| E shtune, 15.06.2024, 06:59 PM |
ALEKSANDËR XHUVANI PËR AT GJERGJ FISHTËN
Nga
Frank Shkreli
Aleksandër Xhuvani është cilësuar në
një shkrim të revistës Shejzat (IV-1960), me rastin e 80-vjetorit të kalimit të
tij në amshim, si arsimtari më i vjetër i Shqipërisë, më i vjetri emër,
përfaqësues i një brezi arsimtarësh të Kombit. Në atë shkrim kushtuar veteranit
të arsimit shqip thuhet se emri i Xhuvanit është i lidhur ngusht me historinë e
arsimimit shqip, që nga nëntori i vitit 1909, madje edhe para se të bëhej
Shqipëria e pavarur -- kur hapi dyertë për herë të parë Shkolla Normale e
Elbasanit. Fillimisht, Xhuvani zhvilloi aty veprimtarinë e tij nën udhëheqjen e
Luigj Gurakuqit dhe pastaj për 20-vjetë si drejtues dhe mësimdhënës i shqipes
dhe pedagogjisë. Aleksandër Xhuvani ka dhënë gjithashtu një kontribut të vyer
edhe në fushën e publicistikës së kohës me artikuj e subjekte të fushave të
ndryshme, botuar, fillimisht, në revistën “Albania” të Konicës dhe në revista
të tjera të kohës, brenda dhe jashtë Atdheut. Ka bashkpunuar edhe në
inspektoriatin e lartë të arsimit gjatë viteve 1940-44, që do të thotë se edhe
ai duhet të ketë influencuar përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në trojet
shqiptare, në bashkpunim me Ministrin e atëhershëm të Arsimit të Shqupërisë,
Ernest Koliqin me shokë.
Por, në përpjekjet e mia, tashti në
pension, për të mësuar sa më shumë mbi personalitetet historike shqiptare që
kanë lenë gjurmë në historinë kombëtare, isha duke lexuar për Aleksandër Xhuvanin
-- pë të cilin dija pak ose aspak, duke qenë jashtë atdheut për më shumë se një
gjysëm shekulli. Kështu, hasa në një
fjalim që Aleksandër Xhuvani kishte mbajtur
me rastin e shkuarjes në amshim të At Gjergj Fishtë, mbajtur në
ceremoninë e varrimit në Shkodër, një fjalim ndër më prekësit që kam lexuar dhe
që tregon jo vetëm se ç’mendonte Aleksandër Xhuvani për veprën e At Gjergj
Fishtës, por fjalët e tija pasqyrojnë edhe faktin se kush ishte vërtetë Xhuvani
vet dhe cilat ishin mendimet e tija për të ardhmen e Kombit dhe për vlerat e
kontributet e personaliteteve më të shquara të Kombit, siç është At Gjergj
Fishta: të zhdukura, të përjashtuara dhe të distancuara e të anashkaluara. Veprat
e tyre të shkelura e të harruara e të përbuzura plot urrejtje, zyrtarisht, nga
regjimi komunist për pothuaj gjysëm shekulli, por edhe sot nga “Shqipëria
demokratike”, gjoja “post-komuniste”! Frank Shkreli: At Gjergj Fishta
dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë një hap përpara, dy mbrapa | Gazeta
Telegraf
Për fat të keq, ujku mund të ketë
ndërruar qimen por jo veset…Profesor Arshi Pipa: “Fishta u sakrifikua pikërisht si
përfaqësuesi madhor i vlerave kombëtare”. Profesor Pipa është shprehur, se ajo
që e dallon patriotizmin e At Gjergj Fishtës nga të tjerët është, “Karakteri
militant, luftarak, i patriotizmit”, të tij. Të tjerët, sipas Arshi Pipës, më
shumë kanë mbrojtur, ndërsa Fishta ka mbrojtur dhe ka sulmuar. “Ai ka sulmuar
të gjithë ata persona ose shtete të vogla, ose fuqi të mëdha, të Lindjes e të
Perëndimit, të Krishtit ose të Muhametit, që kanë synuar robërimin, pushtimin,
copëtimin e Shqipërisë. Ata që kanë cënuar tagrin e popullit shqiptar, ata që
kanë fyer dinjitetin dhe krenarinë kombëtare”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa
për patriotizmin e Fishtës. Ndoshta është naïve, e pamundur dhe e pa shpresë që
të presim nga ata që ende sot mbrojnë trashëgiminë e regjimit të Enver Hoxhës
në Shqipëri -- pikërisht, nga këta të cilët kanë cënuar tagrin e popullit
shqiptar dhe fyejnë dinjitetin dhe krenarinë kombëtare që të nderojnë At Gjergj
Fishtën Fishtës, megjithëse “nji far i math dritëdhanës që ka
ndriçue mendjen e djelmënisë s’onë, si nji Ungjill shkëndimath morali, ka zbutë
e ka edukue zemrën e saj”, siç është shprehur për Fishtën, Aleksandër Xhuvani,
arsimtari më i vjetër i brezave, Aleksandër Xhuvani.
