| E enjte, 23.05.2024, 07:55 PM |
NJË POET MIRDITAS I VITEVE ‘60
Preng Cub Lleshi (1935 - 2023)
NGA
NDUE DEDAJ
Në
gjysmën e parë të shekullit XX poetët e malësive tona ishin rapsodët, si
Prendush Gega në Pukë, Mat Doda në Mirditë etj., vjershat e të cilëve
mësoheshin përmendësh dhe këndoheshin me lahutë e çifteli në oda bujare e sofra
mikpritje. Kurse në gjysmën e dytë të tij kemi poetët e parë të poezisë së
kultivuar, të cilët ishin arsimuar kryesisht në shkollat pedagogjike dhe hynin
në jetë si ëndërrimtarë të një kohe të re, që në të vërtetë nuk e kishin ata në
dorë se si do të ishte. Prenga u lind në Shëngjergj (Kaçinar) më 1935 dhe pati
fatin të kishte mësues në fillore Hasan Gracenin nga Elbasani, që do ta
ndihmonte në rrugën e tij të shkollimit. Aty në shkollën e vogël, në ish-qelën
e Kishës së njohur, mes lisash të moçëm, nisi të marrë krahë ëndrra e Prengës si
mësues, ashtu si e kolegut Dedë Dushi, doktor Zef Prengës etj.
Nga
fundi i viteve ’50 dhe përgjatë viteve ’60 nis e shfaqet poeti Preng Cub Lleshi
(që e kishte ruajtur emrin të gjatë si të parët), i cili shkruante lirika të
ndjera në gegnisht, kur ishte mësues në Shpal, Kaçinar, Rrëshen, që ne i kemi
hasur në shtypin e kohës, apo dhe në arkivin e tij familjar, ku ai i ruante
gazetat ku kishte botuar. Për ilustrim, nga revista “Nëntori” (nr. 5, 1964)
përzgjodhëm për këtë shkrim jubilar poezinë e tij “Kujtim”. Në një poezi të
hershme ai tregon evolucionin artistik, nga folku, çiftelia (“një dru mani
bukur foli”) te letërsia, përmes fjalëve të të atit: “tash po ia lë këngën
Prengës”.
Kishte
debutuar me ciklin e parë poetik në gazetën “Zëri i Rinisë”, në vitin 1954, kur
ishte 19-vjeçar, nxënës i shkrimtarit Petro Marko në Pedagogjiken e Tiranës,
për të cilin fliste me adhurim, ashtu si më pas për pedagogët e tij,
veçanërisht Eqrem Çabejin, që e kishte nxitur të mblidhte fjalorin e të folmes
së Mirditës. Poezia e tij e hershme nuk kishte kaluar pa vëmendjen e
shkrimtarëve të njohur si Llazar Siliqi, që ishte shprehur me vlerësime maft
inkurajuese për të. Me kohën erdhi duke u bërë një poet i angazhuar dhe lirika
intime e tij u zëvendësua me atë sociale, çka ndodhi dhe me poetë të tjerë të
kohës nën trysninë e realizmit socialist.
Personalisht
kujtoj me nostalgji vitet 67-70, kur poetët Gjok Beci, Preng Cub Lleshi e Pal
Përlala bënin takime me lexuesit në muajin e letërsisë në tetor, ku një vend të
veçantë zinte dhe recitimi i poezive nga vetë autorët. Kredoja e tyre ishte
Mirdita. Të tre ishin idhëtarë të Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës etj. Pal Përlala
e titulloi vëllimin e tij poetik “Këndo, Mirdita ime” (1967), Gjok Beci botoi
vëllimin poetik “Kur zgjohen bjeshkët” (1969) dhe kulmoi me këngët e Ansamblit
“Mirdita” (1978), kurse Preng Cub Lleshi publikoi në almanakun “Mirdita” (1968)
poemën epiko-lirike “Biseda në shtigje”, me kushtime lavdie për Pirustët,
Princët e Arbërit, Kastriotët, Dora D’Istrian, Aleksandër Moisiun etj. Kishte
koleksionuar thënie të mençura dijetarësh Rilindas kushtuar Mirditës, ku
citonte pareshtur poetin Risto Siliqi: “O Mirditë! O trimnesh` e dheut! / I
Arbnisë fis i kryekreut!” etj.
