| E marte, 07.05.2024, 07:59 PM |
ARKETIPI I KTHIMIT
(Dekalog
i leximit letrar: poezia “AI KTHEN” e Ernest KOLIQIT që i kushtohet
Skënderbeut)
Nga
Prend BUZHALA
E
shkruar në mërgim, poezia e Ernest Koliqit "Ai kthen" i kushtohet
personalitetit historik të Skënderbeut, kthimit të tij të madh nëpër kohë e
histori. Secila kohë jona, etnike e nacionale, e ka Skënderbeun e vet, e ka
semiotikën e vet të kthimit. Na duket sikur po e lexojmë semiotikën e kthimit
të Odiseut... porse, kësaj radhe edhe te kjo poezi, kthimi i Skënderbeut ka
krejtësisht shenja të tjera.... është arketipi shqiptar kthimit të heroit. Vetë Koliqi i kishte mbushur
njëzet vjet që e kishte braktisur dhunshëm atdheun. Identifikimi me këtë
kthim është shpresëdhënës: në
500-vjetorin e kujtimit të shkuarjes në amshim të Skënderbeut, është rasti për
ta ringjallur Kultin e Kthimit. "Ai kthen": “Ai” nuk është thjeshtë
një përemër; është përemër nderimi që e veçon si protagonist epokash, ndërsa
folja "kthen" po ashtu ka kuptime të ndryshme në strukturën e kësaj
poezie. "Kthen" i referohet kthimit të figurës së Skënderbeut në
kujtesën dhe vlerat kombëtare të shqiptarëve. Ai kthen vlerat e lavdisë dhe
guximit, e kthen krenarinë dhe frymën e pavarësisë kombëtare. Nuk thotë: Kthimi
i Skënderbeut (sepse përdorimi me emër e varfëron semantikisht lirikën, e
pasivizon historinë), por e përdor me anë të foljes si vizion poetik: kthen
(lëviz, ecën, shtegton, takohet me ne, kthehet në atdhe, takohet me të vetët,
s'ka më kthim pas, ecën drejt atdheut...lavdisë së përjetshme). Më tutje, folja
"kthen" në këtë rast përshkruan një proces të rikthimit të vlerave,
të frymës dhe identitetit kombëtar nga Skënderbeu, figurë, e cila në këtë poezi
përfaqëson shembullin më të lartë të guximit, lavdisë dhe pavarësisë. Ky
rikthim i vlerave dhe frymës së Skënderbeut shërben si një frymëzim për të
ndezur një lindje të re për kombin shqiptar, duke i shtyrë ata të mbrojnë dhe
të promovojnë vlerat historike dhe kulturore të tyre. Arketipi i kthimit është
një koncept i rëndësishëm në analizën e mitologjisë dhe psikologjisë së thellë,
i cili është i lidhur me rrugën e heroit, me
ose udhëtimin e tij si nëpër mitet dhe legjendat e ndryshme. Kthimi
përfaqëson fazën e fundit të rrugës së një heroi, ku ai kthehet në vendin e tij
me njohuri të reja, me forcë të re, me një dhuratë për ta përdorur për mirën e
të tjerëve. Kthimi ndonjëherë është i shoqëruar me një konfrontim kundruall
vështirësi të reja, që simbolizojnë një ballafaqim tjetër ose një rritje
personale të shtuar. Në psikologjinë analitike të Carl Jung-ut, kthimi
përfaqëson një lloj ringjalljeje ose transformimi personal pas një periudhe të
përvojës së thellë dhe një zbulimi të identitetit të vërtetë. Kjo faze e
kthimit shënon një rivendosje e rilindje të heroit, një rritje të ndërgjegjes
kolektive dhe një përsosje të marrëdhënieve të tij me botën. Koncepti i kthimit
të heroit përfaqëson një fazë kritike të kombit a etnisë, një rizgjim të fuqive
të brendshme, pas një varg sfidash; heroi kthehet me forcë të re, em vizione të
reja. Poezia dëfton ndjesitë dhe krenarinë për heroizmin dhe vlerat kombëtare
të Skënderbeut. Paraqitet, gjithashtu ndjenja e humbjes, por edhe një shpresë e
rindërtuar për një të ardhme më të mirë. Koliqi shpalos pasionin e thellë për
kulturën dhe historinë shqiptare, dhe i jep zjarr frymëzimit kombëtar për
lexuesin e tij. Çdo varg është mbushur me emocione dhe krenari për identitetin kombëtar.
2.
Shi lotsh e breshen kobesh
mjerojshin gjinden
t'onë,
gjuejtun prej fatit me
rrufé të kuqe.
Janë
vargje që japin pamjen e një kobi "me rrufé të kuqe" (asocacion i
regjimeve totalitare). Përshkruhet një atmosferë e mbyllur. "Mjerojshin
gjinden t'onë" - është një pamje e trishtueshme, e cila përshkruan
ndjenjat e njerëzve të varfër ose të përulur nën fuqinë e natyrës së egër, në
këtë rast, shiun dhe erën e ftohtë; më tutje: janë simbole që orkestrojnë atë
shënim të 500-vjetorit, me fatet e njëjta, si të Skënderbeut dikur: "gjuejtun
prej fatit me rrufé të kuqe". Fat i rëndë i largimit të dhunshëm, dikur me
haraç otomanësh, tani me haraçin e totalitarizmit modern. Ngjyra e rrufesë së
kuqe ka mbuluar fatin e tyre, është simbol i fatkeqësive apo i vuajtjeve që ata
përjetojnë, të cilat janë të dukshme dhe të pashmangshme, duke u bërë një pjesë
e pandarë e fatit të tyre. Atmosfera përcillet me shi të dendur. Folësi lirik
ligjëron nga një kënd i vetmisë tragjike e historike ose të një kohe tjetër,
krejt njësoj.
Nën diell,
qi, pa i përfill,
n'daç vuejtje ndrit'
n'daç gzime,
mbi shpirtën shtrihej
nata,
natë e vajshme
shnjerzimi plot gjimine
pa jehonë -
n'kët tokën t'onë..
