| E premte, 14.06.2024, 08:00 PM |
O TASH O KURRË
Nga
Ryzhdi Baloku
Meqë
në vitin 1999 Serbia e humbi luftën në Kosovë, iu kthye strategjisë së
ripushtimit me metoda politike e diplomatike dhe luftës hibride. Por, nëse ky
variant do t'ju dështojë, atëherë nën pretekstin se "Kosova është territor
i Serbisë i okupuar nga NATO", planifikon ta sulmojë edhe ushtarakisht në
një moment të volitshëm, sikurse Azerbajxhani që e rimori Nagorno Karabakh-un,
është kërcënuar me këto fjalë Presidentit Vuçiq, nëpërmjet mjeteve të
informimit publik.
Vuçiq
po harron se Kosova nuk është "Nagorno Karabakh" dhe se Serbia u ka
borxh shqiptarëve, ngase para vitit 1878, Kosova shtrihej në sipërfaqen
tokësore deri përtej Nishit, respektivisht deri te Molla e Kuqe, Sanxhak dhe
Luginë të Preshevës, e që me 1912 u pushtua me ndihmën e Rusisë edhe pjesa
tjetër e këtij territori, me disa periudha të shkurta çlirimi gjatë luftës së
Austro-Hungarisë me Serbinë që përkrahej nga Rusia dhe invazionit të Gjermanisë
mbi Jugosllavinë mbretërore.
Për
ta kuptuar më mirë temën e parashtruar, do t'i referohem kujtesës nga e kaluara
jo e largët për disa ngjarje të rëndësisë së veçantë që kanë të bëjnë me
Kosovën dhe rreth saj. Mirëpo, kësaj here në këtë opinion timin nuk do t'i
përfshij me emra politikanët e Kosovës dhe Shqipërisë, edhe pse shumica nga ta
nuk janë edhe aq pa mëkate, për të cilët do të shkruaj me një rast tjetër.
Nën
pretekstin e mirëqenies së popullatës në Kosovë dhe Serbi, me 2011 nisën
bisedimet teknike përmes ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, që pastaj me 2012
evoluuan në ato politike, ku si "shpërblim" Kosova e
"fitoi" fusnotën.
Më
vonë, në këtë kontekst, në Kosovë nisën të formohen komunat e reja, në ato
vendbanime ku kishte popullatë serbe, të cilat në ca raste për ta rritur numrin
e popullsisë, ato u plotësuan me nga disa fshatra shqiptare, që do të
konsideroheshin popullatë pakicë e atyre territoreve.
Çfarë
ndodhi pas kësaj faze ?! Serbia kërkoi vetëqeverisjen një-etnike të këtyre
Komunave, si një tërësi territoriale, me emërtimin "Asociacioni i Komunave
me shumicë serbe", edhe pse sipas kushtetutës Kosova kishte statusin e
shtetit shumë-etnik.
Përballë
kësaj gjendjeje, politikanët e Kosovës nuk u treguan edhe aq të zgjuar, ngase,
derisa serbët me 4 % të popullatës privilegjoheshin me 10 vende të rezervuara
në Parlament dhe konsideroheshin popull shtet-formues i Kosovës, ku gjuha serbe
kishte statusin e gjuhës zyrtare, në Luginën e Preshevës zhvillohej një presion
i paparë ndaj shqiptarëve, ku shteti serb madje i çregjistronte nga regjistri i
vendbanimeve dhe shtëpive të veta, me qëllim të pastrimit etnik të këtyre
territoreve shqiptare.
Duke
parë ecurinë e zhvillimeve të cekura karshi faktorit ndërkombëtar, kam bindjen
se sipas sugjerimeve të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është hartuar
draft Statuti për komunat me shumicë serbe i prezantuar tani në Kosovë si
projekt i Diplomacisë Evropiane, edhe pse më herët është thënë se Statuti për
Asociacionin duhet të hartohet nga ekspertët vendorë, si çështje e brendshme e
Kosovës.
Përkundër
telasheve që u përmenden më lart, është për t'u çuditur se si politikanët
shqiptarë, me vëllezërit e vet, të një gjuhe e një gjaku, ende s'po ia dalin të
gjejnë gjuhë të përbashkët për çështjet që e preokupojnë kombin !
Shqiptarët
e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës, ende po dalin në
votime për zgjedhjet lokale e parlamentare, të përçarë e të shkapërderdhur
nëpër parti të ndryshme politike, thuaj se janë aq shumë në numër, sa që iu
duket vetja sikur s'ka gjasa që t'iu cenohen të drejtat njerëzore e kombëtare
dhe po-ashtu t'iu rrezikohet pjesëmarrja për t'u përfaqësuar denjësisht në
organet e shtetit ku jetojnë !
