| E diele, 09.06.2024, 06:55 PM |
NJË VEPËR E RËNDËSISHME BIOGRAFIKO-HISTORIKE PËR ATDHETARIN ASIM LUZHA
(Hanëmshahe
Ilazi, “Asim Luzha, Misionar i paqes, diturisë dhe martir i Kosovës (1889 –
1945)”, Prishtinë, 2024)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Autorja,
Prof. Hanëmshahe Ilazi, tashmë emër i njohur për lexuesit, si hulumtuese dhe
gjurmuese e mirëfilltë e ngjarjeve dhe e personaliteteve atdhetare të kombit tonë, ajo sot, edhe
njëherë na vjen me monografinë biografike të intelektualit, trimit e
atdhetarit të devotshëm Asim Efendi
Luzhës nga Gjakova.
Libri
biografik “Asim Efendi Luzha- Misionar i paqes, diturisë dhe martir i Kosovës
(1889-1945)”, është një sihariq i
këndshëm jo vetëm për ne, që merremi me këtë problematikë, por edhe për të
gjithë ata që duan të dinë dhe të mësojnë se për të ardhur deri te kjo ditë, që
po e gëzojmë ne sot, duhet t’u jemi mirënjohës gjeneratave të tëra, që u
angazhuan dhe që luftuan deri në vetësakrificë, vetëm e vetëm për të realizuar
amanetin e të parëve, për liri.
Monografia
e Prof. Hanëmshahe Ilazit “Asim Efendi Luzha- Misionar i paqes, diturisë dhe
martir i Kosovës (1889-1945)” që i
kushtohet patriotit të madh Asim Luzhës, është një kontribut i çmuar për të
gjithë ne, në përgjithësi, e veçmas për periudhën më të rëndë që kaluan
shqiptarët, për kohën kur ishte vështirë të qëndroje vertikalisht dhe kur
ngjarjet me plot nebuloza kishin mbuluar Kosovën. Hartimi dhe shtjellimi i
kësaj biografie, me argumente dhe me shumë të dhëna të verifikuara mirë dhe
saktë, këtë libër e bëjnë edhe më sublime dhe më shkencore, edhe më të afërt
dhe më reale për rrethanat e kushtet kur veproi, u angazhua dhe u likuidua Asim
Efendi Luzha.
Asim
Efendi Luzha, në këtë luftë dhe në këto përpjekje nuk ishte i vetëm. Bashkë me
shokë kishin bërë angazhim e rezistencë titanike, vetëm e vetëm që një ditë
Kosova të jetë e lirë dhe të jetë aty ku i kishte hije. Siç dihet, gjatë
LANÇ-it, shqiptarëve iu premtua shumëçka, por ata që ishin më vizionarë, siç
ishte rasti i Asim Efendi Luzhës e i Shaban Palluzhës e shumë të tjerëve, e
kishin hetuar se Kosovës liridashëse po i pritej qefini në Beograd. Andaj edhe
nuk qëndruan duarkryq. U mobilizuan dhe reaguan si të ishin një trup. Më vonë,
më 1945, me vendimet e Kuvendit të
Prizrenit (1945), u dëshmua ajo për të cilën frikoheshin atdhetarët. Duhet
thënë edhe këtë se reagimi dhe rezistenca e shumë atdhetarëve ishte produkt i
një periudhe të errët e të tradhtuar të Kosovës.
Me
këtë rast, më gjerësisht do të ndalesha në monografinë biografike që po e
promovojmë sot, e cila me të dhënat që na i ofron në mbi 300 faqe, autorja, na
bind se edhe një margaritar i lirisë i shtohet vargut të gjatë të heronjve
tanë, që këtë histori e bëjnë më të begatë dhe më krenare dhe e pasurojnë me
vlera e virtyte liridashëse historinë e këtij populli, të cilën e bëjnë edhe më
të lavdishme, edhe më të drejtë, ngase luftuan për tokën, lirinë, popullin,
nderin dhe moralin e këtij vendi.
