018 i
interpretoi të gjashtë ariet e operas “Scanderbeg” të Antonio Vivaldit.
Koncerti u ndoq me mijëra spektatorë kosovar.
Shfaqia më 22 qershor 1718 në teatrin “Pergola” në Firence, nën patronazhin e Lartësisë Mbretërore, i Përndrituri Princi i Madh i
Toskanës, Ferdinando de’Medici.
Shfaqia më 25 korrik 1718 në teatrin “Degli Illustri” të
Akademisë “Intronati” të Sienës nën patronazhin e Lartësisë Mbretërore, të Përndriturës
Violante Beatrice di Baviera, Princesha e Madhe e Toskanës dhe Guvernatore e
Sienës.
Opera “Scanderberg”, e François Rebel dhe François Francoeur, e shfaqur më 27 tetor 1735, në teatrin e Akademisë Mbretërore të Francës.
Në shekullin XVIII janë dhe dy opera të tjera
“Scanderberg” të kompozitorëve francezë.
Kompozitorët francezë François Rebel (1701 – 1775) dhe
François Francoeur (1698 – 1787), të dy violinista të famshëm, Rebel në
orkestrën e operas të Parisit dhe Francoeur në orkestrën 24 Violons du Roi. Të
dy janë bashkautorë në kompozimet barok të shumë koncerteve instrumentale,
simfonive, muzikë baleti dhe operash. Krtika i cilësonte dy autor të mishëruar
në një vepër muzikale barok. Ndër krijimet e tyre të shumta është dhe kompozimi
operës liriko-tragjike me titull “Scanderberg”, e cila u shfaq për herë të parë
më 27 tetor 1735, para mbretit të Francës Luigji XV dhe të mbretëreshës Maria
Charlote Leszynska. [Jean Gourret, Ces hommes qui
ont fait l’Opéra, Albatros, Parigi, 1984,
pp. 64 -65]
Autori i libretit është Antoine Houdar dela Motte,
shkrimtar e dramaturg francez. Opera u vu në skenë nga Akademia Mbretërore e
Muzikës dhe pati shumë sukses.
Libreti dhe partiturat e operës, aktualisht janë arkivuar
në Bibliotekën e Parisit.
Opera e tretë e shekullit XVIII, me titull “Scanderberg”
u kompozua nga Bernard Germaine Etiènne Médard de la Villesur-Illon, konti i
Lacépède (1756 -1825), politikan dhe muzikolog. Pasi u njoh me historinë e
jetës dhe veprave heroike të Gjergj Kastriotit, Bernard Germaine Etiènne kompozoi
muzikën e operas Scanderberg. Opera u vu në skenë në Paris nga Akademia
Mbretërore e Muzikës me premierën në vitin 1785. Kritikët e vlerësuan muzikën e
operas dhe e konsideruan Etienne Bernard Germaine, vazhduesi i traditës të
klasiçizmit të kompozitorit Christoph W. Gluck. [Ora Fishberg Saloman.
Aspects of Gluckian operatic thought and practice in France. 1984, f. 361 – 362].
Libretistat e të dy operave të kompozuar nga francezët François Rebel/François Francoeur dhe Bernard Germaine Etiènne, titullin e kanë shkruar “Scanderberg”, si shkruheshin emërat e fisnikëve flamingë dhe gjermanë me prapashtesën berg. Autorët francezë të libreteve të këtyre dy operave, e kanë shkruar në këtë formë, për ta prezantuar si fisnik dhe hero perëndimorë, duke e prezantuar Gjergj Kastriotin – Skenderbeun, figurë që inspironte ndjenjat e patriotizmit dhe të lirisë, andaj nuk duhet konsideruar gabim orthografik, por një veprim me synim për të prezantuar Gjergjin hero me përmasa eruopiane.