| E enjte, 16.05.2024, 07:57 PM |
Madhështia dhe përjetësia e shën Nënë Terezës së Kalkutës etj., në tematikën e veprave të skulptorit të talentuar Vasil Rakaj
“Personaliteti i tij artistik është formuar në Shqipëri dhe shumë
subjekte të skulpturave lidhen me heronjtë kombëtarë, ku spikasin Nana Terezë
dhe Skënderbeu, të cilët në ditët tona i përkasin botës mbarë. Skulptori
shqiptar Vasil Rakaj, jeton me familjen e tij në Connecticut dhe në rrugët e
tij ecën çdo ditë. Njëra prej tyre e çon në studion e vet, në hapësirën e së
cilës qëndrojnë vepra të përfunduara, punime në proçes, vizatime dhe skicë ide
për veprat e ardhshme, fotografi dhe objekte të ndryshme, të cilët së bashku
krijojnë atmosferën intime të një artisti. Vasil Rakaj, ka një
krijimtari të pasur dhe kjo e bënë të jetë një nga skulptorët e talentuar
bashkëkohës shqiptar, që emigroi në SHBA.” - Suzana Varvarica
Kuka[1]
“Ka kaluar më shumë se një gjysmë shekulli nga viti
1963, kur në Uashington D.C., dr. Martin Luther King Jr. mbajti fjalimin
historik, që do të shndërronte përgjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
“Unë kam një ëndërr” (I have a dream). Skulptori i njohur, Vasil Rakaj, asokohe
ishte vetëm 10 vjeç, në moshën kur ëndrrat kanë vetëm dimensione fëmijërore.
Ëndrra e lirisë, ëndrra e barazisë dhe të tjera ëndrra të guximshme do të
lindnin e do të bëheshin realitet vite më vonë. Tashmë, Rakaj prej dy dekadash punon
dhe jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Autori i monumentit të shenjtores
Nënë Tereza dhe i shumë veprave të tjera, fitues i disa çmimeve, është
përzgjedhur për të realizuar bustin kushtuar aktivistit të famshëm për të
drejtat e njeriut, dr. Martin Luther King Jr.”[2] – Tom Therçaj, gazetar, Tiranë,
Albania
Nga Klajd Kapinova
Ai flet
esencialisht dhe pak fjalë për artin e tij
“Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, është Ai Heroi Kombëtar, që mbeti përgjithëmonë Kalorësi i Lirisë së popullit tonë dhe i gjithë Europës. Eshtë mbrojtësi i Krishtërimit në Mesjetë. Eshtë pishtari i identitetit tonë kombëtar. Ne jemi bijtë e Skënderbeut, i cili na
frymëzon e na shtyn të ecim përpara për liri, zhvillim
dhe përparim. Figura e Tij i hypur në kalë e me shpatën e çveshur, është imazhi i çdo shqiptari, në çdo kohë e në çdo vend të trojeve shqiptare,
në Ballkan dhe në Europë. Me punën time, që po paraqes në skupturë, pak a shumë këto desha të them me krenari, për figurën e Skënderbeut.” - Vasil Rakaj,
skuptor, Ansonia city, Connecticut, SHBA
Dihet, se dhuratat më të rëndësishme
dhe më të bukurat, në jetën e pasur dhe të përditshme artistike, është e
mpleksur vazhdimisht me atë të zakonshme njerëzore, shpesh bien nga energjitë
qiellore, të cilat zbresin natyrshëm në trupin e njeriut artist.
Vitet kalojnë me shpejtësinë e erës, si pa e ndierë dhe nëse
pyesni sot historianët e artit, se cilët janë artistët më të mëdhenj pamor të
të gjitha kohërave, do të kishim në listën e historisë artistike një mori
emrash nga shtete dhe kontinente të ndryshme të botës.
Në ditët tona, sigurisht, ka disa standarte, me të cilat mund të
masim, se cilët janë artistët më të mirë dhe përkushtuar skulpturës shqiptare
ndër vite.
Bota e magjishme e artit, historikisht në trojet etnike
shqiptare dhe në dekadat e fundit në diasporë, ka qenë e dominuar nga artistët e
shquar burra, mbasi puna e tyre krijuese është gjithashtu e një cilësie të
lartë dhe të qëndrueshme në standarte shumë të mira, sepse ato kanë arritur
sukses në kohën e tyre, pavarësisht pengesave të mëdha të rendit politiko-shoqërorë
dje dhe sot.
Ndikimi i bërë ndër vite nga një artist te bashkëkohësit e tij,
është një faktor tjetër e cila shpreh në këto portrete vlerat e larta artistike, gjatë dekadave
të fundit, duke
u dalluar kjartë vërtetësia dhe psikologjia e figurave të ndryshme të
mirënjohura historike, të realizuara me një plastikë të natyrshme dhe
delikate.
Në punimet e mjeshtrit
shqiptaro-amerikan Vasil Rakajt, ndihet pulsi i një artisti të fuqishëm, që ka ditur
të ndërtojë figura të vrullshme në lëvizje, po aq sa të krijojë me një
delikatesë magjike figurat femërore, ku shihet ndikimi i skulpturës
bashkëkohore dhe asaj klasike. Skulpturat e trimave të lirisë së shekullit të
kaluar si vëllezërve Gjeto e Dedë
Cokut etj., është
shembulli më tipik i shpirtit të tij krijues delikat.[3] [4]
Fuqia brenda veprave të tij artistike, ishte ndër dekada dhe
është ende sot në ditët tona në Ansonia city, në shtetin Connecticut të
SHBA-së [5] e bashkuar me
shkathtësinë, shpirtin dhe guximi i tij, të cilat ishin gjithnjë në lartësinë e
kohës cilësore deri në
ditët tona.
Ai, kurrë nuk hoqi dorë nga skicat dhe relievet, sepse ato
shpalosnin esencën dhe imagjinatën e tij më shumë se gjithçka tjetër. Dhe jo
vetëm që e ushtroi këtë profesion, por gjithçka që kishte të bënte me skulpturën në
studion e tij, në Ansonia, ku ai punon rregullisht dhe pa u lodhur çdo ditë.