Duke
e lexuar këtë monografi biografike, herë-herë të përshkon një entuziazëm i pa
përshkruar, por herë-herë të kaplon edhe një trishtim i paparë, kur sheh se me
çka janë përballur shqiptarët në rrugën e gjatë të lirisë. Autorja, Hanëmshahe
Ilazi, duke qenë njohëse e mirë e situatës politike në Kosovë gjatë luftës dhe
pas saj, na ofron një libër me të dhëna
të bollshme biografike, por edhe të aktivitetit politik e luftarak të heroi
shqiptarë Asim Efendi Luzhës.
Ajo
ka grumbullua me përkushtim çdo gjë, e për ato që i mungojnë, do të befasohet
lexuesi se si ajo nuk përton fare, merr rrugën dhe shkon e takohet me të gjithë
ata që kanë sadopak ndonjë informatë për të bëmat e atdhetarit. Hulumton të
gjitha të dhënat që kanë të bëjnë me Asim Efendi Luzhën, të gjitha librat e
gazetat e kohës, bisedon me çdo kënd që ka ndonjë njohuri, shfleton dokumente
të shumta arkivore, lexon , konsultohet me literaturën që është në biblioteka,
e shumëçka tjetër, vetëm e vetëm për të ardhur deri te e vërteta shkencore.
Prof.
Hanumshahja, shpeshherë kalon edhe nëpër kohë dhe rrjedha historike, të cilat
të dhëna e bëjnë edhe më të plotë veprën e saj. Është për t’u lavdëruar qasja
që u bëhet viteve gjatë Luftës së Dytë Botërore; Periudhës pas Konferencës së
Bujanit; Administrimit Ushtarak në Kosovë; Luftës së Shaban Palluzhës me shokë,
e shumë ngjarjeve historike që lënë mbresa të pashlyera në memorien e njerëzve
dhe të historisë.
Biografisë
së Asim Efendi Luzhës i kushton vëmendje të posaçme, duke filluar që nga
shkollimi dhe diplomimi në shkollën e mesme në Shkup, e që ai nuk u ndal me
kaq. Në Gjakovë regjistroi Medresenë e Madhe. Pas kësaj do të emërohet Imam në
disa fshatra të Gjakovës, si në Skivjan, Cërmjan e Rastavicë. Pastaj caktohej
imam edhe në fshatrat e Drenicës. Me përfitimin e përvojës do të kthehet në
Gjakovë, ku do të emërohet imam i xhamisë se Islam Begut, në qendër të
Gjakovës, ku do të shërbejë deri në fund të jetës. Gjatë tërë këtyre viteve ai
iu përkushtua bamirësisë, arsimimit, humanitetit dhe atdhetarisë. Me të drejt
popullata kudo që punonte e quanin babai i fukarenjve. Edhe lekun e fundit e
jepte për ti ndihmua të varfëritë. Ishte i martuar me Qazime Roka - Luzha (1902
– 1970) –me të cilën pati 7 fëmijë: Qemajlin, Serveten, Murtezan, Zijanë,
Sadeten, Besën dhe Nezafeten.
Sipas
të dhënave që na prezantohen në monografi, duket qartë se Asim Efendi Luzha,
bashkë me shokët ishte i vetëdijshëm se periudha në të cilën po kalonte Kosova,
ishte e mbarsur me plot rreziqe. Ajo ishte në rrezik që të gllabërohej nga
Jugosllavia, siç ndodhi më vonë. Dhe mu për këtë, nuk u pajtua kurrë Asim Efendi
Luzha me shokët e tij, andaj autorja në këtë monografi e provon bindshëm këtë.
Pushtetarët, duke e par zgjuarsinë dhe aktivitetin atdhetar të Asimit dhe duke
i parë qëllimet dhe idealet e përbashkëta me luftëtarët e Drenicës dhe miqësinë
e ngushtë me Shaban Palluzhën, ata e hetojnë rrezikun dhe plani bëhet. Asim
Efendi Luzha duhet likuiduar.
