| E hene, 17.06.2024, 06:52 PM |
Flet “Artisti i Popullit” Luftar Paja: Ju tregoj anën tjetër për zakonet dhe tekat e mia
- Skena e “Bylisit” ishte ajo që më
futi në gjirin e saj pa shkuar ende brisk në faqe dhe u largova prej saj 3 herë
gjysh
Nga Albert Z. ZHOLI
Me Luftarin thuajse komunikoj çdo ditë në telefon, por pa
diskutim do takohemi përballë gjatë një jave. Luftar Paja lindi
në Gorishovë të Mallakastrës më 1 dhjetor 1941. Pas mbarimit të shkollës së
mesme elektrike e pedagogjike në vitin 1963 mbaron studion 1 vjeçare për aktor
në teatrin popullor. Qysh në moshë të re spikat talenti i tij si aktor. Kontribut
të madh në formimin e tij si aktor ka dhënë regjisori Llazar Verria dhe
veçanërisht aktori dhe regjisori i talentuar Pëllumb Kulla. Luftëtari është
nderuar me medalje të çmimit të parë në vitin 1969 për kontributin e dhënë në
grupet amatore, është nderuar me medaljen “Naim Frashëri” e klasit të parë. Në
vitin 1968 u emërua aktor profesionist në estradën e Fierit. Në vitin 1971
është ndër të parët në krijimin e Teatrit Bylis Fier. Luan në teatër në dramën
"Hijet e natës", "Fejesa e Çehovit". Ndër rolet më të
spikatura të aktorit Luftar Paja janë: "Çobo Rrapushi me shokë" në
rolin e Çobos. Në dramën "Vite të paharruara". "Fytyra e
dytë". E në qindra e qindra komedi me nje akt. Në vitin 1979 merr titullin
“Artist i Merituar”. Luftar Paja ka marrë pjesë dhe në shumë filma artistik. Ku
ka spikatur me role në filma patriotik si "Këshilltarët", "Guna
përmbi tela", "Nëntori i dytë", "Gjeneral Gramafoni".
Filma me temë të asaj kohe si "Ëndrra për një karrige", "Zëvendësi
i grave" etj. Ai ka luajtur përkrah aktorëve të mëdhenj shqiptar si Rolan
Trebicka, Sandër Prosi, Mirush Kabashi, Hajrie Rondo, Kadri Roshi etj. Në vitin
1990 merr titullin e lartë “Artist i popullit”. Në vitin 2001 është shpallur
“Qytetar nderi i Fierit”. Në 31 maj të vitit 2005 atij i jepet titulli “Nder i
Qarkut Fier”.
Artistët kanë dy jetë, atë të skenës
dhe atë të përditshen mes njerëzve në rrugë, në kafene, në ambiente të
ndryshme. Si është jeta e përditshme e Luftarit?
Jetët tona të përditshme si janë? Jeta e përditshme e një humoristi është si jeta e përditshme e çdo
qytetari. Jetë që ka baticat dhe zbaticat e veta, sepse në fund të fundit
humoristi para se të jetë profesionist është një qytetar, një familjar, një
prind, një bashkëshort, një shok. Çdo profil i analizuar në domethënien e vet.
Në shoqërinë njerëzore ka dashamirësi, dashaligësi ka të mirat dhe të këqija.
Kështu dhe në familje dhe në shoqëri. Nuk është se çdo gjë shkon vaj. Por
humoristi ka një favor, e joshin të gjithë për atë veçanti që ka. Nga përvoja e
mësuesve të mi të humorit, ose parakohësve të mi, kam vërejtur që humoristi
kërkon të bëjë humor vetë, por kur të tjerët kërkojnë të bëjnë humor me të,
atij nuk i vjen ëmbël. Dhe kjo gjendet pothuaj te shumë artistë të humorit. Nuk
e mirëpresin humorin, që bëjnë të tjerët me personin e tij, sepse i duket sikur
ato i dinë të gjitha. Këtu duhet të tregohet artisti i kujdesshëm, sepse njeriu
nuk mund t’i dijë të gjitha. Unë sa ngrihem nga krevati nuk dua të qëndroj në
shtëpi, por duhet patjetër të kontaktoj me njerëzit. Sa hap sytë në mëngjes,
gjëja e parë që bëj, kap pultin e televizorit dhe kërkoj të marr informacion se
çfarë bëhet e çfarë s’bëhet në këtë dynja. Sigurisht që pika e parë e
itinerarit të ditës janë titujt e gazetave. Mbasi informohem me to, e mbyll
televizorin dhe kryej detyrat e mia si të gjithë njerëzit, tualetin e
mëngjesit, më pas konsumoj mëngjesin. Gjatë vaktit fillestar të ditës ha vetëm
një mollë nga ato majhoshet ,sepse më ndihmon në luftën kundër diabetit. Pas
mëngjesit, shkoj në lokal dhe pi një çaj kamomili. Pas kamomilit puna e parë që
bëja, bashkohesha me shokët e mi të punës në teatër ose në kafen më të afërt të
teatrit dhe pija një çaj tjetër. Më shumë se dëshirë për të konsumuar, është
një rit për të qenë pranë miqve të mi të një profesioni. Shkëmbeja me ta
mendime dhe mbasi kaloja një dy orësh nën shoqërinë e tyre, siç e kam pasur
zakon gjithnjë, takoj njerëzit. Kur isha në punë, më kishte dalë nami se punën
e filloja në orën 9 të mëngjesit, por nga shtëpia dilja që në orën gjashtë.