Preng
Cub Lleshi ka kontribute të ndjeshme në gjuhësi, publicistikë, studime të
karakterit historik, por ne deshëm ta kujtonim këtë herë si poet lirik me
ndjeshmëri të hollë, që nuk arriti ta botonte librin e tij poetik para 90-ës,
për shkak ta barrierave që iu krijuan, siç thuhet, pas një diskutimi të
“ashpër” në Lidhjen e Shkrimtarëve për romanin “Dasma” të Kadaresë. Edhe pse
unë isha i ri asokohe, për më tepër nxënës i tij, Preng Cub Lleshi m’i tregonte
dorëshkrimet e kthyera me vërejtje nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, që për
mendimin tim të atëhershëm nuk e përligjnin mosbotimin e librit. Libri nuk u
botua as kur autori, mbas vitit 1972, e ktheu nga gegnisht në gjuhën letrare.
Nuk e ndihmoi as fakti që ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve
të Shqipërisë. As pse pati një rekomandim dashamirës të Dritëro Agollit për
poezinë e tij. Pedagogu i Letërsisë në Shkodër Hasan Lekaj, që e kishte pasur
shok kursi në Universitet, fliste më simpati për poezinë e tij, edhe si
reçensent në një rast i librit të tij në proces, që sërish nuk arriti të
botohej. Ky qendrim ndaj librit të tij ishte thuajse unik për një autor që
ishte i lirë. Ai e përjertonte thellë, por nuk fliste se po i bëhej padrejtësi.
Ka qenë viti 1974, kur me nxitjen time, profesori dërgoi një cikël poetik në
“Drita”, që u botua me ilustrime grafike nga studiuesi Ndue Zef Toma, që
asokohe kishte shkuar sekretar i Kolegjumit të gazetës letrare. Por të gjitha
këto ishin shumë pak për ta motivuar në udhën e poezisë, pas “thyerjes” që i
kishin bërë redaksitë letrare dhe mbylljes në vetvete për këtë shkak. Ai ishte
një bir i revolucionit, por që ky i fundit ia mbylli derën e botimit, që është
dhe ëndrra e çdo krijuesi. Njeri parimor me karakter të palëkundur, që nuk
ngurroi ta thoshte fjalën e vet me kurajo, edhe kur ajo do t’i kushtonte
largimin nga puna si profesor në gjimnazin e Rrëshenit dhe dërgimin me dënim në
fshat andej nga kishte ardhur.
Sigurisht
një paradoks, që poezia e tij të priste aq gjatë në syrtarët e burokracisë
botuese të kohës, prandaj kur u krijuan mundësitë, për mua ka qenë obligim dhe
kënaqësi e veçantë përgatitja për botim e librit të tij të parë poetik “Në udhë
lindi një kangë” (2002), që më në fund po shihte dritën e botimit. Pas 6 vitesh
poeti botoi vëllimin e dytë poetik “Këngët dhe ëndrrat e mia” (2008). Tiparet e
lirikës së këtij poeti, si ndjeshmëria, peizazhi i moçëm malësor, muzikaliteti
i vargut, evokimi i heroizmit shqiptar etj. kemi pasur rast t’i trajtojmë në dy
parathënie të shkruara për dy nga librat e tij poetikë, botime të shtëpisë
botuese “Mirdita” dhe “Geer”.
I
pata sugjëruar që lirikat e dashurisë t’i botonte më vete pa i “përzier” me
poezitë e karakterit social dhe ai më pati dëgjuar. Libri me lirika titullohet
“Gjurmë malli” (2010), paraprirë nga një parthënie imja, prej së cilës po
shkëpusim disa pasazhe: “Mësuesi i ri do të niste të vjershëronte sipas modelit
më të përhapur të kohës, ku lirika e bjeshkëve të tij, si lirikë e dashurisë
njerëzore, do të vinte e pëthyer sipas “beriozave” të poezisë së famshme ruse,
pushkiniane etj. Kurse tradita tek ai do të ndihej sidomos në stilin mjedian të
tingëllimit poetik, në lëvrimin e sonetit etj. Poeti i ri mirditor shpesh
rrinte soditës në hijen e bjeshkës, flladin e saj, i ndjeshëm dhe ndaj një
xixëllonje, që ai ka parë buzë mbrëmjes në malësinë e tij, diku në një shteg
rinor dhe ajo diç atij i ka folur për “vitet e shkuar, dashuritë...” Motivet e
fillimeve poetike të tij janë mbresa nga kontaktet me njeriun dhe natyrën:
“Romantike”, “Retë”, “Kujtim”, “Lirikë pylli”, “Për nënën time të mirë”, “Në
ballkon”, “Bilbili”, “Vegim”, “Lirikë ushtari” etj. Kjo poezi është larg asaj
patetike, që kah vitet ’70 do ta dëmtonte poezinë shqipe. Lirika, tashmë e
konfiguruar kryekrejet si atdhetare, kishte rrokur heronjtë, grunoret,
hekurudhat, minierat, pasi atë intime e pengonin barrierët ideologjike të
kohës. Megjithatë poeti Preng Cub Lleshi herë pas here kthehet në hullinë e tij
lirike, siç e shohim dhe në poezinë “Kur shikoj qiellin...” (1973):
“Kur
shikoj qiellin...
