| E diele, 09.06.2024, 07:55 PM |
NGA HISTORIA E KOMUNITETIT KATOLIK SHQIPTARO-AMERIKAN
25-vjetori
i shugurimit të Kishës Zoja e Shkodërs në Nju Jork
Nga Frank Shkreli
Me një ceremoni
fetare dhe me një darkë të madhe, javën që kaloi, u shënua 25-vjetori i Kishës Katolike
Shqiptaro-Amerikane në Scarsdale të shtetit të Nju Jorkut – një shugurim
madhështor i kësaj Kishe që me veprimtarinë e saj fetare e patriotike i ka bërë
dhe i bën krenarë të gjithë shqiptarët pa dallim feje e krahine – të cilët si
gjithmonë u mblodhën tok të gjithë së bashku nga shumë vedne të Amerikës për të
festuar këtë çerek shekulli përvjetor. Ia vlen, me këtë rast, të përmendet
fakti, sidomos për gjeneratën e re të famullisë dhe të komunitetit, se Kisha e
re Zoja e Shkodrës në Nju Jork, ka një histori të gjatë e të madhërishme,
rrënjët e të cilës shkojnë më thellë në historinë e komunitetit
shqiptaro-amerikan, se 25-vjetët e kaluara. Meritat dhe kontributet në shumë fusha të
aktivitetit të kësaj kishe, janë të mëdha gjatë çerek shekullit të kaluar, me
të cilat brqzi i ri dhe brezi i vjetër duhet të jenë krenarë. Nën udhëheqjen e shkëlqyeshme të Famullitarit
të dashur për të gjithë ne dhe të njohur tani për veprimtrainë e tij të
palodhshme, jo vetëm në Amerikë por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, Dom
Pjetër Popaj me grigjën e tij të mrekullueshme, besnike ndaj fesë dhe Atdheut,
ka meritat kryesore e të mëdha dhe të pazevëndsueshme për sukseset e tij dhe
arritjet e këtij komuniteti shumë aktiv. Aktivitetet fetare e atdhetare janë të
shuma nën lidershipin e tij dhe të komunitetit të kësaj kishe, e cila javën që
kaloi festoi me krenari 25-vjetë në një vend të ri të mrekullueshën, por me
rrënjët e traditës që shkojnë thellë në fillimet e historisë së komunitetit
katolik shqiptaro-amerikan.
Vijon një histori e
shkurtër modeste e fillimit të aktiviteteve dhe e personaliteteve të kësaj
kishe, e që shumë prej tyre që kanë luajtur role kyçe në arritjet e sukseset që
gëzon sot Kisha Zoja e Shkodrës, kanë shkuar në amshim tanimë, por meritojnë që
të pakën disa prej tyre tu përmenden emrat për kontributin e tyre të çmuar
gjatë dekadave të kaluara -- në këtë festim të 25-vjetorit të shugurimit të Kishës Katolike "Zoja e Shkodrës në
Nju Jork. URIMET MË TË PËRZEMËRTA
DOM PJETËR POPAJ DHE KËSHILLIT TË KISHËS DHE MBARË KOMUNITETIT NË KËTË
PËRVJETOR. AD MULTOS ANNOS! Me modesti,
krenari dhe mirënjohje e falënderim për punën e tyre, po sjellim një fjalim të autorit – një historik i shkurtër
-- me 10 Qershor, 2012 – me rastin e 50-vjetorit të themelimit të
Lidhjes Katolike-Shqiptaro-Amerikane,
paraardhëse e Kishës Katolike Shqiptaro-Amerikane:
----------------------------------------------------------------------
“Jemi
nji shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do bahemi dritë e madhe, me
shëndritë dhe votrat e errësueme në Atdhe.’’ (Dom Zef
Oroshi, New York, 1962)
Të dashur e të
nderuar klerikë! Shkëlqesi Imzot Rrok Mirdita, Arkipeshkëv i Tiranë-Durrësit
Dom Pjetër, Dom Viktor, Dom Marjan… Të nderuar zonja e zotërinj, anëtarë të
vjetër e të ri të famullisë Zoja e Shkodrës, miq e dashamirë. Si njeri që
ka shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane (LKSHA) dhe si
anëtar i Këshillit Redaktues të organit të LKSHA në fillim të 1970-ave e
ndjej veten të nderuar me ftesën për të thënë dy tri fjalë dhe i privilegjuar
që jam këtu sot për të shënuar këtë datë historike – jo vetëm për Kishën
Katolike Shqiptare në megrim, por edhe për Kishën e shumëvuajtur në Shqipëri
dhe në të gjitha trevat shqiptare – për të shënuar 50-Vjetorin e themelimit të
Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, (LKSHA) më 16 qershor, 1962.
