Kulturë
Mihal Gjergji: Sakari
E diele, 09.06.2024, 06:44 PM
Mihal Gjergji
SAKARI
“…
Aso kohe, i besuari i mbretit ishte më i ligu i meshkujve të fshatit, me pamje
mulati, trup mesatar, por ngjasonte më i shkurtër, sepse ecte i përkulur. Në
Buronjat e fshatit tonë, ka aq ujë sa të mbytet njeriu, mirëpo i
"zgjedhuri" ishte sevdalli dhe u afroj grave që ngarkonin bucelat dhe
mbanin kutruve të vogla në duar. I zhuritej buza firaunit. Përkulej te këmbët e
tyre dhe bënte sikur rrufiste ujin e ftohtë. Mjafton që ai të thoshte fjalën
dhe pastaj diçka do dilte...Ai të gjente një punë të mirë, ose të hiqte nëse e
kishe atë. Ishte si gjarpri i shtëpisë. Ju keni dëgjuar për të, apo jo? Ai nuk
vritet, sepse bie tersllëk. Mirëpo, atij i kishin besuar edhe rolin e
gjyqtarit, sepse vëllai i tij i bënte roje nalmadhënisë së tij në qendër të
mbretërisë. Ndodhi që, një mesoburrë, vendosi të ndajë gruan. Djali që kishte
lindur e shoqja s’i ngjante. Gruaja bënte be e rrufe që s’kishte pranuar mbi
vete mashkull tjetër veç burrit. Ajo kërkoi ndihmën e gjyqtarit. I besuari i
mbretit s’pranoi të vinte. Çështjet e nderit s’i merrte përsipër. S’kishte faj.
E ëma e tij kishte qënë e bukur dhe dorëlëshuar, i vinte keq për burrat e
fshatit. Dhe ai vetë s'ngjante me të atin...Sakati, kështu i flisnin kur ishte
i vogël, por djemtë e fshatit e kanaqepsnin,-Sakari, dhe kështu i mbeti. Kur
mësoi lajmin u fsheh në dollap të rrobave nga frika mos e gjenin. U mblodh
pleqësia. Ishte punë e vështirë të gjykoje me hamëndje. Më i urti i pleqve
pyeti gruan që akuzohej:- ka pirë ujë Sakati me buzët e kutruves tënde? –Po,
tha ajo, disa herë…Problemi ju afrua zgjidhjes, mirëpo të nesërmen në mëngjes,
mësuan se "gjyqtari" që ndryshe njihej “I besuari” kishte ikur natën
bashkë me familjen, ishte vendosur afër mbretit. Pleqësia vendosi të mbledhë
gratë e fshatit dhe t’u lexojë ajete nga Kurani...Edhe profeti Muhamet pati një
ngatërresë me gratë. Disa prej tyre i shkuan të revoltuara dhe e pyetën:-përse
s’vendosni drejtësi? Përse burrat i lejoni të marrin disa gra, ndërsa ne të
kemi vetëm një burrë? Muhameti po mendohej, s’mund të fliste pa ardhur zbritja
hyjnore nga Xhibrili. Në ndihmë i erdhi e bija, Fatimeja. Ajo i ftoi gratë në
sarajet e saj, u kërkoi të sillnin me vete nga një gotë qumësht. Ashtu u bë. U
afroi një kovë për të hedhur qumështin, pastaj u tha që, seicila të nxjerrë
qumështin që pruri me vete. –E kemi të pamundur, i thanë ato, qumështi u
përzie. Atëherë, kuptojeni profetin, u tha Fatimeja. Në qoftë se kupën e
mbushin disa burra, si mund ta gjejmë babën e fëmijës? Gratë miratuan me
heshtjen e tyre, edhe pse brenda gurgullojnë si buronjat. Shpirtit nuk i vihet
kapistër…ndërsa kupa s'mbushet me fjalë…" Ja, këto më tregoi një plak i
mënçur që banon ende në afërsi të Buronjave, në Kuçin e Gjolekajve.
Kuç, Qershor 1998.