Tashmë
moti ndryshon, por ende rëndon: me diellin, natën e vajshme... Është një pamje
e përbashkët ndër njerëz, të cilët përjetojnë ndjesi të ndryshme nën diell.
Folësi lirik ndërron këndin e vëzhgimit: futet në këtë atmosferë
diellore... "Nën diell"
simbolizon një periudhë të qartë dhe të ndriçuar, ku njerëzit përjetojnë emocione
të ndryshme... por e vazhdon me frazën "Qi, pa i përfill" për ta
dhënë një gjendje tjetër, ku dielli vazhdon të ngrohë dhe të ndriçojë, pa marrë
parasysh ose pa u ndalur se cili qenka fati i njerëzve fatkeq që i përjetojnë
këto ndjesi. "N'daç vuejtje ndrit' n'daç gzime": pra, një përzierje
të ndjenjave të dhimbjes dhe gëzimit nën diell, duke treguar një shtrirje të
gamës së gjerë të emocioneve që njerëzit përjetojnë në këtë periudhë.
3.
Mbi shpirtën shtrihej
nata,
natë e vajshme
shnjerzimi plot gjimine
pa jehonë
Është
një gjendje tjetër që e kontraston fuqishëm diellin, duke e përshkruar një natë
të errët dhe të ftohtë, ku emocionet dhe ndjenjat e brendshme ndihen me
intensitet të lartë, pa u përcjellë ose reflektuar në mënyrë të dukshme. Natë
mizore, natë shnjerëzimi. Natë që vepron pa mëshirë dhe e pashpirt, që kënaqet
kur të tjerët vuajnë. Nata e pashpirt, e vajshme, shnjeerëzuese, paraqitet në
poezi si një simbol i errësirës, vetmisë, reflektimit, dhe, ndonjëherë edhe si
një hapësirë për të shfaqur ëndrrat dhe fantazitë. Përfaqëson çaste të mërzisë,
të humbjes dhe të shqetësimeve të brendshme. Ajo është një kohë kur mendjet
janë të qeta dhe mendimet zbulojnë thellësi të fshehur. Poezitë që përshkruajnë
natën e pashpirt shpesh përdorin imazhe të errësirës, yjeve, një atmosferë
melankolie dhe refleksioni. Si nata pesëqind vjeçe e një vargu poetik kadarean.
Nga ana tjetër, në poezi përgjithësisht, nata me atribute të tilla të errëta të
dhimbjes, përfaqëson edhe anën e brendshme. Për disa poetë, kjo është një kohë
kur mendjet janë të lira për të shprehur ndjenjat dhe emocionet pa kufizime.
Ky
përshkrim i natës si një entitet që vepron pa mëshirë dhe shnjerëzishëm, a nuk
është në kontrast me atmosferën diellore të kremteve të përkujtimit të
Skënderbeut në Atdhe?!
A
nuk qenka një natë feste që gëzohet nga vuajtja e të tjerëve, që përfaqëson një
imazh të errët dhe të mjerueshëm?!
Është
imazhi që shërben si metaforë për forcat negative dhe destruktive në botë, dhe
si simbol i një realiteti të vështirë e të ndjeshëm. Fuqitë e errëta janë
aktive dhe përhapin mjerimin e vuajtjen.
Një
natë e tillë që kremton, kur të tjerët vuajnë, shpreh një tip sadizmi ose
mungese të empatisë për të tjerët. Ky
varg paraqet një aspekt të errët të natyrës njerëzore... që gëzohen nga vuajtja
e të tjerëve për përfitim vetjak ose për të ndierë një pushtet mbi ta. Gjithçka
është e shurdhët, "pa jehonë". "N'kët tokën t'onë.."
sintetizohet me një referim të qartë për këtë mjedis, duke e bërë të qartë se
përvoja është në kontekstin e tokës së tyre të natyrshme apo vendbanimit.
4.
Vrugue ai balli i
burrave,
cenue nderi i
burrneshave,
njomet e dheut
sý-ndrituna
me qumsht' fisnik e hire
t'pastra rritë
kah harêmi i Sulltanave
-
flîje nepsesh ushtrue me
dhunë e tmerë. -
ngreheshin zharg.
Djelmt, pika e Arbrit,
pêng ndër Jeniçerë.
E Ai ishte larg.
Tashmë
poeti i rikthehet historisë. Poezia dhe historia janë dy fusha që ndikojnë dhe
ndërveprojnë reciprokisht në njëra-tjetrën nëpërmjet kohës. Kombinimi i tyre
ofron një perspektivë të pasur dhe të thellë mbi ngjarjet dhe përvojat njerëzore
nëpër shekuj. Krijimi poetik përdoret
për të shprehur ngjarje historike në një mënyrë artistike, refleksive dhe
emocionuese; jep një reflektim të kohës
dhe kulturës, reflekton ngjarjet dhe ideologjitë e një epoke të caktuar, duke
na dhënë një kuptim më të thellë të kontekstit historik në të cilin është
krijuar. Kjo poezi ka rolin e saj të rëndësishëm në mbajtjen e kujtimeve
historike dhe identitetit kombëtar; sjell një perspektivë të re ose të
përthelluar në kuptimin e një ngjarjeje historike... i jep një aspekt të ri
historisë.
Kjo
njësi strofike e kësaj poezie, paraqet një tjetër pamje, duke përqendruar
vëmendjen te një ngjarje të rëndësishme. "Vrugue ai balli i burrave, cenue
nderi i burrneshave" - si shenjë e zemërimit të pafund, një zemërim epik.
