| E shtune, 08.06.2024, 07:54 PM |
Të lirohemi nga mashtruesit ordiner!
Shkruan:
Florim Zeqa
Politikanët
kosovarë përveqse janë bërë të njëjtë dhe pa ndonjë dallim të madh, pushtetarë
dhe opozitarë janë bërë edhe të paparashikueshëm në veprimet e tyre! Sa shpejt
bëhen bashk aq më shpejt largohen prej njëri tjetrit!
Figurat e politikës
kosovare të gërditshëm për qytetarët, të neveritshëm për mërgimtarët
As
regjimet më antipopullore të pushtuesve shekullor nuk e kanë qeverisur më keq
Kosovën sesa pushtetarët e pasluftës. Politikanët e Kosovës, pozitë dhe
opozitë, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, të zhytur në luksin
përrallor, të dehur nga pushteti dhe lakmia për t'u pasuruar skajshmërisht dhe
kriminalisht, nuk dëshirojnë të bien e as të ndahen nga karrika e embël e
pushtetit.
Politikanët
multimilionerë dëshirojnë të qeverisin e të sundojnë popullatën e varfër si
mbretër e autokratë, që nuk ua lëshojnë vendin të tjerëve, por duan të
qeverisin (sundojnë) në pafundësi.
Figurat
e politikës kosovare janë bërë tepër monotone, irrituese, të gërditshëm për
qytetarët dhe të neveritshëm për mërgimtarët.
Përfitimi
i inkriminuar material është arsyeja që shumë figura politike duan të qëndrojnë
pafundësisht në politikë derisa të jenë gjallë njëjtë sikurse në sistemin
monist (komunist), të cilët, me të hypur njëherë në karrikën e pushtetit nuk kanë
zbritur më nga ajo deri në vdekje!
Zgjedhjet pa alternativë
të re nuk sjellin ndryshim
Përkundër
kërkesës çuditërisht të pushtetit dhe realisht opozitës për zgjedhje të
parakohshme, zgjedhjet pa alternativë të re politike nuk janë zgjidhje. Opozita
e përçarë, e ç’akorduar dhe e ndarë, e cila është përgjegjëse për të bëmat e
saj, për rrënimin e gjithçkaje dhe çdo vlerë në Kosovën e pasluftës,
pushtetarët aktualë me mosmbajtjen e asnjë premtimi elektoral janë kthyer në
mashtruesit më të mëdhenj të pasluftës në Kosovë!
Për
këtë arsye as pushtetarët dhe as opozitarët nuk paraqesin alternativë për të
ardhmen e vendit, përkundrazi, janë kthyer në rrënues të çdo shprese të
qytetarëve për jetë në Republikën e Kosovës.
Ndryshimet
kozmetike brenda partive të tejkonsumuara politike nuk paraqesin asnjë lloj
ndryshimi, përkundrazi janë të mbështjellura me hipokrizi dhe mashtrime serike
dhe në vijimësi!
Sikurse
pushteti, ashtu edhe opozita e tanishme, për një çerek-shekulli e përmbysën çdo
gjë në këtë vend, tani po mundohen sërish të mashtrojnë qytetarët dhe
mërgimtarët me paketime të reja kozmetike, kinse janë shpresa e këtij vendi!
Këta
përveqse nuk shkojnë drejt, slloganet “drejtimi i ri”, “rruga e re”, “guxo për
“shtetin”, etj, i përdorin si kamuflim përmashtrimin e qytetarëve dhe
mërgimtarëve.
Sikur
ta kishim një shtet i mirëfilltë, disa prej partive politike do duhej ndaluar
përgjithmonë aktivitetin politik për shkak të aktiviteteve kriminale dhe
vandaliste ndaj institucioneve shtetërore.
Qytetar
të dashur të Kosovës dhe bashkatdhetarë në shtetet evro-perëndimore, mos ju
besoni politikanëve mashtrues, pasi ata nuk e kanë hallin tuaj, por të
pushtetit dhe pasurimit personal nga djersa e juaj. Politikanët e
papërgjegjshëm dhe mashtrues ju shfrytëzojnë vetëm si “mish për topa” (vota) të
partive politike në prag të fushatave zgjedhore.