Skuptori duar-artë Rakaj dhe skupturat në bronz të patriotëve të shquar vëllezerit Gjeto dhe Ded Coku
Gazetarja amerikane Lauresha Xhihani, në kronikën e saj për
gazetën amerikane The Sunday Republican, ndër
të tjera shkruan, se: “Skulptori
shqiptar Vasil Rakaj, është ngarkuar të krijojë skulpturat e patriotëve
shqiptarë vëllezër Gjeto dhe Ded Coku, që do të derdhen në bronz dhe do të vendosen
në qytetin shqiptar të Lezhës, për nder të tyre. Rakaj tha se do ti nevojitet një sasi e madhe argjilë me
bazë vaji në veprën origjinale (plasteline). Bob Falcetti republikan-amerikan pau
foton e Gjeto dhe Ded Coku të stolisur me medaljen e dhënë nga austriakët. Nga
gishtat e durëve të arta të Vasil Rakajt, tashmë po i kthehet dinjiteti dy
prijësve dhe patriotëve të shquar shqiptarë. Skulptori me origjinë shqiptare,
po krijon statuja artistike të Gjeto dhe Ded Cokut, dy lidera shqiptarë, në
luftën e vendit për pavarësi. Gjeto e Deda, ishin guvernatorë të parë dhe lider
karizmatik të Lezhës.”[6]
Kujtojmë nga burimet historike shqiptare të shekullit XX, se patriotët vëllezër Gjeto dhe Ded
Coku, asokohe ishin
luftëtarë dhe politikanë trima, të cilët vazdimisht
luftonin pa u trembur, gjatë gjithë jetën së tyre për pavarësinë e Shqipërisë.
Nacionalisti antikomunist Ded Coku, më pas fatkeqsisht u
ekzekutua mizorisht dhe pa të drejtë nga diktatura totalitare ateiste dhe fashiste-komuniste
(1944-1990), në vitin e zi 1945.
Në
vitin 2010, qeveria e përkohshme në Lezhë i dha vëllezërve Gjeto
dhe Ded Cokut titullin: “Nderin e Qarkut
të Lezhës”, ndërsa Presidenti i Shqipërisë, prof. Bamir Topi, i dha Gjeto
dhe Ded Cokut titullin: “Medaljen e
Shqiponjës së Artë” (Tiranë, 2012),
me motivacionin, “Për luftën e tij për pavarësinë e Shqipërisë dhe
kauzat shqiptare”.
Ai u barbarizua fatkeqsisht me plumba nga një skuadër e turpshme
pushkatimi në qytetin e Lezhës, në një kohë qe ai si nacionalist i madh, vite
më parë me dashuri dhe krenari kishte arritur të ngrinte flamurin kuq e zi
shqiptar në vitin 1912, vit kur Shqipëria shpalli Pavarësinë e plotë (më 28
Nëntor 1912) nga Perandoria Xhihadiste Islame Otomane.
Në vijim
të reportazhit të saj, gazetarja amerikane përshkruan me detaje për lexuesit
amerikanë historinë e vëllezëve nacionalistë Gjeto dhe Ded Coku të
paharruar për popullin e Lezhës dhe më gjërë. Gjithashtu nga shkrimi i saj, aty
mësojmë se, nacionalisti Ded Coku do të qëndroj sërish në Lezhë, me sytë e tij
shqiponjë, që vështrojnë tokat e dashura, për të cilat luftoi për dekada të
tëra.
Duke shfletuar faqet e historisë,
kujtojmë se Ded Coku asokohe ishte njeriu me personalitet të madh, i
cili vizitoi mbretërit e kohës dhe Atin e Shejt, Papën në Selinë e Shejt në
Vatikan, (Romë, Itali).[7]
Rakaj, do të marrë muaj për të përfunduar dy statujat, duke
përdorur balte për secilën. Statujat prej e kthyer nga balta ne allçi u dërguan
në Shqipëri, ku dhe u derdhen në bronz. Rakaj, gjithashtu kishte udhëtuar në
Shqipëri, për t'u siguruar që statujat në fjalë të jenë
ashtu siç i kishte parashikuar dhe për të parë inagurimin (zbulimin) ose
sikurse quhet ndryshe në Shqipëri organizimi i ceremonisë e përurimit të tyre.
Ai vazhdimisht
ndjehet edhe sot krenar, se kishte privilegjin dhe përgjegjësinë e veçantë për
skulpturat e vëllezërve patriotë Coku. Ndërsa Rakaj punonte
asokohe, dy të ftuar specialë e shikojnë - djali 87-vjeçar i Cokut Sokol dhe
nipi i tij Eduardi.
Artisti ynë, ka
një natyrë të qetë, vështrim
meditues dhe reflektues, tek flet
esencialisht dhe me pak fjalë për artin e tij dhe të bind, se gjenitë e mëdhenj
arrijnë më shumë kur punojnë esencialisht dhe cilësi, sepse bashkëbisedojnë me
trurin e tyre vazhdimisht, për risitë dhe formojnë ato ide perfekte, të cilat
gradualisht më pas i shprehin artistikisht me gishtat e duarëve të arta
dhe riprodhojnë vlera brilante artistike, atë që mendja e tyre apo e mjeshtrit
tonë Rakaj, tashmë ka konceptuar.
Shën Nënë
Tereza dhe skuptori Rakaj
“Nëse do t’i referohem
fatit, ia dedikoj Nënë Terezës, të cilën e ndiej si engjëllin tim mbrojtës. Nuk
harroj në asnjë çast të shprehem me zemër se Ajo më ka ndryshuar jetën. Është
më shumë se një mrekulli, që një artist shqiptar, i cili në rininë e vet është
edukuar nga sistemi komunist me urrejtjen ndaj fesë dhe social imperializmit,
të bëhet qytetar amerikan dhe autor i personaliteteve të shquara si shën Nënë
Tereza dhe dr. Martin Luther King Jr.”[8] – Vasil Rakaj,
skulptor, SHBA
Artisti dhe veprimtari humanist Rakaj, për shembull tek bamirsja
e madhe botërore shën Nënë Tereza e Kalkutës, kërkonte një model tokësor dhe njëkohsisht
asokohe as nuk mund të imagjinonte se fantasia artistike mund të kapte këte
bukuri dhe hirin qiellor, që do të ishte ai i mishërimit rrezatues hyjnor, tek
bota dhe shpirti i Saj madh i fisnik.
