| E merkure, 24.04.2024, 07:54 PM |
ETNI, KOMBËSI, PAKICË E GJUHË
Nga
Agim Xh. Dëshnica
Një ditë vjeshte, i mbetur vetëm në shtëpi, vazhdova leximin e librit të nje profesori të zbardhur, botuar lirshëm larg syve të kritikës shkencore. Aty shtroheshin çështje të larmishme për politikën, për figura historike, për identitetin, etninë, toponimet, kombësinë, pakicat kombëtare, gjuhësinë, besimet fetare, ndërrimin e tyre, etj. Po aty shiheshin të rreshtuara letra miqësore të ngarkuara me lëvdata, edhe për mendimet e tij të gabuara! Disa ngaderguesit eletrave sipas profesorit ishin filozofë, psikoanalistë të hollë, a të talentuar për poezi, tregime e mjeshtër si romancierë, paçka se veprat e idetë i kishin të grabitura nga arkivat e gjyshërve me origjinë shqiptare të dyshimtë. Mandej, ata vlerësonin edhe librat publicistikë, me një shqipe që duhet përkthyer me ndihmën e fjalorëve shumëgjuhësh. Në mes tyre shquheshin edhe bijë ish-ministrash, të cilët gjatë diktaturës komuniste jetuan të lumtur dhe pa e vrarë mendjen për fatin e të tjerëve. Të veshur sipas modës, e kalonin kohën atëherë me lexime romanesh të zgjedhur, duke i treguar njëri - tjetrit barsoleta gjithë humor, e duke gogësirë me meze e gota birre në restorant Vollga. Por, më pas, disa syresh ranë papritur pré e diktaturës, për shkak të baballarëve të dënuar sipas stilit enverist dhe vuajtën bashkë me shumë të tjerë. Nga ato kujtime, këta bijë të shkolluar shohin shpesh edhe sot ëndrra me diktatorë, ndaj zgjohen si në kllapi dhe nisin të mendojnë ndryshe, duke u shitur trima, mendjehollë e duke mbajtur qëndrim kundërshtues ndaj përparimit të sotëm në Shqipëri, se janë të sigurt që s’u hyn gjemb në këmbë. Po edhe se kritikët e kanë thyer majën e penës. Nëse iksi a ypsiloni, është mik i tyre, nuk ka se si gabon!
Profesorët dhe librat e tyre shkencor
Teksa ne kohe te lire lexoja ne ata libra profesorësh,, madje edhe
politikanësh të dështuar, që mëtojnë të jenë edhe shkrimtarë, më erdhi ndër
mend i madhi Vaso Pashë Shkodrani, me vargjet e pavdekshme:
“Ca thon’ kam fé, ca thon’ kam din;
njeni asht turk, tjetri latin.
Do quhen grek’, e shqeh disa tjerë,
por jeni t’gjith’ vllazën, more
t’mjerë…”
Mesa shihet, këta libra më së shumti
botohen me ndihmën bujare të miqve të autorëve brenda e larg Shqipërisë, apo,
siç quhen sot, me mbështetjen financiare të sponsorëve të ndryshëm, emërtim ky
i marrë nga anglishtja, siç janë edhe fjalët: bekgraund, lidership,
performancë, staf, impakt, shou, etj.
Pasi mbarova së lexuari ato pjesë të
çuditshme të sajuara me kujtesë të mjegulltë, u ngrita i hutuar dhe mbështeta
ballin në xhamat e ftohtë të dritares. Jashtë nga retë gri qielli qe zhytur në
muzg. Dëgjohej shushurima çlodhëse e shiut mbi degë e fletë dhe krisma e pikave
të tij në qelq e mbi mendimim tim të lodhur. Mbërrinte edhe zhaurima e mbytur e
dallgëve të oqeanit në breg, si një ankim që vinte nga larg. Ndërkaq, si për
mrekulli, ndihej një melodi paksa e trishtë e një muzikanti të panjohur për
natyrën në kohë shiu, me jehonën, që mandej shuhej në qiell.
