Kulturë
Kristaq Turtulli: Atë natë
E diele, 02.06.2024, 06:50 PM
KRISTAQ TURTULLI
ATË
NATË...
Me
ngulm u përpoqa të harroja atë natë të çmendur, edhe kur mundohesha të flija,
ndjehesha tmerësisht e ankthuar. Më behej sikur qëndroja ngulshëm në hyrjen e
ngushtë të labirinthit maramendësh, turbull më krijoheshin herioglife, të cilat
shndërroheshin në akrepa të zinj.
Nëse
nuk mundja ta shkelmoja natën e çmendur, së paku të qetësoja shpirtin e lodhur,
mos e risillja në mendje. Shpesh më bëhej sikur ngjitesha këmbe doras në majën
e thiktë e malit të thatë dhe, si Sifizi mbaja në shpinë gurin e madh të dashakeqësisë.
Hidhja një hap para dhe shkisja rrëmujshëm dy hapa. Një mendim i lodhshem ish
fiksuar në tru, duhej të flakja tutje prej majës së lartë të malit në honin e
thellë të errët të asgjësë, gurin e rëndë i asaj nate të çmendur.
Një
hop qeshja si budallaqe, mbasi zhytesha kot më kot në monopatin e pakumtimtë të
ndjenjës së fajësisë dhe frikës, pendohesha për atë që ndodhi dje. Në këmishën
e natës përdridhesha çakërqejf përpara paqyrës, i nxirja gjuhën. Por pasqyra si
kundër përgjigje tregohej e ftohtë, akull, tjetëronte imazhin në lakuriqësi dhe
mua në zinin të dridhurat. Kur kthllohesha e kuptoja, nuk ishe faji i pasqyrës
por mania ime të zhvishesha dhe të vështrohesha me kujdes trupin tim dhe pa
turp e them, pse jo dhe me mburrje kisha trup të bukur, të derdur si sklupturat
klasike.
Mbase
gati rastësisht më kujtohet një moment Sidorela, mikja ime e kursit, duke lujatur syrin me djallëzi më
pëshpëriti:
‘Sa
budallaçka jemi, lenë vajzërinë tonë të shkojë jabana.’
Unë
përshërisja diçka të mjegull:
‘Rinia,
naivja, e bukuara, e zhurmshmja, çapkënia. Sa herë e kujtoj, më behet sikur
mbaj në duar gjithë frikë, delikatesë, rininë, lulen e çmuar, çuditësisht një
ëndërr që ikën shumë shpejt e, nuk vjen më!’
Patjetër
e kisha lënë diku në ndonjë monopat të braktisur, gazmendin e harbuar me
klithma, ulërima të eksituara, jetën e pakuptimtë të një vajze të ndrojtur, nën
hijen e rëndë të babait dhe syrin vigjilent, gërmues të mamasë, së bashku me
zhvillimet e mëtejshme në atë lokal nate plot harbim dhe qejfe. Në tavanin e
lartë vërtitej globi i madh shumëngjyrësh, sy qiklopi duke përhapur maramendjen
e një bote të përmbysur, magjepsur çupëlinat naive të cilat duan të flakin me
ngulm, gati me nervozizëm botën e shpifur anakronike familjare dhe, notonin në
liqenin magjik të çlodhjes së drogës dhe alkolit. Vallzoja dhe nuk kontrolloja
lëvizjet e mia, sy çakaritur, trup lëshuar, si të largoja, flakja tujte me
moskokëçarje, nga çdo pejzë e trupit tim stresin e jetës së përditëshme
provinciale, ku çdo hap që hedh në rrugicat e kalldërmta të qytetit, të
gërmojnë sytë e lagështa të plakava llafazane ulur postafeve.
Në
lokalin e nëntokës ‘Ulërima e egërsirës,’ mes pylit të dendur me pisha, ndanë
lumit të turbullt, të rrëmbyer, rakija dhe vera derdheshin rëke me shijen
provokuese të një jetë limontie. Droga dhe heroina shpërndahej pa hesap,
shoqëruar me skërmitjen e keqe të provokimit, djallëzisë se kapjes së peshkut.