Nga
historia e vitëve të
shkuara mësojmë, se gjatë një interviste dhënë nga meshtari i shquar patër
Pashko Gojçaj o.f.m.,
në Tuz, ai (frati) deklaron hapur, se skuptori
shqiptar Vasil Rakaj, është i pari skuptor në botë, që i bën momentin në
skupturë kushtuar personalitetit të shquar Nënë Terezës, në të gjallë të Saj
dhe një muaj mbasi Ajo kaloi në amshim u inagurua kjo vepër arti, e cila ende
sot ndodhet në Tuz.
Vasil Rakaj, ka skalitur prej dekadash art në skulpturë. Një nga
subjektet e tij më të preferuara është shën
Nënë Tereza (1910-2007),
shqiptarja më e famshme në botë. Ajo me madhështinë e Saj fisnike, ishte një
pikë e dobët e skulptorit tonë.
Studiuesja dhe kritikja e
artit bashkëkohor Suzana Varvarica Kuka,
në një shkrim të saj botuar në gazetën “Dielli” (Tetor 2019 dhe ribotuar nga redaksia këtu në New York, në Numërin Special me shumë faqe në muajit
nëntor
2019, e cila i kushtohet tërësisht Pavarësisë së Shqipërisë) të komunitetit tonë shqiptaro-amerikanë, ndër të tjera
vlerëson kështu: “Në studio, Vasil Rakaj modelon argjilën e bronzin, gdhend
drurin e gurin. Jeta e tij artistike nuk ndahet nga jeta e tij sociale
dhe të dyja bashkë zenë vend në dy periudha të rëndësishme. Periudha e
parë i përket jetës së tij në Shqipëri, gjatë kohës komuniste dhe krijimtarisë
së tij nën diktatin e qeverisjes së sistemit monopartiak. Në këtë periudhë deri
në 1990, Vasil Rakaj u edukua me nocionin: “Se atdheu, është familja” dhe
kjo moto e bëri një individ të ndërgjegjshëm në jetën e tij artistike. Ai
u rrit si skulptor realist, punoi si mësues dhe metodist i edukimit figurativ;
jetoi në Kurbin dhe krijoi punime arti, të cilat lidhen me temat, subjektet dhe
personazhet që sugjeronte arti dhe propaganda e asaj kohe në Shqipëri. Pas rënies së komunizmit, Vasil Rakaj bashkë
me familjen e tij, u largua drejt ShBA dhe nisi një jetë të ndryshme nga ajo e
atdheut, por duke mos e humbur mallin për të. Në ShBA, në Conneticut fillon
periudha e dytë të jetës, ku zhvillon krijimtarinë duke mos e harruar shprehjen
e Volterit: “O njeri! Kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep
atdheut”.[9]
Duke ndjekur nga
afër jetën dhe aktivitetin e pasur artistik të mikut tim, mjeshtërit duar-artë
Vasil Rakaj, studiuesja Kuka vijon rrëfimin e saj, se: “Në ShBA
ai vlerësoi personalitetitin e Martin Luther King-ut dhe e modeloi potretin e
tij në stil realist.
Më pas modeloi një bazament me formë shumë të
veçantë dhe portreti - kokë mbi bazamentin e harkuar qëndrojnë në harmoni të
plotë. Kjo vepër ruan vlera estetike dhe cilësi të lartë të ekzekutimit
artistik.
Këto dy cilësi i kanë dhuruar nderim
skulptorit ndër personalitetet e vendit ku jeton dhe në komunitetin e
përbashkët, që respekton figurën e shquar të Martin Luther King-ut, si lider në
mbrojtje të të drejtave të njeriut.
Në këtë periudhë skulptori ka vlerësuar ndjesi
dhe përjetime të fenomeneve njerëzore në përshtatje me jetën dhe filozofinë
jetësore.
Ai krijoi dhe krijon portrete, figura femërore
alegorike dhe portrete të njerëzve nga jeta e përditshme.
Gjatë procesit krijues skulptori Rakaj nuk e
anashkalon subjektin figurativ të një vepre, madje e pasuron me një mendim të
vetin.
Në mënyrë ekskluzive, në të gjithë krijimtarinë
e Vasil Rakaj dallon arti i tij për të pasqyruar në disa forma figurën madhore
të Nënë Terezës. Ajo duket se zë një vend kryesor.
Ai e adhuron figurën dhe personalitetin e Nënë
Terezës. Ai e respekton dhe është krenar për ekzistencën e saj.
Kjo ka sjelle një krijimtari të shumtë rreth
personalitetit të saj. Në studion e tij në ShBA, në ekspozita dhe në evente
përkujtimore që lidhen me atdheun, figura e saj në skulpturën e tij zë një vend
të rëndësishëm.
Ai e ka gdhendur figurën e saj si shtatore, si
bust, si reliev dhe si portret, por edhe si kompozim të skulpturës urbane dhe
monumentale. I ka dhënë ngjashmëri në pamjen e jashtme, butësinë psikologjike,
karakterin fetar përmes pasqyrimit të ndjesisë së shërbesës dhe të përulësisë.
Ai e punoi figurën e saj në Shqipëri dhe ShBA
dhe e ka ekspozuar skulpturat e titulluara “Nënë Tereza”, në dhjetra
ekspozita e me sukses në Shqipëri e ShBA.
Në Kosovë, skulptura e tij statuja “Nëna
Terezë”, e cila është një figurë që shpreh personalitetin e shënjtores, e cila
mban me ngrohtësi dhe ngjeshur në trupin e saj një djalë-fëmi, është vendosur
në rrugën – pedonale dhe shumë pak metra më në jug se sheshi ku gjendet
ekuestri “Skënderbeu mbi kalë” i skulptorit Janaq Paço.
