Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fadil Sahiti: Pse kapitalistët nga perëndimi po investojnë në Serbi e jo në Kosovë?

| E shtune, 15.06.2024, 06:52 PM |


PSE KAPITALISTËT NGA PERËNDIMI PO INVESTOJNË NË SERBI E JO NË KOSOVË?

Nga Fadil Sahiti

Po lexoja një artikull në një medium serb për investimet që priten të bëhen në Serbi nga kompania e njohur amerikano-irlandeze e pajisjeve mjekësore Medtronic plc. Fjala është për një kompani me emër, me të ardhura neto prej 4 miliardë $ (2023). Qeveria serbe dhe zyrtarët e kompanië tashmë kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, i cili pritet të hapë rrugën për investime kapitale në ekonominë serbe.

Ky investim, dhe të tjerë si ky, nënvizojnë një fakt: ekonomia dhe biznesi kanë një zot, interesin material. Kapitalistët perëndimorë, në këtë rast amerikanët, duket se e shohin Serbinë si një vend të sigurt për të investuar paratë e tyre. Kjo bie ndesh drejtpërdrejt me iluzionin tonë infantil të miqësisë së pakushtëzuar shqiptaro-amerikane dhe armiqësisë serbo-amerikane. Ata me arsim minimal ekonomik e dinë se investimet e huaja udhëhiqen, ndër të tjera, nga siguria dhe disponueshmëria e kapitalit njerëzor. Aktualisht Kosova nuk ofron asnjë nga këto.

Nuk janë vetëm kapitalistët privatë që vazhdojnë të investojnë në Serbi, por edhe ata institucionalë. Për shembull, BERZH ka investuar rreth 9 miliardë $ në Serbi. Vetëm në vitin 2023 ka investuar rreth 850 milionë $. Ndërkohë, në krahasim me Serbinë, investimet në Kosovë apo Shqipëri janë vetëm 660 milionë $ dhe rreth 2 miliardë $ respektivisht.

Nuk mund të jetë ndryshe, ngase Kosova, për fat të keq, qeveriset ose nga kleptokratë (dje), ose nga injorantë dhe populistë (sot). As të parët dhe as të dytët kurrë s’kanë pasur ndonjëherë synim për të krijuar një mjedis biznesi që tërheqë investime ekonomike private vendore dhe të huaja. Në mungesë të ideve dhe projekteve konkrete për të përmirësuar ambientin afarist, pushtetarët dhe opozitarët flasin ose për luftëra dhe aksione policore, ose për të kaluarën, organizojnë konferenca pa vlerë për ata që nuk jetojnë, ose për ata që jetojnë por nuk janë mes nesh… Dhe, për vazhdimin e kësaj marrëzie, kujdes maksimal bëjnë gazetarët injorantë, të paaftë dhe mafioz  - organizojnë debate televizive me showmen, kriminelë dhe akademikë provincialë.

Në fund të fundit, pse të investojnë kapitalistët perëndimor në Kosovë, kur këtu nuk investon as mërgata kapitaliste shqiptare që jeton në perëndim?