Aty janë imazhet e egërsisë së pushtuesit dhe shtypjes së popullit vendas,
ndërsa në anën tjetër shfaqet qëndresa epike e tyre për të mbrojtur dhe për ta
ruajtur identitetin e tyre kombëtar. vetëm mund ta përfytyrojmë shkatërrimin e
qyteteve dhe fshatrave, grabitjet dhe dhunën që popullsia përjetoi nga
pushtuesit. Aty është qëndresa epike e liridashësve: ata përfaqësohen si
luftëtarë të guximshëm dhe të vendosur që nuk dorëzohen para armikut. Ky
gërshetim i shprehjes poetike me ngjarjet historike, ndihmon në mbajtjen e
kujtimeve të periudhës së pushtimeve dhe në promovimin e vlerave të mbrojtjes
së identitetit kombëtar dhe lirisë. Nëpërmjet poezisë, shpirti dhe vlerat e
popullit transmetohen thellësisht dhe emocionalisht për të përcjellë mesazhe të
rëndësishme për brezat e ardhshëm. Vetëm mund të përfytyrohet se ç'pamje na
ofrojnë a vargjet ""Kah harêmi i Sulltanave -/ flîje nepsesh ushtrue
me dhunë e tmerë /- ngreheshin zharg".
Mbrojtja
e nderit është një temë e rëndësishme sa etnike aq edhe universale. Nderi
paraqitet si një nga vlerat më të rëndësishme morale dhe etnike, kurse mbrojtja
e tij është konsideruar si një detyrë dhe përgjegjësi. Së këndejmi, janë të
natyrshme vargjet e zemërimit, me emocione të forta... Tashmë atmosfera është e
tensionuar: "Djelmt, pika e Arbrit, pêng ndër Jeniçerë", një tjetër
poshtërim që bënte armiku.
Perandoria
otomane, dikur, nëpërmes jeniçerëve (fëmijëve të rrëmbyer nga gjiri familjar,
kryesisht i familjeve të krishtera), synonte që FËMIJA TA HARROJË PRINDIN E
VET, besimin e vet fetar, kombin e vet dhe gjuhën e vet. Tragjedi e
shumëfishtë!
Fëmijët
e rrëmbyer dhunshëm, edukoheshin në thertoret otomane, bëheshin ushtarakë e
mandej i quanin jeniçerë, mbasi ua kanë ndërruar Shpirtin e Arbrit dhe mandej
pajisen me Urrejtjen si masë të Jetës. E mandej, me tërbim, ky JENIÇER i
shkombëtarizuar, të shkonte në luftëra pushtuese, së pari të shkonte e ta
vriste familjen e vet, ta shkrumbonte, dhunonte e përgjakte Atdheun e vet...
Jeniçerët
ishin ushtarët më të fortë, më trimat, më të egjër se vetë otomanët. Arritën të
bëhen deri edhe pashallarë, vezirë etj. I kishin shtënë në dorë forcën
ekonomike, ushtarake, politike e kulturore. Të tjerët ishin skllevër. Fituan
statusin e Diskriminatorit të Privilegjuar ndaj Të tjerëve me Shpirt Tjetër,
arbëror a evropian, s’ka rëndësi: një mendësi tipike e zemaneve otomane.
Dhe
ata shtegtuan nëpër shekuj...
Jeniçer
dhe i rrëmbyer ishte edhe Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, por ai kishte
MOSPAJTIM SHPIRTËROR, prandaj KTHIMI I TIJ në Atdhe e në vlerat e përparshme,
mbeti IDEAL I PËRGJITHMONSHËM. Kthimi nuk ishte thjesht fetar: mohim i
ideologjisë së pushtuesit, por ishte
kthim te Dashuria ndaj të vetëve, te atdhedashuria.
Naim
Frashëri për këtë kthim proverbial, këndon me nota psiko-lirike:
Më nuk duron dot as
mallë,
që kam për mëmë e për
atë,
dhe s'di a janë të
gjallë,
i kam ndërmend dit' e
natë.
Aqë kam një mallë të
shumë
për Shqipëritë natë e
ditë,
sa s'kam as prehje as
gjumë,
më gjeti si qilimitë.
Në
filmin për Skënderbeun, amaneti i prindit është tronditës: "Shiko, bir!
Kjo është toka e atdheut tënd!"
"E
Ai ishte larg", thotë te vargu i tij Koliqi.
5.
Paleh! Ke brezi i
qiellit
nji shêj i bardh' po
lvitë
sipër shkambijve eprorë,
e bashk' me rreze
t'Dritës
ndër àvuj mengjesorë
mbi vrâç kik-valavitës,
në prak ku lén Agimi
pallën e çveshun n'dorë,
shfaqet i rrebt'
Kryetrimi
me t'rrebt' treqind
Kalorë.
N' majen e pall's
shkëndija
qet porsi diell Lirija.
Kjo
pjesë e poezisë përshkruan një pamje të bukur dhe të frymëzuar nga natyra, duke
paraqitur një peizazh të lavdishëm dhe të qetë. "Paleh! Ke brezi i qiellit
nji shêj i bardh' po lvitë" jep një pamje të mahnitshme të qiellit, ku një
shenjë e bardhë po lëviz lart në qiell, duke krijuar një pamje mistike dhe
frymëzuese. "Sipër shkambijve eprorë" dëfton një vend të lartë dhe të
rëndësishëm, ku shkëmbinjtë janë si kreu i një qyteti ose i një vendi të
lavdishëm. "E bashk' me rreze t'Dritës/ ndër àvuj mengjesorë" spikat
një moment të fillimit të ditës, ku rrezet e diellit fillojnë të shfaqen në
horizont, duke filluar një ditë të re. Një kthesë e re moti e historie... jete
e shprese.
"Në
prak ku lén Agimi pallën e çveshun n'dorë"- është një çast i ndjesës së
fillimit të ditës, kur dielli dallohet në horizont dhe njerëzit fillojnë të
mbajnë dritën e re të ditës.
"Shfaqet
i rrebt' Kryetrimi/ me t'rrebt' treqind Kalorë" përshkruan një pamje të
madhe, epike dhe të lavdishme, duke paraqitur atë çastin e rëndësishëm dhe të
lavdishëm të ditës, kur dielli fillon të shfaqet në horizont; të kthimit të
Gjergj Kastriotit në atdhe. Ajo nuk është një ditë dosido.
"N'
majen e pall's shkëndija/ qet porsi diell Lirija" përsëri kemi një tjetër
pamje lavdie: asociacion i lirisë që qëndron në forcën e armës liridashëse.
