| E premte, 28.06.2024, 07:50 PM |
NGA LIBRAT BESTSELLER
"Perëndia",
një nga "21 leksionet për Shekullin 21", të Yuval Noah Harari
Përgatiti:
Albert Vataj
Mos
thuaj kot "në emër të Zotit"
Ekziston
Zoti? Kjo varet se për cilin zot po mendon. Misterin kozmik apo ligjvënësin e
përbotshëm? Ndonjëherë kur njerëzit flasin për zotin ata flasin për një enigmë
të madhe e të mrekullueshme, por që për të cilin nuk dimë absolutisht asgjë. Ne
e thërrasim këtë zot misterioz për të shpjeguar enigmat më të thella të
kozmosit. Po pse të ketë diçka dhe jo asgjë? Çfarë i ka skalitur ligjet
themelore të fizikes? Çfarë është vetëdija dhe nga vjen ajo? Ne nuk i dimë
përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe injorancës sonë i japim emrin e madh të zotit.
Karakteristikat më themelore të këtij zoti misterioz është se ne nuk mund të
themi asgjë konkrete për të. Ky është perëndia e filozofëve; zoti për të cilin
flasim kur ulemi rreth zjarrit në një kamping natën vonë dhe pyesim veten për
arsyen e ekzistencës sonë.
Në
raste të tjera njerëzit e shohin zotin si një ligjvënës të përbotshëm, të
vrazhdë, për të cilin dinë shumë. Ne dimë saktësisht se çfarë mendon ai për
modën, ushqimin, seksin dhe politikën, dhe e thërrasim këtë Burrë Vetullngrysur
në Qiell për të justifikuar një milion rregulla, dekrete dhe konflikte. Ai
mërzitet kur gratë veshin bluza me mëngë të shkurtra, kur dy burra kryejnë
marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin, apo kur adoleshentët masturbojnë. Disa
thonë se ai nuk do që ne të pimë alkool, kurse sipas disa të tjerëve ai na
kërkon të pimë verë çdo të premte mbrëma apo çdo të diel në mëngjes. Librari të
tëra janë shkruar për të shpjeguar deri në detajet më të vogla se çfarë pëlqen
dhe çfarë nuk pëlqen ai. Karakteristika më themelore e këtij ligjvënësit të
përbotshëm është se mund të themi gjëra jashtëzakonisht konkrete për të. Ky
është zoti i kryqëzatave dhe xhihadistëve, i inkuizitorëve, i diskriminuesve
gjinorë dhe homofobëve. Ky është zoti për të cilin flasim kur qëndrojmë rreth
një turre drush që digjen, duke hedhur gurë dhe abuar me gjithë heretikët që
janë pjekur në të.
Kur
besimtarët pyeten nëse ekziston ose jo zoti në të vërtetë, ata shpesh fillojnë
të flasin rreth mistereve enigmatike të universit dhe kufizimet e të kuptuarit
njerëzor. "Shkenca nuk mund ta shpjegojë Big Bang-un," thonë ata,
"kështu që do të jetë punë e zotit." Ashtu si një magjistar që
mashtron audiencën e tij kur në mënyrë të paperceptueshme nga ata, ai
zëvendëson një letër me një tjetër, besimtarët zëvendësojnë me shpejtësi
misterin kozmik dhe ligjvënësin e përbotshëm. Pasi u vënë emrin e
"zotit" sekreteve të panjohura të kozmosit, ata më pas e përdorin
këtë për të dënuar rrobat e banjës dhe divorcin. "Ne nuk e kuptojmë Big
Bang-un - kështu që duhet të mbulosh flokët kur del në publik dhe të votosh
kundër martesave të homoseksualëve." Jo vetëm që nuk ka ndonjë lidhje
logjike mes të dyjave, por ato janë në të vërtetë kontradiktore. Sa më të
thella misteret e universit, aq më pak të ngjarë ka që kushdo qoftë që është
përgjegjës për të të dojë t'ia dijë ndopak për kodin e veshjes së femrave apo
sjelljen seksuale të njerëzve.
