Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Pusho në amshim At Antonio Belushi
E premte, 21.06.2024, 07:14 PM
PUSHO NË AMSHIM DON (NDUE) ANTONIO BELLUSHI!
APOSTULL
I SHQIPTARIZMËS!
Prift, Shkrimtar, Gazetar, Entolog e Pedagog
Arbëresh
Nga
Frank Shkreli
“Në
ballkonin tim vazhdojnë të valëviten tre flamujt: shqiptar, kosovar, dhe ai
italian. Ndërsa në bibliotekën time, portretet si ajo e Skënderbeut,
Aleksandërit, Pirros, Adem Jasharit, për mua janë ndihmë, burim
force e sensibilizimi që kjo Arbëri e arbëreshëve të jetë e përjetshme e mos të
vdes kurrë!” – At Antonio Bellushi.
Ndërroi jetë At Antonio Bellushi një
kolos i shqiptarizmës. Bota Arbëreshe, Shqipëria dhe Kosova mbajnë zi për
kalimin në amshim të Dom Antonio Bellushit, ARBËRESHIT nga Kosova, siç e njihte
komuniteti shqiptaro-amerikan gjatë dekadave të fundit – sepse liria dhe të
drejtat e shqiptarëve në Kosovë ishin bërë pjesë e pa ndarë e jetës dhe e
kryqëzatës së tij në mbrojtje të shqiptarëve kudo, sidiomos gjatë viteve të
luftës në Kosovë. Ishte një mbrojtës i vendosur i Kosovës gjatë njërës prej
krizave më të rënda historike të Kombit shqiptar. Ai merrte pjesë shpesh në shumë takime dhe
raste kombëtare të komunitetit shqiptaro-amerikan. Me At Antonio Bellushin,
ishte gjithmonë kënaqësi të takohesh. Të në praninë e tij, ishte një përvojë e
vërtetë patriotizmi -- një rast frymëzimi i vërtetë atdhedashurie. për të
gjithë.
Të shpejta qenë reagimet nga mbarë bota
shqiptare për lajmin se At Bellushi ndërroi jetë, pas një sëmundjeje të rëndë,
në moshën 90-vjeçare.
Presidentja e Republikës së Kosovës,
Vjosa Osmani shprehi ngushëllimet e saja për ndarjen nga jeta të Dom Antonio
Bellushit me një deklaratë në rrjetët sociale: “Me dhimbje të thellë mora
lajmin për kalimin në amshim të at Antonio Belushit, veprimtarit të paepur të
çështjes shqiptare, i cili përveç se kultivoi me pasion gjuhën arbëreshe, nga
vitet ‘90, bashkë me Presidentin Rugova e veprimtarë të tjerë, e mbrojti të
drejtën e shqiptarëve për liri. Ndarja e
tij nga jeta është humbje e madhe për familjen e miqtë, Kishën Arbëreshe,
institucionet e popullin arbëresh të Kalabrisë e gjithë Italisë së Jugut. Si
Presidente e Kosovës kam pasur nderin ta takoja në bibliotekën e pasur të tij,
të cilën e krijoi dhe e mbajti me aq përkushtim deri në vdekje. Kur ia akordova
shtetësinë e Kosovës, ishte i stërlumtur, sepse iu plotësua dëshira e tij
jetësore. I përhershëm qoftë kujtimi për
at Antonio Belushin”, përfundon Presidentja Osmani reagimin e saj në emër të
Republikës së Kosovës, me rastin e ndërrimit jetë të Antonio Bellushit, -- në
emër të Kosovës, për të cilën ai punoi e veproi me gjithë shpirt për dekada,
sidomos në bashkpunim me komunitetin shqiptaro-amerikan.
Në një reagim të shpejt e të shkurtër,
me këtë rast, Dom Lush Gjergji i Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë, duke iu
drejtuar atij me fjalët “Mik dhe vëlla i dashur Atë Ndue (Antonio)” shkruan se, jeta e At Antonio
Bellushit ishte “Një jetë e gjatë shumë e begatshme, me plot fryte,
zell, angazhim, frymëzim, do të them edhe entuziazëm unik në të mirë dhe dobi
të Popullit tonë ilir, arbëror e sot shqiptar. Ai ka qenë mbi të gjitha prift
arbëresh i ritit lindor apo bizantin, gazetar, publicist, etnograf, shkrimtar,
udhëpërshkrues, pedagog, bibliotekar, mbi të gjitha i dashuruar në Zotin,
Kishën Katolike, në Popullin tonë”. Dom Lush Gjergji e ka njohur mirë At
Antonio Bellushin, në jetë dhe veprimtaritë e tija, por njihte dhe shpresat e
tij për Kombin shqiptar, se e ardhmja e këtij kombi të lasht do të jetë në
skenën botërore për të mirën e tij dhe të tjerëve: Porosia e tij ishte e qartë, largpamëse dhe
profetike, kujton Dom Lush Gjergji: “Ne mbijetuam për të dëshmuar lashtësinë, historinë,
autoktoninë, mbi të gjitha Provaninë e Zotit dhe historinë tonë tejet të
lavdishme në krye me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun tonë… Populli ynë tash e
tutje do të jetë në skenë për të mirën tonë dhe të tjerëve, të gjithëve…”
Kaloi në amshim arbëreshi Atë
Antonio BELLUSHI (1934 – 2024) (drita.info)
E sjellim këtë shënim të shkurtër e
modest për të kujtuar dhe nderuar Arbëreshin e Madh Don Antonio Bellushin në
ditën e shkuarjes së tij në amshim. Sepse i kemi shumë borxhe këtij burri të
madh – por jo vetëm At Antonio Bellushit, por të gjithë arbëreshëve të Italisë,
të cilët brez pas brezi, për më shumë se 500-vjet në dhe të huaj, kanë ruajtur
gjuhën shqipe, traditën dhe kulturën kombëtare
do mbahet mend si një përfaqësuesi i denjë i kulturës arbëreshe
perëndimore. Kujtimi i tij do të
vazhdojë të ketë një influencë të thellë në komunitetin shqiptaro-amerikan me
të cilët ai e ndiente veten si në shtëpine e vet – por edhe do të kujtohet
përgjithmonë në zhvillimet e ardhëshme të letërsisë, gjuhës dhe kulturës
arbëreshe.
U nda nga kjo jetë një
njeri i shumë vlerave fetare, kombëtare dhe kulturore të Arbërisë – një arbër
me një idealizëm të pashoqt – që po len familjen dhe shumë miq të tij, anë e
mbanë botës shqiptare – me një ndjenë humbjeje të thellë dhe të pazevendsueshme
– sidomos në mërgatën shqiptaro-amerikane të cilën e donte fort.
Pushofsh në paqe Dom
Antoni (Ndue) Bellushi!