| E hene, 10.06.2024, 06:55 PM |
Roli i pavdekshëm i Lidhjes së Prizrenit në formësimin e kombit shqiptar
- Abdyl Frashëri, mbrojti platformën atdhetare
të lëvizjes kombëtare
146-vjetori
Përgatiti:
Albert Z. ZHOLI
Dita e dhjetë e qershorit sjell në vëmendje organizimin politik
të parisë së katër vilajeteve shqiptare në Perandorinë Osmane, Lidhjen e
Prizrenit. Ajo u themelua zyrtarisht më 10 qershor 1878, në xhaminë
Bajraklie të Prizrenit, ku deri një vit më parë ishte qendra e
Vilajetit të Kosovës. Pas
humbjes fatale të Perandorisë Osmane në frontin e Plevnës, në Bullgari, gjatë
vjeshtës së vitit 1877, atdhetarët shqiptarë i kushtuan kujdes edhe fushatës së
zgjedhjeve për parlamentin e dytë osman. Megjithëse zgjedhjet qenë indirekte
dhe u zhvilluan nën diktatin e valinjve, nën trysninë që vinte nga poshtë dolën
deputetë edhe disa personalitete atdhetare, ndër të cilat ishte edhe, Abdyl
Frashëri. Hapjen e Parlamentit në dhjetor të atij viti patriotët shqiptarë,
sidomos anëtarët e Komitetit të Janinës, e shfrytëzuan për të organizuar në
kryeqytetin perandorak një takim në shkallë kombëtare. Për këtë qëllim, përveç
deputetëve të parlamentit, u thirrën në Stamboll edhe personalitete të njohura
shqiptare që përfaqësonin pothuajse të gjitha krahinat e Shqipërisë. Në mbledhjen
e parë, që u mbajt më 18 dhjetor 1877, u miratua forumi i organizatës atdhetare
revolucionare me emrin “Komiteti
Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, ose siç u quajt
shkurt Komiteti i Stambollit”. Kryetari i Komitetit u zgjodh
Abdyl Frashëri. Megjithëse nuk dihet ende përbërja e plotë e këtij Komiteti,
janë njohur tanimë si anëtarë të tij Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni,
Zija Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Koronica, Mihal Harito, Iljaz Dibra,
Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Basri Beadini, Mustafa Nuri Vlora, Mane
Tahiri, Kadri Bajri e të tjerë...
Për
thirrjen e Kuvendit u ngarkua një Komision i posaçëm.
Nismën
për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm e mori Komiteti i Stambollit. Por, për
të mos shkaktuar reagimin e hapur të organeve qeveritare osmane, Komiteti i
Stambollit vepronte, si edhe më parë, në rrethanat e fshehtësisë së plotë. Si
vend për mbledhjen e Kuvendit u caktua Prizreni, qyteti kryesor i Kosovës dhe
një nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë, që ndodhej në afërsi të krahinave, ku do
të zhvillohej qëndresa e armatosur e Lidhjes për mbrojtjen e tërësisë së
atdheut. Me organizimin e drejtpërdrejtë të veprimeve për thirrjen e Kuvendit u
ngarkua një Komision i posaçëm, shumica e anëtarëve të të cilit ishin nga Prizreni
e Gjakova. Ndërmjet tyre njihen Ymer Prizreni dhe Ahmet Koronica, Ali Pashë
Gucia e të tjerë. Lëvizja për thirrjen e Kuvendit Kombëtar u gjallërua në kulm
gjatë gjysmës së dytë të majit. Sapo u përhap lajmi se Kongresi i Berlinit do
të mblidhej më 13 qershor 1878, në viset e të katër vilajeteve u zhvilluan
mbledhje për të zgjedhur delegatët që do të niseshin për në Prizren.
