| E shtune, 08.06.2024, 06:56 PM |
MAFIA, apo "MAFIA state"?
Nga
Ferdinand Dervishi
Studimit, listimit dhe përdorimit të
grupeve kriminale për të fituar pushtetin politik sipas bindjes “aleancë edhe
me djallin për të mundur Berishën” shqiptarët po ja shohin hajrin.
Rezultati i parë do të ishte ndarja e
dukshme e pushtetit me krimin. I dyti do të ishte rreshtimi konstant i vendit
tonë si një nga vendet më të korruptuara të Botës.
Aktualisht njerëzit në majë të
pushtetit politik, oligarkët e përbashkuar në fitime si dhe krimi, komandojnë
dhe kontrollojnë të gjitha paratë e buxhetit të destinuara për shërbime
publike, të njëjtët kanë zhytur duart në pronat e shtetit shqiptar dhe të
shqiptarëve etj.
Duke parë kontrollin total të shtetit
në stil mbretëror apo sulltanor, duke parë krimin e organizuar të arrijë të
devijojë në Portin e Durrësit një linjë ndërkombëtare të kokainës që vjen nga
Amerika Latine, duke parë zhvatjen e pamëshirshme të pronave në bregdet, duke
parë kontrollin e lojërave legale e ilegale të fatit,
duke parë furinë e fenomenit
mashtrues miliarda dollarësh të realizuar me “call center”, shqiptarët e pjesës
gri po i mundon një pyetje: A është
themeluar dhe po funksionon një
organizatë e mirëfilltë mafioze në Shqipëri, apo kemi të bëjmë me një MAFIA
shtetërore ?
Me termin “MAFIA” emërtohen
përgjithësisht organizatat kriminale që kanë një ngjashmëri të madhe me
organizatat mafioze italiane.
Dy nga elementët themelore që
dallojnë MAFIA-n nga një grup i mirëstrukturuar i krimit të organizuar, janë
lidhja me krimin ndërkombëtar dhe tejkalimi i bashkëpunimit e kontrollit nga
politika, duke sfiduar shtetin.
Në terrenin shqiptar është e provuar
se grupet e krimit të organizuar kanë lidhje ose janë pjesë e krimit të
organizuar ndërkombëtar. Ajo që mbetej me pikëpyetje ishte nëse e tejkalojnë,
apo jo, kontrollin nga politika?
Kohët e fundit, personazhe të
ndryshëm të agjencive partnere të sigurisë dhe shërbimeve sekrete, nisën t’u
pëshpërinin në vesh, capak shqiptarëve, të cilëve u besonin, rrezikshmërinë e
fuqizimit e ngritjes, në rangun e një organizate të mirëfilltë mafioze, të një grupi
shqiptar të krimit të organizuar.
Sikur të kishte një lidhje kohore jo
rastësore, shqetësimi u duk se fillimisht u reflektua në një shkrim (16 prill
2024) të INA MEDIA - rrjetit investigativ që mbështetet nga Ambasada Amerikane.
Aty shkruhej për lidhjet me mafian
italiane SACRA CORONA UNITA, të Artur Shehut, dikur të njohur si trafikant
klandestinësh, aty ai aludohej si një lojtar kryesor në procesin e tjetërsimit
të pronave në bregdetin e Vlorës.
Pastaj mbërriti (21 prill 2024)
investigimi i RAI-3, që habitshëm kishte sërish në qendër Artur Shehun, lidhjet
e tij të dyshimta me Gjeneralin Fabrizio Lisi, të Guardia Di Finanza dhe, si të
bëhej një ngjashmëri me filmat me subjekt MAFIA-n, edhe lidhjet e të dyve me
Ëngjëll Agaçin, Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë.
Pazëllin e plotësoi intervista e
Nicola Gratteri-t, Kryeprokurorit të Napolit, që deklaroi se “Mafia shqiptare
është e fortë, sepse vjen nga një shtet ku ka korrupsion të përhapur… Mafia
shqiptare tashmë është strukturuar dhe ka arritur të punojë në bashkëpunim me
NDRAGHETA-n. Ka disa vite që e shohim edhe në Amerikën e Jugut dhe është e aftë
që, edhe në mënyrë të pavarur, të sjellë në Itali dhe në Europë tonelata
kokainë”.
Pak ditë më pas, në një tjetër media
italiane, sërish Nicola Gatteri, do të thellonte gjykimin duke
deklaruar se “mafia shqiptare është
mafia e dytë më e fortë në Europë pas NDRAGHETA-s”.