Është kjo një
datë historike, pasi i parapriu asaj që sot është famullia e parë
katolike shqiptare në Amerikë: Famullia e Zojës së Shkodrës këtu në Hartsdale
të Nju Yorkut, dhe në të njëjtën kohë shënon fillimin e një veprimtarie të
larmishme fetare, kombëtare, gjuhësore e kulturore për komunitetin
shqiptaro-amerikan. Ideja largpamëse e krijimit të Lidhjes Katolike
Shqiptaro-Amerikane ishte e meshtarëve të atëhershëm të komunitetit katolik,
Dom Zef Oroshit dhe At Andru Nargaj, të përkrahur nga një grup i vogël, por
entuziast bashkëpunëtorësh, disa prej të cilëve janë këtu, të paktën një e
di se është këtu, Z. Tonin Mirakaj. Për qëllime historike, meriton të përmendet
fakti se në mbledhjen e parë të përgjithshme të Lidhjes Katolike
Shqiptaro-Amerikane u zgjodh Këshilli i parë prej shtatë anëtarësh, e që
përbëhej prej Dr. Enrik Gurashi, Kryetar, Tonin Mirakaj, Sekretar, Loro
Stajka Arkëtar dhe anëtarët Zef Çupi, Mark Bajraktari, Zef Pashko
Deda dhe Zef Hasani. Me këtë rast dëshiroj të falenderoj njërin prej këtyre
aktivistëve dhe anëtarëve origjinal të LKSHAs, Z. Tonin Mirakaj për
ndihmën që më dha – me dokumentacion dhe dëshmi personale, me burime të
dorës së parë, në rrëfimin e historisë dhe të veprimtarisë së Lidhjes
Katolike gjatë 50-vjetëve të kaluara; veprimtari kjo në të cilën, në një
mënyrë ose në një tjetër, ai ishte vet pjesëmarrës i drejt për drejtë.
Anëtarëve të Lidhjes
Katolike Shqiptaro-Amerikane u lëshohej një librezë (si kjo, të cilën unë e
ruaj qysh se jam bërë anëtar më 8 mars, 1971), me një kuotë anëtarësie prej një
dollari në muaj. Si anëtar i denjë i Lidhjes Katolike me qëllimin përpara, me
moton e punës për objektivin e rëndësishëm në të ardhmen “Për Fe e Atdhe”, të
lidhura e të bashkuara me unazën “Përparim” trashëguar nga para-ardhësit
kishtarë atdhetarë shqiptarë. Çdonjëri që dëshironte të bëhej anëtar i kësaj
lëvizjeje të re në Amerikë, vullnetarisht i vinte vetes detyrë për të qenë: a)
“Katolik i mirë, praktikues i fesë; b) Shqiptar -Amerikan i ndershëm; c) Vijues
i Traditave të mira Kombëtare të gërshetueme me kulturën e shëndoshë
perëndimore-amerikane.” Themelimi i LKSHA dhe i kishës eventualisht ishte më
urgjent, po të merrej parasysh në atë kohë politika e regjimit komunist të
Tiranës kundër Kishës Katolike, që kishte në plan të zhdukte të gjitha fetë,
por sidomos e kishte ferrë në sy klerin katolik, të cilin brutalisht e vrau, e
burgosi dhe e torturoi deri në zhdukje. Mbylli kisha e xhamia, dhe si asnjë
shtet tjetër në botë, komunistët shqiptarë morën vendimin absurd me shpalljen e
Shqipërisë shtetin e parë ateist në botë, duke ndaluar me ligj edhe të Madhin
Zot. Themelimi i LKSHA-s u bë me vetëdije të plotë nga klerikët Dom Zef Oroshi
dhe At Nargaj me bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë se sipas fjalëve të At
Shtjefën Gjeçovit, “Atdhetarë vllazën, mos kjoftë thanun prej kujt se pa besim
të vërtetë, mund të bahena atëdhetarë të vërtetë! Ku t’ zhduket emni i
madhnueshëm i besimit, mos pyetni për atë komb, se nana e zezë do ta hajë, e
vendin e vet e qet në flakë… dhe se ai që përbuz besimin, i del i pabesë si
besimit si atdheut…pasi ata që punojnë këso dore nuk kanë farë dashnije as për
njënin as për tjetrin…” Lidhja Katolike e krijuar në bazë të parimeve të
lartpërmendura, por pa qenë pjesë e asnjë grupimi politik, favorizonte dhe
vazhdon edhe sot të bashkëpunojë me çdo grup a individ që përpiqet t’i shërbejë
interesave të Atdheut dhe kombit shqiptar pa dallim feje e krahine. Ajo
fillimisht përbëhej nga anëtarë të ardhur nga Shqipëria e Veriut, shumica të
arratisur për të shpëtuar nga kthetrat e komunizmit, të ardhur nga malet e
nga fushat, nga trojet shqiptare anë e mbanë Ballkanit, ruajtës të
traditave tona shekullore, por dhe njerëz të shkollës. Vështirësitë
ishin të mëdha, por një ndër hapat më energjetikë dhe frymëzues të Dom Zef
Oroshit ishte apeli që ai i bëri, më 1968, të gjithë komunitetit
shqiptaro-amerikan pa dallim feje, krahine e ideje që të përkrahnin krijimin e
një qëndre fetaro-kombëtare. Kësaj thirrrjeje iu përgjigjën shqiptarët
katolikë, muslimanë e ortodoksë, me ndihma morale dhe materiale, duke
shënuar si gjithmonë një dëshmi të gjallë e konkrete tolerance, bashkëpunimi e
vëllazërimi midis shqiptarëve.
