Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Olimbi Dafa, rrëfen vetveten me vëllimin poetik “Fytyra e jetës”

| E merkure, 12.06.2024, 06:12 PM |


Olimbi Dafa, rrëfen vetveten me vëllimin poetik “Fytyra e jetës”

Nga Albert Z. ZHOLI

Olimbi Dafa, duket se penën nuk e heq nga dora asnjë moment dhe tani para lexuesit, prezantohet me vëllimin poetik “Fytyra e jetës”. Kur ecën në këmbë rrugëve të Tiranës, mes shoqeve në kafene, mes bisedave të shumta telefonike apo mes miqsh, në portrete krijuesish në gazeta, në lëvizje të ndryshme apo çaste meditimi në shtëpi, ajo mendon vetëm dhe vetëm të shkruaj. Tematika e krijimtarisë së saj është e larmishme, plot ndjenjë dhe perceptime që të sjellin çdo gjë afër sikur e ke përjetuar vetë atë çast, atë situatë, atë dialog, atë pamje, ngjarje, skenë...Ajo i gëzohet emrit gjyshe, i gëzohet nipit dhe mbesës që ja bënë jetën pranverë. Sa me ngjyra zemre përshkruan ajo portretin e vajzës së saj sikur të jetë një krijesë hyjnore.

Pena e saj duket se është një vëzhguese e vëmendshme e gjithçkaje që ndodh në atdhe, që nga problemet sociale, politike, ekonomike, kulturore apo shoqërore. Stili saj ka një organizim të brendshëm që kërkon të zbërthejë delikaten, të panjohurën dhe enigmën. Harmonzimi poetik i vargjeve, vjen nga larmia e informacioneve që ajo merr në përditshmëri, pasi jetën nuk e shikon si një pemë për të marrë frytet, por si një pemë që e frymëzon, me lidhje të dyanëshme, i jep jetë dhe merr dritën e bukur poetike. Në këtë vëllim autorja vjen me një poezi më të ngjeshur në mendim, më të pjekur në ide, më të harmonizuar në mesazh dhe më të besueshëm në trajtimin jetësor. Mes dhjetëra poezive qysh në hyrje më bëri përshtypje poezia:

Nusja

Që ku erdhi nusja,

na u prish terezia,

gjumi s’na zë natën,

na u prish qetësia.

Ule zërin nuse,

se na turpërove,

na dëgjojnë komshijet,

e na përgojove!....

Një portretizim elegant i një problemi koherent. Problem që

haset në të shumtën e çifteve të reja shqiptare. Një problem

mbarë botëror që autorja e ka përshkruar me ngjyra humori.

Nuset e reja janë të dëshiruara pas luksit, jetës pa stres, dëshirës

për të shijuar gjithçka, por gjithmonë larg vjehrrave. Po nuset a

kanë nëna?! Në përditshmërinë tonë shohim gra të veshura shik,

me orë, bizhuteri, makina luksoze e cila kalon pa parë majtas

apo djathtas, madje është aq e lumtur me madhështinë e saj

fallco të floririt, sa nuk shikon as ndonjë lypës që mund ta shtyp

me takat e saj të larta. Kjo është një kategori e vogël, por shumë e larguar nga realiteti, nga dhimbja, fukarallëku, hallet, problemet e shoqërisë. Ato e shikojnë vjehrrën me mospërfillje, e largojnë nga shtëpia, duan vetëm luks pa punë. Kjo kategori kulmin e kënaqësisë e shijon kur blen një çantë 300 dollarë, se sa të blejë apo lexojë

një roman. Falsiteti kësaj kategorie grash është se ato as dinë të

gatuajnë, as të hekurosin, as të kujdesen për fëmijët.

Realja është zhvendosur në hapësirën më të padukshme të

gjithësisë. Me pak fjalë autorja ka bërë një vjershërim sintetik

“Një maskë në fytyrë s’e bën zonjë një grua”. Fjala grua është

fjalë magjike. Grua do të thotë nënë e mirë, do të thotë sakrificë, netë pa gjumë, punë për të siguruar të ardhmen e fëmijëve, do

të thotë përkushtim, kursim, vizion, krenari pa luks të shfrenuar.

Një nga nevojat tona bazë është të kuptohemi dhe të pranohemi

nga njerëzit e tjerë, me thjeshtësinë tonë, me veshjen e thjeshtë

por të bukur. Kërkesat e disa grave janë shumë, por realiteti

është krejt tjetër, pasi në jetë jo çdo nevojë plotësohet, ndaj nuk

duhet të ndihemi vetëm, në ankth, të depresuar, të shqetësuar, të

braktisur dhe me ndjesi të tjera negative nëse nuk kemi luks apo

mbushur trupin me sende të florinjta.

O Zot, përse gratë qajnë aq lehtë?’ Zoti u përgjigj:

“Kur e krijova gruan m’u desh të ta krijoj të mbinatyrshme.

- Ia kam dhuruar supet aq të forta që ta mbajë peshën e

botës dhe njëkohësisht, aq të buta që të krijojë rehati.

- Ia kam dhënë forcën e brendshme që të përballojë lindjen

e fëmijës dhe mospranimin të cilin shumë herë e përjeton nga

vetë fëmijët e saj.