Kjo
lidhje e munguar mes misterit kozmik dhe ligjvënësit të përbotshëm zakonisht
sigurohet përmes ndonjë libri të shenjtë. Ky libër është i mbushur me
rregullore të papërfillshme, por pavarësisht kësaj atij i atribuohet misteri
kozmik. Krijuesi i hapësirës dhe kohës me sa duket ka heshtur për këtë, por
është munduar të na ndriçojë kryesisht me rituale të errët tempujsh dhe tabu
ushqimi. Në të vërtetë, ende nuk kemi pasur ndonjë provë deri tani se Bibla apo
Kurani apo Bibla e Mormoneve apo Vedat apo çdo libër tjetër i shenjtë të jetë
krijuar nga forca që ka përcaktuar se energjia është e barabartë me shpejtësinë
e dritës në katror, dhe se protonet janë 1837 herë më të mëdha se sa
elektronet. Me aq sa dimë nga njohuritë shkencore, të gjitha këto tekste
të
shenjta janë shkruar nga Homo sapiensë me imagjinatë të madhe. Ato janë thjesht
histori të shpikura nga paraardhësit tanë për të legjitimuar normat sociale dhe
strukturat politike.
Personalisht
nuk rresht së habituri rreth misterit të ekzistencës. Por, kurrë nuk e kam
kuptuar se ç'lidhje ka ai me ligjet e papërfillshme të judaizmit, krishterimit
apo hinduizmit. Këto ligje sigurisht që mund të kenë qenë shumë të dobishme për
të vendosur dhe mbajtur rendin social për mijëra vjet. Por, për këtë, ato nuk
janë thellësisht të ndryshme nga ligjet e shteteve dhe institucioneve
shekullariste.
I
treti nga Dhjetë Urdhëresat biblike i këshillon njerëzit të mos përdorin kurrë
më kot emrin e zotit. Shumë këtë e kuptojnë në mënyrë fëminore, si një ndalesë
për të mos përmendur në mënyrë të qartë emrin e zotit (si në skenën e
mirënjohur të Monty Python "Po the Jehova..."). ndoshta një kuptim më
i thellë i kësaj urdhërese është se ne kurrë nuk duhet ta përdorim emrin e zotit
për të justifikuar interesat tona politike, apo ambiciet tona ekonomike apo
urrejtjet tona personale. Njerëzit urrejnë dikë dhe thonë: "Zoti e urren
ate"; njerëzit zaptojnë një copë tokë dhe thonë: "Zoti e do
ate". Bota do të kishte qenë një vend më i mirë nëse ne do ta ndiqnim në
mënyrë më të devotshme urdhëresën e tretë. Dëshiron të shpallësh luftë dhe të
grabisësh tokën e fqinjit tënd? Lëre zotin jashtë saj dhe gjeji vetes një
justifikim tjetër.
Kur
ka mbaruar çdo gjë, është çështje semantike. Kur unë përdor fjalën “Zot",
mendoj për zotin e shtetit islamik, të kryqëzatave, të inkuizicionit dhe të
pankartave: “Zoti i urren homoseksualët”. Kur mendoj për misterin e
ekzistencës, preferoj të përdor fjalë të tjera, për të shmangur konfuzionin.
Dhe ndryshe nga zoti i shtetit islamik dhe kryqëzatave - i cili shqetësohet
vetëm për emrat dhe mbi të gjitha për emrin e tij të shenjtë – misteri i
ekzistencës nuk shqetësohet asnjë grimë se çfarë emri i kemi vënë ne majmunëve.
Njerëzit
shpesh argumentojnë se ne duhet te besojme te zoti i cili u ka dhënë disa ligje
shume konkrete njerëzve, ose për ndryshe moraliteti do të zhduket dhe shoqëria
do të rrënohet në kaosin e dikurshëm.