Duke folur për
përpjekjet vendimtare të krijimit të qëndrës së re, Dom Zef Oroshi pat thënë se
kishte mësuar nga përvoja e Peshkop Fan Nolit vite më parë dhe se ajo përvojë e
kishte bindur atë, se nëqoftëse komuniteti shqiptar në Amerikë nuk duhej të
shkrihej – duke humbur gjuhë, kulturë e tradita – atëherë ishte e nevojshme
ndërmarrja e çdo sakrifice për të përballuar çdo sfidë e çdo pengesë për
themelimin e qëndrës katolike. Ky përvjetor ka një rëndësi historike, pasi
shënon fillimin e një fushate që pat mbjellë farën e parë
duke mbledhur fillimisht 4000 dollarë për blerjen e Qendrës Katolike
Shqiptare, e që tre vjetë më vonë u pasua me botimin e revistës “Jeta Katolike
Shqiptaro-Amerikane”, pasi Lidhja Katolike kishte nevojë për një botim
zëdhënës, por për më tepër kjo ishte edhe revista e vetme katolike shqiptare në
botë, që shërbeu për të mbajtur gjallë lidhjet me të afërm dhe me të
largët. Para se të fillonte botimi i revistës Jeta Katolike…
popullarizimin e Lidhjes së re në komunitet dhe më gjërë, e kishte marrë
përsipër Tonin Mirakaj me artikujt e tij të botuar në gazetën Shqiptari i
Lirë. Kështu që në një mënyrë Tonini, si sekretar i parë dhe
gazetar i ‘Shqiptari i Lirë’ dhe ‘Dielli’ ishin propaganduesit e parë të
veprimtarisë fetare dhe patriotike të Lidhjes së re Katolike.
Megjithëse gjatë
kësaj periudhe, shërbimet fetare të komunitetit katolik shqiptar
bëheshin nëpër kisha të ndryshme amerikane. Puna e rëndë e Kryetarit
Dom Zef Oroshit dhe anëtarëve të Lidhjes
Katolike Shqiptaro-Amerikane si dhe serioziteti i kësaj nisme të
komunitetit të vogël katolik, 50-vjet më parë, u kurorëzua natën e Krishtlindjes të dhjetorit 1969,
kur u dha mesha e parë në Qëndrën Katolike Shqiptare në 4221 Park
Avenue të lagjes Bronks. Kryetari i Lidhjes Katolike Dom Zef
Oroshi, në predikimin e tij me këtë rast përshëndeti grigjën e tij duke u
thënë: “Mirë se u pruni Zoti në shtëpinë tuej. Siç pat thënë vite më parë,
në krijimin e Lidhjes Katolike më 1962, Dom Zefi ritheksoi edhe me
këtë rast se “Kjo sot është një shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do
të bahemi dritë e madhe, me shëndrit edhe votrat e errësueme në Atdhe” – duke
shtuar se: “Rruga e jonë është dhe mbetet ajo e Krishtit: drejtësi, dashuni e
paqë për gjithkënd dhe me gjithkënd.
Kishës së parë
katolike shqiptare në Nju Jork, me dekret të Arqipeshkvit të atëhershëm të Nju
Jorkut, Eminences së tij Terence Kardinal Cooke, iu njohën të gjitha të
drejtat si famulli e plotë, me përjashtim të emërtimit famulli, përfshirë të
drejtën e rezidencës së famullitarit në qëndër, si dhe të drejtën për të pasur
vulën zyrtare dhe të drejtat për të kryer shërbimet fetare si pagëzime,
kurorëzime dhe funeralet.
Akordimi nga
Kardinali Terence Cooke, Qendrës Katolike Shqiptare i të drejtave kanonike për
të kryer të gjitha shërbimet fetare aty, ishte shumë i rëndësishëm pasi me këtë
të drejtë, shqiptarët katolikë nuk ishin më të detyruar të shkonin nga një
kishë amerikane në tjetrën për nevojat e tyre shpirtërore e fetare, duke
emëruar Mons. Zef Oroshin Administrator të Qëndrës dhe bashkëpunëtor të tij Dom
Rrok Mirditën, i ardhur nga Arkipeshkvia e Tivarit, i cili me entuziazmin e tij
sjell një bashkëpunim të zellshëm e të frutshëm duke i dhënë një hov të ri
veprimtarisë së Kishës së parë katolike në Amerikë. Por, ndërsa komuniteti i
besimtarëve katolikë sa vinte e shtohej gjatë viteve, nevoja për një kishë më
të madhe po bëhej më urgjente. Nga shënimet historike mbi jetën dhe
veprimtarinë e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane del se meshtarët, në
marrëveshje me Këshillin e Kishës vendosën t’i lëshojnë një thirrje të re mbarë
popullit të komunitetit shqiptaro-amerikan për një ndihmë të posaçme për të
bërë të mundur ndërtimin e një kishe të re, më të madhe, pasi numëri i
emigrantëve sa vinte e shtohej sidomos i atyre nga trojet tona në
ish-Jugosllavi. Pas lejeve dhe aprovimeve të nevojshme nga autoritetet
shtetërore dhe kishtare amerikane, më 24 shtator, 1978 bëhet inaugurimi i
kishës së re me një meshë madhështore dhe pjesëmarrje të madhe bashkatdhetarësh
nga i mbarë komuniteti shqiptaro-amerikan, me përfaqësues të të gjitha feve dhe
nga mbarë viset shqiptare. Nuk ishte kjo një ndërmarrje aspak e lehtë. Në një
editorial të gazetës Dielli të asaj kohe, Kryeredaktori Xhevat Kallajxhiu
