| E merkure, 08.05.2024, 07:55 PM |
Nga Shënimet e atë Gjergjit: Turma do Zot, ndryshe të përlanë!
Fragment
nga Romani "Zhvarrimi" i Gani
Mehmetajt
Letra
e atë Shtjefnit, famullitar në Zllokuqan të Pejës, dërguar ipeshkvit tonë, më
cyti të kopjoj kronikat e vjetra e të ndaj pjesët më interesante. Atë Shtjefni
kërkonte informacione për një interesim të tij, prandaj i shkruante ipeshkvit:
“Imzot, në ndonjanën prej katakombeve asht sarkofagu i mretit. Kam hulumtu gat
e gat, kam gjet shumë gjana të vlefshme nga koha e ilirëve, gjyshave tonë. Hasa
e mblodha sende të rralla edhe nga mesjeta, kam ba nji muze të vogël, që e ruej
me fanatizëm. Po vorri i mretit tonë ma të lavdishëm, nuk me len të qetë. Aq
shumë ka mjegullime për te, saqë nuk ia fali vetes, po nuk ia bana hyzmetin
kësaj pune. Ju lutem me nepni ndihmën tuaj të çmume, sepse e di se në bibliotekën e françeskanëve ka shënime për
këtë punë. Njashtu mund të baheni garantë te Ati i Shejt, që të na e
hap bibliotekën...”
Në
vazhdim atë Shtjefni i tregonte ipeshkvit sesi i ra trup e tërthorë Shqipërisë
nga Shkupi në Shkodër, pastaj tutje në Himarë. Sepse, jo një herë pati vegime
sikur Gjergj Kastriotin e rivarrosën:
“në bregun e detit Jon, diku në kambë të shkambijve. Kam disa sheja që
ma thonë ketë gja, ka disa shpella atje. Jo nji herë shkova në Himarë e Dhërmi,
po nuk gjeta ferkem vorri. Më mbërthyn ethet jo pse aventurierë të ndryshëm e
lypnin me qiri e me pishë vorrin e më të parit tonë, ata s’e donin për punë
plaçke a lavdi, por pse po baheshin pesëqind vjet që askush nuk gjeti shej të
tij. Ai la shumë gjurmë, pranej s’ka si të mos e ketë vorrin a shenjat e vorrit
diku. Ai la testament për trashëgimtarët e vet, ai testament duhet të gjinet në
tokat e Arbnit”.
(Me
duhet të shtoj se atë Shtjefnin disa vjet më vonë e vranë në prit xhandarët
serbë. Ai nuk e përfilli asnjë rrezik e ndalesë, nuk e kapërdiu asnjë
gënjeshtër).
Letra
e priftit dardan kurrë nuk mori përgjigje, por mua me mbërthyen ethet e
fshehtësisë së këtij varri. Prandaj, i përsërisja leximet e kronikave të
vjetra, përpiqesha të gjeja ndonjë fjali që do të ma ndriçonte rrugën, por
sikur ngeca në errësirë, në mes një katakombi, i cili fshihte thesare, mbase
fare afër meje, kurse unë nuk i gjeja, ashtu sikurse kishin ngecur të gjithë
para meje. Asnjë letër nuk më ka intriguar më shumë sesa kjo grishje e atë
Shtjefnit. Zekthi më nxiti të rrëmoja ngado që do të shkoja.
Bishtuku
i dytë, që ma ndriçoi rrugën e fshehtësisë, ishte raporti i françeskanit,
fratit Mhill, drejtuar Ipeshkvisë së Shkupit, shumë vjet më parë:
“Njerëzit
bridhnin poshtë e nalt. Niseshin
faltoreve të vjetra prej Dodonet te Baba Tomori, masanej ktheheshin nga
faltoret e mavonshme. Të vjetrat i lanë shkret, prej faltoreve të reja u
zhgënjyen. Druheshin se faltoreve të
braktisuna do t’u ketë mbet hatri. Zemërimin e grumbulluen mbrenda si
qelbin, kështu që mund t’u hidhnin llavë të zjarrtë. Apo nuk u përvëluen disa
herë? Në
kulm të hutimit, kur druenin se
mos po gabojshin prapë, turma sillej pa Zot e pa atdhe, fenë e moçme e ndalun,
të renë nuk e pranun. Ata e paten nji mbret që u printe, ma ha mendja e lypin
hijen e tij që t’u rri sipri”.
Frati
kërkonte këshillë, më shumë kërkonte ndihmë, sepse donte ta qetësonte turmën e
trazuar. “Turma do Zot, ndryshe të përlanë”, shkruante në fund prifti.