Sikur të ecej në një linjë, më 17 maj
2024, edhe pse në shënjestër nuk kishte ndonjë vrasës apo disa të tillë, edhe
pse dosja hetimore diktonte goditjen me furi më të shtuar për të tjerë
personazhe dhe bazat e tyre, SPAK (Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion) zgjodhi
të
përqendronte sulmin ndaj bazës së
Troplinëve në Durrës, justifikuar me një fletë arresti për Fatmir
Troplinin, njohur si Miri i Pojës.
“Plaçka” do të ishte tronditëse:
sekuestrohen disa milionë euro cash, automjete luksoze, sende të florinjta, orë
të shtrenjta dhe veçanrisht një tavolinë pokeri.
Grupi që aludohet si pjesë e trafikut
ndërkombëtar të kokainës që mbërrin në Portin e Durrësit nga Amerika Latine, që
është akuzuar për lidhje me majën e politikës përmes Ergys Agasit, (përfolur si
drejtues politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Durrësit) konsiderohej i
paprekshëm, ndërkohë që bëmat, ose nuk publikoheshin fare nga mediat, ose
guxohej te raportimi i lajmit, por pa autorë, si në një rast, në dhjetor të
vitit 2023.
https://www.oranews.tv/.../nvestigimi-polici-shoqeroi...
Ndërkaq, për rastet e marra në
konsideratë, pyetja shtrohet: Që të kemi një organizatë mirëfilli mafioze, a e
tejkalojnë këta personazhe, apo grupime kriminale, kontrollin e politikës dhe
të pushtetit në Shqipëri?
Një gjykim i thjeshtë dhe i përciptë
do të ishte: JO!
Nëse situatën do e pranojnë të tillë,
atëherë këto grupe të krimit të organizuar ndërkombëtar, automatikisht futen
nën hijen e politikës, që pozicionohet si kontrolluese.
Por, mbërritja këtu lind një
pikëpyetje : Meqë krimi i organizuar mbetka nën hijen e politikës, a funksionin
në Shqipëri një shtet mafioz (MAFIA state) ?
Sipas definimeve të thjeshta “MAFIA
state” quhet ai sistem ku qeveria
është e lidhur me krimin e organizuar. Por si pozon një "MAFIA
state"? Në këtë rast qëllimi kryesor janë fitimiet nga skemat e vjedhjes
nga fondet e buxhetit të shtetit.
Që shteti mafioz të arrijë të fusë në
thesin e vet fitimet të vjela nga buxheti, apo qoftë veprimtari të tjera
kriminale, si për shembull fitimet nga kanabizimi i 2016, duhet të kontrollojë
apo bllokojë disa sisteme, filluar me mediat, drejtësinë, policinë, shërbimet
sekrete, shërbimet e huaja partnere, të korruptojë apo asgjësojë inspirues të
shoqërisë civile, të shkatërrojë, korruptojë dhe neutralizojë opozitën.
Në Shqipëri kjo skemë është e
përfunduar prej kohësh. Kaq mjafton
dhe tepron për të emërtuar shtetin shqiptar si shtet mafioz, edhe pse në rastin
tonë kemi qenë edhe më të egër, duke krijuar lidhje të dyshimta bashkëpunimi
korruptiv me ndërkombëtarët.
Por le të marrim për bazë një
përkufizim më skolastik dhe më të detajuar të “MAFIA state”.
Në shumicën e studimeve serioze
europiane dhe amerikane, një shtet mafioz karakterizohet nga monopoli i
përhershëm i pushtetit politik të lidhur me një person, përqendrimi i pasurive
në duart e një elite të privilegjuar, prania e korrupsionit sistemik.
Krahasuar me realitetin shqiptar,
përputhja është totale.
Më tej, si kusht për përkufizimin e
një “MAFIA state” listohet “të vepruarit brenda institucioneve formale politike
me ngjashmërinë e një
organizate kriminale”.
Kjo ka lidhje me përdorimin e
strukturave partiake si biznese private, si burim përfitimi dhe logjistikë
vjedhjesh.
Ka lidhje me domimnimn e kreut të
partisë, apo të qeverisë, në përzgjedhjen e funksionarëve, në vendosjen në
poste kyçe të atyre që
japin garanci se do ti shërbejnë
liderit symbyllur, të atyre që dinë të vjedhin dhe sidomos që dinë të ndajnë,
në vendosjen në pozicione të rëndësishme të personave që paguajnë rryshfet ose
thjesht e blejnë postin, si në rastet e disa kryebashkiakëve apo deputetëve
problematikë me tëshkuar kriminale, etj.