përshëndet hapjen e kishës katolike shqiptare në Bronks, si “një vepër me të
vërtetë të madhe”. Ai uron e përgëzon “iniciatorin e vjetër e kryesor,
Monsinjor Zef Oroshin, të Përndershmin Rrok Mirditën, këshillat dhe besimtarët,
që nuk kursyen prej shumë vjetësh, ndihmën morale dhe materiale për këtë vepër
të shenjtë fetare e kombëtare’’, si “ndërgjegjës të misjonit të tyre jo vetëm
si predikues të fjalës së Zotit, por edhe si predikues të shqiptarizmit e të
vëllazërimit midis shqiptarëve’’- përfundoi editorialin ish-gazetari i njohur i
Zërit të Amerikës Xhevat Kallajxhiu. Në këtë ndërkohë, shqiptarët katolikë të
Nju Jorkut kishin ndezur edhe një shkëndi tjetër atë të ‘’ Shën Pjetrit e
Palit’’, nën udhëheqjen e meshtarit Dom Lazër Shëldija, e cila në shkurt të
vitit 1987, me miratimin e këshillave dhe të meshtarëve të tyre, Dom Rrok
Mirdita dhe At Andrew Nargaj ndërmorën vendimin për bashkim historik, në një
kishë të përbashkët, kushtuar Pajtores së Shqiptarëve, Zojës së Shkodrës. Ishin
përpjekje të vështira këto për të bashkuar shqiptarët e shpërndarë anë e mbanë
Nju Jorkut dhe në shtete të tjera. Por me vullnetin e pandërprerë, me sakrifica
e mundime të mëdha, që vetëm pjesëmarrësit dëshmitarë të asaj periudhe i njohin
mirë. Komisioni fillestar dhe komisionet e këshillat e kishës në vazhdim,
kapërcyen kundërshtimet, apatitë, ndërhyrjet qëllim-këqia, dhe ia dolën më në
fund objektivit të lartë fetar e kombëtar.
Darkë e shtruar nga
Këshilli i Kishës Katolike Shqiptare në Bronx me në krye Monsinjor Dr. Zef
Oroshin në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për Sekretarin e Lidhjes
Katolike Shqiptare, Frank Shkreli me rastin e largimit të tij nga Nju Jorku për
në Washington, për të filluar punën në Zërin e Amerikës, qershor, 1974.
Mbas shumë
përpjekjeve, u gjet vendi i përshtatshëm prej 12 hektarësh e gjysëm, në 361
West Hartsdale Avenue, Hartsdale, New York, këtu ku jemi sot. Kontrata e
blerjes u nënshkrua me datën 26 shtator 1989, në zyrën e avoketënve “Piro &
Mansell” në White Plains. Kisha përfaqësohej nga avokati George A. Phillips i
firmës, “Cusack & Styles”, në emër të cilës kontrata u nënshkrua nga i
Përndershmi Dom Rrok Mirdita, në prani të anëtarëve të komisionit të bashkimit
të dy kishave, zotërinjve Tonin Mirakaj, Lekë Gojçaj, Prelë Sinishtaj dhe Ndue
Shala. E gjithë kjo veprimtari prej disa dekadash e shumë mundimesh, nga
klerikët dhe komuniteti katolik shqiptar në Amerikë përfundon më në fund në
kurorëzimin e ndërtimit të Kishës së re, Zoja e Shkodrës këtu në Hartsdale. Por
është me rëndësi historike të përmendet fakti se vetëm dy ditë mbas blerjes së
tokës, me 28 shtator 1989, Eminenca e Tij John Cardinal O’Connor i Nju Jorkut
njoftoi themelimin e “Famullisë së parë Katolike Shqiptare në Amerikë me emërin
e bukur “Zoja e Shkodrës” dhe emëroi famullitar të Përndershmin Dom Rrok
Mirdita dhe bashkfamullitar të përndershmin Dom Pjetër Popaj. Në vend që të
pushonte krahët mbas një pune jashtëzakonisht të rëndë, Dom Rroku, merr
thirrjen e shëjntë për t’u këthyer dhe për të ndezur në Atdhe atë “shkëndinë e
vogël” nga Amerika, për të cilën pat profetizuar Dom Zef Oroshi me krijimin e
LKSHA me 1962, që falë punës së rëndë dhe sakrificave të vet Imzot Rrok
Mirditës dhe Konferencës së ipeshkvijve shqiptarë, sot “është bërë dritë e madhe,
që shëndritë votrat e errësueme në Atdhe” nga dekadat e ideologjisë komuniste,
që kishte zhdukur çdo dukuri fetare me shpalljen absurde të Shqipërisë si vendi
i parë ateist në botë. Emërimi dhe shugurimi i Dom Rrok Mirditës Arqipeshkëv
për Durrës- Tiranë nga Shëjtënia e tij Papa Gjon Pali i Dytë solli pra,
largimin e tij nga Amerika për në Atdhe, duke pranuar kështu privilegjin
historik që veprën e filluar në Amerikë ta vazhdonte në Atdhe, – për të filluar
atë që gazeta New York Catholic e cilësoi si “A New Dawn for Albania” (Një Agim
i Ri për Shqipërinë)-për hir të dashurisë për të Madhin Zot dhe Kombin e tij,
si edhe për hir të dinjitetit dhe në falënderim të përjetshëm të para-ardhësve
të mëdhej të klerit katolik shqiptar të përsekutuar dhe të martirizuar nga
regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Në Sallën Nënë Tereza, Kisha ‘’Zoja e Shkodrës’’) 10 Qershor, 2012 – në
50-vjetorin e Lidhjes Katolike-Shqiptaro-Amerikane me Kryeipeshkvin e ndjerë
Tiranë-Durrës, Mons Rrok Mirditën.
