Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihal Gjergji: Fjalë që s'thuhen

| E merkure, 22.05.2024, 07:03 PM |


FJALË QË S’THUHEN

Nga Mihal Gjergji

Ndjehej e lodhur. Kishte disa ditë në spitalin e Kuçit. Qendronte te koka e djalit. Kështu janë nënat; kur jemi të vegjël bëhen dashuri, kur rritemi bëhen dritë, kur na mungojnë bëhen mall...Doktori ishte i mirë, po s’mjafton vetëm fjala. Ilaçet ishin të pakta, s’gjendeshin. Vinte dhe bashkëshorti, qendronte dy-tri orë dhe kthehej përsëri në Gusmar. Gryka e Shurit të magjeps me bukurinë e saj, po kjo ndodh për udhëtarët kurreshtarë, jo për hallexhinjtë. Atyre u qëllon këmba-këmbën. Fëmija dyvjeçar digjej nga temperatura. I humbi shpresat. E lidhi djalin në djep dhe e ngarkoi në shpinë me një tërkuzë të punuar vetë. Ishte mesditë qershori. E përcollën dy gra deri në Buronja. Kuçiotët janë njerëz bujarë. Ndërsa burri i saj, i lodhur nga puna kishte dremitur. Befas ndjeu zërin që zbriti nga lart: -“Mos flij. Ik dhe merr djalin...” U çua i tronditur. Mbante një pelë të bukur. E shaloi dhe nxitonte si të ishte akoma në ëndërr. Në Qafë të Dervenit ishte ballëpërballë me gruan. U panë sy më sy. Asnjë fjalë! Flisnin lotët e tyre. Ai mori në duar djalin e vdekur, ndërsa ajo djepin bosh.

Gusmar, Maj 2020