| E diele, 16.06.2024, 05:35 PM |
TREGIMI
I GJYSHIT
Nga
Agim Xh. Dëshnica
Në
kohë të lashta, një karvan i gjatë i nisur nga Teherani me deve e kuaj të
ngarkuar me mallra e me njerëz të nxirë nga dielli, pas një shtegtimi të
lodhshëm nëpër shkretëtirën e Kara-kumit, shpesh me tufane rëre, u ndal në
Samarkand. Në qendër të qytetit zhurmonte pazari me dyqane e tenda. Mbi të
ngriheshin lart xhami me disa minare. Afër tyre, nën hijen e hurmave, nga
çesmat me gurë të latuar rridhte me gurgullimë ujë i pastër e i ftohtë. Buzë
rrugëve me kalldrëm zbardhnin shtëpi me
oborre e puse, me kopshte e lulishte.
Me
karvanin udhëtonte edhe një djalosh. Kur nata ra, ai u shtri e fjeti tok me të
tjerët pranë dengjeve me mallra. Tani, kur dukeshin përpara malet mbi Andizhan,
atij s’po i durohej të arrinte sa më parë në shtëpi e të çmallej me njerëzit e
vet. Për ata ai kishte ngarkuar dy kuaj
me sende me vlerë nga Irani.
Të
nesërmen, kur dielli i zjarrtë do të ulej drejt perëndimit, karvani i çlodhur do të nisej për të bërë pjesën e
fundit të udhëtimit. Pas një nate e një dite, vargu i udhëtarëve mbi deve e
kuaj, me fyej e daulle, me këngë e thirrje, do të hynte nën portën e lartë
të Andizhanit. Ata që gjatë tërë rrugës
ishin marrë me shah, me shenja e fjalë, do t’i mbyllnin ndeshjet me piskama e
sokëllima.
Udhëtari
ynë u zgjua nga rrezet e para të diellit. Afër pazarit, te një çesmë me tre
sylynjarë, lau duart e fytyrën, hëngri
mëngjesin, piu ujë dhe zuri vend nën hijen e palmave. Kur dreka po qasej, u
ngrit dhe eci përmes turmës, që dyndej në pazar. Prekte paratë në gji dhe
mendohej. Papritur hunda i kapi një erë të këndshme qoftesh, kukurreci dhe
mishi të pjekur.
Qoftexhinjtë
thërrisnin:
-
Hajde, qofte me pilaf! Të mira e të lira!
-
Kukurrec, kukurrec taze me piper!
-
Bozë meli, bozë meli, akull, akull e ftohtë!
Zërat
ngriheshin lart dhe përziheshin njëri me tjetrin. Era e qofteve, e kukurrecit,
e mishit të pjekur dhe lëngjet e tyre sajonin një kënaqësi të thellë dhe tundim
të paduruar. Djalit i shkrepi befas një dëshirë. Iu afrua një qoftexhiu nën
hijen e një tende të bardhë dhe nxori nga hejbetë një copë bukë. Me lëvizje të
ngadalëshme, e kaloi copën e bukës mbi avullin që lëshonin qoftet sipër zgarës.
Iu duk sikur feta e bukës ndryshoi ngjyrë dhe u zbut, ndaj deshi të largohej, që ta hante shpejt. Por, qoftexhiu
me feste të bardhë e kishte parë. E kapi prej mënge e i thirri:
-
Ku shkon!? Tund paratë këtu!
-
Lëshomë! Ç’para kërkon nga unë zotrote!?
-
Paratë, të thashë! Avulli që ta rregji bukën është i qofteve të mia! Hajde,
paguamë pesë groshë dhe thyej qafën!
-
Hej, thirri mendjes! Mos të ka rënë dielli në kokë!?
Sherri
u fry dhe shpërtheu kacafytja. U mblodh mileti, ia behu edhe xhandari dhe
çështja vajti te kadiu.
-
Më vodhi avullin ky, kadi efendi! Dua të ma paguajë!
-
Si ta vodhi?
-
Me copën e bukës...
-
E kujt ishte buka?
-
E tij ishte!
-
Ashtu, hë?
Kadiu
iu kthye djalit:
-
Po ti ç’thua?
-
Unë nuk i vodha gjë, mora vetëm pak nga
avulli, që fluturonte në qiell!
-
Mirë! Sa para kërkon nga djali ti, or qoftexhi?
-
Pesë groshë.
Kadiu
iu kthye sërish të pandehurit:
-
A ke me vete pesë groshë, djalë?
-
Kam, si urdhëron!
-
Nxirre një pesëshe dhe hidhe lart!
Djali
ashtu bëri. Paraja u ngrit në ajër, mandej u rrëzua në dyshemenë e gurtë. Pasi
u rrotullua disa herë, duke tingëlluar,
ndaloi dhe heshti.
-
Merre prapë dhe fute në xhep! - i tha djalit kadiu dhe iu drejtua qoftexhiut: -
Fute në trastën tënde ajrin tek kaloi monedha, or ti, dhe je i paguar për ç’kërkon! - Ai goditi me
çekiç mbi tryezë dhe e shikoi qoftexhiun i ngrysur: - Hiqmu nga sytë tani, hileqar, - i bërtiti,
- sa s’kam dhënë urdhër të ta hyjnë me shkopinj kurrizit!
Të
gjithë në sallë u kënaqën me drejtësinë e kadiut të zgjuar dhe ia shkrepën
gazit.