| E enjte, 06.06.2024, 07:56 PM |
DHËMBJE
PËR
AKADE/MIK REXHEP FERRIN…
Nga
Eda dhe Visar Zhiti
Lajmi
dëshpërues kaloi oqeanin: Rexhep Ferri sot na la…
Lajmërojnë
familjarët e tij, miqtë e shumtë, kolegë të tij piktorë e shkrimtarë,
akademikë, botues, studentë, të njohur e të pa njohur e deri te Presidentja e
Republikës së Kosovës…
Kur
themi Kosovë e Prishtinë, mes emrave të dashur e të shquar për ne vinte
kumbueshëm dhe emri Rexhep Ferri.
Piktor
i shquar i lartësive europiane, Profesor universitar, akademik, por dhe poet,
eseist, romancier, mik i madh, familiar i dashur, etj, - kështu shkruajnë për
të, - lindi në Kukës në vitin 1937, u shkollua në Prishtinë e Beograd për artet
e bukura, hapi ekspozita shumë në Prishtinë e Tiranë, në Ballkan e Europë e
deri në Paris, botoi poezi e prozë, shumë libra në “Onufri”, etj, katalogë e
albume, artist modern e i natyrshëm, bashkuar me një individualitet të fortë,
etj, etj.
Studiuesi
i shquar, kritiku i artit Gëzim Qendro ka botuar një monografi-album për Prof.
Rexhep Ferrin, të shkëlqyer, ndërsa së fundmi në Rumani revista prestigjioze
“Albanica” pati një kolazh interesant me piktura të Rexhep Ferrit…
…kujtojmë
ditët e bukura në Prishtinë, kur ishim të ftuar familjarisht në shtëpinë e tij
mes blerimeve. Ajo shtëpi, kur regjimi i egër serb mbylli dhe universitetin e
Prishtinës, u bë auditor, edhe aty studentët merrnin leksione. I vetmi
universitet në botë ilegal që do t’i vazhdonte mësimet nëpër shtëpitë e
profesorëve, madje dhe diplomimet, do të ishte ai i Prishtinës.
Në
shtëpinë e Profesorit çdo gjë ishte art deri në dhimbje, kështu e kujtoj.
Dinjiteti i Zonjës së shtëpisë, tryeza me shishen e verës në mes, pikturat e
djalit të Profesorit, piktor dhe ai, që kishte ikur me shokë jashtë shtetit,
studioja e Profesorit poshtë, veprat e shumta, edhe të pambaruara, ajo magji e
tyre në forma si vallëzuese, vegime të pakapshme si me vezullime mermeri,
sintetike si dhe proza e tij, me ritëm poetik, etj, etj.
-
Zgjidh, cilën pikturë do, - i tha Atjonit tonë, ishte fëmijë atëhere, - është
vetëm për ty, - shtoi me zërin e tij të fuqishëm. - Mirë e zgjodhe, të lumtë… -
dhe i shkruajti dedikimin nga pas. E mbështoi mirë. Ishte e madhe dhe na
shoqëroi deri në stacionin e autobuzit, që të porosiste shoferin si ta vendoste
te bagazhet. E sollëm të gëzuar në Tiranë.
Edhe
libri im, “Rrugët e ferrit”, bot. I nga “Onufri”, në kopertinë ka një vepër të
tij, me lejen e tij…
Sa
herë vinte në Tiranë, e takonim krahëhapur. Kur vizitonim Prishtinën, e
kërkonim. Kam dhe një poezi për të në librin “Si shkohet në Kosovë”.
-
E kujt është kopertina, e Paul Klee? - më pyeti vëllazërisht siç fliste ai.
-
Jo, e Atjonit, kur ishte tre vjeç e gjysmë…
Buzëqeshi
çiltër siç dinte ai, një buzëqeshje e gjerë, me shpirt…
Prandaj
dhe në titull fjalën akademik e ndava: akade/mik se i tillë do të mbetet, mik i
madh i të gjitheve njerëzve të artit. Do t’i mungojë Prishtinës…
Por
është vepra e tij superbe me atë estetikë të papërsëritëshme, europiane…
Eda e Visar