Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Si në familje…

| E diele, 18.01.2009, 04:00 PM |


Deputetja Lajla Përnaska, duke shoqëruar të rinjtë jetimë në këtë tryezë festive

- Mbresa-

Një fjalë e urtë thotë: “Që të jesh njeri i mirë, duhet që të paktën një njeri në botë të të dojë, të të dëshirojë…”
Kjo sentencë e mençur  dhe filozofike u ndje në një atmosferë të bukur e festive, por  edhe  shumë njerëzore në një mbrëmje mes të rinjve  jetimë  dhe  artistëve e njerëzve publik.

Këngëtarët  Klajdi Musabelli, Zajmina Vasjari, por edhe deputetja Lajla Pernaska qëndruan së bashku me ta  në një tryezë për disa orë në mjediset e Qëndrës Tregëtare Univers, (QTU).

Ka qenë Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë dhe personalisht Drejtori i Përgjithshëm i këtij Instituti Ilir Çumani, që ka ideuar dhe përgatitur me shumë kujdes, gjithçka bukur e mirë, për të organizuar një tryezë  festive ndryshe nga herë të tjera për këta të rinj pa kujdes prindëror dhe pa familje…

Kur të gjithë shqiptarët,  në prag të festave të fundvitit dhe në momentin e ndërrimit të viteve kanë qenë pranë vatrës së ngrohtë familjare,   pranë  të gjithë të dashurve  dhe të afërmëve  të tyre, 100 të rinj jetimë, djem dhe vajza të moshave 14-17 vjeç të cilët jetojnë nëpër konviktet e shkollave të mesme të kryeqytetit, nuk e patën këtë mundësi që  të  gëzonin si gjithë të tjerët.  

Këngëtarët Klajdi Musabelli dhe Zajmina Vasjari, duke u shërbyer të rinjve jetimë
Këngëtarët Klajdi Musabelli dhe Zajmina Vasjari, duke u shërbyer të rinjve jetimë
                  

Një arsye madhore i bën ata të jenë larg syrit dhe  vëmendjes të të gjithëve,  larg kujdesit prindëror.
Ata janë jetimë, të privuar dhe të destinuar të bëjnë gjithnjë jetë kolektive edhe në momente kur çdokush ka nevojë për pak çaste intime në strehëzën familjare,  për më shumë ngrohtësi e vëmendje për moshën e tyre të bukur e delikate, për më shumë dashuri dhe dinjitet njerëzor.

Por  edhe këto ditë ata nuk janë ndjerë vetëm dhe  as  të përjashtuar, sepse  Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëvë Shqiptarë si gjithmonë ka menduar për ta, duke sjellë pak çaste shprese dhe optimizmi në jetën e tyre të vështirë.
Së bashku me përfaqësuesit e Qëndrës Tregëtare Univers, (QTU) është organizuar ky eveniment për t’ju sjell atyre momente të gëzuara,  për të kuptuar se edhe ata nuk mund të jenë vetëm dhe larg syrit të të gjithëve.

Këngëtarët Klajdi Musabelli dhe Zajmina Vasjari, duke u shërbyer të rinjve jetimë

Janë të rinj jetimë nga Shkolla e mesme e Hoteleri Turizimit, Qendra “Shpresë për Botën”, Shoqata e Jetimëve e Tiranës, të rinj nga komuniteti rom, por edhe nga qendra të ndryshme rezidenciale dhe komunitare që mbushën ambjentet e zhurmëshme të QTU-së dhe tërhoqën vëmendjen e të gjithë klientëve që ndodhesin në këtë qendër tregëtare në këto ditë.

Momente shumë të ngrohta,  vëllazërore e familjare u krijuan kur Zajmina Vasjari dhe Klajdi Musabelli u vunë në rolin e kamarierit dhe u kanë shërbyer gjatë  gjithë kohës  këtyre të rinjve me servirjen e pjatave me produkte të  ndryshme të ofruara bujarisht  nga kjo qëndër tregëtare.

Pëllumb Meta, Kafazieri, personazh i njohur i programit të njohur televiziv “Kafazi i Artë”, i rritur jetimë në shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, duke u shërbyer tashmë jetimëve që rriten atje

Ndryshe nga herë të tjera, të rinjtë kishin në gjirin e tyre edhe “vëllanë” e tyre të madh Pëllumb Meta.
Të gjithë e njohin atë nëpërmjet  programit mbarëpopullor  të “Kafazit të artë”, që transmetohet nga televizioni “News 24”.
Ka një arsye të fortë Pëllumbi që sot është pranë këtyre të rinjve. Vetë Pëllumbi është rritur jetim në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” dhe,  siç shprehet ai – “kush më mirë mund të kuptoj hallet e problemet e shumta që ata kanë, dëshirat dhe botën e tyre të trazuar nga pamundësitë që u sjell jeta e vështirë që bëjnë …!?”

Por edhe Klajdi Musabellinë jemi mësuar shpesh t’a shohim duke u angazhuar në veprimtari të ndryshme që organizon ky Institut për Integrimin e Jetimëve me fëmijët dhe të rinjtë jetimë. Klajdi e ka një përvojë të ngjashme me këta të rinj pa familje e kujdes prindëror ,  sepse babai e ka lënë jetim në një moshë shumë delicate; atëherë  kur  ai kishte më shumë nevojë se kurrë për praninë e tij atërore. Ndaj e ndjen dhe e konsideron një obligim qytetar por edhe moral solidaritetin ndaj atyre që jo për faj të tyre vuajnë sot dramën e madhe të mungesës se një familjeje.

- Unë gjithmonë do të jem pranë tyre, - shprehet Klajdi, - për të ndikuar sadopak tek të tjerët që të bëjmë më të mirën për ta. Sepse nëse sot fati i ka privuar këta jetimë nga shumë gjëra, nesër dikush nga ne që jemi në pozita  të shëndosha ,  peshorja e fatit mund të na vendosë në pozicionin e tyre.

Nuk është hera e parë që Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë  organizon veprimtari të tilla që krijojnë impakt dhe ndjeshmëri për të ndërgjegjësuar sa më shumë shoqërinë dhe strukturat përgjegjëse shtetërore për jetimët në Shqipëri.

Është një punë sistematike, e vështirë por edhe e bukur që bën ky Institut ndër vite… Për të ngritur  lartë moralin dhe dinjitetin këtyre të rinjve dhe fëmijëve për të cilët të gjithë detyrohemi për të bërë më të mirën. Me synimin e vetëm  që ata të mos ndjehen të vetëm në botën që na rrethon,  por të ndjehen të barabartë në mes të barabartëve.
Ky ishtë morali dhe dimensioni social  që duhet të ketë dhe të përçojë natyrshëm çdo  shoqëri e civilizuar dhe e emancipuar, pa komplekse dhe cene nga e kaluara…

Drejtori i Përgjithshëm i IKIJSH Ilir Çumani, Zajmina me të motrën dhe Klajdi Musabelli prane fëmijëve


REPUBLIKA E SHQIPËRISË
INSTITUTI KOMBËTAR I INTEGRIMIT TË JETIMËVE SHQIPTARË
Adresa: Rruga “Dibrës”, nr. 312/1, Tiranë
Tel/Fax: ++355 (4) 2360 611, Mobile:  0692035431, 0682035431, 0692601054
Email:
nifao.orfan@gmail.com