Ky fjalim i Aleksandër Xhuvanit, më duket mua, se hynë ndër fjalimet më klasike për nga rëndësia dhe për nga frymëzimi, ndoshta jo për këtë brezin e indoktrinuar me ideologjinë sllavo-komuniste. Por, sigurisht, për brezin aktual dhe për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve që do e dashurojnë Atdheun siç e dashuronte Fishta dhe të respektojnë atë siç e respektonte dhe e nderonte Aleksandër Xhuvani dhe shumë të tjerë, bashk-kohas të tij.
“Nuk jam unë, o burra, i premë sot që
të mund të thuri imne për veprën lavdimadhe të At Fishtës. Âsht historija që ka
për të zbukurue faqet e saj me emnin zâmath të tij; âsht letërsija e jonë që do
të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë Zanat e malevet
t’ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime
kumbim-randa deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit zâ-ambël të tyne;
âsht djelmënija shqiptare që ka për t’u-ushqye e për t’u-vaditë me manën
hyjnore të tij; së mramit âsht Shqipnija mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta,
që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej
bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën.”
(Aleksandër Xhuvani në Varrimin e
At Gjergj Fishtës - Elbasani) -- Ja gjykoni vet fjalimin e plotë të
Aleksandër Xhuvanit mbajtur në ceremoninë e varrimit të At Gjergj Fishtës në
Shkodër, 31 Dhjtor, 1940:
“Zotnij të ndershëm:
Si vetëtimë u-perhap an’e kand të
Shqipnisë lajmi i idhët i vdekjes së poetit t’onë kombëtar At Fishtës dhe e
mahnitun mbetet sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zâmadh t’auktorit të
Lahutës së Malcisë, që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin’e besën e fisit t’onë,
që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu i vjetërsisë.
E me të drejtë i kanë thanë Fishtës
Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjit’ e tij ndezi zemrat e Spartanëvet
për luftë, njashtû edhe epopeja e Lahutës, odet edhe elegjit’e Mrizit të
Zanavet e të poezivet të tjera kanë mbjellë në zemër të djelmnisë s’onë
dashunin e pamasë për truellin e të parëvet dhe për gjuhën amtare.
Nji këto dy ideale, atdhedashtënija dhe
ruejtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi e përparimi i saj kanë qenë polat,
rreth së cilëvet shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër
veç neve arsimtarëvet që kemi pasë e kemi ndëpër duer edhe ua kemi mësue
nxanësvet poezit’e tij, që e çmon mâ mirë veprën zâmadhe të Fishtës, e cila si
nji far i math dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë s’onë, si nji
Ungjill shkëndimath morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj.
Nuk ka qenë pra Fishta për ne vetëm nji
poet kombëtar epik, lirik, dramatik e satirik, por edhe nji edukator i rinisë
s’onë. Nuk kanë mësue e shijue nxanësit e shkollavet t’ona vetëm artin e tij
poetik, bukurin’e harmonin’e vargut, rrjedhshmnin’e dlirsin’e stilit e të
gjuhës së tij, që âsht nji thesar i pashterun frazeologjije e leksikologjije të
kulluet, por kanë thithë prej veprës së tij, si nji nektar të hyjnueshëm të
bletës attike, idealet mâ të nalta të njerëzimit: urtinë, burrninë, besën,
drejtësinë e dashuninë për të mirën, të bukurit, të drejtën e të vërtetën.