6.
O Gjergj Kastrjot, o
Prîs,
qi fatin kundërshtar
me pallë i a ndrron
Arbrís,
e almise e armë e luta
këndellë e sjell n'e
mbár
e i bân me qitun fryt:
ndër zemra e ndër lahuta
lavdue qoftë emni i Yt.
Kjo
pjesë e poezisë është një kërkesë ose një lutje për guximin dhe forcën e Gjergj
Kastriotit, i njohur si Skënderbeu, një figurë e shquar në historinë shqiptare
për luftën kundër pushtuesve.
"O
Gjergj Kastrjot, o Prîs, qi fatin kundërshtar" shpreh një thirrje për
Skënderbeun, duke e përshkruar atë si një kundërshtar të fatit, i cili qëndron
kundër pushtuesve dhe forcave armike, të cilat kërcënojnë lirinë dhe qenien e
një etnie.
"Me
pallë ia ndrron Arbrís": se Skënderbeu ndërton dhe ndryshon fatin e
Arbërisë, duke përfaqësuar një shpresë për të ardhmen e vendit. Himnizohet arma
e lirisë.
"E
almise e armë e luta/ këndellë e sjell n'e mbár" përshkruan se Skënderbeu
sjell drejtësinë dhe luftën kundër padrejtësisë dhe pushtuesve, duke shfaqur
një shembull të ndritshëm për të gjithë shqiptarët.
"E
i bân me qitun fryt:. ndër zemra e ndër lahuta. lavdue qoftë emni i Yt"
vargje që ligjërojnë për një ndjenjë lartësimi dhe lavdie për Skënderbeun, duke
e konsideruar atë si një hero kombëtar, i cili meriton respekt dhe admirim.
Emri i tij lavdërohet në zemrat dhe në lahutat (instrumente muzikore tradicionale
shqiptare), duke e bërë të njohur si një ndër figurat më të mëdha dhe
frymëzuese për shqiptarët.
7.
Me trok t'vrâçit zêmrak
trondit' luginat,
kur zbret natën prej
bjeshkve
e kalon dromit.
Ai qe pranë Abdyl
Frashërit
kur besa u lidh
n'Prizrend,
bri Gurakuqit qe, bri
Plakut t' Vlorës,
n'at dit' nandori
plot me gaz e shend
kur valaviti flàmuri
i lìr në kalthër
dhe krenarisht
n'an't'shiut e n'an'të borës
kumboi e bumbulloi emni
Shqipní.
Porositë
e Skënderbeut, të cilat u përcollën në përjetësi nga Barleti, janë një shembull
i frymëzimit dhe udhëzimit që ai i dha ndjekësve të tij, duke përfshirë
princërin e tij, bashkëluftëtarët dhe të gjithë ata që i shërbyen. Në këto
porosi, Skënderbeu u fokusua në disa vlera themelore që duhej të mbroheshin dhe
të nderoheshin:
Virtyti
dhe besimi i vërtetë: Skënderbeu thekson rëndësinë e të qenit i ndershëm, i
drejtë dhe i përkushtuar në rrugën e drejtë, duke shprehur kështu një vlerë të
lartë morale dhe etike. Dashuria dhe mbrojtja e atdheut: Skënderbeu i kujton të
gjithëve rëndësinë e dashurisë dhe përkushtimit ndaj atdheut, duke e bërë atë
një detyrë të shenjtë dhe të shenjtë për secilin qytetar.
Në
këtë periudhë, rilindësit shqiptarë shtronin një koncept të ri të identitetit
kombëtar, duke e promovuar idenë e një kombi të pavarur dhe të vetëdijshëm për
trashëgiminë e tij historike dhe kulturale.
Një
nga qëllimet kryesore të rilindësve ishte të rivendosnin krenarinë dhe ndjenjën
e vlerave të vjetra shqiptare në mesin e popullit. Ata promovuan idenë se kombi
shqiptar ka një histori të pasur dhe të lavdishme, duke përfshirë trashëgiminë
pellazgjike, si dëshmi e qytetërimit të lashtë shqiptar në Evropë. Kjo pjesë e
poezisë përshkruan një moment të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, ku
figura e Skënderbeut, si një simbol i lirisë dhe pavarësisë kombëtare, bën një
ndikim të thellë në popullin shqiptar.
KULTI
I HEROIT në letërsinë tonë nis me shkrimtarët humanistë arbërorë, Marin
Barletin, Marin Beçikemin, Martin Segonin etj. Që të tre këta autorë arbërorë
të epokës së Humanizimit e të Renesancës, kanë shkruar vepra për Epokën e
Gjergj Kastriotit Skënderbeut: Marin Barleti në ”Historinë e jetës dhe të
veprave të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut” (1508-10 në Romë) dhe “Rrethimi i
Shkodrës” (1504), Marin Beçikemi (1408-1531) shkroi ligjëratat me frymë të
kronikës, frymë letrare e humaniste për dy rrethimet e Shkodrës, kurse Martin
segoni, që ishte nga Noua Bërda e Dardanisë (Kosovës së sotme), është biografi
i parë i Skënderbeut. Mbi të gjitha, që nga Barleti e këndej, Skënderbeu është
hero nacional i shqiptarëve, ashtu sikundër konsiderohet edhe hero i Evropës
dhe i krishterimit. Kjo do të thotë që në kontekste të ndryshme kohore, modeli
i heroit bart shenjën e epokës përkatëse
Kujtimin
për Skënderbeun e ruajtën edhe arbëreshët e Italisë, nëpërmes këngëve të
folklorit dhe veprave letrare e historiografike.
