| E marte, 18.06.2024, 07:00 PM |
NOLI Ponteggi fitues i turnirit “Muaji i Lirisë 2024”
Fotoreportazh nga Treviso (Itali)
Shkruan:
Florim Zeqa
Për nder të ditës së çlirimit të Kosovës, nën moton
“Muaji i Lirisë”, më 15 dhe 16 Qershor 2024, në Palestren e Sporteve në Breda
di Piave (TV-Itali) u mbajt turniri tradicional në futboll të vogël. Kësaj
radhe ky turnir u organizua nga Këshilli Organizativ dhe “Energym Eventi”.
Tradita e mirë e organizimeve
Turniri filloj me intonimin e himnit kombëtar dhe
atij të shtetit të Kosovës, ku për dy ditë rresht ekipet pjesëmarrëse ju
dhuruan bashkatdhetarëve futboll të nivelit të lartë dhe shumë gola të bukur,
duke lënë kështu mbresa të pashlyera tek të pranishmit e shumtë që ishin
prezent në këtë aktivitet të bukur sportiv me karakter festiv.
Secila ndeshje ishte më e mirë sesa tjetra, secili
gol më i bukur sesa tjetri, kurse pjesa e çerekfinaleve, gjysëmfinalja dhe
finalja ishin në nivelin më të lartë sportiv dhe tejët atraktive për
futbolldashësit.
Ndeshja finale mes ekipeve NOLI Ponteggi dhe RION
Pavimentazioni veçohet për lojë të barabart nga të dyja ekipet, për çka deri në
momentet e fundit të lojës shtesë ishte i paqartë fituesi i turnirit, me shumë
gola të shënuar dhe momente emocionuese të papërshkruara më fjalë.
Për dallim nga viti i kaluar, në këtë turnir muarën
pjesë vetëm 12 ekipe; Kastrioti, Rion Pavimentazioni, Zëri i Atdheut, Edil
Buqaj, Noli Ponteggi, Edil Sinani, Rinia e Kosovës, FC Kosova, Edil Kolgeci, LG
Coperture dhe Veteranët.
Padyshim, meritat për mbarëvajtjen e turnirit,
përveq Këshillit Organizativ: Fadil Bajraktari, Florim Lumi dhe Florim Zeqa, u
takojnë edhe bashkëpunëtorëve Isuf Ademi dhe Remzi Bujari si edhe dy referëve
profesionist, të cilët me profesionalizëm të lartë dhe korrektësi i drejtuan
ndeshjet e këtij turniri.
Ndarja e mirënjohjeve
Ndarjen e mirënjohjeve për sponsorët që e ndihmuan
materialisht mbajtjen e turnirit “Muaji i Lirisë” 2024 e bëri kryesuesi i
Këshillit Organizativ, z. Fadil Bajraktari, i cili me nga një mirënjohje i
nderoj: Edil Sinani, Finiture LG, Ilir Buqaj, Ramir Group, Mentor Zeneli, AG
Costruzioni dhe Ilir Shala.
Ndërsa ndarjen e mirënjohjeve për veteranët e bëri
veterani Florim Lumi, ish pjestarë i luftës çlirimtare, TMK-së dhe FSK-së, si
në vijim; Xhafer Gashi, Esat Gashi, Bajram Hajdari dhe Fazli Vehapi.
Në fund, Këshilli Organizativ i turnirit i ndau
shpërblimet si në vijim; lojtari më i mirë u zgjodh Veli Gashi i cili u nderua
me kupë, po ashtu me kupë u nderua edhe golashënuesi më i mirë, Ricardo
Castaldello. Me kupë u nderua portieri më i mirë, Ismail Gashi. Kësaj radhe
Këshilli Organizativ e përzgjodhi edhe Tifozin më të dalluar, djaloshin Arbias
Gashi.
Edhe pse nuk ishte paraparë nga organizatorët
përzgjedhja e golit më të mirë, golin më të bukur të turnirit e shënoj Ditlir
Dulaku nga ekipi Zëri i Atdheut në ditën e parë të turnirit.
Me kupë u nderua ekipi Edil Sinani i cili e zuri
vendin e tretë.
