| E marte, 30.04.2024, 07:52 PM |
MAQEDONIA NGA LASHTËSIA NË DITËT TONA E JUSUF BUXHOVIT*
Nga
Romeo Gurakuqi
Randësia
e këtij aktivteti promovues ka të bëjnë me personalitetin e autorit, me vepren
konkrete që sot po e promovojmë në Tiranë, temën mjaft të rëndësishme të marrë
në shqyrtim, shtrirjen kohore të studimit, përgjithshmërinë e subjektit të saj
dhe faktin që është ndër punët e përkthyera në gjuhën angleze, një prej
“vuajtjeve” më të mëdha që ka historiografia jonë, krahas defekteve të metodës
së kërkimit, çlirimit nga dogmat dhe pasionet, njohjes së mangët të arritjeve
të historiografisë perëndimore dhe të vendeve fqinje ballkanike, për shkak të
izolimit tonë të mjeruar në diktaturë dhe nënvleftësimit me varfëri të shkollës
së studimeve historike në tranzicion.
Autori
i librit, profesor Buxhovi, është para së gjithash një intelektual, gazetar dhe
aktivist politik, pjesë se strukturës më rilindase dhe më pro europiane që ka
nxjerrë bota shqiptare e 40 vitet e fundit, e drejtuar nga shtetari i
mirëfilltë shqiptar, Doktor Ibrahim Rugova;
Në
karrierën e tij të gjatë si studiues Profesor Buxhovi ka arritur të shkruajë
vepra kapitale për Historinë e shqiptarëve në Ballkan, dhe ato punime janë
shkruar në liri, janë të “çliruara” nga skemat e ngurta që u janë ofruar dhe
vazhdojnë t’u ofrohen, për fat të keq edhe sot e kësaj dite, publikut në dy
anët e kufirit, mes dy shteteve shqiptare në Ballkan, ndër institucionet
universitare.
Ajo
që duhet të them është se veprat gjeneraliste mbi Kosovën dhe kjo mbi
Maqedoninë, nuk mund të shkruhen pa një njohje jetësore të arritjeve
historiografike të vendeve fqinje me ne, dhe posaçërisht në historiografisë
jugosllave dhe serbe.
“Maqedonia
nga lashtësia në ditët tona” është një shkrim i historisë maqedonase i bërë i
mundur të realizohet për shkak të një studimi të përmanent, 20 vjeçarë dhe
skedimi sistematik të çdo studimi të shkruar deri më sot për Maqedoninë, ose
për vendet e tjera të Ballkanit, që lidhen me fokusin e studimit.
Është
shkruar jo për shkak të një projekti zyrtar me afate, me linja të përcaktuara
ideologjike dhe teza të dhëna gati nga “mbikqyrësit” dhe “koordinatorët” e
akademive politike.
Asnjë
krijim i mirëfilltë shkencor dhe i referueshëm ndërkombëtarisht nuk mund të
shkruhet me urdhër dhe me afate, siç ndodh ende në vendin tonë, “Republikën e
Çudirave”, por për shkak të misionit personal të autorit si shkencëtar dhe
atdhetar europianist.
Ky
liber është shkruar me saktësi shkencore, korrektesë akademike dhe ban dallim
nga përpjekjet që bëhen sot në Shqipëri nga institucionet e ngarkuara, që
përpiqen të shkruajnë vepra gjeneraliste përmes copëtimeve të autorësisë, duke
humbur boshtin dhe rrënuar ekspertizën, duke shkelur standardet e etikës dhe
korrektesës së studiuesve, deri edhe duke mos cituar, përvetësuar teza, etj...
Ajo
çfarë vuan aktualisht bota shqiptare është mungesa e përkthimeve të veprave mbi
historinë tonë në anglisht, ndërkohë që professor Buxhovi ia ka dalë ta
plotësojë këtë hapësirë të lënë bosh nga të gjitha institucionet shqiptare në
dy shtetet, për studiuesit ndërkombëtarë, të cilët deri më tash kanë si version
të ofruar përgjithësisht, studimet e autorëve të vendeve fqinje, por jo të
autorëve shqiptarë. Dhe këtë boshllëk të veprave të autorëve shqiptarë të fushës
së historisë ne e konstatojmë sa herë që punojmë në bibliotekat perëndimore dhe
kjo mangësi nuk duhet të mbetët kështu edhe më gjatë. Korigjimet në këtë
drejtim do të duhet të fillojmë që nga shkolla e përgatitjes së historianëve,
që fakteqësisht është në mjerim, në formalizëm, mbyllje hapësirash për
konkurencën dhe zaptim anti-akademik.