Skulptori e ka punuar figurën e saj edhe në
formën e objektit të llojit dhuratë dhe, si të tillë i është dhuruar disa
fondacioneve, disa personaliteteve të njohur, të huaj dhe shqiptarë.”[10]
Në punimet e mjeshtrit Rakajt,
ndihet pulsi i një artisti të fuqishëm
Skulptori i talentuar shqiptaro amerikan Vasil Rakaj (1954), ka lindur në fshatin historik Petrelë, jo shumë larg kryeqytetit
Tiranë. Ai është me origjinë nga Boga e Malësisë së Madhe, e cila ndodhet në
Shqipërinë Veriore.
Jeta e tij është interesante, që nga fëmijëria dhe deri në ditët tona. Shkollën fillore ai e ka
mbaruar në Brojë (pranë dajave të tij në Malësi), kurse klasën e pestë në
katundin Kastrat (Bratosh) tek tezja e vet, ndërsa klasën e gjashtë dhe shtatë
në Milot dhe klasën e tetë e përfundon në qytetin Laç të Kurbinit.
Pasioni dhe prirja për skulpturën, bën që i riu Rakaj shkollën e mesme t’a përfundoj në Tiranë,
pranë Liceut Artistik “Jordan Misja” në vitin 1973, ndërsa më 1977 kryen me
sukses studimet e larta në Institutin e Arteve të Bukura, po në kryeqytetin e
Shqipërisë.
Në vitet 1977-1978, skulptori i ri Rakaj, emërohet si kuadër tek
Ndërmarrja Artistike e qytetit heroik të Krujës.
Skulptori, filloj punën si mësues në shkollën “Dan Bajrami” në Gjorm të Kurbinit. Duke qenë mësues,
ai njëkohsisht për 8 vjet kryesoj grupin e metodistëve për lëndën e vizatimit
deri në vitin 1990. Si skulptor krijues, ka qenë antarë i Lidhjes së
Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë prej vitit 1982 deri sa ndryshoi
sistemi politik në Shqipëri në vitin 1991.
Ardhja e demokracisë e gjen skulptorin në aktivitet
të lirë artistik, misionin fisnik të cilin e vijon edhe sot në Amerikë
(Conneticut). Artisti, gjatë jetës së tij krijuese kaloi gëzime dhe meditime
plot frymëzime në punën artistike, ku me daltë gdhendi mjeshtërisht në dru e
material të ndryshme dhjetra tematika, që i realizonte me pasion dhe dashuri.[11]
Mbi të gjitha temat, më e preferuar e skulptorit është portreti
asokohe i Të Lumes Nënë Tëreza (sot shën Tereza e Kalkutës), me të cilat ka hapur ekspozita në disa shtete të Amerikës.
Puna krijuese e artistit malësor, është e shtrirë me vite deri
në ditët tona. Ai ka marrë pjesë pothuaj në të gjithë ekspozitat kombëtare e
lokale, ku ka paraqitur punimet e veta.
Të tilla mund të përmendim portretet artistike, si:
“Nëna heroinë”,
“Fshatarja”,
“Malësori”,
“Kok Malçi” (figurë e urtësisë popullore, i cili, për atë kohë ishte
këshilltar i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit (punim në gur)), portrete
fëmijësh:
“Punim me shtiza”,
“Kodra e Ksulave”
dhe kompozimet:
“Gdhendësi popullor
krutan”
“Puthja”,
“Besa”,
“Piskama-portret me duar” etj.
Falë punës pasionante krijuese, ai realizon me mjeshtëri të lartë artistike punimin në dru të titulluar: “Loja
e fëmijëve” (symbylltas), ku asokohe skulptori gdhendës, Vasil Rakaj
ka fituar Çmimin e Dytë Kombëtar në Shqipëri në vitin 1984. Ai
ishte i caktuar për të ekspozuar traditën e kulturës popullore krutane, krahas
ekspozimeve të autorëve të ndryshëm nga rrethe të tjera në qytetin e Shkodrës, që
asokohe ishte kthyer në një traditë konkuruese popullore mbarëkombëtare.
Kultura dhe tradita e lashtë popullore, kanë qenë
dhe mbetën edhe sot temat e preferuara të autorit artist Rakaj, një pasuri dhe
vlerë e pashtërshme në frymëzimet e mëvonshme, që u bënë shkak për krijimin e
veprave të reja.
Punime të tjera të gdhendur në dru, me dimensione më të mëdha,
mbajnë firmën e artistit Rakaj në kafen popullore krutane, brënda në
kështjellën historike të Kastriotëve, trekëndshi i gdhendur në dru në hyrje tek
Pazari i Vjetër, në qytetin historik të Krujës etj.[12]
Skulpturat kushtuar Të Lumes Nënë Terezës në Shqipëri, janë nderuar me disa çmime nderi. Kështu me veprën “Portret
në dru”, në konkursin kombëtar kushtuar humanistës së madhe
ndërkombëtare, skulptori duarartë Rakaj është nderuar me Çmimin e Tretë në Tiranë në vitin 1996. Sërisht po me veprën “Portret në dru” (2009), në qytetin Conneticut të Amerikës
fiton Çmim të Parë, në ekspozitën e
artit modern amerikan.
Ekspozita të rregullta personale skulptori Rakaj, ka hapur në
100-vjetorin e Të Lumes Nënë Tereza, më 20 shtator 2010 në Worcester Mass., në
Stamford CT. (28 Shtator 2010), në restorantin italiano-amerikan “Eastwood
Manor” (29 Gusht 2010), Bronx, New York etj.
Ajo që të bie në sy është se tematika e shën Nënë Terezës, zë një vend të rëndësishëm edhe në monumentet e ngritura në sheshet dhe ambientet e
ndryshme publike në natyrë.
