| E enjte, 25.04.2024, 07:55 PM |
Malësorja fisnike - viktimë e pafajshme e bombardimeve të NATO-s
Me
rastin e 25 - vjetorit të vdekjes tragjike
të Pashkë Junçaj në Shipshanik, afër Tuzit
Nga
Gjekë Gjonaj
28 prilli i vitit 1999 për familjen e Mark Kolec Junçajt
nga fshati Drume të Hotit ( Malësi e Madhe), ishte një ditë e trishtë. Atë mesditë
bashkëshortja e tij Pashka u vra në moshën 61 vjeçare, në
lagjen Shipshanik, në afërsi të një
tuneli të atëhershëm të vjetër ushtarak
për avionë luftarakë, afër Tuzit, nga sulmet ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë së atëhershme të
përbërë nga Mali i Zi dhe Serbia, e cila kishte për qëllim të detyronte
presidentin jugosllav, Sllobodan
Millosheviq, t’i jepte fund represionit
( dhunës) të tij ushtarak ndaj popullsisë civile me shumicë shqiptare në Kosovë. Me këtë rast u
plagos, afro 50 metra larg
shtëpisë familjare djali i saj , Atoni, të cilin trauma e shkaktuar nga sulmi e përndjekë ende.
Rrëfimi i dhimbshëm i
Lucë Junçajt
Lajmi i hidhur se
Pashkë Junçaj humbi jetën
tragjikisht, në momentin kur ajo me djalin
e saj përdore , Antonin, u përpoqën të kalonin në panik gardhin
me tela me gjemba në pronën e tyre, ndërsa avionët e NATO-s atë paradite të muajit prill zhurmonin në qiell më shumë se ditëve të
mëparshme, trazoi zemrat e familjarëve,
farefisit dhe të gjithë atyre që e kanë
njohur këtë grua malësore, nënë dhe bashkëshorte vlerash të larta fisnike dhe bujare. Dy dekada e gjysmë më vonë
nga kjo ngjarje tragjike Lucë
Junçaj, kujton me dhimbje dhe trishtim të madh vdekjen e pafajshme, të papritur
dhe të parakohshme të nënës së
tij të dashur e të shtrenjtë.
“Më 28 prill 1999, babai Marku, nëna Pashka dhe vëllai Antoni, që nga mëngjesi kishin bërë punët e zakonshme,
si çdo ditë në fermën e tyre modeste. Në kohën e bombardimeve atë mesditë, në
shtëpi dhe në objektet përreth ndodheshin Pashka me djalin e saj, Antonin. Nga fillimi u vërejt
se atë ditë bombardimet do të jenë më
intensive dhe më afër shtëpive
private. Ndërkohë filluan të bien
objekte ndihmëse ( copëza predhash - granatash ) përreth, të cilat krijuan tym
e pluhur. Në këtë situatë frike e paniku ata e thirrën njëri-tjetrin, u bënë bashkë dhe
filluan të ikin ne drejtim të lagjes. Afro 50 metra larg shtëpisë sonë duhej
kaluar një gardh me tela me gjemba, i cili ndante pronën tonë
nga ato të komshiut. Derisa vëllai Antoni
po mundohej t’i ndihmojë nënës
Pashkë të kalojë gardhin , ajo goditet
në kokë nga një pajisje metalike dhe mbetet e
vdekur para djalit të saj , Antonit , 23 vjeç. Fatmirësisht, falë ndihmës së
Zotit, Antoni mbetet i plagosur në këmbë
dhe i mbijetoi këtij rasti tragjik. Këtë
fat dhe këtë ndihmë nga Zoti do ta dëshironte çdo nënë për fëmijët e vet. Edhe
nëna jonë e dashur tashmë e ndjerë Pashka, po të ishte pyetur se cili do të duhej
të vdes atë ditë , do të kishte zgjedhur vetveten.
Edhe sot e kësaj dite mendojmë se vetëm Zoti e shpëtoi vëllain tim që u
plagos atë ditë”, thotë Luca, i
vetëdijshëm se, siç thonë, koha shëron gjithçka, por disa nga këto plagë
mbeten përgjithmonë.
Kush ishte Pashkë Junçaj?