Libri
që kemi ardhur sot të promovojnë i kushtohet Maqedonisë, pikërisht asaj pjesë
gjeografike të Ballkanit qendër jugor, ku nga antikiteti janë takuar “pllakat”
kryesore etnike të rajonit, kulturat, religjionet dhe ku çështja e identitetit,
përkatesisë është më së shumti e diskutueshme në historiografi dhe në politikë,
deri në ditët tona.
Nga
ana tjetër, në bashkëkohësi ky rajon është vendosur në qendër të vëmendjes për
shkak të arsyeve gjeopolitike dhe ekspansonit propagandistik të tre shteteve
ballkanike, që të errësuar nga nacionalizmi dhe fanatizmi, janë munduar të
shtrembërojnë të vertetën mbi përkatësitë, rrjedhat historike, religjionet,
kishat dhe në rastin e kombit tonë, edhe të vertetën mbi shtrirjen e popullit
shqiptar në trevat e veta lindore dhe verilindore, kanë mohuar edhe të drejtat
e popullit sllavo-maqedonas, minoriteteve që banojnë në ato anë, përfshirë edhe
komunitetin katolik shqiptar në Shkup, bashkësinë e Nanës Terezë, që sot
rezulton i zhdukur në heshtje me kontributin e të gjithëve, edhe të shqiptarëve
atje.
Ndërkohë,
sllavo maqedonasit, nga ana e tyre, në përpjekjen e ligjshme, do të thoja, për
rifmormësimin identitar të veçantë në raport me bullgarët dhe serbët, kanë
tejkaluar më pas “tagret e të drejtës të dhëna nga Hyu”, duke lëshuar goditjet
e tyre ndaj popullit shqiptar në “Iliridë”, kanë nxitur deri vonë shtrembërimet
identitare etj.. Po ashtu, politikanët tranzicionistë të këtij vendi deri para
Marrëveshjeve demokratizuese të Republikes së Maqedonisë së Veriut, janë
munduar të krijojnë një Republikë Maqedonase të vetën, për shumicën sllave,
ngjashëm me atë që krijoi Tito në vitin 1945 për nevojat zvogëlimit të ndikimit
të Serbisë në Federatën Jugosllave, duke vijuar për gati një dekadë në vitet
1990’, të mohojnë të drejtat e popullsisë shqiptare, duke injoruar faktin se
qënia e Dibres, Tetovës, Gostivarit, Shkupit, Strugës, etj., ndër ato anë,
është produkt i dy procesve: (A) i copëtimit të trevave shqiptare në vitin 1913
dhe 1919-21, rikonfirmit në vitin 1945 të kësaj ndarjeje të padrejtë historike;
(B) si edhe i politikave denacionalizuese, kolonizuese dhe zhbimëse në
pikëpamje identitare të ndjekura në Serbi para LIB, dhe në Jugosllavitë e pas
LIB dhe pas LDB.
Për
t’u kthyer në mënyrë të fokusuar tek libri ynë: “Maqedonia nga lashtësia në
ditët tona”: është përspektiva e një shkrimtari illuminist shqiptar për
Maqedoninë kuptuar shumë më gjërësisht se Republika e Sotme e Maqedonisë së
Veriut; është përmbledhja e dijes së tij, arritur gjatë studimit permanent,
kërkimit të vazhdueshëm arkivor dhe faktit që ai ka jetuar, në një Jugosllavi,
një shtet, që për hirë të së vertetës, ka qenë më i emancipuar, më i përparuar
dhe më i qytetarizuar se sa ishte Shqipëria e mbyllur dhe e dhunuar e Enver
Hoxhës, Ramiz Alisë dhe ministrave të tyre pashpirtë të arsimit dhe shkencës;
Studimi
i mikut dhe profesorit tonë është produkt i faktit që shkollat e përgatitjes së
historianit e studiuesit të shkencave humane në hapësirën e Jugosllavisë, ku
përfshihej Prishtina e Shkupi, kanë qenë shumë më të mira, krejtësisht të
konsoliduara, më pak të ideologjizuara se në Shqipëri, vende me biblioteka
shumë të pasura, me mundësi të mobilitetit akademik të shkëlqyeshme dhe një
mbështetje financiare për intelektualët të ngjashme me atë që vendet
perëndimore ofronin.