Kështu punimet e patriotit dhe skulpturit të talentuar Vasil
Rakaj, gjenden të vendosura në Tuz (Mal
të Zi), qysh nga 18 tetori i vitit 1997 (me nënshkrimin e skalitur Vasil Gj. (Iniciali Gj., do të thotë Gjelosh, që është emri i babait të tij) Rakaj, i cili është edhe punimi i parë i tij); në oborrin e kishën katolike
shqiptare “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale, New York (inaguruar më 10 shtator të
vitit 2000); në Sheshin Qendror të Prishtinës (Kosovë, inaguruar më 2 korrik 2002, i cili përbën
punimin e tretë të tij); në kishën katolike shqiptare “Zoja Pajtore e Shqiptarëve”, në qytetin
e madh industrial Detroit, Michigan, e cila përbën skulpturën e katërt të inaguruar atje, më 16
tetor të vitit 2003.
Skulpturën shumë të mirënjohur “Nënë Tereza me fëmijë”,
mjeshtri Rakaj e zvogëloi dhe e përpunoi, duke i dhënë një vlerë të re
artistike, të cilën ia bëri dhuratë vëllezërve Gojçaj në New York në vitin 1998, në 1-vjetorin e kalimit në amshim të Të Lumes Nënë
Tereza.
Vëllezërit zemërbujarë Lekë Gojçaj (1939-2000) dhe Pashko Gojçaj
(1941-2018), më vonë i mundësuan, që nga një kopje të veprës artistike t’a
kenë si suvenir shumë përsonalitete të botës, si: shën papa Gjon Pali II, Presidenti demokrat amerikan Bill Clinton,
Mbretëresha e Britanisë së Madhe Elisabetha II, Presidenti republikan amerikan
George W. Bush, Gjeneralit amerikan Wesley
Clark, kongresistit Tom Lantosh, ambasadorit amerikan në Prishtinë Walker, dom Anton Kçirës meshtar në kishën katolike
shqiptare shën Pali dhe shën Pjetrit në Detroit, Michigan, SHBA, Presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova,
Presidenti dhe ish Kryeministri i Shqipërisë dr. Sali Berisha etj. Ky i fundit
veprën e skulptorit Vasil Rakaj, ia dhuroi Fondacionit
Kulturor “Nënë Tereza”, me
qendër në Tiranë, Albania.
Po ashtu skulptori i talentuar dhe i palodhur Rakaj, me modesti
tregon se në 100-vjetorin e lindjes së figurës së shquar ndërkombëtare Nënë
Tereza, ai ka marrë pjesë në ekspozitën shëtitëse të hapur nën kujdesin e
presidentes së Fondacionit Kulturor “Nënë Tereza” zj. Liri Berisha, pranë
Selinë e OKB-së në New York, sikurse më vonë në Washington D.C., dhe Itali,
duke u paraqitur gjithashtu me dy punime.
Nga fondi i ekspozitave personale, autori zemërbujar i ka bërë dhuratë disa vepra me portretin e Nënë Terezës si
personalitetit të shquar të komunitetit tonë, meshtarit të nderuar shqiptaro amerikanë don Pjetër Popaj, famullitar i përkushtuar pranë Kishës Katolike
“Zoja e Shkodrës” në New York, personalitetit dhe biografit të shquar Nënë
Terezës shkrimtarit mons. dr. Lush
Gjergjit (dhuruar nga vëllezërit patriotë
malesorë Gojçaj), kishës katedrale katolike, që i dedikohet shën Nënë Terezës në
Prishtinë të Republikës së re të Kosovës, sikurse edhe ish Presidentit të
vendit zotit Fatmir Sejdiu etj.
Ashtu sikurse quhet mons. dr. Lush Gjergji biografi i shquar shën Nënë
Terezës me shkrime dhe libra, me plot të drejtë mund t’a quajmë artistin e
talentuar shqiptaro amerikanë Vasil Rakaj si skulptorin e
parë brilant dedikuar artistikisht Nënë Terezës.
Skulptori
V. Rakaj dhe busti kushtuar dr. Martin Luther King Jr., përballë Bashkisë në
Ansonia city, Connecticut
Busti i modeluar
bultësisht në baltë nga skulptori Vasil Rakaj dhe i derdhur në bronz qëndron në
majë të një piedestali prej graniti të zi të sjellë nga shteti Vermont.
City of
Ansonia. Duke e shëtitur në këmbë dhe në disa zona piktoreke buzë ujit me
makinë e kupton se ai ështe një nga qytetet apo Bashkia më e vogël e shtetit Connecticut. Ky komuniteti më së shumti i njerëzve me ngjyrë, me dinjitet dhe respekt
nderoj martirin Martin Luther King Jr.[13]
përmes një busti të madh të derdhur në bronz dhe që sot ndodhet përballë
bashkisë së tij.
Skulptori Rakaj, rrëfen për lexuesit shqiptar në vendlindje,
momentin kur catohet nga komuniteti i qytetit dhe vetë kryetari i Bashkisë se
qytetit të vogël Ansonia, që të realizoi në skulpturë figurën e personalitetit
të madh amerikanë dhe botërorë dr. Martin Luther King Jr.
Ai, në
një intrevistë ekskluzive, dhënë gazetarit lezhian Tom Therçaj, kujton: “Brenda
pak ditësh më trokitën në studio një grup prej 10 vetash, ku bënte pjesë edhe
kryetari i bashkisë së qytetit ku jetoj, Ansonia, Konektikat, David Cassetti.
Të tjerët ishin përfaqësues të komunitetit, organizatorë për realizimin e
veprës që do të vendoset pranë bashkisë së qytetit të Ansonias. Aty m’u dha
edhe lajmi i mirë që isha përzgjedhur unë. Ishim të gjithë të gëzuar e nuk di
se kush më shumë, unë si autor, apo ata që kishin trokitur në studion e duhur.”[14]
Busti i lartë, ndodhet i vendosur dukshëm në një bazë graniti të
zi përpara Bashkisë. Ai është: “një
testament bashkëpunimi, në një botë me kaq shumë konfuzion, diversitet dhe
urrejtje, kjo tregon se një komunitet mund të lërë mënjanë dallimet e tij dhe
të punojë së bashku duke respektuar njëri-tjetrin, për të mirën e të gjithëve,”
tha David Gatison, kryetari i Ministrisë së Dhjakut në Kishën Baptiste të
Maqedonisë dhe një nga anëtarët e Komitetit
MLK Bust.