Veç
kësaj, shqiptarët e ndarë në disa shtete, në vend që t'iu ndihmojnë
bashkëkombësve të vet përtej kufijve, ata me politikën e tyre amatore ka
ndodhur që të veprojnë pa kurrfarë përgatitje diplomatike për arritjen e
synimeve politike.
Përpos
të përmendurave, në kohën e fundit ndoshta edhe pa qëllim është vepruar edhe
kundër interesave të përbashkëta kombëtare (Kosovë - Shqipëri,) si me rastin
"Ballkani i Hapur", ide kjo e Aleksandar Vuçiqit për formimin e
Jugosllavisë së re !
Për
t'i sqaruar më mirë disa prej çështjeve të parashtruara në këtë shkrim, do të
përpiqem t'i shoshit ato me një kujdes të shtuar.
Për
mos shqyrtim në mbledhje nga ministrat në Këshillin e Evropës të vendimit për
anëtarësimin e Kosovës, që ishte miratuar paraprakisht në Prill të vitit 2024
nga delegatët e Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate, e që sipas
transmetimeve radio televizive dhe portalit "Klan Kosova" të dt. 17.05.2024,
ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, në fjalimin e tij aty,
deklaron: "Është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi
për t'i përmbushur zotimet që ka marrë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive
me partnerët dhe përkrahësit e saj të vendosur ndërkombëtarë".
Sipas
mediumeve të cekura më lart dhe këtij portali, ai po-ashtu në vazhdim të
fjalimit të tij thotë: "Kosova nuk është futur në agjendën e Komitetit të
Ministrave, pasi Qeveria e Kosovës nuk e ka përfillur kërkesën e partnerëve
ndërkombëtarë që ta dërgojë në Kushtetuese një draft-statut për
Asociacionin".
Mos
të harrojmë se edhe Aleksandar Vuçiq ishte zotuar se pajtohet me përmbajtjen e
Marrëveshjes së Ohrit, por pastaj nuk e ka nënshkruar, dhe për këtë askush
"nuk i ka hipur në qafë".
Pra,
me një lexim apo dëgjim të kujdesshëm të fjalimit të këtij ministri, mund të
kuptojmë se, duke e udhëzuar Qeverinë e Kosovës dhe duke e vënë në shënjestër
"shkaktarin", ai në një mënyrë, dashtë e pa-dashtë ia ka dhënë krahun
Serbisë në Këshillin e (Ministrave të) Evropës, pa i përmendur aty obligimet e
këtij shteti gjenocidal për mos zbatimin e marrëveshjeve të deridjeshme.
Bazuar
në këtë fjalim të ministrit Igli Hasani, shihet qartë se ai s'është
"lodhur fort" për Kosovën që të pranohet në Këshillin e Evropës pa
kushte shtesë, por i sugjeron asaj që ta miratojë "gangrenën e
shtetësisë", respektivisht ta aprovojë "statutin e Lajçakut",
për asociacionin e komunave me shumicë serbe, në këmbim të asgjëje.
Ai
njëherazi në atë fjalim harron ta përmendë se sipas kushtetutës së Serbisë,
Kosova pa të drejtë figuron si pjesë e këtij shteti hegjemonist.
Pos
të lartë cekurave, njashtu ai bëhet sikur nuk e di se kush ishin
ndërmjetësuesit ndërkombëtarë për lehtësimin e dialogut Kosovë - Serbi, të
cilët me ngulm insistonin për ta futur në jetë "zajednicën serbe" të
hartuar sipas sugjerimeve të Vuçiqit.
Sipas
asaj që kemi parë kohëve të fundit në dialogun e deritashëm, ku në vend se
ndërmjetësuesit ndërkombëtarë të mbanin qëndrim neutral, apo madje edhe në një
mënyrë t'ia jepnin krahun Kosovës si viktimë e luftës së atij shteti
hegjemonist, përkundrazi, atë agresor ata e miklonin dhe e ndihmonin, duke ia
miratuar kërkesat që mund të çonin në mos funksionimin e shtetit të Kosovës, si
në Bosnje e Hercegovinë të shkaktuar nga "Republika Srpska",
gjegjësisht "Republika e serbëve".