Me kupë u nderua ekipi RION Pavimentazioni që zuri
vendin e dytë, ndërsa lojtarët u stolisen me nga një medalje të argjendtë.
Vendin e parë në turnirin “Muaji i Lirisë” 2024, me
plotë meritë e fitoi ekipi NOLI Ponteggi nga Brescia, i cili u nderua me kupë
dhe medalje të artë për lojtarët. Kjo është fitorja e parë e z. Arber
Llugaxhija si trajner i ekipit NOLI Ponteggi, i cili u nderua me mirënjohje nga
Këshilli Organizativ për bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e rregullt në turniret
e futbollit në Treviso. Nuk është e rastësishme fitorja e NOLI Ponteggi për
faktin se trajneri Arber Llugaxhija me dy ndihmës trajnerët Faton Berisha dhe
Mentor Smakiqi i kishin përgatitur lojtarët e tyre jashtëzakonisht mirë si në
aspektin profesional ashtu edhe në atë moral, për t’u ngritur në majat e
suksesit në turnirin tradicional.
Duhet cekur se Arber Llugaxhija ishte 15 herë
pjesëmarrës, 7 herë kampion dhe 4 herë lojtari më i mirë i turnirit “Muaji i
Lirisë”, kurse kjo është hera e parë që e merrë Vendin e Parë si trajtner i
ekipit NOLI Ponteggi.
Vlenë për të theksuar, se sponsor i rregullt i
turnireve është edhe pronari i kompanisë “Edil Sinani”, afaristi i njohur Gafurr
Sinani, i cili përveçse sipërmarrës i dalluar, është edhe personalitet i njohur
i mërgatës sonë, i dashur dhe respektuar nga mërgimtarët.
Duhet vlerësuar edhe angazhimin e “Energym Eventi”
dhe Albion Lumi të cilët u përkujdesën për furnizimin me ushqime dhe pije
freskuese përgjatë dy ditëve të turnirit.
Prerja e Tortes “Muaji i Lirisë, festë e përbashkët
Pas ndarjes së mirënjohjeve dhe shpërblimeve, radha
i erdhi prerjes së Tortës së madhe për nder të turnirit “Muaji i Lirisë” dhe
Ditës së Çlirimit të Kosovës, e cila i bëri bashkë në fushë organizatorët,
ekipet finaliste dhe shikuesit që ishin prezent.
Prerja e tortës u bë në mënyrë simbolike nga
organizatorët dhe përfaqësuesit e ekipeve, për të vazhduar më pas me këngë e
valle në palestrën e bukur në Breda di Piave (TV).
Pa dyshim se festa ishte e përbashkët, por gëzimi
ishte i madh dhe i papërshkruar tek ekipi fitues NOLI Ponteggi, të cilët e
festuan në mënyrë dinjitoze ngadhnjimin në turnirin “Muaji i Lirisë 2024” në
Treviso.
UÇK krenari kombëtare
Sot e gëzojmë lirinë falë gjakut të Dëshmorëve dhe
Martirëve, luftës heroike të ushtarëve të UÇK-së si
dhe intervenimit të aleancës më të fuqishme ushtarake në botë-NATO-s!
Andaj, me pietetin më të lartë përulemi para
sakrificës së shumë brezave të dëshmorëve, martirëve, veprimtarëve dhe
intelektualëve shqiptarë, që nuk kursyen asgjë nga vetja e tyre për lirinë e
atdheut.
Liria e Kosovës nuk mund të identifikohet me asnjë
emër të përveçëm, grupacion apo parti politike, pasi partitë shkojnë e vijnë,
kurse UÇK-ja mbetët përjetësisht në kujtesën e
popullit shqiptar.
Tek UÇK-ja e kemi krenarinë kombëtare dhe dashurinë
hyjnore që nuk shterron asnjëherë. Mbi gjakun e heronjëve dhe dëshmorëvei kemi
themelet e forta të lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë-Republikës së
Kosovës.
Pra, UÇK-ja është vlerë kombëtare e cila duhet
ruajtur dhe kultivuar çdo ditë dhe në vijimësi, brez pas brezi dhe gjeneratë
pas gjenerate.
Lavdi për jetë e mot të gjithë të rënëve për liri!
E gëzofshim për jetë e mot Republikën e Kosovës!