Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agim Xh. Dëshnica: Kur ikte Buharaja

| E premte, 17.05.2024, 06:13 PM |


KUR IKTE BUHARAJA

Nga Agim Xh. Dëshnica

Kush ia thot’ aty matanë

me një fyell që përvëlon?

Vexhi  Buharaja

Nën hijen  Kalasë,

ku çohej drejt për qiell,

minare e rrënuar,

nuk rrjedh më çezmë e vjetër,

nën  gurët e latuar.

S’dëgjohet më këmbana,

jehona tej Beratit,

shkallmuar, rrafsh me tokën,

hesht Kulla  e Sahatit…

Sofati  i xhamisë,

i heshtur e pa jetë,

askush nuk falet

te sallë e shkretë.

Asnjë shandan, asnjë qiri

dhe Libri i Shenjtë  i fshehur rri.

S’dëgjohet më nga larg,

as thirrje e myezinit.

S’këndon me fjalë të urtë,

fjalën shqip,

Firdusi si qëmoti,

veç shpirt e mendje e thellë,

me besë i falen Zotit.

Kur nata shkon e dita kthen sërish,

as hije, as fresk, as fëshfërimë selvish,

veç fryma e Tomorit

në gërmadhë ka zbritur,

e qan se fluturoi e shkoi,

bylbyli i ndritur.

Mos shkoi te Mali i Thatë

e yjet lasgushiane gjen,

apo ku hesht lopata në Liqen?

A mbi Tomor  ndër lule dimërore,

dëgjon i lumturuar,

xhuranë baritore?

Takon Naimin,

në male e pyje, bukurinë,

larg prangash e qelisë,

dhunës, padrejtësisë.

Ndër hulumtime zhytet,

në shekuj historie,

ndër bëma  Skenderiane,

shpatash trimërie,

me arbër  legjendarë,

në ndeshje për lirinë.

Lë librat, meditimet

e penën mbi letër,

me shpresë rilindjesh

në një kohë tjetër.

Hipur deveve në karvane,

niset për shtegtim,

me Shahnamenë në duar,

me shqipe plot shkëlqim.

Në fund të shkretëtirës,

kanë dalë Firdusiu dhe Sadiu,

me çallma, bardhë dëborë,

se ja,  po vjen, po vjen Vexhiu.

* * *.

Poeti  i hijshëm

me tungjatjeta, kur vije,

gëzonin  porta e , dritare,

mure me gurë shtëpish

në sheshe e faqe tatëpjeta,

bahçetë  me fryta,

lule e fletë të blerta.

* * *

Nga  kulla -hije e Sahatit

jehon  kambana tej Beratit

një yll çdo mëngjes në qiell

mbi Tomorr shkrep  si diell.