Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Shkrimtari botues i 'Muzgut'

| E enjte, 25.04.2024, 07:50 PM |


SHKRIMTARI BOTUES I “MUZGUT”

NGA NDUE DEDAJ

Mark Simoni është i lindur për letërsinë. Ndokush mbase do të thoshte, po çdo shkrimtar është i lindur për letërsinë, ku qëndron e veçanta e Markut?...

Di të them që gjithë qenia e tij frymon letërsi dhe për letërsinë, jo vetëm si vokacion krijues, autorësi, por dhe si profesion. Poet i dalluar i viteve ’80, prozator që në fillimet e viteve ’90, kur publikon librin e parë me tregime, dhe më pas romanin “Qyteti me një sy”; eseist i rrallë dy planësh, i eseve të mirëfillta për letërsinë dhe shkrimtarët e vendit dhe të huaj, si dhe i rrëfimeve e sagave letrare për Lezhën, ngjashëm me Rudolf Markun, Preç Zogajn, Pashk Përvathin, Kujtim Dashin, Daniel Gazullin etj.

Mark Simoni është një mjeshtër i të shkruarit, i cilësisë së frazës dhe të fjalës, ku bie në sy kultura e gjërë e librit dhe leximit, njohja e botës së artit në përgjithësi, vizitat në vendprehjen e shkrimtarëve perëndimorë, në Europë e Amerikë. Intervistat me shkrimtarët shqiptarë janë përfshirë në një libër më vete. Libri i tij “Komshinjtë e vdekjes” është një ese e shkruar sa me penë, aq me shpirt, që iu kushtohet kolegëve të tij shkrimtarë, që kanë pasur fatkeqësinë familjare të humbjes së bijve etj.

Po, profesion, pse themi? Është drejtuesi i shtëpisë botuese “Muzgu” dhe i një gazete letrare me këtë emër. Pas përvojës si sekretar Kolegjumi në gazetën “Drita”, do të ishte redaktor dhe kryeredaktor i disa suplemeteve letrare javore, në “Koha jonë”, “Mapo” etj. Autor i shumë reçensave, parathënieve e shqyrtimesh të tjera letrare, botuar së fundi në librin me kritikë “Vetëtimat shkuan të flenë”, ku për kënaqësinë tonë, është përfshirë dhe një reçensë e zotit Simoni për romanin “Shembja”, publikuar para shumë vitesh në shtypin letrar. Aty ka shkrime si për autorët e afirmuar, ashtu dhe për të rinjtë e talentuar që duhen inkurajuar, një pjesë të të cilëve i kemi lexuar në shypin letrar para se të përfshiheshin në libër.

Mark Simoni është i pranishëm me shkrime letrare të natyrave të ndryshme në “ExLibris”, “Nacional”, “Gazeta Shqiptare” etj. Është aq i njohur sa nuk është nevoja t’i drejtohesh ndonjë portali të posaçëm për të mësuar për publikimet e tij.

Veçori e tij është se ai i bën me cilësi të gjitha “punët” e letërsisë.

Shkrimtarë botues ka pasur gjithëhere në Shqipëri, që nga Dom Ndoc Nikaj e këndej, por nëse jo pak nga ata janë “tërhequr” nga vështirësitë e tregut të dobët të librit, Mark Simoni, edhe falë idealizmit, ia ka dalë të mbijetojë në spektrin e botimeve.

Kishte gjetur një bibliotekë të pasur në shtëpinë e tij, atë të të atit, “Mësuesit të Merituar” Gjon Simoni, një ligjërues dhe metodist i spikatur në lëmin e pedagogjisë dhe edukimit, por si shkrimtar dhe botues, në tridhjetë vjet, Marku do të krijonte një bibliotekë të re të librit shqiptar, përfshi dhe antologji në poezi e prozë.