Busti i ri, është ideuar dhe krijuar nga duart e arta të skuptorit
të talentuar dhe me përvoj shqiptaro-amerikanit Vasil Rakaj, i cili sot njihet
si skulptor i Këshillit të Arteve të Luginës.
Gazetarët e ndryshëm amerikanë në këto media marramendëse, kanë
ritheksuar vazhdimisht se veprat
artistike të autorit Vasil Rakaj, janë ekspozuar në Shtëpinë e Bardhë, Washington
D.C., Buckingham Palace të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, në
shtetin e Vatikanit në Itali, Shqipëri, Kosovë etj.
Perveç bustit të realizuar
artistikisht në bronz, kushtuar dr. King Jr., në Bashkinë Ansonia, artisti shqiptar, ka menduar edhe për
vendosjen e veprës në një piedestal prej graniti të zi. Sikurse thotë skuptori
Rakaj, vepra e re dhe piedestali krijojnë një hark, që shërbejnë për të ngritur
apo krijuar idene e dr. Martin Luther King Jr. në qiell. Ky hark, shihet për
herë të parë si kompozim skulpturor.
Sot çdo vit përballë bustit të ri
zhvillohet një ceremoni tradicionale vjetore përkujtimore, për nder të mbretit
(MLK) çdo 4 prill, pikërisht në përvjetorin e vrasjes së tij në qytetin Memphis,
të shtetit Tennessee.[15]
Busti, prej kohësh
thuhet se ishte
një ëndërr, më pas u bë një sugjerim dhe më në fund u shndërrua në realitet. Pas tre vitesh mbledhje fondesh, skulpturimi dhe
planifikimi, qëllimi i bustit në fjalë u arrit të realizohej nga duart e arta të skulptorit shqiptaro-amerikan Vasil Gjelosh Rakaj.
Por,
historia apo ëndrra e
vendosjes së këtij busti me famë amerikane dhe botërore e përsonalitetit të
shquar amerikan është
shumë e thjeshtë dhe njëkohsisht shumë interesante. Mësojmë se 5 vite më parë busti
i luftëtarit të vendosur për lirië
dhe të drejtave të njeriut dhe në veçanti për komunitetin me ngjyrë në SHBA dr.
Martin Luther King Jr., ishte rekomanduar nga Brandon Richards, një ish-nxënës i shkollës së mesme. Ai ia shpreh
këtë dëshirë (ëndërr) shokëve të klasës së tij në shkollë.
Ai kërkonte asokohe,
sikur të kishim një bust dinjitoz të MLK në qytetin tonë.
Me
këtë ide dhe qëllim në mendje, ata
së bashku nisen tek kisha baptiste
në qytetin Ansonia. Pastori gëzohet për këtë ide dhe bie dakord.
Ai thoshte se duhet të
marret miratimi nga Bashkia se qytetit Ansonia. Këshilli Bashkiak e miraton kërkesën e këtij djaloshi fisnik e cila bëhet realitet me vendosjen e
veprës
monumentale përkujtimore
MLK në skupturë reralizuar mjeshtërisht nga
skulptori shqiptar Rakaj.
"Uau,"
vuri në dukje senatori i shtetit George
Logan, R-Ansonia. “Kjo është e
mrekullueshme. Çfarë feste. Si një komunitet për ne, që të bashkohemi kështu -
është diçka e veçantë. ... Kjo është arsyeja, pse mbjellja
e farave të duhura në rininë tone, është kaq e rëndësishme. Kjo ide erdhi nga
një fëmijë i vogël.”
Asokohe
publiku pjesëmarrës në inagurimin e bustit, dëgjoi lexime nga nxënës të
shkollave të mesme, u interpretua muzikë nga kori i shkollës së mesme Ansonia
dhe fjalime nga politikanë si Logan, përfaqësuesja e shtetit Kara Rochelle,
D-Ansonia dhe kryebashkiaku David Cassetti.
Duke shfletuar
online arkivin e shtypit të kohës, lexojmë mbresa dhe përshtypje të ndryshme për realizimin artistik të bustit asokoke nga skulptori shqiptar Rakaj.
“Ky bust më kujton bustet në Romën e lashtë
të senatorëve dhe udhëheqësve të tyre të rëndësishëm. Martin Luther King Jr.
ishte një udhëheqës i madh, që nxiti të bashkohemi në një kohë të përçarjes
kombëtare, dhe busti i Vasilit tregon kësisoj një udhëheqës të komunitetit.”
tha Rev. Edward Young, meshtar i
Kishës Katolike Greke ukrainase të shën Pjetrit dhe shën Palit.[16]
[17]
[18]
[19]
Busti MLK, para 5 viteve ishte një
ëndërr e komunitetit të qytetit Ansonia, me rastin e 50-vjetorit të vrasjës së
dr. King, përpara Bashkisë së Ansonias, për të përkujtuar trashëgiminë
transformuese të Rev. Dr. Martin Luther King, Jr., dhe për të frymëzuar
komunitetin Ansonia dhe komunitetet përreth Luginës me dashuri, barazi,
drejtësi dhe dhembshuri, për të gjithë banorët e Luginës.
Kjo është koha më e bukur për një reflektim të tillë. Kur Amerika jonë e dashur dhe
e ndarë fatkeqsisht në mënyrë të
pakuptimtë në rrafshin politik, sot më shumë se kurrë,
mendoj se ka nevojë për të dëshmuar një shpirt të ripërtërirë paqeje dhe uniteti,
për të ngritur lart madhështinë tonë në rënie këto vitet e fundit.
Rev. Dr. Martin Luther King, Jr.
ishte një avokat dhe shpesh fliste në tubimet masive për barazi dhe drejtësi, për të gjithë njerëzit pa dallim
ngjyre dhe bindjeve politike.
Trashëgimia e tij e qëndrueshme prek jetën e të gjithë amerikanëve sot. Njerëzit e Luginës dhe komuniteteve përreth janë të nderuar të përfaqësojnë idealet e një Amerika të bashkuar.[20] [21] [22]
Shënim: Shkrimi është shkëputur
nga libri voluminoz: “Dritë dhe hije historike
në New York” (Shënime &
Refleksione), New York, 2024, që shumë shpejt pritet të botohet online nga kompanitë e medha amerikane dhe botërore në
Amazon, Barnes and Noble etj., i autori shqiptaro amerikanë Klajd Kapinova.