Mendoj se kjo nuk është modesti e tepruar. Por unë takohem me njerëzit dhe kam
kënaqësinë më të madhe kur ata më shprehin shqetësimet e tyre, simpatitë që
kanë për punën time. Reagimet e njerëzve më kanë dhënë tërë jetën kënaqësi ndaj
kur më jepet mundësia, jam i predispozuar për t’i ndihmuar. I përkushtohem me
shumë dëshirë derisa t’i zgjidh punën. Kjo gjë më ka shërbyer në jetë, sepse më
ka ruajtur avenirin tim. Nuk e kam bërë me qëllimin e caktuar, sepse më duhet
etiketa e modestit. Unë e kam bërë sepse e kam në karakter dhe jam i
predispozuar që të ndihmoj gjithë njerëzit, duke parë se në jetë kam vuajtur
shumë, ndaj kam dëshiruar t’i ndihmoj dhe t’i lehtësoj sadopak dhimbjet e tyre.
Unë nuk e bëj për t’u dukur. Është një gjë e lidhur me karakterin tim. Dhe meqë
ishim duke folur për zakonet e mia më pëlqen që drekën ta ha gjithnjë i
shoqëruar dhe mos ta konsumoj vetëm. Ndoshta-ndoshta dhe në shtëpi kur shkoj
nuk më shijon dreka vetëm, dua të kem afër gruan ose fëmijët ose ndonjë mik.
Por, dhe kur jam jashtë familjes, në ndonjë restorant mua nuk më shkon dreka
vetëm pa ndonjë shok. Pija ime e preferuar është rakia. Më e bukura është që
nuk dua shumë si volum, sepse preferoj cilësinë. Por jam dhe pak “kafshë
mishngrënëse”. Përgjithësisht me rakinë shkoj deri në stadin e të qenit një
solucion i ngopur, por vetes i kam vënë objektivin: ditën që do më merren
mendtë dhe do më ngatërrohen këmbët nga rakia, nuk do e vë më në gojë. Mbas të
ngrënit e kam zakon të shtrihem një orë pasdreke që mund të jetë ora 14 ose 15
e drekës. Ky zakon ka ndryshuar me kohën. Kur isha në jetën intensive të punës
nuk kam pasur kohë ta respektoja këtë rit, por tani që kam dalë në pension, unë
e kam kthyer në një regjim të përditshëm. Ka disa vite që e aplikoj dhe
çuditërisht, e ndjej veten shumë mirë kur e zbatoj. Mbi të gjitha, fik
celularin, sepse në atë orë nuk dua të më shqetësojë njeri dhe më duket se
rigjeneroj forcat e mia. Mbas gjumit, çohem, në qoftë se është koha për të dalë
bëj një shëtitje dhe i bie Tiranës rreth e qark më këmbë, sepse më duket sikur
një orë e gjysmë lëvizje më këmbë tret ushqimin e drekës. Kam 20 vjet që nuk pi
kafe, por vetëm çaj. Ndodh, që pasditeve nëse ka ndonjë aktivitet në teatër, ta
ndjek me kureshti. I respektoj shumë ftesat që më bëjnë, ndonjë panair, shkoj
në shfaqjet e Operës dhe Baletit. Në darkë kam recetën time të ushqimit: një
kos me bukët e thata që në Greqi i quajnë “frikanja” dhe mbas tyre unë mund të
lexoj nga ora 9 deri në 2 pas mesnate. Ky është rituali im. E ndjej veten shumë
mirë me këtë lloj programi që ndjek. Zakonisht në darkë fle gjumë mbas orës
12-të.
Si e kujton Teatrin e “Bylisit”?
Unë jetoj prej disa vitesh në Tiranë, por kam një mall të
veçantë për skenën e “Bylisit” të Fierit. Nuk do të them ndonjë gjë të veçantë
nga ato që kanë thënë kolegët e mi. Aktori në rolet që ka bërë, ka derdhur
djersë. Dashurohet aq shumë pas personazhit sa bëhet njësh me shpirtin e tij.
