| E marte, 11.06.2024, 07:55 PM |
Ah,
Ibrahim Rugova!
Nga
Prof. Dr. Enver Bytyçi
Ah,
Ibrahim Rugova! E dija që as ata të tutë nuk të duan. E dija, se i kam parë
vetë me sy, kur pas vdekjes tënde, ata të tutë, para publikut të ngrinin në
qiell dhe kur uleshin në kafe a restorant të përgojonin, sikur të ishe roja e
Lidhjes Demokrarike të Kosovës! E kam ditur se do të duhet të vijnë gjenerata
të tjera për të parë mirë e qartë çfarë madhështie kishe dhe ke ti, o
Presidenti Historik!
Por
nuk më kishte shkuar kurrë në mendje se kreu i partisë që ti e themelove dhe i
dhe emër të lartë në rajon e në botë, pra se pas 18 vitesh, që ur ti shkove në
amshim, do të përdhoste kaq poshtërsisht emrin dhe veprën tënde! Nuk e dija se
në ditën e çlirimit të Kosovës, pas 25 vitesh liri, do të vinte një liliput me
buzët me qumështin e Sorosit e do të thërriste armikun më të madh tëndin e të
shqiptarëve, Edi Ramën, që të dërdëlliste për ty! Nuk e kam pritur kurrë se ky
përdhunues i Kosovës në bashkëpunim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, të
kthehej i ftuar në dasmën e viktimave të tij! Dhe përdhunuesin në këtë dasëm e
solli Lumir Abdixhiku. Thjesht për interesa meskine të tijat.
Ah
Rugovë! Sa shumë fjalime mbajnë për ty dhe sa shumë të urrejnë pikërisht ata që
betohen në emrin tënd! Ta heqin edhe fotografinë sa herë japin intervista,
sepse nuk duan që fotografia jote t’u bëjë hije! Përpiqen të flasin për ty dhe
spekullojnë si djalli me emrin tënd. Betohen në veprën tënde e ndërkohë shohin
të përmendin vetëm atë pjesën që u shërben për interesat e tyre të pushtetit!
Madje spekulluan në emrin tënd edhe për ndarjen e Kosovës. Thoshin se Rugova e
ka pranuar këtë opsion, ndërkohë që ti kurrë nuk e kishe thënë, madje e kishe
kundërshtuar deri me qëndresë lufte çdo kërcënim për ndarjen e saj!
Ah
Rugovë! Kur lejuan të të përdhosë Edi Ramën, këta që le pas nuk kanë për të
lënë gjë pa bërë! Këta janë gati që për pushtet të bashkohen me atë që nuk
pranoi t’jua përmendë emrin në një fjalim shumë të gjatë në parlamentin e
Kosovës. Këta janë gati të bashkohen sërishmi me ata që organizuan atentate
ndaj teje! Këta nuk guxojnë një herë të vetme të kërkojnë ndëshikimin e
vrasësve të bashkëpuntorëve të tu! Fatkeqësisht edhe disa fëmijë të këtyre
viktimave që kanë zënë vend në partinë tënde, në këmbim të karrierës kanë
pranuar të heshtin!
Ah
Rugovë! Dje ishte ditë e zezë për ty o president e lider i papërsëritshëm! Nuk
ishte ditë feste për ty! Ishte ditë trishtimi! Ish kryeministri italian,
D’Alema tha diçka shumë fyese për ty. Tha se Bill Clinton kishte frikë se ti
pas lirimit nga pengmarrja e Milosheviçit mund të kërkoje pushimin e
bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Kaq larg kishte shkuar propaganda e
armiqve të tu në Tiranë e në ROGNER dhe ne nuk e paskemi ditur. Ndërkohë
personi ndërlidhës i ROGNER-it dhe qeverisë shqiptare që të akuzoi atëherë, sot
ishte tek ti për të thënë fjalë, që kurrë nuk i kishte shkuar ndërmend t’i
besojë e t’i bëjë vetë. Tha se ti ishe i durueshëm dhe me paturpësinë më të
madhe këshilloi që durimi të jetë tipari i politikës. Ndërkohë vetë ka dëshmuar
padurimin më të madh që ka parë historia shqiptare.
Ai,
pra kryeministri i Shqipërisë që foli dje në konferencën me emrin tënd, ishte i
padurueshëm për ta përshejtuar procesin e ndarjes së Kosovës! Madje duke të
keqpërdorur ty! Ishte i padurueshëm për
ta implementuar Open Balkan dhe zhbërë pavarësinë e Kosovës! Ishte i
padurueshëm për ta përçarë skenën politike të Kosovës, duke filluar me
kryeministrin Isa Mustafa, vazhduar me Ramush Haradinajn dhe deri te Albin
Kurti e Vjosa Osmani! Ishte i padurueshëm kur para gati një viti anulloi një
natë para mbledhjen e përbashkët të dy qeverive të Shqipërisë e të Kosovës në
Gjakovë. Ishte i padurueshëm për të thënë se “Kosova është tokë e askujt”!
Ishte i padurueshëm për ta rrënuar gjithë trashëgiminë tënde, Rugove!
Megjithatë Lumiri i Partisë që ti e themelove e solli sot në Prishtinë, jo për
të të mburrur ty, për të të përdorur ty i dashur Rugovë.
Lumiri
u bë papritmas shkallmuesi i kësaj trashëgimie! Por skenarin dhe projektin e
përgatiti Edi Rama në Tiranë! Siç di ai të shkallmojë! Pa mëshirë, pa droje, pa
pishman, pa kërkim-falje! Në atë formë që sipas Thomas Ericson veprojnë vetëm
psikopatët!