Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Udhë-ura

| E hene, 03.06.2024, 07:42 PM |


Blerim Rrecaj

Udhë-ura

Sa do të doja

Sa do më pëlqente

Që ju kur të më kërkoni

Ta dini se ku jam e të vini

Nëpër udhën-urë të kombit

T’i shikojmë bjeshkët krenare

Që nisin valle me shami

Ato ia thonë bashkë me ne

Një këngë bashkimi

Për ty Shqipëri

Hesht e buzëqesh

S’di çfarë bëj e veten e pyes

Si ndonjëherë tjetër

Fragmente heshtjesh ulërinë

Si zhurmë automjetesh

S’di çfarë bëj veten e pyes

Si diku e dikur

Fragmente heshtjesh ulërinë

Si valë të rrëmbyeshme nën urë

S’di çfarë bëj veten e pyes

Urtë a me qortim

Fragmente heshtjesh ulërinë

Si trumcakë cicërinë

S’di çfarë të bëj veten e pyes

Me të mirë a më të keq

Fragmente heshtjesh ulërinë

Siç vërshëllen kjo erë

S’di çfarë bëj veten e pyes

Zëulët a me poterë

Fragmente heshtjesh seç buçasin

Si zë gjinkallash përnjëherë

S’di çfarë të bëj veten e pyes

Pse nuk e lë tash këtë lojë

Fragmente heshtjesh ulërinë

Si faqe libri që presin t’i shfletoj

S’di çfarë bëj veten e pyes

Në këtë ditë të përhimtë qershori

Fragmente heshtjesh ulërinë

Me të qeshura prej humori