Në 37 vjet punë artistike numëroj rreth 350 role në estradë, teatër dhe
kinematografi. Meritë të veçantë për mua, kanë ato role që përmend spektatori,
duke më thirrur me emrin e tyre. Të flasësh për mall është pak, sepse ka qenë
skena e “Bylisit” ajo që më futi në gjirin e saj pa shkuar ende brisk në faqe
dhe u largova prej saj 3 herë gjysh. S’mjafton një libër për të shprehur mallin
që kam për atë skenë e sidomos për spektatorin artdashës dhe të kulturuar
fierak, pa harruar kolegët të cilët i respektoj dhe i dua me gjithë shpirt. 700
role mbi supe dhe 130 premiera estrade, janë vite pune, që nuk ma kanë lodhur
pasionin e artistit për figurat e humorit .
box
NGA
PËRVOJA PROFESIONALE
Teatri apo filmi?
Teatri dallon nga filmi për të vetmen arsye se në teatër
një gjë që nuk e bëre sonte, do mobilizohesh e do ta bësh nesër. Në teatër mund
ta korrigjosh gabimin. Në kinematografi gabimin nuk e korrigjon dot. Filmi ka
lodhje më të madhe, sidomos për kohën që e bënim ne. Atëherë jetonim me kushte
të vështira. Kur xhironim filmin e parë, unë ndenja 3 muaj në Dardhë të Korçës
pa shkuar në shtëpi. Mjafton të përmend filmin “Gunat mbi tela” ku kemi ndenjur
3 muaj të veshur me rroba leshi dhe s’është kollaj të punosh në pikun e vapës,
qershor, korrik, gusht, veshur me rrobat e leshta, shajakë, fanella dhe sipër
të gjitha këtyre dhe gunën. Kini parasysh që ato mbaheshin gjithë ditën, sepse
njëherë përgatitej terreni, njëherë nuk vinin figurantët, njëherë do merreshin
kuajt, njëherë ndriçimi. Do rrije me rrobat e leshit veshur në kulmin e vapës.
Ndaj mund të them se po të mos qe deti ku pas xhirimeve kridheshim në të,
deklaroj me seriozitetin më të plotë se do kishim zënë parazitë. Na i largoi
kripa e detit. Edhe faktet kanë treguar se unë jam ndjerë më mirë në
skenën e teatrit. Mendoj se ndihem më familjar dhe jam më i efektshëm në
teatër, në fushën e humorit. Unë kam karakteristikën e veçantë se kam preferuar
skeçin e gjatë, atë të karaktereve dhe nuk kam qenë i shquar për humorin e
batutës, apo humor të çastit. Unë kam preferuar humorin e organizuar, ndaj duke
bërë një bilanc mendoj se kam qenë më i suksesshëm në skenë. Të jesh aktor do
të thotë të zbavitësh të tjerët dhe në të njëjtën kohë të zbavitesh edhe vet.
Është një KATARSIS si për spektatorin, por në radhë të parë për aktorin. Ti
rrëmben një personazh, që ka një ide, ka një fytyrë, një tip, mendime dhe
veprime që nuk janë si të tuat, por profesionalisht duhet t’i bësh të tuat. Dhe
atëherë i futesh lojës. Të jepet kështu mundësia për të qenë dikush tjetër,
ndoshta një njeri që ti ke dashur të ishe, por në jetën reale për gjithë
veçoritë e tua nuk munde të ishe dot. Dhe në skenë mund të bëhesh bukurosh,
mashtrues, ngashënjyes dhe të tërheqësh gjithë femrat e botës edhe pse mund të
ndodhë që jashtë asnjëra nuk të kërkon t’i fikësh më dritat. Ndoshta dhe mund
të ndodhë, por për shkak të gjithë historisë tënde, moshës, familjes e
prestigjit nuk i bën dot më. Por ja që ti je në personazh dhe aty ke mundësi të
tregohesh garip, të mos ia varësh dhe aq shumë seksit të kundërt, mund të jesh
pasanik i madh, kryetar, bos e çfarëdolloj personazhi mund të jesh. Dhe aty,
mbi skenë, ti mund ta bësh luftën tënde në mënyrën më të përsosur, duke u bërë
heroi i idealit. Mund të ndodhë që të japësh jetën për këtë ideal. Gjë që në
jetën reale kostumet moderne ia kanë eliminuar ekzistencën, duke e quajtur
rëndom, marri. Ti e ndërton personazhin në mënyrën më të mirë të mundur. Duke
futur përvojën e të tjerëve, të njerëzve që kanë bërë bujë me jetën e tyre. Dhe
pastaj kombinon aty filozofi, bukurinë e situatës, transformimin e thellë
kostumor dhe plastik, fut nëntekstin dhe nënkuptimin, alegorinë, metaforën,
humorin. Pastaj ti fut në lojë idetë e tërthorta, goditjet e fshehura dhe sheh
se rreth e qark lëmit ku është ekspozuar ky arsenal, mblidhen më shumë e më
shumë njerëz që emocionohen, qajnë dhe qeshin. Loja që ti ndërton me partnerët
në skenë kthehet në jetë, art, biznes, e përditshme, e ndërkryer. Ai që të
ndjek së bashku me ty sheh veten dhe shkrihet në të. Nëpërmjet personazhit tënd
ai ëndërron bashkë me ty…