Ndërsa kujtoja se, kjo është jeta e vërtetë dhe bota. Por tre herë u gremisa në
banjat e qelbura me jashteqitje, të vjella.
Patjetër
do e flakja me neveri atë natë, gjithë zallahi, në kthinën e largët të
memories, shtuposur me dyllë dhe letër higjenike. Mbasi vajzat e moshës sime,
rënduar nga provincializmi, fjalomania, trusnia, mërzija, dhe jeta monotone
harrojnë shpejt momentet sado të vështrira të jenë dhe kërkojnë të gjejnë
zbavitje dhe surpiza të tjera, të mbushin jetën.
Nuk
e mora vesh çfarë ndodhi gjatë orgjisë dhe marrëzisë, mbërthyer në botën time
të pështjellimit, kënaqësisë absurde. Nuk e vura re globin e madh shumëngjyrësh
me sy qikpopi, u shkëput nga tavani me rapëllimë dhe u turr mbi mua. Një moment
qesha e quajta shaka. Nga rëndesa s’munda të qëndroja në këmbë, mu morën
mendtë, dhe mu varën krahët. Çuditërisht globi syqiklopik s’ishte prej qelqi,
por mishi dhe kocka. Filloi të më qullte me pështymë, më shtypte, rëndonte sa
një mal dhe merrte frymë si një kafshë. U përpoqa te shtyja, ta largoja, e
kafshova në vesh, por nuk kisha fuqi, duart e mia ishin të prera. Syri qiklopik
derdhi brenda meje një llavë të nxehtë, më shkaktoi të dridhura, ethe të
llaharshme. Nuk e di se çfatë ndodhi më tej, mbasi rashë në kllapi.
Kur
u përmenda, akoma nuk kish zbardhur. Veten e pashë shtrirë në dyshemenë e
qelbur, në pozicion qesharak, këmbë hapur, shkalafitur, fustan grisur, mbatjet
flakur s’dihej se ku. U ngrita e cakorduar, rrëmbeva një mbulesë tavoline dhe u
mbështolla me të. Pa u vënë veshin zgërdhitjeve të kamarierëve dola, eca
rrëmujshën, zbathur, në monopatin e përbaltur. Doja të ikja sa më larg të ishte
e mundur prej atij lokali të pistë, pyllit të mugët me gjapërinj, fshehur nën
barin e dendur. Ndërsa lumi oshtinte dhe buçiste.
Në
shtëpi, hyra nga dritarja. Shkova drejt e në banjë, nxorra zorrët e barkut. Të
vjellat vazhduan ditë e netë. Eh moj nëne kurrë nuk do e kujtoja, atë natë
çmendurie, ekstaze dhe llahtari, sikur të mos provoja disa gjëra të
pazakonshme. E papritura e neveritëshme që më la ajo natë e shpifur.
U
zgjatën ditët, u shkurtuan netët. Doja ta quaja marrëzi. Trill rinor.
Mendjeshkrepje. Dreqi e di se çfarë. Por... për fatin tim të keq nuk qe ashtu.
Në ditët, javët e ardhmshme, gjithçka rrodhi në kundërshtim me dëshirën,
ëndrren time dhe gjumi më iku krejt...
Ti
hapesha nënës. Do dëgjonte syçapëlyer do ndukte faqet, klithte, do bubullonte
shpërthimi i saj i furishëm. Apo babit hijerëndë, me heshtjen sfilitëse?! Sa
herë i flisja më dukej sikur ndodhesha në zyrën e tij të ftohtë akull, me
stivat e letrave në rafte. Ndërrimi i ngjyrave të sytë e babit nga habia e
tmerri do të ishin njëlloj si ngjyrat acaruese të kartëmonedhave.