[1]
Suzana Varvarica Kuka, “Skulptori Casil Rakaj, artist dhe patriot”, gazeta “Dielli”,
The Oldest Albanbian Newspaper, New York, October 30, 2019.
[2] Tom Therçaj, “Vasil Rakaj, skulptori i Nënë Terezës e
dr. Martin Luther King Jr. në SHBA”, Kulturë,
“Panorama”, Tiranë, Albania, E Premte, 28 Korrik 2917, f. 18.
[3] By Lauresha Xhihani, Republican-American: “Patriots Reborn: Albanian heroes come alive
in artist’s clay”, Arts &
Entertainment, The Sunday Republican,
March 23, 2014
[4] Dedë Coku, ishte veprimtar i shquar i nacionalizmit shqiptar. Lindi në fshatin shën Koll (Nikollës) të Lezhës. U padit asokohe me akuzën fallco për “kolaboracionizëm” me nazistët gjermanë, gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore. Para Vendimit të gjyqit, që u zhvillua në korrik të vitit 1945 në kino-teatrin “Rozafa”, Shkodër, tha: “Kam luftue kundra turqve për Pavarësinë e Shqipnisë, jam varrue dý herë, dhe kam humbë nji vëllá n’atë luftë, kam pësue shembejn e shtëpisë: e kam dashtë gjithmonë Atdheun tim, jam përpjekë gjithmonë t’i shërbej: nuk do ta kisha pritë kurr të trajtohesha në këtë mënyrë prej bashkatdhetareve të mij. Zoti e shpëtoftë Shqipninë”. Në vendin e ekzekutimit u ul në gjunjë dhe bëri Shënjën e Kryqit: e qëlluan, por jo për vdekje; pastaj e qëlluan me revolver, por prapë nuk vdiq: ra, u çua, bëri përsëri Shenjën e Kryqit dhe vetëm në të shtirën me plumbin e tretë ra i vdekur. Një muaj më vonë, më 15 gusht 1945, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Malësisë së Madhe urdhëroi sekuestrimin e të gjithë pasurisë së tij. Një vendim të tillë mori më 18 janar të vitit 1947 edhe Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Lezhës. Burimet: Sipas shënimeve të Atit Luigi Rosa, S. J., në “Nji Seminar Papnor në vorbull të përndjekjes komuniste: Shkodër 1945-1946”, Shkodër, 2008, f. 67; Gazeta Zyrtare, nr. 106, 21 nëntor 1946, f. 5; Gazeta Zyrtare, nr. 16, 24 shkurt 1947, f. 5
[5]
New Haven, është një qytet në Connecticut, SHBA. Ai ndodhet në New
Haven Harbor, në bregun verior të Long Island Sound dhe është pjesë e zonës
metropolitane të qytetit të New York-ut. Me një popullsi prej 135,081, siç
përcaktohet nga regjistrimi i vitit 2020 në SHBA, New Haven është qyteti i
tretë më i madh në Connecticut pas Bridgeport dhe Stamford, qyteti më i madh në
Rajonin Jugor të Planifikimit Qendror të Konektikatit dhe komuna kryesore e
Greater New Haven, e cila kishte një popullsi totale prej 864,835 në vitin
2020. Ajo ishte një nga qytetet e para të planifikuara në SHBA, një vit pas
themelimit të saj nga puritanët anglezë në vitin 1638, tetë rrugë u vendosën në
një rrjet katër me katër, duke krijuar Planin
e Nëntë Shesheve. Blloku qendror i përbashkët është New Haven Green, një
shesh prej 16 hektarësh (6 ha) në qendër të Downtown New Haven. Sikurse dihet New Haven, është shtëpia e famshme
Universitetit Yale, (një ndër prestigjiozet në SHBA dhe botë) taksapaguesi
dhe punëdhënësi më i madh i New Haven, dhe një pjesë integrale e ekonomisë së
qytetit. Qyteti shërbeu si bashkëkryeqytet i Konektikatit në vitet 1701-1873,
kur qeverisja e vetme u transferua në qytetin më qendror të Hartford-it. Që
atëherë, New Haven e ka faturuar veten si kryeqyteti
kulturor i Konektikatit, për
furnizimin e tij me teatro, muzeume dhe vende muzikore të themeluara.
[6] By Lauresha Xhihani, Republican-American: “Patriots Reborn: Albanian heroes come alive
in artist’s clay”, Arts &
Entertainment, The Sunday Republican,
March 23, 2014.
[7] Po ajo,
po aty.
[8] Tom Therçaj, “Vasil Rakaj, skulptori i Nënë Terezës e dr. Martin Luther King Jr. në SHBA”, Kulturë, “Panorama”, Tiranë, Albania, E Premte, 28 Korrik 2917, f. 18.
[9] Suzana Varvarica Kuka, “Skulptori Casil Rakaj, artist dhe patriot”, gazeta “Dielli”,
The Oldest Albanbian Neëspaper, Neë York, October 30, 2019.
[10] Po ajo,
po aty.
[11] Klajd Kapinova, “Profil piktori: Madhështia e të Lumes Nënë
Tereza në tematikën e veprave të skulptorit Vasil Rakaj”, Revista fetaro
kulturore “Jeta Katolike”, New York,
Korrik-Shtator, 2010, f. 52.
[12]
Shënim: Trekëndshi në fjalë, është i përbërë nga disa gjysmë rozetash të
dekoruar, ku në kulmin e tyre bashkohen me një rozatë të plotë dhe tingëllon
ylli, që vazhdon me të njëjtin zbukurim simetrik e gjithë sipërfaqja.
