| E diele, 12.05.2024, 07:19 PM |
A thua, do ta lirojnë nga burgu Pjetër Arbnorin!?
Nga
Kujtim Morina
Se aty brenda kangjellave të Kuvendit, askush
s’e sheh. Edhe ai që afrohet, nuk e sheh përballë por anash. Po sjell
parathënien e shkrimtarit për romanin e tij “Shtëpia e mbetur përgjysmë”:
Një
ditë erdhi në burgun e Burrelit kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Flamur
Sinoimeri dhe më tha: “ I kemi parë ato shkrimet tuaja! Ka shumë ironi dhe
nënkuptime kundër nesh! Këtë radhë vetëm po i gris.”
Unë
iu përgjigja: “ Detyra ime është të shkruaj, zanati yt është t’I grisësh. Kush
të lodhet i pari…”
“Do
të të dënoj! Dëgjove, do të të dënoj përsëri!”
Kështu
gjatë afro 30 vjetëve të burgut vazhdoi ky proces: unë shkruaj çdo ditë, ata
kontrollo, lexo, shëno me të kuqe, censuro, gris, ndëshko me birucë, deri kur
një ditë më arrestuan, më vunë prangat dhe nga burgu i Burrelit më dërguan në
birucat e Degës së Punëve të Brendshme. Pas gjashtë muajsh ndër të tjera më
dënuan edhe për romanin “ Shtëpia e mbetur përgjysmë” duke më shtuar dhjetë
vjet të tjera mbi dënimin njëzetepesë vjet që kisha mbi kurriz.
Dëshmitari
ekspert, Sofokli Afezolli tha në gjyq: T’i pritet dora Pjetër Arbnorit i cili
shkruan për të diskretituar pushtetin popullor dhe për ta minuar atë!
Ky
roman i shkruar me sinqeritetin e një fëmije dhe me mendjen e tij të pjekur
para kohe, po ju paraqitet për ta lexuar e gjykuar tanimë në kushtet e lirisë.
Kryetarit
të Degës, kudo që të jetë, mund t’i them se unë nuk u lodha i pari…