Po cilat janë çështjet, që shtrojnë në
librat e tyre profesorët tanë të shqetësuar?
Së pari, çështje politike të lidhura me
interesa të caktuara e qëndrime të rrepta ndaj qeveritarëve demokratë, apo siç
quhen prej tyre “sundimtarë”, edhe pse hapin shtigjet drejt Europës me anën e
përparimit të vendit. Pra, Pashai nga Shkodra s’e dinte se do të vinin kohë më
të vështira, kur këta të ditur, të cilët në Shqipëri, pasi hëngrën bukën,
përmbysën kupën dhe ngecën në udhëkryqe, ose morën arratinë me bagazhe të rënda
dhe fluturuan me aajrore përtej horizontit. Nga leximi i librave publicistikë
pa të dhëna burimore, kuptohet menjëherë se ata nuk janë shkruar pas shqyrtimit
të dokumenteve të botuara nga institucionet e sotme kombëtare dhe
ndërkombëtare, por nga kujtime çastesh, ose muhabetesh të zjarrta kafenesh,
mbështetur nëpër hamendje dhe gazeta të njëanshme. Kësisoj, të gjithë kanë të
drejtë! Të gjithë thonë të vërtetën! Por, kur e vërteta përballet me faktet,
ata, sipas një filozofi, bien ndesh me fjalën e shenjtë: “Mos e përziheni të
vërtetën me të pavërtetën! Mos e fshihni të vërtetën në vetëdije!”
Së dyti, ka edhe kritikë letrarë apo
letrarë, që shkruajnë shqip dhe humbasin kohën e të tjerëve me lavde e
stërhollime për poetë a shkrimtarë të tillë dhe për librat e tyre të një
shkence të harruar, që s’i lexon askush. Nga mënyra se si shprehen,
vetëkuptohet se ata gjuajnë përfitime të ndërsjellta. Disa nga kritikët e artit
lëvdojnë vepra piktorësh, të cilët në kohët e frikshme të diktaturës bojatisnin
me yje të kuq jetën tonë të zymtë, kurse sot në ditët e lirisë, me stil
impresionist, krijojnë në studio nudo e fytyra të ngërdheshura të ngjarjeve, që
priteshin të vinin, siç qe eksodi apo rrëzimi i shtatores së diktatorit. Pra, e
paraqisin shpërthimin rinor për liri e demokraci si tragjedi kombëtare. Ky lloj
arti, si vazhdim i realizmit socialist në kushte të tjera, s’është veçse
shprehje e qartë e mjerimit dhe shëmti e shpirtit dhe e mendjes së tyre të
kalbur.
Së treti, profesorët, nga njëra anë
botojnë në gazeta shqiptare, “studime” për figurat historike, duke mohuar
gjithçka të tyren; nga ana tjetër, disa merren me trajtime çmitizuese më të
skajshme se vetë autorët e librave, si Shmidi, Pukëvili etj., edhe këta të
pabesueshëm, rreth heronjve të kombit shqiptar, si Gjergj Kastrioti -
Skënderbeu, apo Ali Pashë Tepelena. Për lavdinë e të parit, siç dihet, janë
botuar qindra libra e vepra arti nga autorë vendas e të huaj. Për të dytin, një
prej kryengritësve udhëheqës e më trima kundër sundimit otoman, janë ngritur
shumë e shumë këngë. Ai është heroi kryesor në vepra shkrimtarësh shqiptarë dhe
përmendet në sa e sa enciklopedi. Kurse Bajroni për të shkruan: “Shumë trim dhe
aq gjeneral i mirë është, sa e quajnë Bonaparti muhamedan!” Megjithatë, dalin
disa profesorë të plakur, librat e të cilëve shtrohen për shitje edhe në mot me
shi nëpër trotuare, që kënaqin qarqe të caktuara. Sipas tyre, Lufta Italo-Greke
më 1940, nuk paska qenë vepër agresive e Musolinit, por e shqiptarëve, edhe pse
atdheu i tyre asokohe qe i pushtuar nga trupat ushtarake fashiste. Pra, këta
akademikë, dikur të mirëpritur në oborrin e diktatorit, miratojnë
“shkencërisht” edhe në mbarim të vitit 2011 se Shjqipëria e jo Italia qenka në
gjendje lufte me Greqinë! I shohim po këto pena, tek shkojnë edhe më larg, me
përkufizime që hedhin mjegull e tym mbi poetët tanë kombëtarë, si Gjergj
Fishta, Fan S. Noli, Faik Konica, që e shkrine jetën për një Shqipëri të
përparuar, edhe mjeshtri i rrallë i tregimit shqiptar Ernest Koliqi.