Por barra e rëndë për
shërbimet fetare dhe për mbarimin e punimeve të kishës së re, ra mbi krahët e
të Përndershmit Dom Pjetër Popaj, një prifti të ri e energjetik, i edukuar dhe
i shuguruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i cili me përpjekje të
palodhëshme njerëzore, me dedikim, sakrifica dhe vetmohim iu përvesh punës për
të realizuar objektivin madhor të filluar 50-vjet më parë, dmth, të realizimit
të misjonit të lartë fetar e kombëtar, që sot është famullia “Zoja e Shkodrës”.
Dom Pjetri iu përvesh punës me vrull e vendosmëri të pashoqtë për fillimin dhe
mbarimin e këtij objekti fetar e kombëtar, të cilin Kardinali John O’Connor e
pat quajtur një gur i çmueshëm, një diamant ose xhevahir, me fjalë popullore me
të vërtetë një vepër madhështore, pat thënë ai. dhe që sot, fal aktivitetit të
saj fetar e kombëtar është jo vetëm krenaria e komunitetit katolik, por e mbarë
komunitetit shqiptaro-amerikan.
Më datën 3 dhjetor,
1995 bekohet guri i parë i themelit të kishës së re, në prani të një numëri të
madh besimtarësh dhe udhëheqësish nga tri besimet. Ndërtimi dhe inaugurimi i
kishës “Zoja e Shkodrës’’ shënoi përmbylljen e një kapitulli të lavdishëm të
komunitetit katolik shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe fillimin e një
veprimtarie të gjithanëshme aktivitetesh fetare, kombëtare e kulturore, jo
vetëm për komunitetin katolik, por për të gjithë komunitetin
shqiptaro-amerikan, pa marrë parasysh përkatësinë fetare.
Arqipeshkvi i Nju
Jorku, John Kardinal O’Connor, një mik i vërtetë i shqiptarëve, me rastin e
shugurimit të kishës së re, të cilën, siç thashë më lartë e quajti një diamant
i çmueshëm, tha se konsekrimi i kishës “Zoja e Shkodrës’’ ishte me të vërtetë
një celebrim e gëzim po të marrim parasysh historinë e kombit shqiptar dhe
dëshirën e tij për të qenë i lirë për t’iu lutur Perëndisë. Është e pamundur që mbrenda një kohe të
shkurtë prej disa minutash të përfshihet një historik aq i pasur siç është
veprimtaria e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane gjatë 50-vjetëve të fundit,
e sidomos e 20-vjetëve të fundit nën udhëheqjen e Dom Pjetër Popaj dhe
bashkëpunëtorëve të shumtë. Por do të përpiqem që në pika kryesore dhe
shkurtimisht të nënvijoj ato aktivitete fetare, kombëtare e kulturore që e kanë
dalluar dhe e dallojnë Famullinë Zoja e Shkodrës, këtu në Hartsdale të Nju Jorkut.
Një qëndër kjo, me veprimtari të larmishme në shumë fusha, ku po mësohet dhe
thellohet besimi në të Madhin Zot, por në të njëjtën kohë e si gjithmonë dhe në
traditën më të mirë të klerikëve tanë dhe të Kishës Katolike Shqiptare, që
gjatë të gjithë historisë së kombit tonë ka vazhduar të ruajë dhe të promovojë
zakonet dhe traditat tona si edhe ndjenjat kombëtare për të gjithë edhe këtu në
botën amerikane në të cilën jetojmë. Rëndësinë e përurimit të Kishës së parë
Katolike Shqiptare në Nju Jork, e shprehu më së miri në atë kohë, Ernest
Koliqi, i cili në revistën ”Shëjzat” pat shkruar me atë rast se
përveç dobisë shpirtërore, ‘’Na tue u nisë nga pikëpamja
shqiptare dëshirojmë të theksojmë këtu, vlerën e një organizimi, i cili në
flakë e në dritë të fesë – nevojë urdhnore e njerëzve sidomos kur mjerohen nga
goditjet e fatit si janë të mërguemit – synon të mbajë gjallë zakone e doke
thjesht kombëtare, dmth të ruajë në vend të huaj pasuninë etnike të trashigueme
nga të parët, pasuni që na lejon m’u quejtë shqiptarë në botë.’’
Frank Shkreli
falënderon me këtë rast, Monsinjor Dr. Zef Oroshin për ndihmën dhe këshillat e
tija dhe njëkohësisht edhe Këshillin e Kishës Katolike Shqiptare për
bashkpunimin dhe ndihmesën e tyre gjatë periudhës që kishte shërbyer si
Sekretar i Lidhjes Katolike, të themeluar nga Monsinjor Dr. Zef Oroshi. Frank
Shkreli: Në kujtim të Monsinjor Zef Oroshit | Gazeta Telegraf
Përveç shërbimeve
fetare dhe në përputhje të plotë me traditën historike të rolit që Kisha
Katolike Shqiptare ka luajtë gjatë shekujve, në mbrojtjen dhe në kultivimin e
vlerave të historisë kombëtare, gjuhës, kulturës, folklorit dhe të traditave
tona shekullore, Kisha Zoja e Shkodrës dhe udhëheqësit e saj klerikë dhe
laikë vazhdimisht, kanë ndërmarrë aktivitete të ndryshme duke
organizuar folklore, seminare e akademi. Kështu që, kjo kishë e ka bërë këtë
qëndër gjithashtu një mjedis ku të rinjtë e të rejat e tri besimeve tona
zhvillojnë edukimin e tyre patriotik dhe me qëllim të ruajtjes dhe të
zhvillimit të mëtejshëm të traditave dhe të ndërgjegjes kombëtare të fisit
shqiptar.
