| E diele, 26.05.2024, 07:58 PM |
A ËSHTË KOHA E NJË RILINDJE TË DYTË KOMBËTARE?
NGA
NDUE DEDAJ
1
Ka
kombe që e kanë kaluar rilindjen e tyre, por ne shqiptarët jo. Se përndryshe
postulatet atdhetare e poetike të Rilindjes nuk do të ishin kaq aktuale. Mund
të qëmtojmë vargje sa të duam nga letërsia e njëqind e ca viteve më parë, por
po shkëpusim vetëm katër të tilla nga poezia “Gjuha shqipe” të Gjergj Fishtës:
“edhe shqyp na thanë se
Zoti
për shqyptarë Shqypninë
e fali,
se sa t'enden stina e
moti,
do ta gzojn kta djalë
mbas djali”.
Por
a po e gëzojnë shqiptarët Shqipërinë, djali mbas djali e kohë mbas kohe?
Shqiptarët po “gëzojnë” vendet e tjera të rruzullit, por jo atdheun e tyre,
pasi atë e kanë uzurpuar hajnat e shtetit, të papërgjegjshmit e g ubern ës,
njerëzit e kotësisë dhe të krimit. Nuk flitet më për ideale e idealizëm,
atdhedashuri, por për atdhezhvatje. Është e frikshme të thuash këtë, por
realiteti ky është. Dosjet e SPAK dhe kollonat e gazetave mbushën përditë me
bisedat kriminale të përgjimeve, për hakmarrje të shqiptarëve ndaj shqiptarëve.
Kryeministri na thotë se drejtësia është arritja më e madhe që nga viti 1912 e
këndej. Sigurisht kjo është e vërtetë për në Europë e Amerikë, ku ligji nuk
kursen as kryeministrat e presidentët, le pastaj McGonigal-ët, por ende jo në
vendin tonë. Shqipëria po na rrëshqet nga duart dhe nga sytë. Prandaj do të
donim që jo vetëm mësuesit dhe
profesorët e letërsisë në shkolla e auditore universitare, por dhe vetë kreu i
shtetit, qeveritarët, drejtuesit e tjerë ta nisnin ditën duke shqiptuar fort
këto vargje të Fishtës, poemat e De Radës, Naimit etj. dhe në radhë të parë
Himnin e Flamurit. Me të drejtë një poete kishte përzgjedhur katër vargje të
rilindasit Prend Doçi për të fshikulluar marrëzinë e fundit në tarracën e
Bashkisë së Tiranës, ku u “çiftezuan” në martesë dy gra fatkeqe:
“Erz ma s’kemi, na
marruen
Varza e gra kan shkue
n’robni
Të tan vllazënt na i
faruen,
Kush mbet nesh, mbet
faqezi…”
2
Bash
për këtë bjerrje të përgjithshme të vlerave kombëtare e morale na duhet një
rilindje e dytë. Për të ruajtuar indentitetin shqiptar, siç kishte qenë dhe
qëllimi i Rilindjes Kombëtare të 900-ës. Atëherë identiteti kërcënohej nga
sundimi i gjatë otoman, copëtimi i kufijve ndër fqinjë etj., kurse sot nga të
tjerë faktorë. Shqiptarët, në vend që të përbashkohen në kohë moderne, po i
braktisin përditë e më shumë trojet e tyre amtare, çka e bën të domosdodhme një
“Bibël” të tyre përreth mëmedheut. Nëse udhëheqësit e Shqipërisë, por dhe të
Kosovës, në demokraci herë-herë kanë pasur qasje “sulltanore” ndaj të
qeverisurve të vet, si dhe servilizëm apo karshillëk ndaj ndërkombëtarëve, sa i
përket gjeopolitikës rajonale, ka pasur ngjarje që mund të quhen të
jashtëzakonshme, ku në tre vitet e fundit kemi dy kryeministra shqiptarë,
Dritan Abazoviç në Mal të Zi dhe Telat Xhaferi në Maqedoninë e Veriut, ky i
fundit më parë kryetar i Kuvendit. Kemi deputetë shqiptarë të Preshevës në
Parlamentin e Serbisë. Pesë vite më parë shqiptarja Arba Kokalari (Suedi) u bë
deputete e Parlamentit Europian. Kjo është një meritë që duhet t’ia njohim
politikës. Ashtu siç është pazotësia e saj që zëri shqiptar, teksa rritet në
Europë, po meket (mpaket) në trojet e veta. Është një kontradiktë, që mund ta
zgjidhë vetëm një rilindje e dytë kombëtare, pas njëqind e pesëdhjetë vjetësh
nga fillimet e të parës. E nëse Rilindja e parë i kishte vatrat jo pak jashtë
vendit, kjo e dytë lipset t’i ketë pikë së pari brenda trojeve. Arbëreshët, dhe
pse përherë e më të paktë, vijnë përherë e më shumë këndej Adriatikut. Ka
filluar të vijë dhe diaspora në ditë festive kombëtare, shkojnë dhe qeveritarët
për t’i takuar emigrantët. Atje vihen buste të Skënderbeut dhe hapen shkolla
shqipe, bëhen mbrëmje për 28 Nëntor dhe i këndohet Atdheut me dashuri, pa
kurrëfarë pompoziteti, grimasash dhe “aktrimi” patriotik, siç ndodh shpesh
këndej për të fituar zemrat e vorfnuara të votuesve. Rilindja, për të cilën po
flasim, do ta bënte këtë klasë politike të rrjedhur e të tredhur t’ia linte
vendin një elite të re. Teksa Kosova, edhe prej rrethanave të krijuara,
qarkullimin e elitave politike e ka realizuar.
