Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Habazaj: Baladë e burrit në gurë

| E enjte, 23.05.2024, 07:26 PM |


BALADË E BURRIT NË GURË

Mjeshtrit popullor të gurit, Selman Pazo nga Vranishti i Labërisë

Albert HABAZAJ

Heshtjerëndë, imazh i gurit,

Ëndrrakaltër që i vogël,

Gurit dha besën e burrit

Kur ngjarjet ashtu i rrodhën…

Dhe i dha besën e labit

Selman Pazo nga Vranishti,

Zë qëndis gurët e malit

Shpirt i tij, dora dhe gishti.

Në kurriz hallet i mori

Dhe jetoi burrërisht,

Tym të bardhë oxhaku nxorri

Te Selmani bujarisht.

Dhe Kujtesa e Kulturës

E mban në radhë me fisnikë,

Sepse në sy të furtunës

Djers’ e nderit loton pikë …

Baladë e gurit për tingujt,

Baladë e burrit në gurë,

Bleta që bën mjaltë të hidhur,

Të çmuar për të sëmurë,

Selman Pazo nuk ka dy

Mjeshtër i culës së gurit.

Është njeri a legjendë ky?!

Në folklor - shtiz’ e flamurit.

Vlorë, e hënë, 20 janar 2020