Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hamza Halabaku: S'dua të më takosh në vend të huaj

| E enjte, 27.06.2024, 07:50 PM |


Hamza Halabaku

S’DUA TË MË TAKOSH NË VEND TË HUAJ

Për ty nuk flasin

Fjalë të mira

Edhe pse herë-herë

E bën punën me vend.

Kanë  thënë se je tinëzare

Se ty nuk të dihet

nuk i fal askujt

asnjë çast

kur i vjen koha.

Këtu ku jam

kurrë s´dua të më takosh

Se jam në vend të huaj.

Sa herë e bën punën për ngut

Dije që koritesh

Gjyshin e lë

e nipin e merr

e lë të sëmurin

e merr të shëndoshin.

Për mua, kur të vijë koha,

Bëje punën tënde,

ama, të lutem, pritmë

derisa të jem në vendin tim

se s´bëhet nami.

Kur të mbërrij në tokën time

të pres burrërisht.

Gjithandej sillesha

Kohët e fundit

Nuk e di pse

Nuk ta kisha drojën fare.

Vit për vit të prita

Pa asnjë dozë frike

Të prita si burrë

e të prita si djalë

se e di

ti askënd s´e fal.

Me katër vargje doja të tregoja tërë

dashurinë që kisha për ty, Dardani

E vargjet s’i zinin fjalët që doja t’i shkruaja

Tani e kuptova sa e madhe është kjo dashuri!