Është me vend që të
përmenden disa prej tyre -më të rëndësishmet – siç ishte akademia e mbajtur me
rastin e 300-vjetorit të Imzot Pjetër Bogdanit, ku u ftua Dr. Ibrahim Rugova
për të mbajtur ligjëratë. Kjo ishte vizita e parë e Ibrahim Rugovës në Amerikë
dhe mund të thuhet lirisht se Kisha Zoja e Këshillit të Mirë mund të marrë
kredinë se me këtë ftesë, konsiderohet që ai të ketë filluar karierën e tij
politike, që pak më vonë e konsolidoi atë si udhëheqësin e Kosovës, që e
njihte e gjithë bota, si udhëheqës i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe më vonë
si President i atij vendi.
Ndër të tjera, janë
organizuar gjithashtu edhe seminare në përkujtim të At Gjergj Fishtës dhe Dom
Ndre Mjedës. Çdo vit më 28 Nëntor, Ditën e Pavarësisë së
Shqipërisë organizohej dhe organizohet meshë dhe aktivitete për të
përkujtuar dëshmorët e kombit dhe për t’iu lutur Perëndisë për një të ardhme më
të mirë për shqiptarët. “Dita e trashëgimisë shqiptare”, edhe kjo një
nga veprimtaritë e shumta vjetore të organizuara nga Kisha Zoja e
Shkodrës, është kthyer tashti në një aktivitet masiv që synon të mbajë
gjallë traditat kulturore dhe të forcojë lidhjet e miqësisë midis
gjithë shqiptarëve dhe t’i bëjë ata krenarë për prejardhjen e tyre.
Pasi Shqipëria nën
regjimin komunist kishte marrë një emër të keq në Amerikë, ishte gjithmonë
qëllimi i klerikëve katolikë, që botës amerikane t’i paraqiteshin vlerat
pozitive të shqiptarëve duke paraqitur kulturën, kostumet dhe traditat më
të mira, duke filluar me pjesëmarrjen e komunitetit në Festivalin e Arteve të
Ballkanit në mesin e 1970-ave. Festivali muzikor që kisha organizon për
çdo vit, nën drejtimin e të palodhëshmit Mark Koliqit-Shkreli është bërë si të
thuash një institucion kulturor e kombëtar, në të cilin marrin
pjesë mijëra shqiptarë nga mbarë komuniteti, por edhe më gjërë, pa dallim
feje, krahine apo ideologjiee që mbulohet jo vetëm nga media shqiptare, por
edhe nga ajo amerikane, përfshirë, ndër të tjera edhe gazetën me famë botërore
Nju Jork Tajms. Grupi Rozafati që ekziston pranë kishës për më shumë se 30-vjet
ka përfaqësuar komunitetin shqiptar në organizime e çfaqje të ndryshme
artistike e kulturore të komuniteteve etnike në Amerikë. Folklori i Kishës Zoja
e Shkodrës ka zbukuruar paradat vjetore në bulevardet e Nju Jork
si edhe darkat e festimet kombëtare të komunitetit shqiptaro-amerikan, siç ishte
kohët e fundit festimi i 100-vjetorit të themelimit të organizatës
mbarëshqiptare Vatra. Dom Rroku e Dom Pjetri, mbi të gjithë angazhimet që
kishin mbi supet e tyre, disi kishin gjetur kohë që të përgatisnin dhe të
drejtonin edhe radio programin “Zëri Katolik Shqiptar’’, që transmetohej
çdo të shtunë në mëngjes.
Aktiviteti i
gjithanshëm i famullisë ka përfshirë edhe organizimin e udhëtimeve ose
shtegtarive me karakter fetar, si për shembull vizita në Vatikan dhe Gennacano,
ku grupi nga Zoja e Shkodrës u prit në audiencë nga vet Papa Gjon Pali i
dytë. Të rëndësishëm ishin shtegtimi në Tokën e Shenjtë dhe udhëtimi në
Shqipëri me rastin e vizitës historike të Papës Gjon Palit të dytë, me ç’rast
ai shuguroi katër ipeshkvijë, përfshirë edhe ish famullitarin e kishës tonë,
tashti Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolitan i Tiranë-Durrësit duke
e ringjallur kështu hierarkinë e Kishës Katolike Shqiptare, e cila ishte
zhdukur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Përveç veprimtarive
fetare, kulturore dhe atdhetare, komuniteti katolik shqiptar nëpërmjet kishës,
e me ndihmën e klerikëve dhe të këshillave të ndryshme drejtuese, shpesh është
marrë edhe me veprimtari humanitare në shërbim të bashkatdhetarëve tanë në
Shqipëri, Kosovë e vise të tjera. Vlenë të përmendet se gjatë 1990-ave,
Kisha Katolike Shqiptare ka organizuar gjithsejt 22 transportime ushqimesh dhe
veshmbathjesh, si edhe fonde me qindëra mijëra dollarë për njerëzit në nevojë
në Shqipëri dhe për refugjatët shqiptarë nga Kosova. Megjithëse larg nga
atdheu dhe trojet tona në Ballkan, besimtarët katolikë të kësaj famullie
gjatë këtyre 50-vjetëve histori të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane nuk
kursyen kurrë dhe asgjë për bashkatdhetarët tanë në vendlindje duke
dërguar, sipas mundësive këtu dhe nevojave atje, ndihma për ndërtimin e
rrugëve, shkollave e qendrave fetare e kulturore, përfshirë edhe ndihmën e
konsiderueshme dhënë për ndërtimin e Katedralës “Nënë Tereza’’ në kryeqytetin e
shtetit sovran e të lirë të Kosovës dhe kur thirri Atdheu për mbrotjen e
interesave kombëtare nuk munguan as ndihmat materiale e madje-madje as ato
njerëzore.
