| E enjte, 25.04.2024, 07:55 PM |
Dënim minimal që e ngarkon Serbinë me përgjegjësi shtetërore!
Shkruan:
Florim Zeqa
Për masakrat në rrethin
e Pejës dënohen me vetëm 56 vjet burg shtatë ish-anëtarë të ushtrisë jugosllave
(të njohur si “Çakallët”)
Deri
tek ky dënim minimal erdhi pas denoncimit të krimeve nga të mbijetuarit e
masakrave, të cilët, përveqse i panë me sytë e tyre, i përjetuan rëndë në
shpirt dhe në zemër krimet më të monstruoze dhe makabre ndaj familjarëve të
tyre. Edhe pse dënim minimal dhe i vonuar, megjithatë është një dritë e vogël në
fund të tunelit për drejtësi dhe një satisfaksion i vogël moral për familjarët
e viktimave të terrorit serb.
Të dhënat zyrtare të një
dënimi minimal
Sipas
njoftimit të publikuar në Web-faqen e Gjykatës së Lartë në Beograd më 24 prill
2024, ish-anëtari i Ushtrisë Jugosllave, Toplica Milladinoviq, u dënua me 20
vjet burgim për krime kundër shqiptarëve të Kosovës në fshatrat përreth Pejës
më 1999, kurse gjashtë ish-pjesëtarët e tjerë të Ushtrisë Jugosllave u dënuan
si në vijim: Predrag Vukoviq u dënua me 13 vjet burgim, Abullah Sokiq me 12,
Sinisha Mishiq me 5, ndërkaq Lazar Pavlloviq, Sllavisha Kastratoviq dhe Boban
Bogiçeviq u dënuan me nga 2 vjet burgim secili. Ndërkaq, Velko Koriqanin dhe
Millan Ivanoviq u liruan tërësisht nga akuzat e ngritura!
Ja
vlenë për të cekur se gjykimi për këtë rast kishte filluar në vitin 2010.
Vendimi i parë ishte marrë më 2014, por Gjykata e Apelit e Serbisë e kishte
shfuqizuar atë më 2015.
Sipas
aktakuzës, ish-anëtarët e Detashmentit të 177-të të Ushtrisë Jugosllave, (të njohur
si “Çakallët”), morën pjesë në masakrat kundër shqiptarëve të Kosovës në
fshatrat Zahaq, Lubeniq, Qyshk dhe Pavlan gjatë Prillit dhe Majit të vitit
1999. Të pandehurit, siç u tha në aktakuzë, morën pjesë në vrasjet dhe në
shkatërrimin e pronave të shqiptarëve.
Prokurorët
thanë se Toplica Milladinoviq si komandant i Detashmentit 177, kishte urdhëruar
dëbimin e civilëve shqiptarë dhe se ai kishte njohuri për vrasjet dhe vjedhjet
gjatë zhvendosjes së dhunshme të popullatës shqiptare.
Në
aktakuzë u tha se vrasjet u kryen në mënyrë mizore dhe tinëzare, teksa në
shumicën e rasteve viktimat u qëlluan pas shpine. Më pas, shumica e trupave të
viktimave u dogjën, në mënyrë që ata të mos mund të identifikoheshin nga
familarët.
Edhe
pas publikimit të vendimit të Gjykatës së Lartë të Beogradit më 24 Prill 2024,
ky nuk është vendim përfundimtar, pasi ai prapë mund të apelohet dhe të
prolongohet në pafundësi nga autoritetet e drejtësisë serbe!
Pranimi i krimit nga
kriminelët, një dritë e vogël në fund të tunelit
Edhe
pse dënimi për kriminelët është tepër minimal, pozitiv është fakti se ata i
kanë pranuar krimet e kryera, gjë e cila e ngarkon drejtëpërdrejt Serbinë me
përgjegjësi shtetërore dhe më nuk mund t’ua hedhin fajin “strukturave
paramilitare”. Deri tek ky epilog erdhi falë insistimit dhe konsistencës së
gjatë e të mbijetuarëve të masakrave për zbardhjen e së vërtetës dhe arritjes
së qëllimit final për dënimin e kriminelëve.