Hapja më 10 qershor 1878, në Prizren
Kuvendi
Kombëtar u hap më 10 qershor 1878. Por atë ditë në Prizren nuk kishin arritur
të gjithë delegatët e krahinave shqiptare. Mungonin delegatët e vilajetit të
Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar intrigat e valiut turk, Hysen
Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën vetëm dy delegatë, njëri nga
të cilët ishte Abdyl Frashëri, pasi të tjerët ishin ende në udhëtim. Nga të
dhënat e derisotme dokumentare nuk ka qenë e mundur të përcaktohet lista e
plotë e delegatëve, as numri i saktë i atyre që u ndodhën të pranishëm në ditën
e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes. Njihen më se 110 emra, shumica
e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës. Ishin këta përfaqësues të shtresave
të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e
nëpunës, bajraktarë e malësorë. Kishte personalitete të shquara politike të së
kaluarës, por edhe emra të rinj që po hynin në jetën politike të vendit, figura
që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit ose që kishin luftuar
prej kohësh kundër ushtrive të monarkive fqinje ballkanike. Ndër personalitetet
më të shquara që merrnin pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm ishin: Ali Pashë
Gucia, Abdyl Frashëri, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni
(kryetar i komisionit organizator të Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet
Koronica, Shaban bej Prizreni, Zija bej Prishtina, Jashar bej Shkupi, Shaban
bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra etj. Në Prizren
kishin ardhur gjithashtu delegatë disa feudalë sllavë e sulltanistë nga viset e
Bosnjë-Hercegovinës. Kuvendi i Prizrenit i filloi punimet në ditën e caktuar,
me qëllim që kërkesat shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të
mblidhej Kongresi i Berlinit (13 qershor 1878). Kuvendi i Përgjithshëm i
zhvilloi punimet në një nga sallat e medresesë së ndërtuar në shek. XVII nga
Mehmet Pasha; kjo ndërtesë ndodhet pranë xhamisë ose Bajrak-Xhamisë, siç quhej
nga qytetarët prizrenas.
Kryetar
i Kuvendit u zgjodh delegati më i moshuar, Iljaz Pashë Dibra.
Delegatët
që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kishin për çështjen kryesore të ditës
një unitet të plotë mendimi; të gjithë qenë të vendosur për të kundërshtuar me
çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të
Shqipërisë. Mendim të njëjtë shprehën delegatët që u takonin qarqeve atdhetare
edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte
Kuvendi. Ata kërkuan me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar
prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar. Në ditën e
parë të punimeve në Kuvend folën delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga
fjalimet që u mbajtën në këtë ditë ruhet vetëm një fragment i fjalës së Abdyl
Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë, i
vilajetit të Janinës. Duke mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare,
ai i ftoi të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm
për të mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit. Abdyli ndër të tjera
tha: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke
lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na
kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Fjalimi i Abdyl Frashërit la
përshtypje brenda dhe jashtë sallës. Delegatëve të grupimit atdhetar, iu desh
të përballeshin në Kuvend si me qëndrimet e dëmshme të qarqeve pro Turqisë
ashtu autoriteteve qeveritare osmane, të përfaqësuara nga mytesarifi turk i
Prizrenit, Qamil Beu, që ishte i pranishëm në këtë tubim. Ata u përpoqën të
pengonin bashkimin e shqiptarëve në një lidhje kombëtare. Megjithatë, Kuvendi i
Prizrenit e përmbushi misionin e tij historik kombëtar. Akti më i rëndësishëm i
tij ishte vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e
ushtarak, të një Lidhjeje. me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj
në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të
mbronte me çdo mjet interesat e vendit. Po atë ditë Kuvendi Kombëtar miratoi
tekstin e një proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës
ngrihej zëri kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve
fqinje. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë
e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha
veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfaqësuar në
Kuvendin e Prizrenit. Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes
ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e tij iu
dha goditja e parë dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për ta veshur
Lidhjen me karakter islamik dhe u hodhën themelet e një organizate kombëtare
shqiptare, e cila, qysh në ditën e parë të saj, pati një karakter atdhetar.