Gjithë
çfarë (s’) është bërë në këto tridhjetë vjet nuk kanë mjaftuar që shqiptarët të
jenë një zë në Europë, edhe pa qenë një shtet. Vetëm me këtë shpjegohet fakti
që Shqipërisë i ofrohet por nuk i jepet antarësimi në BE, sikur në këtë forum
nuk do të hyjnë shqiptarët, por qeveritarët e korruptuar. Po ashtu kurrëfarë
drejtësie nuk ka nga ana e politikës dhe diplomacisë europiane, që Kosovës i
ofrohet në prill, por nuk i jepet në maj, antarësimi në Këshillin e Europës. Po
ashtu, si mundet që një vend i BE si Greqia bën politikë provinciale, duke
kandiduar për në Parlamentin Europian një të dënuar për manipulim zgjedhjesh të
një vendi tjetër!? Kjo do të thotë se të ashtuquajturat murana të Ballkanit nuk
bien dhe aty ku besohet se demokracia është e konsoliduar. Por dhe disa
zhvillime përtej Gadishullit shpesh nuk janë të duhurat për shqiptarët. Vite më
parë Shqipërisë i kërkohej të bëhej vendi i shkatërrimit të armëve kimike, tani
që të bëhet strehë për refugjatët afrikanë të Italisë, duke vënë në dispozicion
Shëngjinin dhe Gjadrin.
Sigurisht
që të gjitha këto duan përgjigje politike nga ana e shqiptarëve, por të atilla
që të ishin në frymën e një rilindje moderne dhe jo të “rilindjes” qeverisëse,
që mendon se mjeti më i mirë për të ndenjur pushtet është oratoria panegjërike
kryeministrore para emigrantëve në një stadium të Greqisë. Çfarë kuptimi ku
turi i Kryeministrit në Athinë, Milano, Londër, Dyseldorf për t’u takuar me
emigrantët shqiptarë kur atyre nuk mundësohet votimi në atdhe? Nga ana tjetër
është hipokrizi të shtirësh i dashur me njerëzit e thjeshtë me flamuj në duar
dhe të mos ngrihesh në këmbë për t’i dhënë dorën homologut tënd të Kosovës, por
të sillesh me të si “shefi” i tij!? Të mbahesh me të madh, edhe pse nuk të ecën
puna, kjo është prirje e sundimtarëve. Vetë mburremi me arritje të qena e të
paqena, kurse ata jashtë na thonë se nuk i keni punët mirë. Vërejtje nga BE në
tërësi për mos bërjen e “detyrave të shtëpisë”, plotësimin e rekomandimeve,
kryerjen e reformave, keqpërdorimin e grandeve për bujqësinë, vlerësimet
negative të Piza-s për arsimin, kritikat e Reporterëve pa kufi për lirinë e
medias etj. Pas këtyre a kanë kuptim batudat ne s’jemi më të mirët, por më të
mirë se ne nuk ka!? Po, po, gjithmonë ka më të mirë se shpërdoruesit e
pushtetit.
3
Nuk
janë vetëm problematikat e rëndësishme në rrafshin gjeopolitik e
gjeostrategjik, por dhe përditshmëritë e “vogla”, të “padukshme”, tronditëse
kur i analizon. Po ndalemi në një dukuri, sa të vjetër, aq dhe të re. Martesat
mes njerëzve të kombësive të ndryshme, në vend që të jenë dashuri, lumturi,
diversitet kulturor e gjuhësor, shpesh kane qenë e kundërta, bjerrje e vlerave
të shqiptarisë. Bisedonim kohë më parë me një grua në një kryeqytet të rajonit.
