| E diele, 30.06.2024, 07:54 PM |
ESTETIKË E BUKUR DHE BUKURI E RRALLË
(Korniza e një portreti -Dussi Sadriji,
piktor akademik)
(Spreitenbach (AG), 21 qershor 2024. Me
rastin e hapjes së ekspozitës kolektive të Dussi Sadrijit, Thomas Velti dhe
Yvonne Wilken)
Nga Shefqet
DIBRANI
I.
Dussi Sadriji, s’bashku me Thomas Velti, skulptor nga Badeni (AG) dhe
piktorja Yvonne Wilken nga Dortmundi i Gjermanisë, në objektin e ri të komunës,
“Gemeidegalerie në Spreitenbach - Galeria Komunale” të këtij qyteti, kanë
hapur ekspozitën e tyre të radhës.
Me këtë rast kishin ardhur artdashës të shumtë,
kryesisht zviceran, në mesin e tyre edhe miq dhe dashamirë të artit pamor, ku
bashk me familjen e piktorit, shijonin vlerat më të arrira të Dussi Sadrijit,
me rastin e hapjes së kësaj ekspozite të përbashkët me këta artistë të njohur. Ekspozita
do të qëndroj e hapur deri më 02 gusht 2024, dhe vlenë të potencohet se si janë
kthyer korridoret, shkallët dhe kthinat e Kuvendit Komunal në Spreitenbach, në
Galeri Arti, traditë e kamotshme e kësaj komune.
Pikturat e Dussi Sadrijit, (mbi dyzet sish), përbënin
një mozaik të kompletuar, qoftë si cikle e më tepër për ngjyrat dhe vijat sa
tërëheqëse, aq mahnitëse dhe po aq unikate, vlera këto artistike që e bëjnë të
dalluar profilin artistik të njeriut, i cili çdo gjë e vë dhe e bënë mbi bazën
e njohjeve të thella profesionale, në anën tjetër kjo punë kaq e madhe flet për
përkushtimin që ka artisti Dussi Sadriji, për artin pamor. Edhe
kompozcioni artistik i këtyre pikturave, pavarësisht nga cikli dhe mënyra,
paraqesin gjithënjo kordinata shumë të veçanta dhe tejet dalluese, të cilat
pasqyrojnë një shkollë ndryshe, e mirë dhe dalluese e cila është arritje e
veçantë dhe e papërseritshme, të cilën me pasion dhe përkushtim e krijon Dussi
Sadriji i cili tashmë ka bërë emër, jo vetëm te komuniteti artistik i
bashkatdhetarëve të vet, por kudo që prezantohet arti i tij, nëpër galeri e
rrethe artistike, (jo vetëm në Zvicër), zgjon kureshtje dhe interesim.
Pa dyshim, Dussi Sadriji, piktor akademik, është
bërë akademi për koloninë e artistëve shqiptarë, sepse mënyra e krijimit dhe
përdorimi i thellë në hijezime figurative, përfaqësojnë teknika dalluese ashtu
siç janë më dalluese edhe pikturat e tij të cilat e bëjnë atë jo vetëm piktor i
realizuar, por më të veçantë, mjaft i kërkuar në qarqe artistike, i pranuar,
gjithandej, qoftë për stilin dhe mënyren e krijimit, por edhe për vlerat
njerëzore dhe sjelljen e vet prej Artisti-Njeri, po veçanërisht për
mënyrën se si i qaset dhe prezanton krijimin e vet artistik!...
II. IMAZHT (SU)REALE
Dussi Sadriji, ka krijuar shkollën e vet artistike. Ngjyrat në pamje të
rëndomta, të vështira për tu realizuar. Vijëzimet harkore dhe rrathët eliptikë
mjaftë unikat, tejet interesant, paraqesin kordinim dhe rregullësi të cilën nuk
e shohim tek piktorët e tjerë.
Për piktorin vizatimi-piktura është shprehje artistike
e reales, kurse realiteti i jep frymëzimin diagonal përmes të të cilit krijon
abstraksione të suksesshme artistike. Kjo estetikë krijimi është e veçantë, kjo
mënyrë e vizatimit artistik e bënë pikturën e Dussit art të njohur edhe
pa e shënuar autorsinë.
Karakteristikë tjetër e këtyre pikturave janë harqet
dhe vijat diagonale të cilat ruajnë strukturën për të finalizuar qëllimin e
synuar, për të realizuar iden e paramenduar. Jo vetëm këto elemente, pikturat e
Dussit zbukurohen nga ngjyrat karakteristike, kryesisht të hapura por me
dritëzime ndezëse që japin shpresë dhe njëkohësisht shprehin jetë.