Romantikët
Skënderbeun e trajtojnë si simbol kombëtar, si hero të zgjimit kombëtar dhe të
ideve të kohës, si personalitet, duke i marrë burimet edhe nga historia a Marin
Barleti, edhe nga poezia popullore. Nga ana tjetër, ai konceptohet si hero
tragjik romantik, sepse i tillë ishte fati historik i shqiptarëve. De Rada, në
poemat "Kangët e Milosaos", më 1836 dhe "Skënderbegu i
pafan", 1873, zbulon epokën e Skënderbeut, sipas patosit romantik të
koneptimit të heroit romantik, Gavril Dara i Riu në poemën "Kënga e
Sprasme e Balës", e cila botohet në 1906; Bernard Bilota (1843-1918)
shkruan poemën "Shpata e Skënderbeut..."; Kozma Serembe (1879-1938)
shkruan poemën me 20.000 vargje "Kënga e Krujës". Heroi romantik
konceptohet si hero i zgjimit kombëtar dhe i krenarisë për të kaluarën heroike.
Ky zgjim tash i përfshin edhe shqiptarët në trojet e tyre etnike. Kështu, Zef
Jubani shkruan librin "Histori e Gergj Kastriotit" 1871 (në dorëshkrim);
Zef Serembe shkruan poezinë "Vrull"; Naim Frashëri poemën historike
"Histori e Skënderbeut" 1898, ku Skënderbeu na shfaqet një
hero-mbinjeri, me veçori gjysmëhyjnore apo dhe si simbol i urtësisë dhe
pajtimit. Sami Frashëri traktatin "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është dhe ç'do
të bëhet", 1899, Ndre Mjeda poezinë "Vorri i Skanderbegut";
Filip Shiroka poezitë "Gjergj Kastriotit", "Te vorri' e
Skanderbegut", "Shqypja"; Andon Zako Çajupi me tragjedinë
"Burri i dheut"; Asdreni me "Këmbana e Krujës" 1937.
Te
kjo njësi strofke e Koliqit, ne lexojmë vetëdijen etnike për heroin në secilën
kohë. Në këtë rast, shtytja vjen edhe nga frymëzimi kolektiv i breznive të tëra
shqiptare për kaq e kaq shekuj: të mrekulluar nga figura shumëdimensionale e
Skënderbeut, këta breza e kanë krijuar kryeemrin e tyre historik; kryefigura e
Skënderbeut mbetet ”epiqendra e kryenaltësisë kombëtare shqiptare dhe
personaliteti qendror që bashkoi dhe vazhdon të bashkojë të gjithë shqiptarët,
brenda dhe jashtë Shqipërisë, pa dallim feje, krahine ose ideologjie politike.
"Me
trok t'vrâçit zêmrak trondit' luginat" - është një moment të fuqishëm dhe
të ndryshëm, ku ndjesitë dhe emocionet e Skënderbeut shkaktojnë një efekt të
fuqishëm në natyrën dhe mjedisin përreth, me rendjen drejt Atdheut.
"Kur
zbret natën prej bjeshkëve/ e kalon dromit" poeti e zë një moment të
pashmangshëm dhe të mistershëm, ku Skënderbeu shfaqet si një figurë e
mahnitshme dhe e lavdishme, e cila kalon nëpër rrugë të errëta dhe të vështira
për të arritur.
"Ai
qe pranë Abdyl Frashërit kur besa u lidh n'Prizrend, bri Gurakuqit qe, bri
Plakut t' Vlorës, n'at dit' nandori plot me gaz e shend" - janë momente të
rëndësishme dhe historike në jetën e Skënderbeut, duke përmendur ringjalljen e
tij me epoka e me figurat e rëndësishme të historisë shqiptare.
"Kur
valaviti flàmuri i lìr në kalthër / dhe krenarisht n'an't'shiut e n'an'të
borës/ kumboi e bumbulloi emni Shqipní" – është një tjetër moment i madh
dhe triumfal, ku flamuri i lirë i Shqipërisë shpaloset me krenari dhe lavdi në qiell,
duke simbolizuar lirinë dhe pavarësinë e vendit. Rilindësit e krijuan emrin
Shqipëri, duke ia dhënë atributet e kombkrijmit dhe shtetbërjes. Mendohet se emërtimi SHQIPE ishte i kohëve të
lashta dhe i ruajtur në FLAMURIN TRADICIONAL ilir-arbëror-shqiptar. Vetë
Konstandini i Madh e kishte këtë flamur, për të cilin thoshte se e kishte
trashëguar nga Pirroja. Shqipja dykrenore, është simbol antik, pra simbol i
lashtësisë dhe i trashëguar nga arbrit (Flamuri i përdorur nga Pirroja). ).
Mjafton të lexohet Fjalimi i Skënderbeut kur arrit në Krujë (nga Barleti, nga
Noli e nga gjithë historianët), ku nuk mban një Fjalim Fetar (sikur të kishte
qenë ashtu, atëherë Barleti prift do ta kishte shënuar me devotshmëri). Por, në
përfundim të Fjalimit përmendet së pari fjala FLAMUR e mandej vjen fjala
Perëndi: "Ngrehni pra flamurin përpara, dhe rrëfehuni burra si ngahera.
Perëndia, si gjer tani, ashtu edhe paskëtaj, do të na ndihmojë dhe do të na
nxjerrë faqebardhë. O Burrani!" (Përkthimi i Nolit).
Skënderbeu,
me një vetëdije të fortë autoktone-etnike, u ngrit mbi dallimet fetare. Vetë
Perandoria otomane kishte përbërje fetare të ndryshme (vasalët e krishterë
bizantinë e sllavë në kuadër të Perandorisë otomane, që luftonin kundër
Skënderbeut). Dihet se aleatët më të ngushtë të sulltanëve otomanë ishin krerët
e kishave greke e sllave, mbasi gëzonin privilegje e të drejta juridike,
financiare e fetare nga sulltanët. Skënderbeu ka luftuar edhe kundër ushtrive
të krishtera, në mbrojtje të interesave nacionale të Arbrit. (Të mos harrojmë:
nocionin NATIO, NACION, NACIONAL e përdor edhe Barleti te “Historia...” e tij,
kurse përkthimet shqip te “Historia...” jepen me termin që nisi të përdorej në
shek. XIX: komb).
Kjo
pjesë e poezisë e përqendron vëmendjen te roli dhe ndikimi i madh i Skënderbeut
në historinë dhe kulturën shqiptare, duke e bërë atë një figurë të paharruar
dhe të nderuar për shqiptarët.
