| E marte, 21.05.2024, 07:59 PM |
DYERT MEMECE TË FERRIT
Nga
Agron Tufa
Sot
mbushen 51 vjet (21-23 maj 1973) nga Revolta Antikomuniste e të burgosurve
politikë të kamp-burgut të Spaçit. Të burgosurit u përleshën me policinë e
kampit derisa i dëbuan ata, duke marrë në dorë teritorin për 3 ditë.
Revolta
e Spaçit përbën një pikë kulmore në historinë e qëndresës antikomuniste, por
edhe të lëvizjes për liri e demokraci. Shkaqet e kësaj revolte ishin kushtet
çnjerëzore në të cilat vuanin të burgosurit e burgut, puna e tyre skllavëruese,
përdorimi i torturave psikologjike dhe fizike, si edhe gjendja e mjeruar e
popullit nën diktaturën komuniste, kundër së cilës ata u ngritën dhe qëndruan
heroikisht.
Të
dënuarit hodhën edhe parrulla politike si: “Poshtë komunizmi dhe Rroftë
Shqipëria e Lirë”. Për herë të parë u artikulua shprehja “E duam Shqipërinë si
gjithë Europa!” U ngrit për herë të parë flamuri kombëtar pa yllin komunist.
Revolta e të burgosurve të Spaçit ishte një lëvizje politike. Ajo vërtet
shpërtheu në mënyrë spontane në mbrojtje të jetës së shokut të tyre Pal Zefit,
por menjëherë mori formë të përgjithshme e të organizuar me një shtab drejtues
e me kërkesa kryesisht politike të përcaktuara. Revolta e Spaçit u shtyp
dhunshëm nga regjimi, duke dënuar kryengritësit, me dënime që varionin nga 25
vite shtesë në dënimin fillestar me burgim, deri në pushkatim.
Dënimet:
80
të burgosur morën ridënime, ndërsa 4 prej tyre u ekzekutuan. Katër të
pushkatuarit ishin Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai.
11
vjet më vonë Revolta kundër regjimit u përsërit me 22 maj 1984 në një kamp-burg
tjetër politik, në Qafë-Bari, me të njëjtat parrulla: Poshtë komunizmi! Poshtë
diktatura! Poshtë diktatori! I gjithë kampi u rrethua me forca ushtarake të
ardhura nga Tirana. Edhe kjo Revoltë u shtyp me masakra, rrahje, gjymtime e të
pushkatuar.
Revolta
antikomuniste e Spaçit dhe ajo e Qafë-Barit ishin ndër aktet e vetmuara e
martirizuese kundër diktaturës, të vetmet akte që i shpëtojnë nderin dhe
dinjitetin një shoqërie të tërë të gjunjëzuar nga pushteti terrorist e gjakatar
i komunistëve shqiptarë.
Lavdi
veprës së tyre të pavdekshme ndër breza!
P.S: Këtë film dokumentar
"Dyert memece të Ferrit", që e kam realizuar përgjatë 5 ditësh në
vitin 2013 me regjizorin Kelmend Karuni, e hedh sot në përkujtim të Revoltave
Antikomuniste të kamp-burgjeve të Spaçit dhe Qafë-Barit, që ndodhën
përkatësisht me 21-23 maj 1973 dhe 22 maj 1984. Filmi qe shfaqur e vlerësuar në
Gjermani. Asnjë kanal televiziv shqiptar nuk guxoi ta transmetonte.
Filmi
është i gjatë 50 minuta, me skenar të Agron Tufës, dhe është realizuar me
mbështetjen financiare të Fondacionit “Konrad Adenauer”.
Filmi
prek tri nga momentet më domethënëse në historinë e persekutimit komunist:
Burgun e Porto Palermo-s, Burgun e Spaçit dhe atë të Qafë Barit, ku edhe u
zhvilluan revoltat. Rrëfimi bëhet në vendngjarje, por, disa dekada më vonë. Për
pamjet e këtij filmi, janë përdorur arkivat, skica personale dhe historia vjen
përmes protagonistëve. Filmi u prezantua në Gjermani, gjatë një konference në
Fondacionin Ettersberg.