Saktësi e vijës ndarëse në mes dy botërave ekzistuese, që
me mënyrën e kubizmit dhe të figurave gjometrike, shtrirja e lakoreve të cilat
në mënyrë konstante ruajn çartësinë e figurës që ai dëshiron të ndërtoj, qoftë
kjo figurë e femrës nudo, vallëzimi i saj me fustanin e gjatë, ritmi i lëvizjes
mbi take të larta, jo vetëm se shprehin elegancë, por krijojnë edhe harmoni të
veçantë. Ngjyrat dhe hijezimet duken të magjishme, ato shprehin dashuri dhe
bukuri të rrallë, prandaj artisti ka mundësi e fantazi krijuese për të
realizuar një cikël të gjerë me piktura kushtuar gruas - femrës, qoftë edhe
asaj nudo, soji njerëzor më e ndjeshme, më e brisht dhe si natyrë njerëzore sensuale
dhe melankolike.
Edhe cikli me lule e bënë këtë art dhe artistin të veçantë,
ndërsa në ekspozitë (kur lulet qëndrojnë afër ose pranë njëra-tjetrës), duken
kopsht ku shndërisin e shkëlqejnë ngjyrat e flakëruara që krijojnë përshtypje
se Dussi Sadriji, është kopshtari më mgjik e artistik për të pikturuar
lulet e vëna brenda në kornizë. Estetikë e bukur dhe bukuri e rrallë. Ngjashmëri
magjike, format gjeometrike duken gati identike sa shpesh herë punimet e tija na
bëhen të jenë formati “3-D”, e parë nga shumë anë, me prerje të tërthorta a
hiperbolike, duke dhënë pamjen e pikturës – prerjen e saj, sikur të ishin
realizime të formatit tredimensional. Kjo pamje shumëdimensionale, është prerje
magjike nga disa kendvështrime, e bëjnë pikturën sikur shohim të njëjtin
subjekt i fotografuar nga shumë pamje e preje të mundshme. Finesat që shihen në
këto prerje ia rrisin vlerën artistit i cili duket se ka afinitet të çuditshëm,
sa i japin epitet unikat pikturës së Dussi Sadrijit, veçantinë e pamjes,
sado në dukje e thjeshtë, në esencën e saj, shpreh thellësi figurative që i jep
jetë e gjallëri edhe pamjes së subjektit që ai pikturon.
Me pak fjalë: Bukuri e rrallë. Art i suksesshëm. Estetikë
e realizuar me finesa artistike. Dinamikë jetësore. Imazh (su)real. Realizim i përsosur!
III. ARTI DHE SENTIMENTI ARTISTIK
Dussi Sadriji, ka krijuar universin artistik. Viteve të fundit ai është
bërë i njohur, jo vetëm për sasi por edhe për cilësi. Në ekspozitat kolektive,
kryesisht dominojnë punimet e tij. Harmonia e vizatimeve artistike, veçmas cikli
“Femra nudo” dhe ai “Lulet”, janë dy tematika të ndryshme që
përmbushin njëra tjetrën. Parë në aspektin motivor e tematik: “Sensualiteti
dhe ngjashmëria e bukurisë që ka gruaja dhe lulja”, “Ndjeshmërinë që
kanë gratë dhe lulet”, dhe “Prekshmërinë fizike lulet dhe atë
shpirtërore gratë”!...
Kjo shumëllojshmëri stilesh e teknikash e bëjnë artin e Dussi
Sadrijit tërheqës dhe të pëlqyer. Vijëzimet artistike shpesh herë janë si
valët e deti me ngritjet dhe rëniet harmonike kurse ngjyrat të cilat ngjizën
njëra në tjetrën formojnë pamje mahnitëse. Ajo që bie në sy në artin e Dussi
Sadrijit është sistemi i punës dhe i motiveve mbi të cilat ndërtohet një
koncept i tërë i piktuarve të cilat formojnë ciklin e caktuar. Edhe vizatimet e
tij e kanë bërë artistin më të famshëm sepse përmes vijave të shumta arrinë me
krijuar tabllo serike që japin mesazhin e caktuar. Se ku e ka frymëzimin në
disa sish është e qartë, flora dhe fauna janë inspirueset kryesore për
piktorin, pamje të bëra e ribëra nëpër artin e tij që i përket pamjeve të
natyrës ashtu siç janë pjesë e natyrës edhe “Demat” e Dussi Sadrijit,
te realizuar me përsosmëri të mundshme. Kafshët dhe shpezët janë pasion për të.
Veçojmë edhe ciklin “Shqiponjat”, si dy simbolika të tjera, Demat,
Shqiponjat, Lulet dhe Gratë, përbëjnë një kuartet vizual që zënë
vend qëndror në artin e këtij krijuesi.