Së katërti, këta profesorë, dikur
materialistë apo ateistë, tani e kanë ndryshuar kahun e hulumtimeve të tyre. Në
kohë të reja kujtohen befas se nga emri i përkasin fesë krishtere - ortodokse.
E, për çudi, megjithëse nuk janë priftërinj, ndryshe nga Atë Gjergj Fishta, kërkojnë
me ngulm, me anë e librave të shpifura,
ndryshimin e fesë së shqiptarëve nga myslimane në katolike! Sipas tyre, kjo na
qenka e vetmja rrugë drejt Europës së Bashkuar! Po Europa, që, krahas kishave
katolike, ka ngritur vetë xhami në shumë qytete, si e gjykon këtë punë të
mbrapsht të këtyre njerëzve të mençur, që synojnë të na kthejnë pas, në vitin e
mallkuar kulturor 1967, kur u shembën në Shqipëri kultet fetare? Nga ana
tjetër, profesorët, pa lexuar Kuranin, shkruajnë për Biblën, e cila nuk e
kundërshton atë. Shumëkush e di se që të dy këta libra të shenjtë janë fjala e
Zotit.
Dikush, me të drejtë kërkon rikthimin e
toponimeve të fshatrave tona nga sllavishtja në shqip, ndërsa profesorët e
gjuhësisë nga kohë që s’mbahen mend, luajnë sylla-mbyllas me toponime a
gjysmëtoponime sllave me anën e prapashtesave, si pole, poj, poje, uç, kuç,
nica, ica, iç, ov, etj. Një askush në faqe të tëra shkruan për fillimet e një
fshati me kisha bizantine, që s’arriti të bëhej qytet, dhe harron përshkrimin e
qyteteve tona të lashta me aq e aq monumente kulture! Si përfundim, ata
shprehen se toponomia shërbeka për të kaluarën e vendit tonë! Është ky një
arsyetim pa bukë, i vlefshëm vetëm për sllavët dhe grekët. Një tjetër, duke u
orvatur të mbajë të gjallë mbi piedestal diktatorin stalinist, peshkon nëpër
ujëra të turbullta, shkruan si dikur për Luftën Nacional - Çlirimtare dhe jo
për Luftën Civile, që shpërtheu pas pabesisë së Mukjes.