Sigurisht
që është e vërtetë se besimi te perëndite ka qenë jetik për shumë rende sociale
dhe se disa herë ka pasur pasoja pozitive. Ne te vërtetë, të njëjtat fe që kanë
frymëzuar urrejtjen dhe fanatizmin te disa njerëz, kanë frymëzuar dashurinë dhe
dhembshurine te disa të tjerë.
Megjithëse
perënditë mund të na frymëzojnë të veprojmë me dhembshuri, besimi fetar nuk
është domosdoshmërisht kushti për sjellje morale. Ideja se mund të na duhet një
qenie e mbinatyrshme për të na bërë të sillemi në mënyrë morale supozon se nuk
ka asgjë jo natyrale te moraliteti? Po pse? Moraliteti në disa forma është
natyral. Të gjithë gjitarët socialë nga shimpanzetë deri te minjtë kanë kode
etike të cilët kufizojnë gjëra të tilla si vjedhja apo vrasja. Mes njerëzve,
moraliteti është i pranishëm në të gjithë shoqëritë, edhe pse jo të gjithë
besojnë në të njëjtin zot. Të krishterët veprojnë me mëshirë edhe
pa
besuar në panteonin Hindu, myslimanët vlerësojnë ndershmërinë përpos refuzimit
të natyrës hyjnore të Krishtit dhe vendet shekullariste të tilla, si Danimarka
dhe Republika Çeke nuk janë më të dhunshme se sa vendet e devotshme të tilla si
Irani dhe Pakistani.
Moralitet
nuk do të thotë "të ndjekësh urdhrat e shenjtë". Do të thotë
"pakësosh vuajtjen". Kështu që për t'u sjellë në mënyrë të moralshme,
nuk ke nevojë të besosh në ndonjë mit apo trillim. Thjesht duhet të zhvillosh
nje keqardhje të thellë për vuajtjen. Nëse vërtet e kupton se si një veprim
shkakton vuajtje të panevojshme ndaj teje apo të tjerëve, në mënyrë të
natyrshme ti do të hiqje dorë prej tij. Pavarësisht kësaj, njerëzit vrasin,
përdhunojnë dhe vjedhin sepse kanë vetëm një vlerësim sipërfaqësor ndaj
dhimbjes që ata shkaktojnë. Ata janë të fiksuar për të kënaqur epshin apo
ngasjen e tyre të çastit, pa u shqetësuar për ndikimin te të tjerët apo qoftë
edhe për pasojat afatgjata te vetja e tyre.
Mund
të kundërshtoni se çdo njeri në mënyrë të natyrshme kërkon të shmangë ndjesinë
e dhimbjes dhe trishtimit, por pse duhet të shqetësohen njerëzit për vuajtjet e
të tjerëve, përveçse nëse këtë e kërkon zoti? Një përgjigje e qartë është se
njerëzit janë kafshë sociale, kështu që lumturia e tyre varet në një masë të
madhe nga marrëdhëniet e tyre me të tjerët. Pa dashurinë, miqësinë dhe
komunitetin, kush do të ishte i lumtur? Nëse bën një jetë të vetmuar dhe të
përqendruar rreth vetes, pothuajse e ke të garantuar se do të ndihesh i mjerë.
Kështu që në fund të fundit, për të qenë i lumtur duhet të kujdesesh për
familjen, miqtë dhe anëtarët e komunitetit tënd.
Po
përsa i përket atyre që janë krejt të huaj? Pse të mos vrasim të huajt dhe të
marrim ato që zotërojnë ata dhe të pasurojmë veten dhe tribunë tonë? Shumë
mendimtarë kanë ndërtuar teori sociale të përpunuara, duke shpjeguar se pse në
terma afatgjatë sjellje të tilla nuk janë produktive. Nuk do të të pëlqente që
të jetoje në një shoqëri ku të huajt vriten dhe plaçkiten rregullisht. Jo vetëm
që do të ishe në rrezik të vazhdueshëm, por do të të mungonin përfitimet e
gjërave të tilla si tregtia, e cila varet nga besimi mes te huajve. Tregtarët
zakonisht nuk vizitojnë qelitë e hajdutëve. Kjo është mënyra se si teoricienet
shekullariste qe nga Kina e lashtë e deri tek Europa moderne kanë justifikuar
rregullën e arte: "mos i bëj tjetrit atë që nuk do të doje të ta bënin
ty".