Përpjekjet
e mia u bënë të mundimshme. mos bija në sy, mos kuptonte kush ndryshimin e
madh, të pafalshëm. O ZOT! A mund të mbulohet dielli me shoshë!
E
topitur, ecja mes turmës dhe s’dija si të fshehesha prej saj. Nuk dija kujt ti
hapesha. Isha si lulëkuqe e brishtë në mes një autostrade të zhurmshme, të
çmendur. Çapitesha duke e dredhur e heshtur siç ecën pafajësia. Më mashtruan,
me perdhunuan kur isha e dehur. Por përdhunuan një kufomë. Mundohesha të
mësohesha me vetminë. Iu luta Zotit, doja ti rrëfehesha për mëkatin e tmershem.
Mëkatin?! Kë mëkat?! A jam fajtore? Por unë e gjora jam fajtore pa faj! Më
ngjan, të gjithë tallen me trishtimin dhe brishtësinë time. Me turpërimin tim.
Më vinte ta shkulja atë send të huaj nga turpi që hyri përdhunshëm brenda meje.
Ta hidhja tutje, mos ktheja kokën prapa, të ikja, nga sytë këmbët... Po ku të
mbytesha? Qyteti qëndronte i ngrehur, zgërdhihej me mbarsjen time, turperimin
tim. Do ngrihej në këmbë, duke tërhequr pas shtëpitë e ngurta, do dilnin minjtë
dhe kërmijtë. Më mbështillnin hijet e thashethemeve, ngulnin thonjtë e nxirë,
mbështjellë me pelenat e qelbura të mjerimit, fatkeqesise sime. Atëherë të
vetëvritem. Përpiqesha ta gjeja atë pusht, maskara që më bëri hatanë e
tmerrshme por më kujtohen vetëm veshi i përgjakur, mjegulla e dendur dhe
ngjeshja e përbindshme me send të fortë, brenda në trupin tim.
Nëna
kish filluar të më gjurmonte, kërkonte të më kapte në befasi. Më dukej e
pamundur dhe jashtë arsyes. Herë më kapte shpresa e kotë. Atëherë kur korseja
s’po mbulonte kapriçion e tepruar të barkut, nëna më kapi furishëm për dore dhe
më tërhoqi dhunshëm në dhomë. Me gjithë kundërshtimet e mia, më zhveshi si të
isha fëmijë. Dridhesha nga frika dhe inati. Nëna hungëriti si një ujkonje e
plagosur dhe çori faqet:
-Bushtër,
me kë e zure?
Ula
kryet dhe heshta. Dhoma më vërtetej si fugë.
-Fol,
hape grykën qelbësirë e dreqit, na turpërove, nxive nderin e shenjtë të
famijes!- Nëna më shtyu tutje si të isha ndonjë e rrugëve.
Mu
lidh gjuha. Qëndroja e shtangur, në këmbë, e ngrirë si statujë, krejt lakuriq
si lavire rrugësh. Turpi mu mbështoll me litarë të akullt dhe nisa të dridhesha
purtekë. Më mirë të më qëllonte, me një send të fortë, të më linte top në vend.
U mata ti thosha: ‘Vritmë nënë, të lutem. Nuk kam ç’e dua jetën.’ Ajo e
murrëtuar më kishte ngulur sytë si një ulkonjë, gati të më shqyente. Rrëmbeva
fustanin dhe mbështolla trupin e mardhur. U tërhoqa në cep të dhomës, duke
shtrënguar gjithnjë e më shumë fustanin pas trupit.
Nëna
ngriti dorën, më godiste.
-Qëllomë,-
i thashë zë ngjirur:- Vritmë, për mua tashmë asgjë nuk ka më kuptm, bile dhe
jeta!
Nëna
u zbeh dhe krahu iu var si i degë e këputur. Më vështroi syshqyer dhe doli me
vrap. Mbështeta fytyrën mbi pëllëmbë dhe ia plasa të qarit me dënesë.