8.
Hija fatmadh e, Hija
lavdiplote,
zhduket e kthen ndër
mote,
përtrihet e ringjallet
njeth' zêmrat', numron
vallet.
Paraqitet
një moment i mahnitshëm, lavdiplotë dhe i frymëzuar nga ndjenjat e lavdisë dhe
frymëzimit kombëtar. "Hija fatmadhe, Hija lavdiplote" shquan ndjenjën
e lartësimit dhe lavdisë, e cila shfaqet si një hije e madhe dhe e mahnitshme.
Rizgjimi i fuqive të brendshme në kthimin e heroit është një aspekt kyç i
zhvillimit të personazhit dhe të narratives arketipore. Ky proces paraqet një
fazë të rëndësishme të zhvillimit personal të heroit, duke e bërë atë të fitojë
një kuptim të thellë të vetvetes dhe të forcave të tij ose të saj.
"Zhduket e kthen ndër mote" - është një moment i përuljes dhe i të
mrekullueshmes, ku kjo hije e madhe dhe e lavdisë zhduket nga pamja e dukshme
dhe pastaj kthehet në një formë tjetër apo përmbajtje.
"Përtrihet
e ringjallet/ njeth' zêmrat', numron vallet"- imazh poetik që paraqet një
proces të ringjalljes dhe rinisjes, ku hija e madhe dhe e lavdisë përpiqet të
rilindë dhe të përhapet nëpër zemrat e njerëzve, duke i shtyrë ata të ndjehen
të lidhur dhe të përfshirë në një qëllim të përbashkët. Numërimi i valleve
sugjeron një lëvizje dhe një ritëm të ri për të ardhmen.
9.
Kjo
pjesë e poezisë përshkruan një ndjenjë të thellë të frymëzimit dhe lavdisë,
duke sjellë një mesazh të fuqishëm për unitetin dhe përgjegjësinë kombëtare për
të krijuar një të ardhme më të mirë për popullin.
Kur kombi bje
n'humbnerë,
kur vuen polêmi i mjerë,
kur shkelen doke e
lterë,
kur enden kobet varg,
Ai nuk âsht larg.
Kjo
pjesë e poezisë paraqet një situatë të vështirë dhe të mjerueshme për kombin,
kur ai përjeton humbje, përçarje dhe vuajtje. "Kur kombi bje
n'humbnerë" jep një moment të humbjes së orientimit ose të identitetit për
popullin, kur ata ndihen të zbrazët ose të izoluar nga vlerat dhe qëllimet e
tyre të përbashkëta.
"Kur
vuen polêmi i mjerë" - një kohë të tensionuar dhe të ndarë, kur ka
konflikte dhe përçarje në mes të njerëzve.
"Kur
shkelen doke e lterë" përshkruan një moment të padrejtësisë dhe të
mohuarit të vlerave, kur njerëzit vazhdimisht përballen me zullume dhe
padrejtësi.
"Kur
enden kobet varg" përshkruan një kohë të mjerueshme dhe të vështirë, kur
njerëzit përballen me pengesa dhe sfida të mëdha në rrugën e tyre drejt lirisë
dhe përparimit.
"Ai
nuk âsht larg" përfundon pjesën me një mesazh të fuqishëm për praninë dhe
mbështetjen e vazhdueshme të Skënderbeut në kohërat më të vështira për kombin.
Kjo shpreh një ndjenjë të besimit dhe të shpresës se në momentet e vështira,
krenaria dhe forca e Skënderbeut vazhdojnë të jenë një burim frymëzimi dhe
mbështetje për popullin.
Mblidhni copat e thyeme
të shtizave,
ndeni leckat e shkyeme
të flamujve:
n'qe se vllaznija
n'zêmra
flakon me hove t'reja,
e Besa, hyll i kombit,
n'bashkimin t'on'
shkelqen,
Ai kthen.
Për
Skënderbeun, braktisja e fesë së dhunshme dhe rikthimi në fenë e krishterë,
shënon një moment kthimi në identitetin e tij, duke e bërë atë një prijës të
rezistencës kundër pushtuesve otomanë dhe një simbol të krenarisë kombëtare për
popullin shqiptar ndër shekuj. Kjo vendosmëri dhe ky kthim arketipor në vlerat
e tij origjinale, përbën një shembull frymëzues për të gjithë ata që janë në
kërkim të lirisë dhe dinjitetit njerëzor.
Nëpërmjet
veprave të tij, Skënderbeu dëshmoi se është e mundur të përballen sfidat dhe të
luftohet për të drejtat dhe lirinë e tërësisë së një kombi, duke e treguar se
vlerat dhe dinjiteti njerëzor janë më të rëndësishme se interesat personale apo
politike. Trashëgimia e tij, prandaj, mbetet një frymëzim për brezat e ardhshëm
dhe një shënim i rëndësishëm për historinë dhe identitetin e popullit shqiptar.
Mbrojtja
e shtetit dhe të popullit: Skënderbeu e dëshiron të gjithëve të angazhohen për
mbrojtjen dhe shpëtimin e shtetit dhe të popullit, duke shprehur nevojën për të
qenë të gatshëm të sakrifikohen për këtë qëllim. Këto porosi tregojnë për një
prijës të matur dhe të përkushtuar ndaj popullit të tij dhe të idealit të
lirisë së kombit. Ata reflektojnë një moral të lartë dhe një qëndrim të
palëkundur ndaj vlerave dhe bindjeve të tij.
Arbën
Xhaferi thotë se Skënderbeu u kthye në atdhe me VULLNET TË LIRË, mbasi
"ishte marrë me dhunë e me dhunë u bë jeniçer... gjeneratori i moralit të
tij të lartë ishte qytetërimi perëndimor. Prandaj, me plot gojë mund të themi
se roli i tij historik ishte i madh, dhe vendimtar, jo vetëm pse ai u bë atlet
i Krishtit, por te fakti pse ai nuk u bë atlet i sulltanit. Po ta Kishte
zgjedhur rolin e dytë, historia e Evropës do të ishte krejtësisht
ndryshe."