Edhe
këto ditë kam ndej duke menduar: A mund të shkruhej një libër i tillë në
Shqipëri?
Profesor
i nderuar, keni ardhur ndër ne këto kohë, ndër të tjera për të na kujtuar shumë
gjëra, por mbi të gjitha, se ku ndodhemi.
Ky
libër mund të shkruhej nga studiues shqiptarë jashtë Shqipërie që ia kanë
kushtuar jetën e tyre shkencës, por nuk mund të shkruhej në Shqipërinë e
mbyllur dhe sot të hapur, por pa një bosht;
nuk
mund të shkruhej në qoftë se një jetë nuk je marrë me studim, konspektim,
skedim, pa u ndërprerë me ecjen ndër disa punë të tjera paralele që skanë
lidhje me shkencën;
ky
liber nuk mund të shkruhej pa njohjen tuaj të gjuhëve sllave, latinishtes dhe
greqishtës së vjetër dhe gjuhëve perëndimore;
nuk
mund të shkruhej në një vend ku nuk ka biblioteka që furnizohen përditë me
libra;
ky
liber nuk mund të shkruhej në qoftë se nuk ekziston një formësim metodologjik
dhe filozofik prej historiani të mirëfilltë.
Historia
e Maqedonisë e autorit Buxhovi në fakt ilustron marrëdhënien e ndërlikuar
ndërmjet identitetit etnik, gjuhës dhe pavarësisë kombëtare.
Duke
u mbështetur mbi të dhëna sporadike historike, gjeografike, kulturore ose
gjuhësore, Serbia, Greqia dhe Bullgaria shpesh kanë avancuar pretendime ndaj
Maqedonisë në aspektin e territorit dhe përkatësisë etnike me popullsinë, duke
e injoruar situacionin konkret bashkëkohor, rrjedhat e ndërlikuara të 2000
viteve histori ndër këto anë dhe faktin se qenia e këtij territori nën
perandorinë otomane deri në fillim të shekulllit XX, kishte ndryshuar dhe
ndërlikuar gjithshka në pikëpamje të etniciteve dhe religjioneve
Si
lektor i Historisë së Ballkanit për më shumë se 32 vite ndër të parat
përgatitje të detajuara që më asht dashur të bëj, kur fillova punën, ndërkohë
që regjimi po binte, ka qenë historia moderne dhe bashkëkohore e Maqedonisë dhe
me udhëzimin e profesorit tim, Thoma Murzaku, jam adresuar ne Bibliotekën
Kombëtare për të gjetur librat e historisë zyrtare maqedonase në gjuhën shqipe.
Ajo
çfarë kam kuptuar nga tekstet zyrtare të këtij vendi është se Shkupi zyrtar i
përiudhës së Jugosllavisë Dytë kishte investuar në mënyrë strategjike dhe të
jashtëzakonshme për krijimin e një Historie Zyrtare të Maqedonisë, për hartimin,
nga “konglomerati dhe mishmashi i qendrës së Ballkanit”, një Histori Kombëtare
Sllavo-Maqedonase, krijimin e një identiteti të posaçëm sllavo-maqedonas, në
mbrojtjen e përsosur të drejtave politike dhe kulturore për vete, të Republikës
së vogël dhe të brishtë të Jugosllavisë.
Në
qoftë se sot shkon në Arkivin e Maqedonise, atje do gjesh të arshivuar, kopjet
e dokumentacioneve që zotërojnë arkivat e më të rëndësishëm ndërkombëtare, çdo
dokument që ka të bëjnë me emrin MAQEDONI. Dhe këtë ata studiues zyrtarë e kanë
berë shumë kohë para se studiuesit shqiptarë të Shqipërisë të mbërrinin me hap
dritaret e tyre të vogla dhe gjysmake, në arkivat e Stambollit, të Venedikut,
Raguzës, Romës etj..