Forcat
partizano-çetnike duke parë zemërimin e madh të popullit të Drenicës, dhe
luftën në krye me Shaban Polluzhën, përmes Fadil Hoxhës, kërkuan bisedime. Ati
filluan, me Ymer Pulën e Ismet Shaqirin, por dështuan ! Sërish, kërkuan
bisedime, që ishin vetëm kamuflime, mashtrime e kurthe djallëzore. E kërkuan me
telegram urgjent nga Prishtina ish-deputetin e Drenicës, Asim Efendi Luzhën.
Ai
me të marrë telegramin vendos të shkojë pa hezitim.
Para
se të nisej për në Prishtinë, takohet me disa hoxhallarë gjakovarë (shokë të
tij të ngushtë), që ishin anti-komunistë e atdhetarë, si Hafiz Ymer Guta e
Hasan Efendi Dashi, të cilët e këshillojnë atdhetarin Asim Efendi Lizhën, të
mos shkojë në Prishtinë, sidomos në Drenicë, por ai, meqë e donte Drenicën, dhe
popullin e saj, nuk i përfilli dhe as që i dëgjoi... shkoi.
Në
Prishtinë, në Shtabin Operativ, i thanë se bisedimet me përfaqësuesit e
Drenicës do të mbahen në katundin Tërstenik. Ai i shoqëruar nga miku i tij
Rifat Berisha, mbërrin në Drenas. Këtu edhe Rifati e këshillon që mos të shkoi
në Tërstnik se atje është shumë rrezik, megjithatë, Asimin me ushtarët
përcjellës vazhdon rrugën.
Në
Tërstenik, hoxhën e priti një gjendje
kaotike. Ishte i shqetësuar dhe tepër i pakënaqur me trajtimin e popullatës që
bënin partizanët ndaj tyre. Ai kishte shkuar atje që të arrinte marrëveshje dhe
të shpëtonte popullatën nga masakrat e sigurta. Asim ishte njeri i fjalës dhe i
besës dhe do të ishte shumë i lumtur t’i
shpëtonte ata. I bindi shumicën që të dorëzoheshin dhe të dorëzonin armët, dhe
më vonë nuk do të ndodhte asgjë e keqe. Por nuk ishin të kënaqur çetniket e
konvertuar në partizan. Ata kishin tjera plane dhe gjithsesi donin të shfarosnin
popullatën shqiptare në atë zonë. Ardhja e hoxhës në Drenicë po iu prishte
planet monstruoze të tyre. Shumë dëshmitar të këtij takimi dëshmojnë se hoxha
kishte kundërshtua qëndrimet e tyre dhe
ishte tejet nervoz. Nuk donte të humbëte
asnjë fshatar që kishin ardhur aty vetëm e vetëm se kishin besim te deputeti i
tyre, te hoxha i tyre, i cili i kishte dashur e vizituar edhe gjatë luftës,
ishte kujdesur për hallet e tyre, i kishte ndihmuar dhe si gjithherë i kishte
këshilluar të rinjtë se si duhet vatani- atdheu.
Partizano-çetnikët
ishin të vetëdijshëm se prezenca e hoxhës po ua prishte planet. Sidomos kjo e
pengonte tej mase Petar Brajeviqin e Zyfer Musiqin, proçetnik të përbetuar.
Këta
pushtetar, duke e parë qëndrimin e tij burrëror, këmbënguljen në mbrojtjen e
tij me çdo kusht të të dorëzuarve si dhe miqësinë e ngushtë me Shaban
Polluzhën- tribunin kombëtar dhe idealet e përbashkëta me luftëtarët. Ata
hetojnë rrezikun prej tij dhe plani kurdiset.
“Asim
Efendi Luzha duhet likuiduar!”
Mulla
Efendi Luzha, pas krejt çka pa e gjeti në Tërstenik, i shkruajti një letër
Fadil Hoxhës, në janar të vitit 1945, në të cilën thuhej se: “Nëse nuk merren
masa të ngutshme, shumë fshatarëve të ngujuar në kullën e Halil Mulajt në
Terstenik, mund t’u ndodhë një plojë e tmerrshme. Për këtë janë ngarkuar dy
komandantë të korpusit të KNOJ-it, Pejoviç e Tabakoviç, nga një brigadë
malazeze”. (Këtë letër Asim Luzha ja jep korrierit Sheremet Koci, me qëllim që
t’ia dorëzojë në dorë vetëm Fadil Hoxhës – Komandant i UNÇ-së të Kosovës, sepse
Ai e kishte dërguar me mision pajtimi në Drenicë. Por ajo letër kurrë nuk
arriti në duart e Fadil Hoxhës).