ATLETI
mund Jeniçerin. Atleti u bekua nga historia, kurse jeniçeri nuk prodhoi
histori...
ATLET
nuk është emërtim as shtetëror, as civil e as shoqëror a kombëtar (Vatikani
ishte qendër fetare e civilizimit evropian e jo shtet a principatë mbretëri si
të tjerat... titulli ishte një shenjë e atij civilizimi, këtu qëndron
moskuptimi). Te e fundit, Gjergji u ka shkuar në vizitë dhe ka pasur
marrëdhëniet më të ngushta nga katër papët e kohës (ky është realiteti historik
dhe ky fakt historik nuk ka se si të ndryshohet, ashtu sikundër nuk mund të
ndryshohet fakti që islamizimi i shqiptarëve është realitet historik e kjo nuk
i ka bërë më pak shqiptarë a më pak kastriotianë... dhe kam bindjen: nuk i ka
bërë më pak europerëndimorë).
Shtetet
tjera perëndimore Skënderbeun e shndërruan në HERO MITIK (pra nuk e shndërruan
në figurë fetare, se krishterimi nuk shpall hero fetar... kurse sintagma
"Atlet i Krishtit" ishte identifikim me Evropën, dhe sot ajo është
KAPËRCYER historikisht, por Skënderbeu mbeti se mbeti SIMBOL I IDENTITETIT
EVROPIAN TË SHQIPTARËVE).
Por
të merresh me DIMENSIONIN BOTËROR të kësaj figure (pak kemi shqiptarë me
dimension botëror), nuk e ngushton rëndësinë e tij, por e pasuron botërisht dhe
e shton krenarinë tonë.
Rilindja
Kombëtare Shqiptare e shek XIX është kthimi i parë, modern, kah Evropa
Perëndimore e në Evropën perëndimore. Po këta rilindës thoshin se kombi ynë
është ndër më të vjetrit në Evropë e në botë. Kulti i vjetërisë, si ai
pellazgjik, përmendej nga rilindësit si dëshmi e ekzistencës së qytetërimit
tonë në Evropë.
Kur
këndoi Naimi:
"Krujë,
o qytet i bekuar...",
aty
ai bëri pagëzimin e ri historik të shqiptarëve...
Naimi
me Pashko Vasën themeluan formulën shqiptare për shqiptarinë dhe për
Shqipërinë. Vargu naimian "Krujë, o qytet i bekuar..." e Naim
Frashërit është një shprehje e thellë e ndjenjës kombëtare dhe një lloj
pagëzimi historik për qytetin e Krujës dhe për popullin shqiptar. Kjo poezi u
bë një pjesë e rëndësishme e rilindjes kombëtare shqiptare, duke sjellë një
ndjenjë të fortë të krenarisë dhe identitetit kombëtar.
Bashkë
me Pashko Vasa, Naim Frashëri ka luajtur një rol të rëndësishëm në formulimin e
identitetit shqiptar dhe në promovimin e ndërgjegjësimit kombëtar. Ata dy së
bashku kontribuan në ndërtimin e një vizioni për të ardhmen e Shqipërisë dhe në
forcimin e ndjenjës së identitetit kombëtar në mesin e shqiptarëve. Në këtë
proces, rilindësit shqiptarë, përfshirë Naim Frashërin dhe Pashko Vasën,
theksuan vlerat dhe trashëgiminë e lashtë shqiptare, duke përmendur kultin e
vjetërisë, si ai pellazgjik, si një dëshmi e ekzistencës së qytetërimit
shqiptar në Evropë. Kjo përshkrim i identitetit dhe trashëgimisë së lashtë
shqiptare u bë një pjesë e rëndësishme e procesit të rivendosjes së vetëdijes
kombëtare dhe të forcimit të ndjenjës së bashkësisë kombëtare në mesin e
shqiptarëve në periudhën e rilindjes kombëtare.
Fjalia
proverbiale e Naimit “Jak’o dit’e uruar/ Që lind nga perëndon”, ishte kryefjala
e Rilindjes sonë Kombëtare. Është Formula e Rilidhjes me qytetërimin
perëndimor.
Rilindja
Kombëtare Shqiptare e shek XIX është Kthimi i Parë modern, pas sa shekujsh
robërie, kah Evropa Perëndimore e në Evropën perëndimore.
Ata
e shikonin Turqinë si vend që sjell mbrapambetje, shkatërrim e vdekje. Prandaj
shpëtimin e shikonin me sy kah Evropa Perëndimore.
Ishte
një përballje dramatike me orientin, ky Rikthim i Madh kah Perëndimi. Nuk është
e habitshme përse në shkrimet e tyre iluministe gjejmë ndeshjet e dritës me
errësirën, e progresit modern me regresin historik oriental, kurse pushtimi
shumëshekullor otoman, karakterizohej nga rilindësit tanë si kohë e rënies dhe
e shkatërrimit të Shqipërisë e jo e ngritjes.Ky rikthim modern, përbënte
rikthimin në identitet.
Për
shumë rilindës shqiptarë, Turqia u shihej si një forcë që kishte sjellë
mbrapambetje dhe shkatërrim për popullin shqiptar. Prandaj, shpëtimi dhe
zhvillimi i ardhshëm i Shqipërisë shikohej me shpresë dhe aspirata drejt
Evropës Perëndimore.
Edhe
vargu akceptues i Koliqit ”ai kthen”, i jep zë këtij kthimi kastriotian nëpër
epoka.
10.
Titulli
i poezisë "Ai kthen" mund të interpretohet në kontekstin e historisë
dhe identitetit kombëtar shqiptar. "Ai" mund të referohet për
Skënderbeun si një figurë që përfaqëson kthimin e identitetit dhe vetëdijes
kombëtare në historinë shqiptare.
Në
këtë kontekst, titulli dhe refreni “ai kthen”, simbolizon ndjenjën e kthimit të
një figurë heroike si Skënderbeu në kujtesën dhe vlerat e popullit shqiptar. Ai
kthen shpresën, krenarinë dhe rezistencën ndaj pushtuesve të huaj dhe
përfaqëson një simbol të rëndësishëm të pavarësisë dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve.