[13] Martin Luther King Jr. (lindur Michael King Jr.; 15 janar 1929 - 4
prill 1968), ishte një ministër i krishterë amerikan, aktivist dhe filozof
politik, i cili ishte një nga udhëheqësit më të shquar në lëvizjen, për të
drejtat civile nga viti 1955 deri në kohën e vrasjes së tij ne vitin 1968. Një
udhëheqës i kishës me ngjyrë dhe një djalë i aktivistit dhe ministrit të
hershëm të të drejtave civile Martin Luther King Sr., Mbreti avancoi të
drejtat civile për njerëzit me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara, përmes përdorimit
të rezistencës jo të dhunshme dhe mosbindjes civile jo të dhunshme kundër
ligjeve të Jim Crow dhe forma të tjera të diskriminimit të legalizuar. King, mori pjesë dhe udhëhoqi marshime për
të drejtën e votës, desegregimin, të drejtat e punës dhe të drejta të tjera
civile. Ai mbikëqyri bojkotin e
autobusëve të Montgomery të vitit 1955 dhe më vonë u bë presidenti i parë i
Konferencës së Udhëheqjes së Krishterë Jugore (SCLC). Si president i SCLC, ai
udhëhoqi Lëvizjen e pasuksesshme Albany në Albany, Georgia, dhe ndihmoi në
organizimin e disa prej protestave jo të dhunshme të vitit 1963 në Birmingham,
Alabama. King ishte një nga udhëheqësit e marshimit
të vitit 1963 në Uashington, ku mbajti
fjalimin e tij "Unë kam një ëndërr" në shkallët e Memorialit të
Lincoln dhe ndihmoi në organizimin e dy prej tre marshimeve të Selmës në
Montgomery gjatë lëvizjes së Selmës për të drejtat e votës në 1965. Lëvizja, për të
drejtat civile arriti përfitime thelbësore legjislative në Aktin e të Drejtave
Civile të vitit 1964, Aktin e të Drejtave të Votimit të vitit 1965 dhe Aktin e
Strehimit të Drejtë të vitit 1968. SCLC, vuri në praktikë taktikat e protestës jo të
dhunshme me njëfarë suksesi duke zgjedhur në mënyrë strategjike metodat dhe
vendet në të cilat u zhvilluan protestat. Pati disa përplasje dramatike me
autoritetet segregacioniste, të cilët shpesh reaguan në mënyrë të dhunshme. Mbreti u burgos
disa herë. Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit (FBI) J. Edgar Hoover e
konsideroi Kingun një radikal dhe e bëri atë objekt të COINTELPRO të FBI-së që
nga viti 1963 e tutje. Agjentët e FBI-së e hetuan atë për lidhje të
mundshme komuniste, spiunuan jetën e tij personale dhe e regjistruan
fshehurazi. Në vitin 1964, FBI i dërgoi Kingut një letër anonime
kërcënuese, të cilën ai e interpretoi si një përpjekje për ta detyruar atë të
kryente vetëvrasje. Më
14 tetor 1964, King fitoi
Çmimin Nobel për Paqen për luftimin e pabarazisë racore përmes rezistencës jo
të dhunshme. Në vitet e tij të fundit, ai zgjeroi fokusin e tij për të
përfshirë kundërshtimin ndaj varfërisë dhe Luftës së Vietnamit. Në vitin 1968, King po planifikonte një pushtim kombëtar të
Uashingtonit, DC, që do të quhej Fushata e Popullit të Varfër, kur u vra më
4 prill në Memphis, Tenesi. James Earl Ray, një i arratisur nga burgu
shtetëror i Misurit, u dënua për atentatin, megjithëse familja King beson se ai
ishte një kok turku; atentati mbetet objekt i teorive konspirative. Vdekja e
Kingut u pasua nga zi kombëtare, si dhe zemërim që çoi në trazira në shumë
qytete të SHBA. King u nderua pas vdekjes me Medaljen Presidenciale të
Lirisë në 1977 dhe Medaljen e Artë të Kongresit në 2003. Dita e Martin
Luther King Jr., u krijua si festë në qytete dhe shtete në të gjithë Shtetet e
Bashkuara duke filluar nga viti 1971; festa federale u festua për herë të parë
në vitin 1986. Sot qindra rrugë në SHBA janë riemërtuar për nder të tij dhe
King County në Uashington iu ridedikua atij. Memoriali i Martin Luther King Jr.
në Qendrën Kombëtare në Uashington, D.C., u kushtua në vitin 2011.
[14] Tom Therçaj, “Vasil Rakaj, skulptori i Nënë Terezës e dr. Martin Luther King Jr. në SHBA”, Kulturë, “Panorama”, Tiranë, Albania, E Premte, 28 Korrik 2917, f. 18.
[15] By Michael P. Mayko, “Ansonia to place Martin Luther King Jr. bust in front of City Hall”, March
13, 2019 Chicago Rivers,
Republican candidate for 5th Ward Alderman in Ansonia. Brian A. Pounds / Hearst Connecticut
Media https://www.ctpost.com/local/article/Ansonia-to-place-Martin-Luther-King-Jr-bust-in-13685800.php
[16] BY MICHAEL P. MAYKOTHE, “Bust of Martin
Luther King Jr. unveiled in Connecticut town”, “Connecticut Post”, May 8, 2019 https://apnews.com/article/dcdc2d71ba614e448d8e1bc0f9c35219
[17] By Bill Bittar (Correspontend),
“Ansonia Unveils Permanent Tribute To Dr.
Martin Luther King”, Sunlight peeked through the rain clouds Saturday as
a large crowd gathered in front of Ansonia City Hall to celebrate the
unveiling of a bronze bust of The Rev. Martin Luther King Jr., May 5, 2019
[18]https://valley.newhavenindependent.org/article/vote_delayed_on_placement_of_ansonia_mlk_monument/
[19] https://www.nhregister.com/valley/article/Ansonia-to-unveil-bronze-bust-of-Dr-Martin-12792165.php
[20] MLK Bust, A
"DREAM" IN ANSONIA, FOR THE 50TH ANNIVERSARY OF DR. KING'S
ASSASSINATION APRIL 4, 2018 https://macedoniabcac.org/mlk-bust
[21] https://www.nhregister.com/valley/article/Crowd-turns-out-for-unveiling-of-King-statue-in-12806658.php
[22]https://valley.newhavenindependent.org/article/ansonia_remembers_dr._martin_luther_king_jr1