Përveç veprimtarisë
kombëtare, fetare e kulturore, Kisha Katolike nga koha në kohë organizonte, me
ndihmën e mjekëve shqiptarë të kryesuar nga Dr. Agim Leka, edhe përkujdesje
shëndetësore për fëmijtë e emigrantëve të rinj të çdo feje e krahine, duke
hapur hapësirat e kishës për imunizime dhe nevoja të tjera shëndetësore
për komunitetin shqiptaro-amerikan. Megjithëse sot ka lloj lloj
organizatash politike e kulturore të komunitetit. Ishte Lidhja Katolike
Shqiptaro-Amerikane, ajo që u parapriu këtyre kur në fillim të 70-ave mori
iniciativën, që së bashku me qëndrat si motra myslimane dhe ortodokse të
formohej Organizata etnike shqiptaro- amerikane që do të përfaqësonte interesat
e komunitetit pranë Bashkisë së qytetit të Nju Jorkut.
Nuk është pra kjo një
“qyqesh”, siç i cilësonin apologjetët e regjimit të Enver
Hoxhës, mërgimtarët shqiptarë në Amerikë, që shumë prej të cilëve
patën fatin të shpëtonin nga terrori i egër i stalinistëve të Tiranës
komuniste, e që disa prej të cilëve, 50-vjetë më parë morën guximin
dhe themeluan këtë Lidhje Katolike Shqiptaro-Amerikane. Ky pra, është një
komunitet, i cili shpirtërisht dhe fizikisht, gjithmonë ka qenë
dhe është afër dhe i gatshëm të mbrojë interesat kombëtare dhe të punojë për
“Fe e Atdhe”. Është ky komunitet i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane,
me Kishën “Zoja e Shkodrës’’ – i cili pa marrë parasysh se ç’thanë kritikët
dashakeqës atëherë, e ndoshta edhe sot ai që po shkruan historinë e diasporës
shqiptare në Amerikë dhe që është bërë pjesë e pandashme edhe e historisë së
Kishës Shqiptare në Atdhe. Si i tillë, ky komunitet meriton një kapitull
të denjë edhe në historinë e kombit shqiptar, ashtu siç zë vend edhe
historia e arbëreshëve të Italisë, të cilët gjatë 500-vjetëve ç’prej largimit
të tyre nga Atdheu për të shpëtuar nga otomanët, ruajtën fenë, dashurinë për
Atdheun, traditat, gjuhën shqipe dhe kulturën. Ashtu si edhe arbëreshët e
Italisë, edhe komuniteti shqiptaro-amerikan, pjesë përbërëse dhe e rëndësishme
e të cilit është edhe komuniteti katolik i Nju Jorkut me rrethe, me aktivitetin
e tij të palodhshëm 50-vjeçar, të udhëhequr nga klerikët tanë që kemi
privilegjin t’i kemi këtu sot, si dhe ata që kanë shkuar në atë jetë, vazhdon
të jetë flamurtar i përhapjes dhe i forcimit të idesë kombëtare, i ruajtjes së
vlerave fetare e morale si edhe i kulturës dhe traditave të bukura shqiptare, e
që nëpërmjet shembullit të Nënë Terezës e kanë bërë kombin tonë të njohur anë e
mbanë botës.
Roli i famullisë Zoja
e Shkodrës në jetën fetare, kulturore, shoqërore, humanitare dhe në mbrojtje të
të drejtave të shqiptarëve kudo dhe pa dallim është vlerësuar nga të gjithë,
përfshirë edhe udhëheqësit politikë dhe diplomatë nga Shqipëria, Kosova
dhe vise të tjera shqiptare, të cilët e kanë bërë vizitën në këtë qendër si një
ndalesë të domosdoshme gjatë qëndrimit të tyre në Amerikë. Famullia Zoja e
Shkodrës është shpesh edhe në qendër të aktiviteteve ekumenike duke marrë
iniciativën dhe duke organizuar lutje ndërfetare me udhëheqës të besimeve të
tjera për qëllime mbarëkombëtare, si për shëmbull lutjet, që mbaheshin për
pavarësinë e Kosovës, dhe për fatin e shqiptarëve në përgjithësi. Një ndër
ndërmarrjet më me rëndësi të kësaj qendre, siç thashë edhe më përpara, ka qenë
botimi i revistës Jeta Katolike ku shkruanin e vazhdojnë të shkruajnë jo vetëm
intelektualë e shkrimtarë të famullisë, por ajo është e hapur për të gjithë,
dhe e cila ka siguruar respektin e meritueshëm, përmbajten e së cilës e ka
vlerësuar edhe shkrimtari Ismail Kadare. Këshilli redaktues nën
drejtimin e Dom Pjetrit dhe të Mark Koliqit meriton lëvdata për një punë të
mbrekullueshme edhe në fushën gazetareske.