Pse
ka ndodhur një gjë të tillë? Shtetarët e Maqedonisë së djeshme nën Jugosllavi e
kanë pasur të qartë se përkatësia etnike e maqedonasve ishte dhe është ende
shumë e diskutueshme.
Më
ka bërë përshtypje të posaçme fakti se si nga një kryengritje e reduktuar në
kohë dhe hapësirë, si ajo e Ilindenit dhe Republika e Krushevës që e pason, nga
studiuesit zytare të atij vendi është ngritur një “Kështjellë” e Rilindjes së
tyre, e Nacionalizmit e Patriotizmit Maqedonas, që edhe sot ka reflekse në
politikë dhe në mbruajtjen dhe përforcimin e tyre identitar. Normalisht
historia e nacionit sllavo maqedonas ka qenë e vështirë mbasi bëhet fjalë për
një popullsi të shpërndarë në veri dhe në jug të atij rajoni, që ka pësuar edhe
shtypje, edhe zhbimje, deri edhe pas LDB, siç është rasti i shpërnguljes
massive nga Maqedonia greke të forcave partizane slave të kësaj kohe. Për
rrjedhojë rikompaktësimi dhe mbrojtja në këtë pjesë, krijimi i republikës dhe
shtetit, ka qenë një angazhim i jashtëzakonshëm i tyre dhe unë mendoj se ata ia
kanë dalë, falë unitetit kulturorë, religjioz dhe gjuhësor dhe sot edhe falë
kuptimit që njohja e realitetit dhe e të drejtave të popullit shqiptar atje,
është kusht themelor i ekzistencës, paqes dhe europianizimit në këtë anë.
Për
këto arsye dhe të tjera që do përmend më poshtë, sipërmarrja e Buxhovit në fakt
nuk ka qenë e lehtë mbasi caktimi i Maqedonisë në një Kombësi Ballkanike është
edhe sot i komplikuar, sepse ishte një rajon me etni të përzier.
Deri
vonë nuk ka pasur regjistrime të besueshme; Hartat e disponueshme kanë qenë
kontradiktore.
Bullgarët
edhe sot pohojnë se maqedonasit janë bullgarë dhe ata flasin një dialekt sllav
shumë të ngjashëm me bullgarishtja.
Serbët
pretendonin se ishin serbë sepse kishin zakone popullore si ato të Serbisë.
Grekët,
te fiksuar në nocionet antike dhe në ndërlidhjet gjeografike kanë vënë përherë
në dukje mbizotërimin e kishave ortodokse greke dhe praninë e grekëve në zonë
që nga koha e Aleksandrit të Madh dhe argumentojnë me forcë se fshatarët e
Maqedonisë ishin grekë sllavishtfolës.
Libri
i professor Buxhovit mbi Maqedoninë, sipas meje, ka veçorinë, është një histori
gjenerale e këtij vendi kuptuar në përmasë të plotë, (me përjashtim të
historisë bashkëkohorë të Maqedonisë së Jugut) i shkruar pa ngarkesat
nacionaliste të përmendura më sipër, jashtë komplekseve të shkrimit të tezave
të paracaktuara për arsye politike dhe nevojave të mbijetesave shtetërore.
Ai
është një libër i cili nuk injoron asnjë komponent etnik dhe kulturorë në dy
mije vite histori të kësaj ane të ballkanit, por ndjek të vërtetën përmes
shqyrtimit të rezultateve kërkimore të autorëve seriozë. Para së gjithash ky
liber ndjek faktorin iliro-dardan, arbnor dhe shqiptar në këto anë.
Ndryshe
nga mënyra e studimit dhe e shkrimit të deritashëm të historive nacionale
ballkanike, autori e ka shkruar historine e Maqedonisë, ashtu siç duhet, të pashkëputur
nga historia rajonale e popujve të tjerë me të cilët maqedonasit kanë ndarë të
njëjtin fat, brenda perandorive dhe brenda rrjedhave të historisë së
marrëdhenieve ndërkombëtare.