Nuk
e di do ishte mirë të abortoja krijesën e paftuar, që mbiu aksidentalisht në
qenien time, ose ti jepja fund jetës. Gjithçka më dukej e zbrazët, pa kuptim.
Si hon i thellë, me errësirë ulëritëse, gjithë ankth. Lotët mu thanë dhe ja
ngula sytë lojës së hijeve në mur. Çfarë detyrimi kam unë ndaj jetës, që u
tregua e pamëshirshme? Mos vallë ishte faji im, ngopja e parakohshme në çaste
dehjeje? Nuk doja të pija. Ishte një fillim për tu ndjerë e shpenguar. Dikush
më nxiste, shtynte dorën me ngulm dhe gotat derdheshin në gurmaz si ujë. Nuk
paska gjë më të pështirë se dehja. Marrosesh dhe lëshohesh si buçe në krahët e
ndyra të kurvërisë. Oh, jo! Të jetë mbarsja me erën e pështirë të alkoolit një
profil i pështirë e kurvërisë!
Nëna,
më mori pranë dhe, më puthi si e çmendur.
-Pse
ti ndodhë dritës së nënës, pse?! - Rënkoi.
U
preka. Qava. Qau dhe nëna. Ankohej për babanë, për rëndësinë e tij, si njeri me
peshë në qytet, drejtor banke. Ç’ mund të thonë qytetasit për të. Eh moj bijë e
nënës eh. Qyteti, ngjelkat e kanë gojën e lagur. Priftin e bëjne me barrë,
dhe... jo kur e bija e drejtorit...
Këto
fjalë i përsëriste dhe i përsëriste vazhdimisht. Gati sa nuk iu ktheva, t’i
thosha: Pse, mendon vetëm për babanë? Po për mua? Ç’ mund të bëj unë? Ku të
mbytem, mu shkatërrua jeta? Asnjë nga këto nuk i thashë. Prisja të rihesha nga
babai, por jo. Ai u nxi si nata, u vërtit dhe u plas si i dehur në kolltuk.
-Buçë!
Qërohu nga sytë e mi,- Shau, dhe mbyll në studion e tij.
-Baba!-
Klitha.
-Çfarë
do bësh me të?- më pyeti nëna ftohtë.
-Nuk
e di. Babi nuk më do.
-Me
këtë turp të dojë yt atë!- hungëriti nëna.
-Sikur
të pi helm, të zhdukem nga ky qytet që të ha me thashetheme të llahtarshem si
mola. Të largohen njëherë e mirë nga kjo botë e fëlliqur? -pyeta nënën me
naivitet.
-Moj
moj budallaçkë e gjorë!
-Nuk
mund duroj llafet e botës.
-Bota
të hajë mut,- shfryu nëna.
-Eh,
fjalë goje. Bota ta hedh mutin në fytyrë. Të qelb.
-
Hëm, le të pëlcasë bota e qelbur, me gjithë soj e sorrollop, puf tja bëjë,-
shfryu nëna dhe doli nga dhoma me nxitim.
Të
nesërmen më mbushi mendjen t’i jepja fund kësaj historie. Mjeku e kundërshtoi
ashpër. Trupi im i dobët nuk do ta përballonte këtë provë. Iu luta. Gjithçka
ishte e kotë. Thashethemnaja filloi të bënte punën e vet. Miliona grerëza
vërteteshin rreth shtëpisë sonë. Mbyllja dyer e dritare. S’ më rihej askund. Babai
heshte si varr. Befas fillonte të bërtiste, më vështronte egër dhe shkelmonte
ç’ gjente përpara. Unë mbyllesha në dhomë, dënesja nën zë dhe kafshoja gishtat.
-Sikur
të pi helm?! - Pyeta përsëri nënën me naivitet.
-E
marrë!?
U
shtrova në spital. Gjithçka ishte si në ethe...
KRISTAQ TURTULLI
TË DUASH NJË GRUA, libër me tregime dhe novela, Prishtinë,
Kosovë 2023