- Ia kam dhënë forcën, e cila i ndihmon që gjithmonë të

shkojë përpara edhe atëherë kur të gjithë të tjerët dorëzohen. Të

kujdeset për familjen e saj edhe atëherë kur është e sëmurë dhe

e lodhur, gjithnjë pa u ankuar. Kjo duhet të jetë gruaja ideale.

Emigrantit

Në qarkullimin e gjakut të Atdheut të munguar,

jam unë emigranti i dëshpëruar,

që ëndrrat më ngelën pezull në emigrim,

e dielli që s’më ngroh në dhe të huaj,

ja shton vlerat, shpirtit të Atdheut tim!

S’më zë gjumi çdo natë s’më zë,

për rrënjët që i braktisa dhe lashë në Atdhe,

dhe asnjëherë se bëj gjumin të qetë,

se në vesh më vjen një zë i fuqishëm,

që është zëri i Atdheut që më thërret.

Një poezi tepër e veçantë që më rrëmbeu. Jam pjesë e kësaj

poezie pasi kam qenë 7 vjet në emigrim…

Kufijtë e Evropës janë të mbushur me varre emigrantësh

dhe refugjatësh të paidentifikuar, duke i lënë familjet e tyre të

kërkojnë, shpesh më kot, për të vërtetën e asaj që ndodhi, kur

dhe ku. Emigrantët, turmë e dhimbshme njerëzore, që humbet

jetën rrugëve, gjatë migrimit, ose që mbijeton pa iu njohur

dinjiteti e as të drejtat.

“Sa vëllezër dhe motra sot ndodhen në të njëjtën gjendje,

si shtegtari i shëmbëlltyrës? Shumë! Sa janë grabitur, zhveshur,

rrahur gjatë rrugës? Largohen të mashtruar nga trafikantët

e paskrupullt. Më pas shiten si mall tregu, kapen, burgosen,

shfrytëzohen, robërohen. Poshtërohen, torturohen, dhunohen. E

shumë e shumë vdesin pa arritur kurrë qëllimin e tyre. Rrugët

e migrimit të kohës sonë janë të populluara nga burra e gra të

plagosur e të braktisur gjysmë të vdekur, nga vëllezër e motra,

britma e të cilëve arrin deri tek Zoti. Shpesh janë njerëz të ikur

nga lufta dhe terrorizmi, siç e shohim fatkeqësisht në ditët e

sotme”, - ka theksuar Papa në një çast lutjeje në Sheshin e Shën

Pjetrit. Por është dhe një realitet tjetër...

Por nëse do flasim për letërsinë, emigracioni ka dhe një

anë tjetër. Një anë pozitive. Emigracioni solli dhe krijimin e

një elite me aftësi të veçanta në art, sport, letërsi e shumë sfera

të tjera. Një pjesë e mirë emigrantësh shqiptarësh arritën të

individualizohen në sfera të artit apo dhe fushave të tjera, duke

u kthyer në ambasadorë të Paqes dhe mirëkuptimit të vendeve

me njëri tjetrin dhe duke krijuar një imazh të ndryshëm për

emigracionin shqiptar. Shumë krijues emigrant kanë lartësuar

emrin e Shqipërisë në botë. Nuk thuhet më kotë, letërsia e

bukur vjen nga dhimbje të mëdha…Poetika e Olimbisë në

këtë vëllim është e pasuruar me gjetje tematike të larmishme,

me fabula jetësore të befasishme të cilat i ka shkrirë në vargje

poetike plot finesë. Poezitë në këtë vëllim japin një ngjyrim emocional në rritje nga poezia në poezi, sepse autorja duke qenë

kryeprotagoniste e situatave të vargjeve poetike ka derdhur mbi

to nektarin më të ëmbël të fjalorit të pasur shqiptar. Autorja, ka

një stil të vizatur thjeshtë, por që i ngjan një pikture delikate

që nga çasti në mund të të verbojë nga shkëlqimi i harmonisë

estetike. Duke qenë vetvetja, me stilin e vet të sinqertë autorja

në të gjitha poezitë ka një fjalor të pasur, një gërshetim të

poezisë me filozofinë, një harmonizim të tematikës me gjetjet

artisitke të poezisë, një tendencë për të qenë transparente në

vargëzim por edhe me nëntekst, kur e vërteta poetike trillohet

për të tërhequr lexuesin.

Në mjaft poezi poetja duket se dialogon me veten që mund

të duket si një prozë, por në të vërtetë është një mjeshtëri artsitike

e poetes që edhe një tog fjalësh proze e zbukron mjeshtërisht

poetikisht. Duke parë tematikën në tërësi në libër lexohet

qartazi se autorja është gjurmuese e së veçantës, inspirueses,

intrigueses por edhe e së bukurës. Hyrja e poezisë në histori

bëhet në mënyrë të sintetizuar duke treguar dijet e saj por edhe

dëshirën për të sjellë realitete atdhetare që e bëjnë poezinë

shumë transparente dhe mesazhsjellëse.

Të gjitha poezitë e librit kanë unitet në linjën artistike,

lartësimin e figurative poetike që formatojnë një poezi sa koherente

dhe moderrne, po aq klasike dhe lirike. Një harmonizim

i dyanshëm që nuk trillon por vërteton madhështinë e vargut që

del nga zemra.