Profesorët në mërgimin e largët
Meqenëse disa prej këtyre profesorëve
tanë jetojnë, ta zëmë në Boston, i përafërt nga numri i popullatës me
Shqipërinë, shihen nëpër kafenera me kalimtarë, të cilët në SHBA quhen
amerikanë, edhe pse janë me prejardhje nga Gjermania, Irlanda dhe Anglia, nga
Italia, Greqia, nga Egjypti, Maroku, Gana, nga India, Kina, Japonia etj. Dhe,
pasi e kanë lënë vendlindjen përtej oqeanit, kujtohen dhe e vrasin mendjen më
nge për të. Zënë vend në kafene rreth tryezës së rrumbullakët dhe rrahin
mendime të thella prej dijtarësh. Më pas, kur kthehen në shtëpi, si hanë drekën
e shijshme, ulen para kompjuterit dhe hartojnë shkrime për botim në gazetat
shqip të Nju Jorkut, ose të Tiranës! Frymëzimin, apo shtysën, siç duket, e
marrin nga Bostoni multietnik dhe nga përfundimet e bisedave me turlilloj
njerëzish, që s’kanë haber nga Shqipëria. Ndaj e kanë të lehtë të rreshtojnë
gjithëfarë gjërash për Shqipërinë, për fiset, kombësitë, pakicat kombëtare,
etnitë etj. Dhe japin këshilla me vlerë për trajtimin e problemeve të gjuhës,
kulturës, dhe se si të jepen për këto emisione të posaçme në TVSH, etj. Sipas
tyre, popullata e Shqipërisë përbëhet nga shqiptarë, grekë, egjiptianë, romë,
apo ciganë, arumunë, ose vllehë, boshnjakë, malazesë, maqedonas, pse jo edhe
nga armenë, turq, kinezë, italianë, gjermanë, hebrej, etj., etj! Pra, në një të
ardhme atyre lipset t’u caktohet edhe trualli përkatës, me një qendër të
veçantë, tek të perfshihen të gjitha institucionet zyrtare, politike,
ekonomike, kulturore dhe fetare, deri sa shteti shqiptar të thuret si kosh, nga
disa shtete me qendër Tiranën dhe, së fundi, me votim në Kuvend të vendoset
ndryshimi i emrit nga Republika e Shqipërisë në “Shtetet e Bashkuara të
Pellasgjisë së re”! “Më vonë, shohim e bëjmë!”
Gjuha dhe çështja e Himarës
Profesorëve të lodhur me këto studime e
këshilla, ua prish gjumin çështja e gjuhës dhe e shkrimit, sepse gjuhëtarët nuk
po merren vesh për shqipen e shkruar, palé pastaj për gjuhët e tjera!
Kundërshtimet midis tyre janë të rrepta. Për të folmet, si zakonisht, krahinat
e ndryshme vendosin vetë, si në Jug e Veri. Pra, si duhet folur, apo shkruar,
shqipja? A duhet përmirësuar standardi i vjetëruar i Kongresit të
Drejtshkrimit-1972, me bazë toskërishten, të cilën një hulumtues shqiptar e
quan “gjuhë në bunker”? Ndoshta duhen miratuar propozimet e reja në disa
konferenca për ndreqjen e pasurimin e saj nga burimet prej njerëzve të
thjeshtë, sidomos nga trevat e veriut, sepse gjuha shqipe në gazeta, në
televizione e radio, është krejtësisht e pakuptueshme, për shkak jo vetëm të
fjalëve, por edhe të ndërtimeve gjuhësore të huaja. Kur mblidhen në mitingje
ithtarët e të majtëve, brohorasin e s’u kuptohet asnjë fjalë! Pak a shumë, kjo
ndodh edhe me të djathtët. Nuk po e zgjasim me të folmet në nëndialekte, që
ndryshojnë në çdo 15 kilometër, sepse çështja do të ndërlikohej.
Një dukuri të veçantë në botën
shqiptare e përbëjnë edhe gjuhët e himariotëve. Njëri thotë se ata janë
shqiptarë, që flasin edhe greqisht e italisht! Tjetri thotë - jo! Janë grekë,
edhe pse gjuhën shqipe e flasin bukur, kurse greqishten: “partu to gomari,
lidhur stu huri!” Megjithëse disa himariotë të ditur, të cilët marrin
shpërblime nga vendi fqinj jugor, në libra voluminoze na thonë se janë vërtet
shqiptarë të kulluar, paskan qenë të njohur në histori për autonomi qysh prej
kohëve otomane! Madje, edhe për zënka të zhurmshme me qeveritë shqiptare!