Ajo ishte nga një fshat i Shqipërisë së Mesme, martuar në një burrë të një kombësie
tjetër në një shtet fqinj. Me mblesëri të kohëve moderne. Kishin bërë si kishin
bërë për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin, por nuk do të merreshin vesh që
fëmijët të mësonin dhe gjuhën e nënës. Asnjëri nga katër fëmijët, tri vajza dhe
një djalë. I shoqi nuk kishte dashur, me argumentin se fëmijët do të
ngatërroheshin e nuk do të mësonin dot gjuhën e etnisë të cilës i përkisnin nga
i ati. Dhe ky është vetëm një brez, i njëzet e pesë vjetëve të fundit. Të jetë
ky globalizmi? Apo kjo është më së pari një dukuri ballkanike e asimilimit
shqiptar, përfshi dhe familjen. Doemos që nuk do të ndalohen martesat e
kombësive të ndryshme, por e drejta e gjuhës duhet të njihet me ligj. Dihet
dhuna ndaj gruas në Ballkan në forma të ndryshme, fizike, psikologjike etj., por
dhuna ndaj gjuhës është e paimagjinueshme. “Fëmija yt si grua nuk do të flasë
shqip, për shkak se është fëmija im, që jam burrë serb, malazez, boshnjak,
maqedonas, grek etj.” Na rroftë që i tubojmë bashkëkombasit rreth përmendoreve
të Skënderbeut në Tiranë, Prishtinë, Dibër të Madhe, Shkup e Ulqin, kur fëmijët
e etnisë sonë nuk dinë gjuhën e tyre!...
Rilindja
e parë në të vërtetë u pasua nga një e dytë, paçka se nuk pati ndonjë emërtim
të tillë, në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur në Kosovë dhe troje të tjera
shqiptare jashtë kufijve të 1913-ës u hapën shkollat shqipe dhe u vendos
administrata e shtetit shqiptar, ndonëse nën pushtim, që u udhëhoq nga rilindas
si Mustafa Kruja e Ernest Koliqi, çka individualisht ishte bërë dhe më parë nga
rilindas si Shtjefën Gjeçovi etj. Por ky projekt kombëtar perëndimor mbeti pa u
përfunduar, për shkak të krijimit të federatës komuniste jugosllave të pas
Luftës së Dytë Botërore. Autonomia e Kosovës së vitit 1968 është një përpjekje,
sërish nën pushtim, për të botuar libra shqip, hapur universitet shqiptar,
shkëmbime kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës etj. Por, gjithësesi, rilindja
shqiptare në këtë periudhë historike nuk ndodhi, pasi shqiptarët nuk kishin
shtetin e tyre, siç e kanë sot në Kosovë, apo ku janë në pushtet në vendet e
tjera dhe gjuha shqipe është gjuhë e dytë zyrtare. Shqiptarët në Kosovë, Shkup
apo Tetovë në këto tridhjetë vjet krijuan liderët e vet shpirtërorë dhe
politikë, si Ibrahim Rugova, Ukshin Hoti, Anton Çeta, Dritan Abazoviç, Arbër
Xhaferi etj. dhe kjo nuk është pak. Rilindjen e sjellin njerëzit me shpirt
rilindës, ringjallës. Shqiptarët e kanë vetëdijën kombëtare, por tash është
koha për ta ridëshmuar dhe njëherë, me qëllim që vonesa e integrimit europian,
shpopullimi masiv i trojeve shqiptare, apo dhe globalizmi “përmbytës” i vlerave
lokale të mos na shndërrohet në një krizë ekzistenciale! Pa lënë mënjanë asnjë
çast strategjinë shkombëtarizuese serbe ndaj shqiptarëve në Mitrovicën veriore
etj.
Shqiptarët
kanë elitën e vet filozofike, letrare, shkencore, kulturore, politike, por nuk
dimë sa ajo është dhe akademike, në kuptimin sa mendimi shqiptar zë vend në
agjendat e akademive të shkencave etj. Shoqëritë atdhetare kulturore të
Rilindjes Kombëtare u quajtën akademi, pasi u përpoqën të luanin një rol
ndriçues ndër shqiptarë. Roli “ndriçues” është dhe sot dhe fanarët janë, por ai
i shohim ata. Përballë krekosjes së qeveritarëve janë artistët e mëdhenj, ta
pabujshem të kombit. Vetëm pak ditë më parë sopranoja e shquar Ermonela Jaho u vlerësua nga Mbreti
i Anglisë dhe fotoja e saj “mbretërore” ishte kopërtina më e mirë shqiptare e
kësaj stine.
***
Rilindja
Kombëtare u frymëzua nga vlerat europiane të lirisë, pavarësisë, humanizmit,
diturisë, emancipimit social-kulturor dhe u mor kthesa historike për kah
Përendimi. Shinat europiane janë sërish orientimi i shqiptarëve, por trenin
tonë për atje e pengojnë “gurët në rrota”, që janë krimi, korrupsioni,
antishteti i vetë shtetarëve e qytetarëve. Shqiptarët nuk besojnë më tek
partitë, ndaj një Rilindje e Dytë do të ishte mbase i vetmi shpëtim.