Përmasat e kthimit të përhershëm gjatë historisë reflektojnë idenë e
vazhdimësisë së lavdisë së tij në kohën dhe kujtesën kolektive të shqiptarëve.
Kthimi
i heroit nga një situatë në një tjetër, siç është rasti i Skënderbeut,
përfaqëson një transformim thelbësor në identitetin dhe në vlerat nacionale,
Kur një njeri braktis një status që e kufizonte apo e përbuzte, si në rastin e
braktisjes së rehatinë sulltanore apo fenë e dhunshme, dhe merr vendimin për të
luftuar kundër pushtuesve për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tij, kjo është
një shenjë e vendosmërisë dhe vendosjes së vlerave njerëzore dhe kombëtare mbi
interesat personale dhe politike.
Në
jetën tonë, shpeshherë përjetojmë një udhëtim të fshehtë, të brendshëm, që
ndërthur emocione, refleksione dhe rikthime në origjinat tona. Ky udhëtim është
ai i "kthimit në shtëpi", një rrugëtim që na sjell pranë identitetit
tonë, rrënjëve tona dhe thellësisë së vërtetë të vetvetes.
Kthimi
në shtëpi nuk është thjesht një rrugëtim fizik drejt vendit të lindjes sonë,
por është një udhëtim i brendshëm që shndërrohet në një përvojë shpirtërore dhe
emocionale. Pavarësisht nga vendi ku jetojmë, nga aventurat tona dhe nga
përvojat e reja, ka një thellësi thelbesore që na thërret për t’iu kthyer në
origjinat tona. Ky nuk është vetëm një kthim në një vend të caktuar, por një
kthim në qetësinë e brendshme, në kuptimin e jetës sonë dhe në lidhjen tonë me
të kaluarën dhe të ardhmen tonë.
Kthimi
është një moment reflektimi dhe ringjalljeje, ku gjejmë forca të reja për të
vazhduar rrugën tonë. Është një rikthim në burimin tonë, në vlerat dhe traditat
që na formuan dhe na bënë atë që jemi. Nëpërmjet këtij udhëtimi, ne bëhemi të
vetëdijshëm për thelbin tonë njerëzor dhe për ndjenjën e përbashkët që na lidh
me të tjerët dhe me botën rreth nesh.
Është
një moment i lumturisë dhe ngrohtësisë ky kthim, ku njerëzit ndiejnë një
ndjenjë të thellë të përkushtimit dhe përqafimi.
Megjithatë,
kthimi në atdhe nuk është gjithmonë një përvojë e lehtë...
Ky
kthim është një udhëtim i vazhdueshëm dhe i pasur me kuptime të ndryshme për
secilin prej nesh. Ai na ndihmon t’i kuptojmë vlerat tona, lidhjet tona dhe
qëllimin tonë në këtë botë. Kjo përvojë na shërben si një udhëtimi i përhershëm
i rritjes dhe zhvillimit personal dhe shpirtëror.
(6 maj 2024)
------------------
Ernest KOLIQI
AI
KTHEN
Oggi
Scanderbeg ritorna...
CASSIANI
Ai
ishte larg.
Shi
lotsh e breshen kobesh
mjerojshin
gjinden t'onë,
gjuejtun
prej fatit me rrufé të kuqe.
Nën
diell,
qi,
pa i përfill,
n'daç
vuejtje ndrit' n'daç gzime,
mbi
shpirtën shtrihej nata,
natë
e vajshme shnjerzimi plot gjimine
pa
jehonë -
n'kët
tokën t'onë..
Vrugue
ai balli i burrave,
cenue
nderi i burrneshave,
njomet
e dheut sý-ndrituna
me
qumsht' fisnik e hire t'pastra rritë
kah
harêmi i Sulltanave -
flîje
nepsesh ushtrue me dhunë e tmerë. -
ngreheshin
zharg.
Djelmt,
pika e Arbrit, pêng ndër Jeniçerë.
E
Ai ishte larg.
Paleh!
Ke brezi i qiellit
nji
shêj i bardh' po lvitë
sipër
shkambijve eprorë,
e
bashk' me rreze t'Dritës
ndër
àvuj mengjesorë
mbi
vrâç kik-valavitës,
në
prak ku lén Agimi
pallën
e çveshun n'dorë,
shfaqet
i rrebt' Kryetrimi
me
t'rrebt' treqind Kalorë.
N'
majen e pall's shkëndija
qet
porsi diell Lirija.
O
Gjergj Kastrjot, o Prîs,
qi
fatin kundërshtar
me
pallë i a ndrron Arbrís,
e
almise e armë e luta
këndellë
e sjell n'e mbár
e
i bân me qitun fryt:
ndër
zemra e ndër lahuta
lavdue
qoftë emni i Yt.
Me
trok t'vrâçit zêmrak
trondit'
luginat,
kur
zbret natën prej bjeshkve
e
kalon dromit.
Ai
qe pranë Abdyl Frashërit
kur
besa u lidh n'Prizrend,
bri
Gurakuqit qe, bri Plakut t' Vlorës,
n'at
dit' nandori
plot
me gaz e shend
kur
valaviti flàmuri
i
lìr në kalthër
dhe
krenarisht n'an't'shiut e n'an'të borës
kumboi
e bumbulloi emni Shqipní.
Hija
fatmadhe, Hija lavdiplote,
zhduket
e kthen ndër mote,
përtrihet
e ringjallet
njeth'
zêmrat', numron vallet.
Kur
kombi bje n'humbnerë,
kur
vuen polêmi i mjerë,
kur
shkelen doke e lterë,
kur
enden kobet varg,
Ai
nuk âsht larg.
Mblidhni
copat e thyeme
të
shtizave,
ndeni
leckat e shkyeme
të
flamujve:
n'qe
se vllaznija n'zêmra
flakon
me hove t'reja,
e
Besa, hyll i kombit,
n'bashkimin
t'on' shkelqen,
Ai
kthen.
Prill 1968