Edhe
pas 25 viteve, dhembja që kanë familjarët për humbjet që ua ka shkaktuar Serbia
është e freskët, e madhe dhe e pakompensueshme. Andaj, çdo ngritje e zërit në
mbështetje të familjarëve e zbutë sado pak dhembjen e tyre.
Le
të shërbejë ky shkrim si thirrje për ndërgjegjën e fjetur të politikanëve
kosovarë, të cilët nuk kanë bërë asgjë sa i përket denoncimit dhe zbardhjes së
rasteve të rënda kriminale të ndodhura gjatë luftës në Kosovë!
E
vetmja gjë që e bënën liderët shtetërorë dhe partiakë për këto 25 vjet, ishte
pjesëmarrja dhe fjalimet patetike në përvjetorët e masakrave, si ngushëllim i
vetëm për familjarët!
Nuk
mjaftojnë fjalët e mira dhe “lotët e krokodilit” për shërimin e plagëve
shpirtërore të familjarëve. Shkaku i mos qenurit të Kosovës anëtare e Këshillit
të Evropës dhe organizatave tjera ndërkombëtare, drejtuesit e institucioneve
shtetërore është dashur që të angazhojnë mekanizma të tjerë për ngritjen e
padisë shtetërore ndaj Serbisë, e jo të presin që të kalojë një çerekshekulli
nga koha kur kanë ndodhur masakrat dhe vrasjet monstruoze të djegies së
kufomave me qëllim të pamundësimit të identifikimit dhe fshehjes së gjurmëve të
krimit.
Dallimet dhe
ngjashmëritë, e përbashkëta e krimeve në Kosovë
Për
secilën masakër të kryer në Kosovë nga forcat serbe, nuk mjafton një shkrim dhe
as një libër autorial, duhen vëllime të mëdha librash dhe enciklopedi për t’i
trajtuar me fakte dhe argumente të gjitha krimet barbare të forcave serbe.
Edhe
përkundër faktit se maskrat e kryera nga forcat policoro-ushtarake dhe
paramilitare serbe ndaj civilëve të pafajshëm dhe krejtësisht të pambrojtur në
rrethin e Pejës, ka dallime dhe ngjashmëri të shumta, nuk i jepë të drejt vetës
t’i klasifikojë as për nga numrat dhe as nga monstruoziteti i krimit.
Ashtu
siq nuk ndahen heronjët dhe dëshmorët, nuk ndahen as martirët dhe të rënët për
lirinë e Kosovës. Ata janë gurthemeli më i fuqishëm i lirisë sonë, janë
kallxuesi dhe kryefjala e themeleve të shtetit tonë.
Të
mbijetuarit e masakrave janë heronj dhe dëshmitarë të gjallë të cilët i mbajnë
të freskëta kujtimet e ngjarjeve më tragjike dhe më të kobshme të familjarëve
të tyre dhe popullit tonë në përgjithësi.
Thënë
ndryshe, të mbijetuarit e masakrave janë thesarë i çmuar për drejtësinë vendore
dhe ndërkombëtare, për të çuar në vend drejtësinë, si parakusht për paqe
afatëgjate dhe pajtim mes dy popujve të armiqësuar ndër shekuj, e në veçanti në
dekadën e fundit të mileniumit të dytë.
Ky
ishte vetëm një vështrim imi analitik rreth ngjarjes makabre dhe dënimit
minimal të kriminelëve, për të ndarë dhimbjen dhe pikëllimin e përhershëm me
familjarët e viktimave të pafajshme.
Lavdi
dhe krenari e përjetshme për të gjithë ata që u sakrifikuan, martirizuan dhe
ranë për lirinë që ne sot e gëzojmë!