Pas gjithë këtyre që thuhen, si do të
vihen në jetë këshillat e studiuesve në dobi të etnive të shumta për gjuhën,
kulturën, flamurin, shkollat, radiot dhe institucionet e tyre studimore!? Në
këtë rast hulumtuesit ndoshta mendojnë se për të folurën e egjiptianëve u
dashka të ringjallet gjuha e Keopsit! Kurse për arumunët me gjuhën pothuaj të
zhdukur rumëneshti, më parë duhet të gjendet atdheu i tyre i vërtetë, sepse
profesorët nëpër studime, na thonë se janë katër të tillë: Greqia, Italia,
Shqipëria dhe Maqedonia. Rumaninë e përjashtojnë si dako-romake. Ndërsa
Moldavinë, të përzierë pak si shumë me ukrainasit rusë e bullgarë, e lënë
mënjanë! Për gjuhën e romëve, apo ciganëve, duhet të merret gjuha e indianëve!
Për kombësitë, apo etnitë e tjera, u dashkan ftuar profesorë nga lindja e
përëndimi! Për çështjen e himariotëve duhen hapur kanunet osmane, qysh nga
motet e lashta të Perandorisë, pastaj të pyetet edhe Brukseli! Apo, edhe për më
saktë, duhet shtruar kjo çështje në gjyqin e Hagës! Pra, sërish na del përpara,
jo një lëmsh i zakonshëm, por një nyjë e ndërlikuar gordiane, që as shpata e
Aleksandrit nuk e pret dot. Historia tregon se shkaku i kësaj gjendje lirie të
skajshme janë mikpritja e bujaria e shqiptarëve ndaj ardhacakëve në trojet e
tyre. Në këto çaste jehon thënia e urtë e Faik Konicës: “Ati yn’ që je n’qiell,
epna fuqinë ta mbajmë gojën mbyllur, kur s’kemi gjë për të thënë! Falna durimin
ta thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymzona me një ndienj’
të mpreht’ të drejtsis’, që të flasim jo vetëm me pa’ansi, por dhe të sillemi
ashtu!”
Dritë nga dokumenti amerikan
Për këtë çështje shqiptare na vjen në
ndihmë edhe një libër shkencor amerikan me titull “The Volume Library”, botuar
më 1984 në Nashvile Tennesse, ku shkruhet: “Shqipëria, sipas vitit 1980, është
me 2.734.000 banorë. Kryeqytet - Tirana; më 1978 me 169.300 banorë. Gjuha:
shqipe. Pothuaj e gjithë popullsia e Shqipërisë është shqiptare, me përjashtim
të një pakice greke në jug të vendit, gjatë kufirit shqitaro-grek. Rreth 1
milion shqiptarë jetojnë brenda kufirit jugosllav dhe rreth 200.000 të tjerë
brenda kufirit grek. Shtimi i popullatës në Shqipëri është më i madh se në çdo
vend tjetër të Europës. Ndërmjet vitit 1975 dhe vitit 1980 ajo është shtuar 2.4
përqind. Shumica e shqiptarëve i takon fesë myslimane. Rreth 20 përqind e
popullsisë është krishtere - orthodokse dhe 10 përqind katolike.” Pra, bëhet
fjalë për të dhëna statistikore para 31 viteve. Shtrohet pyetja: Çfarë ka
ndodhur pas një kohe kaq të gjatë, kur i shohim doktorë-profesorët të
shqetësuar për fatin e etnive të paqena? Mos vallë ato janë zhdukur, ose kanë
marrë malet dhe janë hedhur përtej kufirit tok me profesorët? Apo me gomone,
tragete e avionë kanë kapërcyer dete e oqeane, deri në Onolulu, Alaskë e
Australi dhe i kanë ringjallur andej gjuhët e tyre?
Ja, çfarë mendimesh të lodhshme, më
trazuan atë ditë me shi profesorët tanë me librat e tyre, kur veç melodia e
madhërishme e muzikantit të panjohur për natyrën e bukur stolisur me ngjyra
vjeshte gjithfarësh, më jepte si dhuratë kënaqësi.