Ajo u lind në vitin 1938, në Kojë ( Malësi) , në
familjen Kolçaj. Ishte e bija e Prekë dhe
Mri Kolçaj. Në vitin 1958 ajo u martua me Mark Kolec Juncaj nga
Drumja e Hotit, një burrë bujar e
punëtor, i devotshëm për familje dhe i dashur me shok. Çiftin Mark
dhe Pashkë Junçaj Zoti e kishte bekuar e lumturuar me 6 fëmijë,
tre djem dhe tri vajza. Në vitet
70-të të shekullit të kaluar, ata blenë një pronë modeste në fshatin Shipshanik, afër Tuzit, ku edhe u
shpërngulen për një jetë më të lehtë në
vitin 1991. Meqë 4 fëmijët e
mëdhenj, Maruka, Gjergji, Lizja dhe
Marija kishin krijuar familjet e veta ne Malësi e Diasporë, çifti bashkëshortor , Mark dhe Pashkë
Junçaj, me dy djemtë e vegjël, Lucën dhe
Antonin filluan një jetë te re ne
Shipshanik, ku punonin në bujqësi dhe blegtori. Gjithçka , sipas rrëfimit
të Lucë Junçajt, shkoi mirë, deri në
vitin 1999, kur humbi jetën “ zemra” e kësaj familjeje atdhetare, Pashka, si pasojë e
bombardimeve të NATO-s ndaj
forcave serbe në ish -Jugosllavi. “ Edhe familja jonë , si çdo familje shqiptare, mendonte dhe
shpresonte se intervenimi i NATO-s, do
të ishte një shpëtim, një kthim dhe një shkëndijë e rendit për vendosjen e paqes
dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Mirëpo nga Zoti ishte shkruar që
ky intervenim të ketë edhe viktima të pafajshme, në mesin e të cilave
ishte edhe nëna jonë Pashka, të
cilën do ta kujtojmë brez pas brezi”,
tregon me dhimbje të thellë
Junçaj.
Shpërngulja nga Drumja në Shipshanik
Junçaj më pas tregon për shpërnguljen e kësaj
familjeje nga Drumja e Hotit në
Shipshanik, afër Tuzit për arsye ekonomike . Prona jonë ndodhet rreth 800 metra nga , siç theksuam , reparti e atëhershëm ushtarak serb, një kodër ku tani ndodhet një bodrum i madh vere, më i madhi në
Ballkanin Perëndimor dhe Plantacioni i mrekullueshëm “ 13 Korriku”, 9 kilometra
nga kryeqyteti i Malit të Zi-Podgorica. Me fillimet e bombardimeve të NATO-s
kundër Serbisë, më 24 mars 1998,
një pjesë e familjes sonë vendosi që mos të largohej nga prona e vet, sepse tek popullata shqiptare ishte përhapur lajmi i keq se forcat ushtarake dhe ato para ushtarake serbe
do të shkatërrojnë dhe do të
marrin çdo gjë që kishin përpara.
Prandaj Marku me bashkëshorten Pashkën dhe djalin Antonin qëndruan
dhe u përkujdesën për pronën e
tyre gjithë kohën e bombardimeve prej
78 ditësh. Rreziku për banorët
civilë të këtij lokaliteti shtohej nga dita
në ditë, sepse forcat ushtarake serbe në Shipshanik , javëve
të fundit të sulmeve ajrore të
NATO-s. kishin maskuar mjetet e tyre
ushtarake mu në afërsi të pronave
private”, rrëfen Junçaj.
Grua e
ndershme, fisnike e atdhetare
Me rastin e
(për)kujtimit të kësaj viktime të
pafajshme të bombardimeve të NATO)-s duhet theksuar se
ajo njihej në Malësi si një grua
fisnike e atdhetare dhe si
një nënë e përkushtuar për familjen. Fatin e saj tragjik nuk mund ta imagjinonte askush. As ajo vet
nuk kishte kohë të meditonte për fatin
dhe për vitet e pleqërisë,
sepse nuk e lejonin sfidat dhe
vështirësitë e jetës së saj në fshat për
të rritur dhe edukuar 6 fëmijët e saj në
frymën e traditave shqiptare
(malësore). Imagjinoni pak, sa punë fizike
ka pasur Pashkë Junçaj gjatë jetës së saj, duke jetuar shumicën e viteve, si
shumë gra të tjera malësore në fshatrat
e Malësisë së Madhe, pa rrymë
elektrike, me kandila vajguri, pa rrobalarëse, pa pampersa, me pak rroba, pa
dush e pa ujë në çezme e shumëçka tjetër e nevojshme për një jetë
normale.
Pavarësisht vështirësive
të kohës, kur në disa familje
fshatare malësore ndarja e produkteve ushqimore bëhej me racion për frymë, Pashka
ia ka dalë të bëjë një punë të respektueshme,
si bashkëshorte dhe si nënë, duke ruajtur nderin dhe krenarinë e familjes së
saj dhe duke pritur e përcjellë mysafirë,
që në malin e Hotit nuk mungonin
kurrë. Të gjitha këto, Pashka i ka bërë
me dinjitet e krenari, me fjalë pak e punë shumë, si më
të mirat malësore. Malësorët
do ta kujtojnë përherë këtë malësore të ndershme me respekt e mall të pashuar. (
Koha Javore)