Rëndësia e këtij
përvjetori, e vërteta është, që qëndron në faktin se themelimi i Lidhjes
Katolike Shqiptaro-Amerikane 50-vjetë më parë, kur të shikohet nga
këndvështrimi i sotëm, ishte gur themeli, ishte hyll i dritës dhe agimi i
parë i mëngjezit, që zbardhi ditën dhe të ardhmen e Kishës Katolike Shqiptare
në përgjithësi. Kur të marrim parasysh historinë e vuajtjeve e të
mundimeve të klerit dhe të Kishës Katolike në Shqipëri gjatë diktaturës
hoxhiste komuniste, është e qartë se Shpirti i Shënjtë kishte dorë të drejt për
drejtë në këtë krijesë të re, në këtë vend të madh të lirisë e demokracisë, me
qëllim jo vetëm për të mirën e komunitetit katolik shqiptaro-amerikan, por
edhe për fatin e Kishës në Shqipëri dhe për të mirën e mbarë kombit
shqiptar. I Madhi Zot vepron në mënyra misterioze. Siç thashë lart, nga
kjo famulli doli një arqipeshkëv, në personin e Imzot Rrok Mirditës, dy
meshtarë Dom Pjetri e Dom Nikolin Përgjini, si dhe diakoni Marash Shkreli,
të cilët shërbyen për disa vjet në këtë famulli. Historia 50-vjeçare e Lidhjes
Katolike Shqiptaro-Amerikane është një periudhë evenimentesh historike siç
ishte, ndër të tjera, edhe organizimi i meshës solemne në Katedralën e Shën
Patrikut në Nju Jork më 1997 në kujtim të Nënë Terezës, bijës që Kombi shqiptar
i ka dhuruar njerëzimit, e ku mori pjesë një mori e madhe shqiptarësh
dhe të huajsh, pa dallim. Me ç’rast Profesor Sami Repishti, i emocionuar nga
kjo çfaqje fetare e kombëtare e organizuar nga Kisha Zoja e Shkodrës, e
përmblodhi më së miri misjonin dhe aktivitetin e kësaj veprimtarie
duke shkruar me atë rast: “Këtu në Katedralën e Shën Patrikut u duk fëtyra
pak e njohur e popullit tonë të vjetër e fisnik, u duk i qartë besimi jonë
në vetvehten, besnikëria ndaj traditave tona kombëtare, dashuria jonë e madhe
për gjuhën tonë amtare, toleranca jonë fetare (i cili popull fton imamin
mysliman të flasë nga altari i Katedralës) dhe vendosmëria jonë për të qenë
pjesëtarë të një kombi që na jep nder dhe na jep emërin shqiptar…Megjithë
sakrificat e shumta që keni bërë, o vëllezër e motra shqiptarë katolikë,
“për fe e atdhe’’,- vazhdon Profesor Repishti- “ju jeni një grup fetar e
kombëtar që do të mbijetoni çdo provë e vështirësi në të ardhmen… dhe në
këtë rrugë ju keni përkrahjen e miljona shqiptarëve myslimanë e ortodoksë që ju
kuptojnë dhe ju duan”,- ka përfunduar artikullin e tij Profesor Sami Repishti.
50-vjetori i Lidhjes
Katolike Shqiptaro-Amerikane është pra, një kurorëzim i denjë dhe i
mrekullueshëm i një veprimtarie në fushën e fesë dhe të shqiptarizmit. Me
urimet e mia i lutem të Madhit që Qëndra Nënë Tereza dhe famullia e Zojës
së Shkodrës, nën drejtimin e famullitarit Dom Pjetër Popaj, të vazhdojë
punën e saj frymëzuese bazuar në binomin Fe e Atdhe me Përparim, të trashëguara
nga paraardhësit kishtarë shqiptarë, në misjonin e saj për të ndihmuar Kishën e
shumëvuajtur dhe institucionet fetare, të cilat gjithmonë kanë qenë qendra, jo
vetëm e vlerave fetare, por edhe vatër e promovimit të patriotizmit të pastër,
të kulturës arbërore dhe të tolerancës ndërfetare këtu në Amerikë dhe në të
gjitha trojet tona shqiptare në Ballkan.
*Autori
ka shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane dhe ka qenë
anëtar i grupit redaktues të revistës ‘’Jeta Katolike Shqiptare,’’ për
periudhën 1971-1974.
Kujtime nga protesta e komunitetit
shqiptaro-amerikan kundër vrasjes barbare të At Shtjefën Kurtit nga regjimi
komunist hoxhist, Nju Jork, 1973–
Autori, pjesëmarrës në protestën para OKB-së me Monsinjor Dr. Zef Oroshin,
ish-udhëheqësin shpirtëror të komunitetit katolik shqiptar në Nju Jork.