| E premte, 07.06.2024, 06:57 PM |
Promovim
ARBEN
KONDI, SHKRIMTARI QË ECËN GJURMËVE TË RILINDASVE TANË
Nga
Adil FETAHU
Përshëndetje
për të gjithë dashamirët e librit, të pranishëm në këtë sallë të Institutit
Albanologjik të Prishtinës.
Përshëndetje
të veçantë për autorin e Veprës së zgjedhur që po e promovojmë
sot, z. Arben Kondin, dhe për zonjën e
tij të nderuar Mirela Kondi.
Kumtesën
time për këtë promovim e kam titulluar:
ARBEN
KONDI, shkrimtari bashkëkohor që ecën gjurmëve të Rilindasve tanë
Të tillë e vlerësoj dhe e
çmoj.
Letërsia
jonë shqipe këto ditë u pasurua edhe me një thesar të çmuar, me Veprën e
zgjedhur, kolanën prej 10 romaneve historike për Çamërinë dhe Kosovën, të
shkrimtarit tonë të njohur Arben Kondi.
Edhepse
shumë prej jush e njihni Arben Kondin, qoftë drejtëpërdrejt apo përmes veprave
të lexuara, me këtë rast dua ta përqendroj vëmendjen tuaj në disa aspekte të
biografisë dhe të veprës së tij.
Arben
Kondi lindi më 19 qershor 1959, në Tiranë, në një familje me rrënjë të thella
kombëtare, nga Shalësi i Konispolit. Pasi kreu studimet për gjuhë dhe letërsi
shqipe, për më se dy vjet kreu punët e redaktorit të kulturës në RTV Shqiptar,
por nuk u emërua redaktor, për shkak të biografisë së papërshtatshme për
regjimin e kohës. Prej vitit 1986 detyrohet të punojë mësues në Malësinë e
Tiranës plot katër vjet. Në vitet e demokracisë u angazhua në shtypin e kohës:
‘Rilindja Demokratike’, ‘Republika’, ‘Çamëria’. Pastaj emigroi në Itali, ku për
më se dy vjet qëndroi në mesin e Arbëreshve. Pak kohë pas kthimit në Shqipëri,
në vitin 2003 përsëri emigroi, por tash në
Australinë e largët. Për migrimin
e tij të dytë, në një nga poezitë e tij
shkruan:
‘Sërish
emigroj Atdhe,
Të
gjeta me dhimbje,
Me
dhimbje po të lë!
Gjatë
qëndrimit në Australi, Arbeni bashkë me zonjën e tij Mirela dhe me djalin
Arbërin, botuan gazetën ‘Shqiptarët e Australisë’, së cilës më vonë i
vunë emrin e , heroit tonë kombëtar ‘’Skenderbeg’’, gazetë 32 faqesh, që
shpërndahej gjithandej në qytetet e Australisë ku kishte shqiptarë.
Në
vitin 2008 Arbeni me të shoqen u kthye në Atdhe dhe vazhdoi të botojë libra e
të merr pjesë në të gjitha panairet e librave, me stendën e tij të njohur ÇAMËRIA.
***
Veprimtaria
letrare e Arben Kondit është e pasur dhe e shumëllojshme; është një mozaik me
vlera të veçanta, në prozë e poezi, në ese e publicistikë. Por veprat e Kondit
veçmas shquhen në romanet e tij historike, zhanër së cilës i takon ky botim
special i Veprës së zgjedhur, me kollanën e 10 romaneve, të cilën po e
promovojmë sot, e që ky promovim do mbetet një ngjarje e rëndësishme
letrare-kulturore, jo vetëm për autorin, por edhe për tërë letërsinë
bashkëkohore shqiptare.
Arben
Kondi është dëshmuar një çamolog i përkushtuar dhe i vendosur për të drejtën e
çamëve për të jetuar në tokën dhe në pronat e tyre stërgjyshore, të cilën e
kanë trashëguar dhe për të cilën kanë luftuar brez pas brezi, në të gjitha
formacionet etnike: prej pellazgëve, ilirëve, arbënorëve e deri te shqiptarët e
sotëm, sikur që shqiptarët e Kosovës luftuan për vendin e tyre.
Se
Çamëria dhe gjithë Epiri historikisht ishin shqiptare, këtë e kanë vërtetuar e
dëshmuar me dokumente historike shumë historianë, shkrimtarë e shkencëtarë,
kryesisht të huaj: Herodoti, Tukididi, Straboni, Demosteni, të cilët Çamërinë
(Thesprotinë) dhe gjithë Epirin e përjashtojnë nga Greqia dhe e quajnë ‘’barbare’’,
për shkak se popullsia e saj flisnin një gjuhë jo helene, të cilën ata nuk e
kuptonin.