Pas
kësaj hoxha do të zbresë shkallëve të kullës teposhtë, diku pas orës 21:00, për
t’i parë fshataret e ngujuar, e që pas shpine
do ta qëllojnë me plumba automatiku, kriminelët partizano-çetnikë.
Për
vrasjen e Asim Efendi Luzhës, pati tri versione të cilat i lansoi OZNA.
Versioni i Shtabit të UNÇL, ishte se “Hoxha deshi ta hedhë bombën në shtab dhe i eksplodoi në xhep dhe e
vrau”.
Tjetri
version ishte: ushtari që e përcillte gjoja se truproja ia futi bombën në xhep.
Por
, versioni i vetëm dhe i vërtet është se ai nuk u vetëvra, por u vra pas shpine me plumba automatiku që u vërtetua
pas obduksionit që bëhet nga komisioni kur e zhvarrosin nga varrezat e
Tërstenikut.
Mulla
Asim Efendi Luzha u zhvarros edhe një herë, për tu varrosur me nderime të
mëdha nga qytetarët e Gjakovës në
vendlindje. Ku në varrim erdhën posaçërisht edhe nga qendrat tjera të Kosovës,
që ti bënin nderimet e fundit heroi të tyre. Ai u varros afër Urës së Tabakëve,
në varrezat e Tyrbes së Tahir Efendisë.
Atdhetari
Asim Luzha ishte i vetëdijshëm se çfarë i përgatitej dhe se çka e priste nga
organet e OZN-ës, se edhe më herët, por edhe më vonë, në këtë mënyrë e kishin
pësuar shumë atdhetarë nga ana e “Pushtetit të ri popullor”. Një fat të tillë e
kishte pasur edhe Xheladin Hana, Omer Çerkezi, Ramiz Cernica, Faik Pruthi, Ali
Boletini, Qamil Hoxha e shumë të tjerë. Të gjithë këta me vetëdije të lartë
atdhetare ua falën jetën idealeve të larta kombëtare dhe asgjë nuk kërkuan si
shpërblim, veçse realizimin e ëndrrës së madhe të aq brezave për ta parë
Kosovën të pavarur e të lirë, nga i cili gjakim nuk mund ta shkulnin askurrë tekat e historisë.
Familja
vonë mori vesh për vrasjen e Mulla Asim Efendi Luzhës. Lajmin e trishtë e
kishte dhënë në besim atdhetari, majori Banush Sedllari, i cili pas një viti
edhe ai likuidohet nga forcat komuniste.
Pas
këtij atentati ushtria pushkaton 60 burrat e dorëzuar dhe 18 të rinj nga
Gjilani që kishin ardhur t’i bashkohen aradhes së Shaban Polluzhës. Kjo ishte
ndër tragjeditë më të mëdha të vitit 1945. Vetëm në Drenicë u torturuan, u
masakruan dhe u vranë 30.000:burra, gra dhe fëmijë.
Monografia
e Prof. Hanëmshahe Ilazit “Asim Efendi Luzha- Misionar i paqes, diturisë dhe
martir i Kosovës (1889-1945)” është një sihariq, që na ofron të dhëna të
bollshme historiografike e biografike, që gjer më tani kanë qenë të panjohura
për opinionin e gjerë. Ky libër e vlen të lexohet dhe të studiohet me kujdes,
ngase mesazhi që rrezaton nga ai na bën të jemi krenarë dhe të jemi të gatshëm
për ballafaqim me sfida të reja.
Dhe
krejt në fund autoren zonjën e dashur prof.. Hanëmshahe Ilazin e përgëzojmë dhe
i urojmë jetë të gjatë e të shëndetshme duke pritur nga penda e saj edhe shumë
vepra të tjera.
Lavdi
atdhetarit të madh Asim Efendi Luzhës!