Duke ndjekur me pasion ekspozitën e tij, të krijohet përshtypja se
piktor jetën e ka pasur të mirë, ka jetuar gjëra të bukura dhe ka shijuar me
elegancë jetën, prandaj vetëm ato përjetime i ka kthyer në art, në letër për
t’i shijuar edhe të tjerët, mbase mision i artit është zgjatja e jetës së artistit
që e ka krijuar, sepse sa të rrojnë pikturat, bashkë me to rron edhe emri dhe
shpirti i piktorit, gjë që Dussi këtë sintagmë metaforike e ka realizuar
me shumë pasion dhe përkushtim, madje ai i ka shndërruar përshtypjet e veta në
art, prandaj duke pikturuar tabllot nga jeta ai ka shpalosur edhe diçka të
padukshme nga brendsia shpirtërore që ka. Ky stil mjaftë atipik dhe i veçantë e
bënë pamjen e pikturës më dinamike, si dukje e dalluar dhe si art tejet elegant,
bukuri që mbush e frymëzon shpirtin e vizitorëve dhe që mbahet mend për një
kohë te gjatë.
IV. ARTI DHE KOMUNIKIMI
NDËRKULTUROR
Vetëm pikturat kanë mundësinë e komunikimit me publikun
dhe artdashësit pa ndërmjetësues, pa përkthim dhe gjithnjë ruajn
origjinalitetin e tyre. Kjo është arsyeja pse pjesëmarrja e artistit në ekspozita
kolektive por edhe në aso individuale është ndërtimi i urave të kuminikimit
ndërkulturor, ndërartistik. Arti iu përballon stuhive dhe tundjeve sociale,
armiqësive dhe konflikteve raciste, sepse vetëm pikturat kanë kuptim jetësor,
ato janë të gjithëhershme dhe kurdohershme.
Edhe artistët (sikur të tjerët), një ditë do të lënë
frymën e fundit dhe shpirti i tyre do të ngjitet në qiell. Janë pikturat dhe
arti i tyre që do të vazhdoj komunikimin me publikun dhe shoqërinë, sidomos atë
kulturore, shoqërinë artistike. Punimet artistike kurdoherë komunikojnë me vizitorët
e tyre dhe shprehin mesazhin e tejjetës që ka ndërtuar artisti. Vetëm arti
vazhdon tejjetën dhe komunikimin nga përtejjeta me miqtë me kulturat, me popujt
dhe me njerëzimin...
V. SHËNIM BIOGRAFIK
(Dussi Sadriji, piktor akademik)
Dussi Sadriji, piktor akademik, u lind në vitin 1967 në Gjilan të
Kosovës. Shkollën Fillore dhe atë të mesme i kreu në Gjilan. Akademinë e Artit,
drejtimi i artit figurativ, Degën e Pikturës e ka përfunduar në Prishtinë, (1987-
1991), në klasën e profesorit të njohur Muslim Mulliqi.
Qysh si
student ka qenë pjesëmarrës i rregullt i ekspozitave tradicionale të studentëve,
"Salloni i të rinjëve" dhe "Salloni pranveror".
Vlenë të theksohet se qysh atëherë ai ishte në mesin e pesë artistëve të
shpërblyer. Po ashtu në Zvicër ka marrë pjesë në disa ekspozita të përbashkëta
si dhe disa të tjera individuale. Vlenë të theksohet se në ekspozitën kolektive
të 30 artistëve zviceran, mbajtur në Hinwillersee në Galerinë "Zum
blauen Pfaun", Dussi Sadriji ishte i vetmi i huaj. Në
Spreitenbach, (qyteti ku jeton e krijon), përpos katër ekspozitave
personale, sivjet është i përzgjedhur për tu prezantuar me pikturat e tij, në
mesin e piktorëve më të suksesshëm, për Jubileun e 25 Vjetorit të Galerisë së Komunës
në Spreitenbach.
Dussi Sadriji është fitues i Çmimit “Agim Ramadani” në vitin
2003, nga Shoqta e Artistëve Shqiptarë në Zvicër. Fitues i Çmimit "Ibrahim
Kodra” në vitin 2022 nga Shoqata e Krijuesve Shqiptar në Zvicër, kurse në
vitin 2024, Dussi Sadriji ishte ideator i ekspozitës së 17 artistëve
shqiptarë në Galerinë e Komunës në Spreitenbach, e cila bëri jehonë të madhe. Dussi
Sadriji, që nga viti 1992 jeton dhe krijon në Zvicër!
St. Gallen, 29 qershor 2024.
Shefqet DIBRANI