Në
këtë libër ne kemi Historinë e Maqedonisë nga koha e Ilirisë dhe Romës,
Bizantit, Mbretërise Bullgare dhe Serbe, Perandorisë Osmane. Gjejmë të
trajtuara raportet mes Fuqive të Mëdha me perandorinë e sipërpërmendur otomane,
dekadencën e kësaj perandorie në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit
XX, Gjenezën e Çështjes Lindore në tërësi dhe të krizave që kulmuan here pas
here për shkak të kësaj çështjeje të pazgjidhur të Lindjes, për Europen, që
kishte të bënte me emancipimin e popujve të robëruar ballkanikë nga PO dhe
shpërbërjen e saj; përpjekjet e Fuqive të Mëdha për Reforma, etj.
Shumë
interesante paraqitet historia e LDB dhe e Jugosllavisë së Dytë, Përiudha e
viteve 1981-1991, e pavarësisë së Maqedonisë dhe e krizës së vitit 2001.
Pra,
e thënë më qartë, kemi të bëjmë një studim kompleks, të gjithanshëm të atij entiteti
historiko- gjeografik, parë në kuadrin e historisë së Europës Juglindore,
marrëdhenieve ndërkombëtare të kohës dhe shteteve ku ai territor dhe popullsitë
e kësaj ane, kanë bërë pjesë, duke përfshirë, Jugosllavinë e Parë në përiudhën
mes dy luftrave botërore dhe Jugoslavinë e Dytë, deri ditën kur pjesa veriore e
Maqedonisë u mevëtësua si republikë e pavarur, shtet që prirej dhe priret edhe
sot të europianizohet.
Duke
qenë se si pjesën e Rilindjes maqedonase dhe shqiptare, ashtu edhe pjesën e
Bashkëkohësisë, më ka takuar t’i studio, verëj se autori ecën në rrugë të
ndryshme nga historiografia shqiptare, që ende është peng i fshirësve të të
vertetave dhe atyre që duan të kalojnë kohën kot.
Për
të kanë rënë me kohë shabllonet e histriografisë komuniste; njeh krejt mirë
realitetin e kesaj periudhe dhe për pjesën bashkëkohore, saktësisht pas rënies
së Murit të Berlinit.
Buxhovi
mund të themi se ecën në një rrugë krejtësisht të veten të rishkrimit si
historian dhe si deshmitar i procesve në tërësi në Kosovë, Maqedoni e
Jugosllavi, i çliruar nga komplekset dhe ngarkesat politike dhe duke i qendruar
besnik profesionit të historianit serioz, që nuk ngurron të thotë edhe të
verteta, që të paditurve e të fanatizuarve nuk u pëlqejnë.
Në
qoftë versionet e historisë zyrtare të Maqedonisë janë përpjekje për të
themeluaar një histori nacionale nga interesa të veçanta të atij shteti, të
trashëguar nga Jugosllavia e Dytë, libri professor Buxhovit është histori e
Maqedonisë që nuk ecen në kahun e fshirjes së identiteteve të tjera në atë
territor kaq të përzier; është një histori që nuk len në heshtje interesat e
popullit shqiptar, rolin e tij si faktor paqësor shtetformues ndër këto anë.
Jusuf
Buxhovi është prej historianëve shqiptarë që ia ka dale të kryejë procesin e
Rishkrimit të Historisë së trojeve shqiptare në formë gjenerale, që zakonisht e
bëjne institutet. Por ai e ka bërë një gjë të tillë, i vetëm, i çliruar nga
dogmat që vazhdojnë të rëndojnë mbi ne në Tiranë dhe që mbajnë lidhur në një
fare mënyrë, për një mijë arsye edhe institucionet historishkruese kosovare.
Një
histori e Maqedonise ne versionin qe shqiptaret atje duhet ta dijne dhe të
krenohen që janë pjesë e saj, mbase për shkak të padrejtësisë së historisë, që
i shkëputi nga shteti amë.
Një
histori që mban nalt flamurin e Ilirisë, Dardanisë dhe Arbnisë, Rilindjes dhe
te drejtave te shqiptareve, pa shkelur të drejtat e të tjerëvë dhe mbi të
gjitha duke respektuar të vertetën, historinë dhe kompleksiteti e kësaj të
vertëtë në rastin e kësaj hapësire ballkanike
Ju
faleminderit!
*(Kumtesë e lexuar me rastin e promovimit të librit
"Maqedonia nga antika deri te koha e jonë" nga Akademia e Studimeve
Albanologjike në Tiranë, më 28 prill 2024)