| E marte, 02.07.2024, 07:55 PM |
Bujar Hudhri:
Shumë
vite më parë, kur lexova paragrafin e fundit të dorëshkrimit të librit me
kujtime të Helenës “Kohë e pamjaftueshme”, ku shkruhej se cili do të përcillte
tjetrin nga kjo botë, Kadareja ia kishte mbushur mendjen se duhej të ikte i
pari. Duhej të mbetesha, shkruante Helena, njëfarë kohe pas tij, ashtu sikundër
pas një darke të gëzueshme.
Nuk
mund ta harroj tronditjen e asaj dite. Ishte edhe atëherë një ditë e nxehtë
korriku si sot, e megjithatë ndjeva të më përfshinte trishtimi. Hera e parë që
lexoja kaq qartë rreshta për vdekjen e Kadaresë sa gati po e besoja vërtet.
Formova numrin e telefonit të Helenës. Me një ngut që duket se atë e la paksa
të habitur iu luta të ma kalonte pak zotin Kadare t’i flisja. Hë, Bujar,
ç’kemi, dëgjova zërin e tij. Ja, përfundova librin e Helenës dhe doja të të
dëgjoja zërin. Dhe shtova: sa bukur, ta lexoj këtë paragraf dhe ndërkohë ne
mund të flasim bashkë. E përfytyroj tani, kur do të ketë buzëqeshur, me gishtin
te tëmthi kur të thoshte për ndokënd, ky është i lojtur. Nuk i duronte
sentimentalizmat.
Por
mëngjesin e parë të këtij korriku, për fat të keq, ndërsa nxitonim drejt
spitalit me autoambulancë, e ndjeva vërtet se diçka e pakthyeshme kishte
ndodhur qysh në apartamentin e tij, në rrugën “Ibrahim Rugova”. Minutat
torturuese te dera e urgjencës, ecejaket e personelit në dhomë, rreth krevatit,
pastaj heshtja e mjekëve. Gjithçka mbaroi. Një punonjëse me të bardha që
afrohet dhe kërkon ta ndihmoj për të plotësuar skedën e vdekjes: emri, mbiemri,
atësia, mëmësia, datëlindja, adresa...
Kam
pasur një përfytyrim, qysh në fëmijërinë time, që shkrimtarët nuk janë banorë
të kësaj toke. Gati tridhjetë vite me Kadarenë, kjo përshtypje, madje, është
përforcuar. Ndërsa e prisja në Rinas kur zbriste nga avioni dhe pas një muaji e
përcillja, edhe me sy, teksa avioni shndërrohej si një pikë e zezë në qiell. E
përsëritur kaq herë, në dhjetëra vite, e përfytyroja vërtet si një zog të
qiejve, siç thoshte për Lasgushin. Edhe tani kjo pamje nuk më largohet nga
përfytyrimi dhe e kam të fiksuar përjetësisht në mendje.
Tani
më shumë se kurrë, duke zënë vendin e tij në panteonin e letrave botërore.
Ashtu siç shprehej vetë, për sivëllain e tij Martin Camaj: “Në tryezën e
epërme, ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë, nuk ngjiten zhurmat e vogla e
as afrohen profilet e rëndomta. Atje ka përherë mirëkuptim e harmoni, ndaj e
kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve nuk sos”.
Lamtumirë,
mjeshtër!
https://www.facebook.com/profile.php?id=100004994688219