Megjithatë,
ne nuk kemi vërtet nevojë për teori të tilla komplekse afatgjata për të gjetur
një bazë reale për dhembshurine universale. Harrojeni tregtinë për një çast. Në
një nivel tejet personal, lëndimi i të tjerëve gjithmonë më Jendon edhe mua.
Çdo akt i dhunshëm në botë fillon me një dëshirë të dhunshme në mendjen e
dikujt, e cila e shtetëson qetësinë dhe lumturinë e atij personi përpara se sa
të shqetësojë paqen dhe lumturinë e dikujt tjetër. Kështu që njerëzit
rrallëherë vjedhin nëse më parë nuk kanë grumbulluar shumë zili dhe lakmi në
mendjet e tyre. Njerëzit zakonisht nuk vrasin nëse fillimisht ata nuk kanë grumbulluar
zemërim dhe urrejtje. Emocione të tilla, si: lakmia, zilia, zemërimi dhe
urrejtja janë shumë të pakëndshme. Nuk mund të përjetosh gëzim dhe harmoni nëse
po zien nga zemërimi dhe zilia. Kështu që shumë më parë se të vrasësh dikë,
zemërimi yt tashmë ka vrarë qetësinë në mendjen tënde.
Në
të vërtetë, mund të ziesh nga zemërimi për vite me radhë, pa e vrarë në të
vërtetë objektin e urrejtjes sate. Rast në të cilin nuk ke lënduar askënd, por
pavarësisht kësaj ke lënduar veten. Kështu që është në interesin tënd të
natyrshëm - dhe jo e kërkuar nga ndonjë zot që të shtyn të bësh diçka për
zemërimin tënd. Nëse çlirohesh krejtësisht nga zemërimi do të ndiheshe shumë
herë më mirë se sa ç'mund të ndiheshe nëse do të vrisje armikun tënd të
neveritshëm.
Për
disa njerëz, një besim i fortë në një zot të dhembshur, i cili na urdhëron të
kthejmë faqen tjetër, mund të ndihmojë në zbutjen e zemërimit. Ky ka qenë një
kontribut i jashtëzakonshëm i besimeve fetare ndaj paqes dhe harmonise në botë.
Fatkeqësisht, për të tjerë njerëz besimi fetar në të vërtetë nxit dhe
justifikon zemërimin e tyre, sidomos nëse dikush guxon të ofendojë zotin e tyre
apo të injorojë dëshirat e tij. Kështu që vlera e zotit, ligjvënësit
tpërfundimisht varet nga sjellja e njerëzve të devotshëm ndaj tij. cfarë të
dëshirojnë. Po ashtu, vlera e riteve fetare dhe vendeve të shenjta varet nga
lloji i ndjenjave dhe sjelljeve që ato frymëzojnë. Nëse të vizituarit e një
tempulli i bën njerëzit të përjetojnë paqe dhe harmoni - kjo është diçka e
mrekullueshme. Por, nëse një tempull i veçantë shkakton dhunë dhe konflikte,
për çfarë na duhet? Ai është qartësisht një tempull jo funksional. Po ashtu siç
është pakuptim të luftosh për një pemë të sëmurë e cila prodhon gjemba dhe jo
fruta, po ashtu është pakuptim të luftosh për një tempull problematik i cili
prodhon armiq dhe jo harmoni.
Të
mos vizituarit e asnjë tempulli dhe të mos besuarit e asnjë zoti është
gjithashtu një mundësi e zbatueshme. Ashtu siç kanë vërtetuar këta pak shekuj
të fundit, ne nuk kemi nevojë të thërrasim zotin për të jetuar një jetë të
moralshme. Shekullarizmi mund të na sigurojë të gjithë vlerat për të cilat kemi
nevojë.