Nuk jam unë, o burra, i premë sot që të
mund të thuri imne për veprën lavdimadhe të At Fishtës. Âsht historija që ka
për të zbukurue faqet e saj me emnin zâmath të tij; âsht letërsija e jonë që do
të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë Zanat e malevet
t’ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime
kumbim-randa deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit zâ-ambël të tyne;
âsht djelmënija shqiptare që ka për t’u-ushqye e për t’u-vaditë me manën
hyjnore të tij; së mramit âsht Shqipnija mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta,
që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej
bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën.
Na të gjithë lavdimtarë të veprës së
tij, shokë e nxanës të tij, të pikëlluem e të mallëngjyem thellë, kah kujtojmë
veprat e tij, fjalët e ambëla e plot atdhedashtëni e këshillat e tij, le t’i
lutemi Fuqimadhit Perëndi, që t’i caktojë pranë fronit nji vend të meritueshëm,
si në këtë dhe, prej kah të vijojë me i lutë për lumnin e Shqipnisë.”
(Shkodër, 31 dhjetor 1940, Aleksandër
Xhuvani).
Nga ceremonia e varrimit të
françeskanit shqiptar dhe poetit të Kombit, At Gjergj Fishta, 31, Dhjetor, 1940
– Ditën kur ka mbajtur fjalimin e më sipërm, Aleksandër Xhuvani.
Ka kohë që e them, gjatë kësaj periudhe
të stërgjatur të ashtuquajturit “tranzion” në vendnumro, prej më shumë se tre
dekadash nga shembja e Murit të Berlinit, se kështjella e vlerave kombëtare të
shqiptarëve është e tronditur në themel nga trashëgimia e diktaturës komuniste.
Si rrjedhim i farës së atij regjimi në nivelet më të larta vendimarrse të
shtetit e të kulturës shqiptare, çdo ditë jemi dëshmitarë disfatash kombëtare,
sa që sot më shumë se kurrë, Kombi shqiptar ka nevojë për mësuesin e madh të
dashurisë pë Zotin dhe për Kombin: At Gjergj Fishtën, që Aleksandër Xhuvani e
kishte cilësuar, “nji far i math dritëdhanës që ka ndriçue mendjen e djelmënisë
s’onë”, sipas Xhuvanit.
Xhuvani kishte të drejtë në
parashikimin e tij. Ja një pjesëtar i asaj “djelmënie” shqiptare të kësaj
breznie të pas shembjes së komunizmit ndërkombëtar që na jep shpresë – shpresojmë
të ndriçuar nga mendja dhe zemra prej veprave dhe kontributeve historike të At
Gjergj Fishtës -- Edison Selmani, student i talentuar i artit dhe skulpturës në
Akademinë e Arteve në Tiranë. Ai ka
përzgjedhur të realizojë, pikërisht, shtatoren e Gjergj Fishtës, si temë
diplome, që është në përfundim e sipër dhe që sipas portalit të skulptorit të
ri shqiptar, pritet që shtatorja e At Gjergj Fishtës të inaugurohet së shpejti
në Akademinë e Arteve në Tiranë.
Foto nga studio e punës e skulptorit
Edison Selmani
At Gjergj Fishta – As varri nuk i dihet, as eshtrat nuk iu gjetën,
por Lahuta nuk heshti!
“Rrnosh e kjosh, prá moj
Shqypní!
Rrnosh e kjosh gjithmonë
si vera.
E me dije e me Lirí
për jetë t’ jetës, të
rrnoftë tý ndera.”
At Gjergj Fishta
“Edhè hâna do ta dijë,
edhè dielli do t’két pá,
se për qark ksaj
rrokullije,
si Shqypnija ‘i vend nuk
ká!”
At Gjergj Fishta