Kulturë
Gjekë Gjonaj: Promovues i vlerave kombëtare përmes gurit, fotografisë dhe etnografisë
E diele, 02.06.2024, 06:54 PM
Zef Berishaj - koleksionisti i vetëm i gurit në Malësi
Promovues i vlerave kombëtare përmes gurit,
fotografisë dhe etnografisë
Nga
Gjekë Gjonaj
Historia
nuk tregohet vetëm nëpërmjet fjalëve.
Tregohet edhe nëpërmjet objekteve. Nëse i gjurmojmë, i zbulojmë
dhe i përdorim, ato tregojnë një
copë jetë. Na frymëzojnë. Na njohin me artin, mënyrën e jetesës, zhvillimin dhe mirëqenien e
tyre. Vetëm një koleksionist që bën bashkë historinë, mund ta kuptojë më mirë traditën dhe vlerën e një populli. Malësia e Madhe e ka një të tillë. Zef Berishaj,
ndryshe mund ta quaja “ Njeriu i gurit”, me sa
kemi informacion është
koleksionisti i vetëm i gurit në
Malësi që ka zbuluar një pasuri të tërë kombëtare. Prej 24 vjetësh
ai kërkon, gjurmon dhe zbulon historinë dhe traditën tonë. U lind në fshatin malor Priftën të
Grudës, kurse jeton në fshatin
fushor Dushiq afër Tuzit. Sapo të hyni
në oborrin e shtëpisë së tij dykatëshe
do të mahniteni me skulpturat e
gurit të nëntokës shqiptare , që i ka krijuar nëna Natyrë, të vendosura e të
radhitura me mjeshtri nga dora e tij
nën shtratin e hardhisë së rrushit, të rrethuar me lloj-lloj lulesh shumëngjyrëshe. E gjithë shtëpia e Zef
Berishajt është e rrethuar me gurë
të formave dhe peshave të ndryshme. Për mbledhjen dhe sjelljen e këtij
thesari të fshehur nuk është dashur shumë, pasi adresën e
shtëpisë gurit ia ka treguar pasioni.
Ky
adhurues i natyrës, thesareve të nëntokës shqiptare dhe i vlerave kombëtare, i
cili një kohë e provoi edhe shijen e mërgimit në Shtete të
Bashkuara të Amerikës, është
dashuruar pas nëntokës së vendlindjes
së tij Malësisë së Madhe. Kjo zonë, thotë koleksionuesi i gurit, ka
pasuri të bukura, të rralla me peshë të rëndë ekonomike. “ Ky frymëzim ka burimin
në dashurinë për vendlindjen e time Priftnin, të cilit i kthehem dhe rikthehem
kohë pas kohe. Në vitin 2000 vizitova
fshatin ku u linda, u rrita dhe u edukova nga prindër të ndershëm, bujar
e atdhetar. Gjatë rrugëtimit nëpër fshat
më shkoi syri tek një gurë që i
përngjante shqiponjës. Më tërhoqi si
një lloj magneti. Iu afrova . E
mora dhe e solla në Dushiq. E pastrova
nga dheu. Më pëlqeu shumë. Mendova se
zona malore e Malësisë ka edhe
gurë të tjerë me figura të ndryshme. Kështu me shumë kënaqësi e vullnet vazhdova pasionin
tim, mbledhjen e gurëve të tjerë
gëlqeror të cilët për mua janë vërtetë një lloj arti të natyrës . Sa herë që dilja në fshat
bashkë me bashkëshorten time Prëtën, kur ktheheshim mbushnim makinën me gurë,“ rrëfen Berishaj. Ai prej moshës 45
vjeçare ka filluar me grumbullimin e një koleksioni
masiv gurësh , duke i kthyer gjetjet e tij në zonën e Malësisë në një kryevepër.
Në
koleksionin e Zefit gjenden afro 500 gurë. Pesha e tyre
është prej 3 deri në 150 kilogramë, që sipas tij tregojnë se sa e
vjetër është toka. Përmes këtyre gurëve ai sheh
figura dhe forma mahnitëse, porositë
e të cilëve ai i interpreton si një arkeolog kozmik.
“
Çdo gurë që po shihni është i veçantë.