Pra mbetemi në Shqipëri.
Kushti tjetër thotë se shtet mafioz
quhet ai që ndërhyn në legjislacion, që komandon nxjerrje vendimesh të
ekzekutivit me qëllim përqendrimin e fitimit, nga burimet ekonomike të
vendit, në pak duar.
Dhe sërish jemi në Shqipëri.
Më tej shkruhet se autoriteti i
shtetit mafioz ushtrohet nëpërmjet një strukture të vendosur pushteti, me
bindje të shpërblyer dhe mosbindje të ndëshkuar.
Jemi në Shqipëri, pasi me “bindje të
shpërblyer”, dmth, me mbështetje politike deri në fund, janë rastet korruptive
të ish-minitrit Ilir Beqja, ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako etj,
dhe me “mosbindje të ndëshkuar” është rasti i ish-zëvëndëskryeministrit, Arben
Ahmetaj.
Në fund përcaktohet se shteti mafioz
përdor dhunën ose kërcënimin e dhunës për të mbajtur pushtetin.
Pra teoria konfirmohet. Shteti
shqiptar i përmbush, madje i tejkalon kushtet për tu konsideruar një “MAFIA
state”.
I tejkalon, pasi veç funksionimit si
shtet mafioz, vepron si një organizatë mafioze ordinere.
Kjo sepse kemi një shtet që nuk
mjaftohet me devijimin e zhvatjen e fondeve publike, por që përfshihet në
kultivimin masiv të kanabisit, që nuk mjaftohet me pronat e Forcës Detare, por
që zhvat edhe pronat e paluajtshme të qytetarëve shqiptarë në bregdet, që fut
duart te trafiku i kokainës, që përlyhet me call-center-at që
mashtrojnë gjysmën e Europës, që
kontrollon lojërat e fatit, që i teket dhe përlan Portin historik të Durrësit
duke ja dhënë një investitori të huaj, pa i vënë kusht ndërtimin e një porti
alternativ, që për përfimim politik ndërkombëtar, dhuron ishullin e vetëm, atë
të Sazanit, pa asnjë fitim të reklamuar për shqiptarët etj, etj.
Madje, që të jemi në një linjë
ngjashmërie me MAFIA-n italiane, në shtetin tonë mafioz kemi të alokuar edhe OMERTA-në
- kodin mafioz të
heshtjes. Dhe këtu mjafton të
kujtojmë kodin e respektuar të heshtjes nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir
Tahiri si dhe nga ish-zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj.
Por një numër ngjarjesh të kohëve të
fundit vërtetojnë edhe një tjetër
tendencë. Shteti mafioz shqiptar po ndeshet me rebelimin e grupeve të krimit të
organizuar që ka mbajtur dhe mban nën sqetull. Bëhet fjalë për disa incidente
me qëllim futjen dhunshëm në parcela fitimi, që “MAFIA state” ua ka shitur, apo
i ka ndarë me oligarkët.
Pra pakënaqësia për ndarje parcelash
fitimi ka bërë që krimi i organizuar të japë shembuj të daljes nga kontrolli.
Për rrjedhojë kohët e fundit kemi
pasur edhe ndonjë plumb, apo majë thike, ndaj oligarkëve për zhvatje tenderash,
ndonjë grusht turinjve apo marrje peng e kryebashkiakëve - sërish për zhvatje
tenderash, dhunim të kadastrave dhe rrezikim të tyre, si në rastet e Vlorës,
emërime, si me komandë, të të afërmve dhe miqve të njerëzve të krimit në poste
kyçe të administratës shtetërore, etj.
Thënë ndryshe, deri dje në sqetull të
shtetit mafioz, krimi i organizuar
është fuqizuar aq shumë sa ka nisur të rebelohet duke shkelur rregullat e
vjetra dhe duke testuar vetëveprimin.
Ka nisur të depërtojë në struktura të
ndryshme të shtetit, në Policinë e Shtetit dhe sistemin e drejtësisë, duke
dubluar garancinë e premtuar nga politika me qëllim për të pasur më të
garantuar mbrojtjen nga goditjet.
Pra përfundimisht mund të pranohet se
në Shqipëri jo vetëm kemi një “MAFIA state” tjetet të konsoliduar, por edhe
tranzitim, të paktën të një grupi të krimit të organizuar, drejt themelimit të
një organizate mirëfilli mafioze, e cila sapo ka nisur të sfidojë shtetin
mafioz.
https://www.facebook.com/ferdinand.dervishi.1