Karakterin
etnik shqiptar autokton të Çamërisë dhe Epirit në Mesjetë, e vërtetojnë edhe vepra shkencore e kronika të
kohës si dhe regjistrimet e para turke të popullsisë (1480 - 1583), ku emrat e
kryefamiljarëve dhe emrat e vendeve (siç thuhet, antroponimet dhe toponimet)
dalin shqiptare.
Grekët
erdhën në Epir e Çamëri kryesisht si punëtorë dhe barinj, në kohën e sundimit
të Ali Pashë Tepelenës.
Vepra
e Arben Kondit shtrihet në një periudhë të gjatë të historisë së Çamërisë dhe
Epirit (kompleti prej gjashtë romanësh: ‘’1000 vjet Çamëri’’).
Në
Veprën e zgjedhur që po e promovojmë sot, e që i kushtohet 80-vjetorit të
gjenocidit grek mbi Çamërinë (1944 -2024), janë përfshirë 10 romane historike, të
personaliteteve dhe ngjarjeve të caktuara: ‘’Gjin Bue Shpata’’, ‘’Dionisi i Paramithisë’’, ‘’Vasiliqia e Ali
Pashait’’, ‘’Vrasja e dytë e Marko Boçarit’’, ‘’Shqiptarovrasësi Napoleon Zerva’’,
‘’Shën Bartolomeu i Çamërisë’’, ‘’Mëhalla e muhaxirëve’’
ose ‘’Persekutimi’’, ‘’Djaj në Veladon’’, ’’Rikthimi në Çamëri’’
dhe romani i fundit ‘’Dëbimi’’, që sapo u botua para një muaji.
Për
secilin prej romaneve të përmendura, të cilat i kam lexuar e rilexuar, dhe për shumicën e tyre kam botuar vështrimet
e mia, do të mund t’ju flisja me orë të tëra, por, me qenë se folës të tjerë në
këtë promovim do të flasin për romanet veç e veç, unë do ta kursej durimin tuaj
e të mos e zgjas me analizën e romaneve.
Do
të ndalem pak t’ua tërheq vëmendjen tuaj te romani ‘’Djaj në veladon’’, për shkak se te ky roman mishërohet politika
klerofashiste e helenizimit të shqiptarëve që më se 300 vjet dhe vazhdon edhe
sot e kësaj dite. Ka nisur me antishqiptarin murgun Kozma Etoliani (1714-1770), të cilin Patrikana e Stambollit
e kishte dërguar si misionar në Epir për helenizimin e shqiptarëve, përmes
kishës dhe shkollave greke, dhe po vazhdon edhe sot me Anastas Janullatosin, i
cili me mbështetjen fetare, politike e shtetërore të Athinës, po vepron si
mësuesi shpirtëror i tij Kozma Etoliani, vetëmse në mënyrë edhe më agresive. Ky
Janullatosi, që u vetshpall kryepeshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare, po
shfrytëzon çdo mjet e mundësi për të
helenizuar jo vetëm minoritetin grek në Jug të Shqipërisë, por të gjithë
shqiptarët ortodoks, për idenë e ‘’Vorio Epirit’’. Në romanin ‘’Djaj në veladon’’, autori,
përmes stilit letrar i ballafaqon dy koncepte diametralisht të kundërta të
rolit të kishës: konceptin kombëtar të Nolit, Papa Kristo Negovanit, Pero Nini
Luarasit, At Stathi Mellanit etj, dhe
konceptin antikombëtar të Janullatosit, i cili e ka shndërruar kishën në një
shpellë Satani me djaj të ferrit. Prandaj autori i bën apel politikës shqiptare
që ta pastrojë KOSh nga asfalistët grekë, të cilët synojnë realizimin e
projektit të ‘’Megaliideas’’. Romani ‘Djaj në veladon’, ka shkaktua
reagime të ashpra të kishës, të diplomacisë dhe të mediave greke, gjer aty sa
thonë që autorin ‘’do ta djegin me acid në vaskë’’!
***
Përmes
romaneve të përmendura më sipër, autori
pasqyron realitetin e kohës në mënyrë letrare-artistike, me përshkrim të
hollësishëm të ngjarjeve, personazheve dhe vendeve. Nga stili i tij i hollë i
shtjellimit, të krijon emocione ngjyrash të ndryshme, të krijon krenari e
dashuri, gëzime e dhembje, vuajtje e deshprime, ngritje e rëne, respekt dhe
urrejtje. Duke lexuar romanet e Arben Kondit, herë mbushemi me frymë, herë
mbetemi pa frymë! Por, ato krijojnë një lidhje të afërt midis lexuesit dhe
autorit, me të njëjtat ndjesi që prekin thellë në shpirt e në zemër.
Nga
temat dhe lënda e shtjelluar në romane, lexuesi bindet pa mëdyshje, se Arben
Kondi është një shkrimtar i ditur, i realizuar, me një kulturë universale,
me talent e stil të admirueshëm dhe
përherë i preokupuar e përkushtuar kauzës kombëtare në përgjithësi, e kauzës
çame në veçanti.