Secili ka specifikat e veta. Ky gurë ka
figurën e njeriut. Të tjerët janë me figura të zogut, peshkut, qengjit, bariut
( çobanit me atë zhgunin me të cilin
dikur e ka mbuluar trupin prej erërave, stuhisë dhe të reshurave atmosferike), piramidës, shqiponjës, simbolit të 100 vjetorit të
Pavarësisë së Shqipërisë, pastaj hartës së Kosovës, luanit, dhelprës, breshkës,
kitrës (kunës), krokodilit, pinguinit, dorës së e njeriut nga bërryli etj. Këtu kam sjellë
edhe një gurë mijëvjeçar që nga themelimi i qytetit ilir Dioklesë. E kam gjetur në lumin Cem “, sqaron me shumë kënaqësi Zefi dhe falënderon bashkëshorten pa të
cilën, siç thotë ai, ky muze i gurëve
nuk do të ekzistonte. Ai shton se këtë
ko0leksion gurësh, që nuk ekziston as në Ballkan, e jo më në trojet shqiptare,
e kanë vizituar rastësisht
edhe vizitorë nga Danimarka, Kanada e Australia. “Aq janë mallëngjyer me
pasuritë nëntokësore të Malësisë saqë ato i kanë pasqyruar në mediat e
tyre ”, thekson Zefi.
Dëshira
e tij ka qenë dhe mbetet të hapë një ekspozitë
me skulpturat e tij të mrekullueshme të gurit. Për këtë atij i duhet
mbështetje institucionale, të cilën e ka
kërkuar nga ish- kryetari i Komunës së Tuzit, por, siç thekson ai, ajo ka
munguar.
Ky
rast, por edhe raste të tjera në
Malësi, dëshmon mungesën e kulturës së zhvilluar të pushtetarëve shqiptarë për trashëgiminë tonë historike, kulturore,
natyrore dhe shpirtërore, siç janë në vende të tjera të Evropës. Gurët janë me interes historik dhe shkencor. Institucionet
kulturore vendore e qendrore do të ishte
mirë sikur të kenë një qëndrim të
veçantë ndaj gurëve, me të cilët malësorët ishin të lidhur me traditat shekullore.
Valorizimi i këtij muzeu
gurësh, me një titull simbolik “Guri në
jetën e njeriut” do të ishte një atraksion turistik në Malësi, ku vizitorët e
grupmoshave dhe vendeve të ndryshme do të mund
të njihen me madhështinë e tij të rrallë dhe me vlerat e mëdha
historike e kulturore për ruajtjen e
trashëgimisë sonë.
Koleksionist
i qindra fotografive të vjetra
Zef
Berishaj nuk është fotograf, por është adhurues i madh i fotografisë, veçmas
atyre të vjetra të cilat tregojnë për
lashtësinë dhe historinë e një
populli. Ky entuziast për ruajtjen e trashëgimisë në katin e dytë të shtëpisë familjare, në një
hapësirë prej 100 metra katrorë ka ekspozuar
afro 500 fotografi të
ndryshme nga jeta dhe historia e shqiptarëve, por dhe lashtësia e popujve të tjerë evropianë e
botërorë, të vjetra deri në 7.000 vjet, të shoqëruara me informata njohëse.
I
pyetur se si i siguron fotografitë e
vjetra, të periudhave e personaliteteve të ndryshme, Berishaj tregon se burimet i ka të ndryshme. “Fotot kryesisht i siguroj përmes motorëve të
kërkimit siç janë Google dhe Yahoo, arkivave të ndryshme në internet, të
gazetave shqiptare dhe të huaja,
librave te ndryshëm, etj.
Në
saje të teknologjisë informative dhe vullnetit të mirë gjetja e fotografive të
vjetra dhe informatave të shumta që ndërlidhen me trojet shqiptare nuk është më
edhe aq e vështirë. Siç thotë edhe fraza e vjetër angleze “ aty ku ka vullnet, ka edhe mënyrë”.
Krahas fotografive të vjetra të
vendosura në dy faqet e murit të
dhomës së tij ndodhet edhe një koleksion me disa objekte
etnografike, që janë dëshmi e rëndësishme të kulturës, traditës interesante e të pasur të
trevës së Malësisë.