Se
kush ishte njëri nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë për dialogun Kosovë - Serbi,
më së miri e dëshmon "Bota Sot" e dt. 22.09.2023, me publikimin e një
shkrimi nga "arkiva" e Josep Borellit, i cili në vitin 2018 e
mbështeste hapur Serbinë dhe realizonte takime të afërta me Ivica Daçiqin, me
ç'rast kishte deklaruar: "Në margjina të konferencës së OSCEMed pata një
takim të këndshëm me zv. kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq. Biseduam për
marrëdhëniet e shkëlqyera në mes dy vendeve tona. Ia përcolla mbështetjen e
Spanjës në mosmarrëveshjen për statusin e territorit të Kosovës”.
Pos
tij, edhe ndërmjetësuesi tjetër, Miroslav Lajçak vinte njëjtë nga një shtet që
Kosovën e shihte dhe e sheh si pjesë përbërëse të Serbisë !
Përpos
të përmendurve, Borell dhe Lajçak, gjatë bisedimeve të deritashme Kosovë -
Serbi, ka pasur raste kur ndërmjetësuesi ka vepruar ndoshta edhe në mënyrë
autonome.
Një
rast i tillë ishte Richard Grenell, si i deleguar special për bisedimet Kosovë
- Serbi i Presidentit Donald Trump, i cili me dt. 25.10.2023 u dekorua nga
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në
këtë drejtim mund të themi se, gati të njëjtat qëndrime i kishte edhe ndërmjetësuesi
tjetër i SHBA-së, Gabriel Escobar (tani i liruar nga kjo detyrë, sipas VOAL.
ch. dt. 05.05.2024 dhe portaleve tjera), bashkëshortja e të cilit e hapi
ekspozitën në Beograd, që iu promovua nga Ministria e Punëve të Jashtme të
Serbisë.
Tash
frik, në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës,
ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill thotë: "Shtetet e
Bashkuara janë të kënaqura me politikën e qeverisë serbe ndaj dialogut me
Kosovën dhe bashkëpunimin me Ukrainën".
Ndaj
kësaj deklarate ka reaguar ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, i
cili në publikimin e tij në "facebook" shkruan: "Ambasadori Hill
tregoi anën e keqe të diplomacisë: duke parë vetëm gjërat pozitive (të cilat
janë të pakta), por duke injoruar zhvillimet e këqija, si zgjedhjet e ashpra
dhe kërcënimet ushtarake ndaj Kosovës. Jo shumë gjë e mirë për një diplomat me
përvojë", përcjell "Bota Sot" e dt. 07.06.2024.
Sa
i përket Evropës, e cila kohë më parë i pat vënë sanksione Kosovës, kinse për
veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara me faktorin ndërkombëtar, ma
përkujtoi fabulën, kur ujku nga lart e kërcënonte qengjin që ishte poshtë
rrjedhës së lumit, se po ia turbullonte ujin !
Nga
ky këndvështrim mund të thuhet se edhe Kosova nga poshtë, "po ia turbullon
ujin Serbisë", atje lart rrjedhës së lumit !
Në
vend se Evropa t'ia vejë sanksionet Serbisë për sulmin terrorist në
"Banjska", respektivisht në "Banjë" të Zveçanit, ajo jo
vetëm se heshti, por "as që ia vuri veshin" kërkesës së Qeverisë
Kurti për ndëshkimin e Serbisë dhe heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.
Të
gjithëve na është e qartë, se shumica e politikanëve serbë dhe Aleksandar Vuçiq
dëshirojnë që t'i shohin shqiptarët të përçarë, me qëllim që sa më lehtë t'i
arrijnë synimet e tyre ekspansioniste.
Pos
kësaj, tani dihet botërisht se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk e ka
hallin për serbët e Kosovës, por përmes pretendimit të autonomisë territoriale,
po tenton t'i gllabërojë tokat me pasuritë e shumta nëntokësore dhe mbitokësore
që i ka veriu i vendit tonë.
Për
ta ruajtur shtetin dhe kombin në të dy anët e Drinit dhe më gjerë, duhet ta
kultivojmë dhe ruajmë sa më shumë miqësinë me SHBA përmes lobimeve të
pandërprera.
Si
përfundim të këtij shkrimi mund të them: Për të qenë faktor i rëndësishëm në
regjion, mbi të gjitha, politikanët e të gjitha trojeve shqiptare, "o tash
o kurrë" duhet të vetëdijesohen, sepse vetëm të bashkuar, shqiptarët do të
respektohen e çmohen edhe nga shtetet përreth dhe përtej.