Hej,
ç’kujtoj at’herë!
Dhe
tretëm në ëndërrim:
Kujtoj
një mriz në bjeshkë,
Një
pranverë
Dhe
atë që përgjonte hapin tim...”
Poezia
e tij është nderuar me çmime në Mirditë, Tiranë, Prizren etj.
Po
aq përzemër sa poezinë, Preng Cub Lleshi kishte dhe gjuhën shqipe. Në vitin
1972 në Kongresin e Drejtshkrimit ai mbajti të vetmin diskutim kundër-rrymë në
favor të gegnishtes, ashtu si Arshi Pipa matanë Atlantikut. I thoshim sa herë
me të qeshur, se për gjuhën amtare nuk kishte dallim midis njerëzve të letrave,
ishin në një hulli si një komunist si një antikomunist. Diskutimi i tij
“heretik” për herë të parë u botua në një nga gazetat që dilte në Mirditën e
pas 90-ës. Pasionin për gjuhën ai e tregoi në gjurmimin e fjalëve të rralla në
Mirditë në vitet ’70, në artikujt kushtuar gjuhës që i përmblidhi në librin
“Mos e vritni fjalën shqipe”, që u promovua në Universitetin e Tiranës në vitin
2015. Kurse artikujt dhe shënimet për librat i përmblodhi në librin “Mendime
kritike”, ndër të cilët dhe një reçensë për romanin tim “Shembja”. Autorët
mirditas të viteve ’60 si Mark Tirta, Gjok Beci, Pal Përlala, Preng Cub Lleshi,
Bardhok Sulejmani, Pjetër Cara, Jak Tuci, Preng Baloj etj. nuk rreshtën së
krijuari profilet e tyre, për t’u pasuar në vitet ’80 nga tregimtari Ndue
Gjika, poetët Viktor Gjikolaj, Preng Maca, Zef Bardhi, Elinda Marku etj.
Njëzet
e pesë vitet e fundit të jetës, Preng Cub Lleshi, edhe pse me vështirësi të
jashtëzakonshme të shikimit, punoi me energji djaloshare, ku botoi rreth njëzet
libra poetikë, studimorë, polemikë etj., dhe në mënyrë të veçantë iu kushtua
tezës së origjinës së Kastriotëve nga Mirdita, që siç dihet qe trajtuar qysh
herët nga Jakob Filip Fallmerajer, Athanas Gegaj etj., duke e pasuruar me
referenca të reja. Për krijimtarinë letrare dhe studimet e tij kanë shkruar e
folur një varg autorësh të njohur, si Mark Tirta, Razi Brahimi, Gjovalin
Shkurtaj, Shpëtim Çuçka etj., kurse jetëshkrimi dhe mbresat e tij jetësore
përfshihen në librin autobiografik “Jam unë, ëndërrimtari”.
Ishim
nga e njëjta lagje dhe i njëjti fshat, Zhurri i Shëngjergjit dhe familjet tona
shkonim shumë mirë si bashkëfshatarë. Në parathënien e librin “Faqe nga visari
leksikor i Mirditës” ai përmend dhe tim atë, Mark Deda, si njërin nga ata prej
të cilëve kishte vjelur fjalë dhe shprehje popullore. E kujtonim shpesh mes
nesh dhe shoqin tonë të mrekullueshëm Nikollë Frrok Lekën, më i vogël se ai e
më i madh se unë në moshë, që shkruante poezi lirike, por që nuk i botoheshin
prej biografisë së keqe, çka e kishte lënë punëtor në minierë, derisa sa humbi
jetën në moshë të re duke mbetur në korent në një shtyllë elektrike të rrëzuar.
“Mësues
Prenga”, siç e thërrisja kur isha gjimnazist, parapëlqente të më prezantonte
gjithmonë si ish-nxënësin e tij, edhe pse pak kohë më kishte dhënë mësim dhe
për më tepër jo letërsi. Shpesh nuk ndanim mendime apo ide të njëjta në
rrafshin politik, por profesori megjithatë mbetej gjithnjë miqësor, vlerësues
dhe falenderues.
Le
të jenë këto pak radhë si një kujtesë për emrin e tij si poet, publicist dhe
studiues, në njëvjetorin e ndarjes nga jeta.