Nga
përmbajtja e romaneve të Arben Kondit, nga ngjarjet dhe personazhet reale të
historisë mijëvjeçare të Çamërisë, del qartë tendenca e vazhdueshme greke dhe
sllave, po edhe latine dhe otomane, për zhdukjen dhe asimilimin e
shkombëtarizimin e shqiptarëve autoktonë nga Greqia dhe Serbia. Për të arritur
këtë qëllim gjenocidal, institucionet shkencore, shtetërore dhe kishtare kanë
hartuar e miratuar elaborate, projekte e
programe si ‘’Megali idea’’ greke dhe ‘’Naçertanie’’
serbe, të cilat i zbatojnë forcat më të errta të shoqërisë dhe shteteve të
tyre.
Arben
Kondi vazhdon të shkruajë, botojë e ribotojë, përkthejë e përhapë librin në të
gjitha trojet shqiptare, përmes panaireve të librit, në stendën e tij standarde
‘’ÇAMËRIA’’, në Tiranë e Prishtinë, në Shkup e Tetovë, në Strugë e Ulqin dhe
kudo tjetër ku flitet e lexohet gjuha e bukur shqipe. Por librat e Arben Kondit
lexohen nga më shumë lexues se sa tirazhi i tyre që shiten ose dhurohen, sepse
ato kalojnë prej një dore në tjetrën tek lexuesit.
Edhese
romanet e Kondit karakterizohen me ngjyrën e kohës që trajton, ato reflektojnë
edhe në aktualitetin dhe komponentin patriotik, prandaj janë të afërta dhe
interesante për lexuesit e sotëm. Veprat e tij janë prodhim i shpirtit të
autorit, por edhe të shpirtit të popullit të sfiduar nga ideologjitë
klerofashite e gjenocidale greke dhe sllave.
Shqiptarët
u ndëshkuan rënd edhe nga fuqitë e mëdha, duke i ndarë trojet e tyre disa
shteteve fqinje e duke i dëbuar nga trojet etnike shekullore.
Çamëria
që i dha Greqisë dhe botës aq shumë intelektualë laikë e fetarë, aq shumë
luftëtarë e heronj për lirinë dhe pavarësinë e Greqisë, përnjëherë mbeti e
pambrojtur, pa të ardhme politike, arsimore, kulturore. Më shumë se tragjike,
që do ta ilustroja me vargjet e një strofe të poezisë së këtij autori:
Çamëria,
Trëndafili
antik,
Që
prej më se një shekulli,
Veson
gjak pikë, pikë!
***
Botimi
i këtij kompletit me dhjetë romane historike, me titull ‘’Çamëria,
Çamëria’’, dhe promovimi i tyre që po e bëjmë sot, është jo vetëm
thjesht një ngjarje e shënuar letrare-kulturore gjithkombëtare, por mbi të
gjitha është një thirrje e fuqishme për veshët e shurdhër të politikave
shtetërore të Shqipërisë e të Kosovës, që çështjen e Çamërisë ta kenë përherë
në vëmendje dhe ta mbajnë në agjendën e tyre në marrëdhëniet bilaterale dhe në
raportet ndërkombëtare, duke kërkuar zgjidhje të drejtë, në frymën e
demokracisë bashkëkohore.
Për
fund të fjalës sime, Autorit i uroj shëndet e vullnet, që opusin e tij letrar
dhe letërsinë tonë ta pasurojë edhe me shumë vepra tjera. Fatmirësisht, është i
ri me moshë dhe i mbushur me dije, përvojë,
energji e vullnet për këtë!
Ju
falëmnderit zotëri Arben Kondi për këto vepra e për kënaqësinë që na ofruat me
këtë promovim të veprave tuaja.
Ju
falënderit të gjithëve, për vëmendjen
dhe durimin.
Adil FETAHU
Prishtinë, 7 qershor
2024
---------------
Ishte
kjo fjala ime (e para) në promovimin e ‘’Veprës së zgjedhur’’, të shkrimtarit
Arben Kondi,
mbajtur
sot në Prishtinë, në prani të shumë dashamirëve të librit të këtij autori.
Në
promovim folën, për romane të veçanta, edhe: Kosovare Krasniqi, Berat Luzha,
Alket Veliu, Ibrahim Kadriu, Nebih Bunjaku, Agim Gjakova dhe vet Arben Kondi.
Bashkëshortja
e shkrimtarit, znj.Mirela Kondi kishte organizuar një koktej për pjesëmarrrësit
e promovimit, që kaloi në një atmosferë të bukur, kur shumë pjesëmarrës u
njohën, biseduan drejpoërdrejt dhe bënë
foto të përbashkëta me shkrimtarin Kondi.
Për
pjesëmarrësit kishte siguruar gratis roman më të ri DËBIMI, të botuar para një
muaji.