Prapë
nuk e gjeta përgjigjen e superioreve, megjithëse e kërkova në të gjitha
raportet.
Më
kishin caktuar të merresha me bibliotekën e Kuvendit, pasi u thashë se jam i
interesuar të lexoja kronikat e sivëllezërve që nga raportet diplomatike të Pal
Engjëllit, pastaj udhëzimet drejtuar priftërinjve të Arbërisë si të
pagëzoheshin të porsalindurit në rrethanat e luftës, e deri te korrespodencat e
ipeshkvinjve. Më prisnin një mal me korrespodenca, të shkruara në pergamenë, në
lëkurë të regjur e në letra, të mbështjella me lëkurë bualli, po edhe me
pëlhurë, të punuara nga punëtoritë e vendit. Më dhanë detyrë të bëja sistemimin e kronikave të vjetra, të
cilat u ruajtën në kohë të vështirë në kishat e qytetit e të rretheve. Jam i
sigurt se nuk do mërzitesha sikur ta kaloja jetën në këtë ambient, ku librat të
grishnin gjithë kohën, kurse dorëshkrimet e vjetra janë trazim që të lënë pa
gjumë.
Kështu,
pasi iku turku, disa dorëshkrime i mblodhëm nga kishat e vogla të Malësisë e të
famullive të lëna pas dore në Rrafshin e Dukagjinit, ku u fut serbi me egërsi;
i fshehëm në katakombe a bodrume, sepse kohërat që po vinin ishin të pasigurta.
Pushtuesi i velur nga dhuna, po zëvendësohej me një armik mizor që nuk ngopej
me vrasje. Raportet e priftërinjve na bënin me dije për mizoritë e pashembullta
në tokat shqiptare.
Kohën
e pata të kufizuar, prandaj nxitoja si të më ndiqnin prapa. Pas disa javësh më
duhej të kthehesha në famullinë e Lezhës ku shërbeja. Koha nuk më mjaftonte as
t’i sistemoja si duhet, as t’i kopjoja të gjitha ato që më interesonin. Disa
korrespodencave u kthehesha prapë, bashkëjetoja e vuaja me sivëllezërit e mi që
vuajtën e hoqën të zitë e ullirit nga Shkupi në Tivar, madje edhe më larg në Nish,
ku frati françeskan shkruante në raport sesi e mbajti meshën arbërisht për
skizmatikët e gjakut tonë. ai tregonte se si ata e dëgjuan fjalën e Zotit në gjuhën tonë pas
njëqind vjetësh shurdhërie.
Të
përndjekur e të uritur, ata kryenin misionin e vet. Rrallë ankoheshin për
kushtet e rënda në të cilat jetonin. Nuk e zinin në gojë asnjëherë frikën nga
vdekja e dhunshme, që u rrinte mbi kokë.
Sa
herë i nisnin letra Vatikanit, apo Ipeshkvisë më të afërt të Arbërisë, ndërsa
një kopje e ruanin në arkivat e tyre, fretërit kërkonin udhëzime për besimtarët
e turmën që e bori Zotin: çfarë të bënin? Si t’u ndihmonin? Për këtë arsye i
kopjoja të transkriptuara që t’i kuptonte një numër më i madh i lexuesve, sepse
kuptimet e disa fjalëve të kohës, sot merreshin tjetër për tjetër. Disa letra i
dija përmendsh. Shpeshherë më mbërthente angështia, koha, të cilën e jetonim,
nuk dallonte nga koha që e përshkruanin kronikat: gjak e klithma, vrasje e
britma. Gjeja ngushëllim në kronikat e vjetra, të cilat ma ofronin zgjidhjen,
ose më dërgonin labirinteve të fshehtësisë nëpër shekuj.
Jo
një herë ngjarjet e situatat ngjanin, por emri i pushtuesit ndryshonte.
Në
një raport të fshehtë frati ankohej për turkun e tartarin që e shkretoi
Arbërinë. Frati tjetër shkruante për mizoritë e serbit në tokat që i ripushtoi,
kurse herën e tretë, priftërinjtë raportonin për hyrjet e trupave bullgare e
greke.
Duke
i kopjuar kronikat e vjetra, sepse një pjesë të tyre mora detyrë t’i kopjoja, e
rifreskoja kujtimin e kohës së lavdishme të mbretit tonë. Pata tundime, luhatje
e shajni. Zoti me ndjeftë, nëse kam blasfemua apo kam menduar ndryshe nga ajo
që e thotë libri i shenjtë. Ndonjëherë pata përshtypjen se lutjet tona nuk i
dëgjonte askush. Në atë katrahurë askush nuk e kuptonte ku e kishe kokën e ku
këmbët.