| E marte, 23.04.2024, 07:58 PM |
Dita Botërore e librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri
Shqipëria nuk
po hyn në brazdën e standardeve, që kanë dhe vendet e BE
-Miku im më i mirë është ai që më dhuron një
libër, të cilin nuk e kam lexuar. (Abraham Lincoln).
- Një libër i bukur kthehet në një ngjarje në
jetën time. (Stendal).
- Një shtëpi pa libra është si një dhomë pa
dritare. (Horace
Mann).
Nga Albert
Z. ZHOLI
Tashmë kanë kaluar 29 vjet kur më 15 nëntor
1995, UNESCO shpalli 23
prillin Ditën Botërore të Librit. Kjo pasi u morën në
konsideratë faktet se libri historikisht ka qenë instrumenti më i fuqishëm i
shpërndarjes së njohurive, si dhe mjeti më efikas për ruajtjen e tyre. 400 vjet
më parë, më 23 prill 1616, u ndanë nga jeta Shekspiri, Servantesi dhe Garcilaso
de la Vega, i mbiquajtur Inca. Thuhet se ideja e përkujtimit të Ditës Botërore
të Librit e ka origjinën në zonën e Katalonjës, Spanjë, ku atij që blinte një
libër, i dhurohej edhe një trëndafil. Kjo është arsyeja, për të cilën kjo
datë domethënëse për letërsinë universale është caktuar nga Konferenca e
Përgjithshme e UNESCO-s për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij
dhe për të inkurajuar të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si
edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm, që kanë dhënë krijuesit
për progresin social dhe atë kulturor.
Forma më e lartë e komunikimit
njerëzor.
Letërsia, e cila mbetet një ndër format më të
larta të komunikimit njerëzor, është një faktor ndikues në formimin e
identitetit dhe luan një rol të madh në emancipimin e shoqërisë. Fuqia e saj
mbetet e pamatshme përkundër ideologjive, pushtetit, që nuk kanë mundur ta
kontrollojnë plotësisht. Sipas
Franc Kafkës, duhet të lexojmë kryesisht ata libra që na “plagosin”, na
brengosin thellësisht, sepse nëse një libër nuk të trullos, atëherë ç’kuptim
ka? Ndaj një libër duhet të jetë “sëpata” që thyen akullin
brenda nesh. Nga ana tjetër, novelisti britanik Clive Staples Leëis e ka
cilësuar nevojën për të lexuar si një mënyrë për të bindur veten se nuk jemi
vetëm. Pavarësisht se letërsia nuk ka funksion praktik në jetën e njeriut, ajo
vlerësohet si ndërgjegja më e emancipuar e njerëzimit, ndaj të shkruarit me përgjegjësi
të lartë artistike apo etike dhe intelektuale, mbetet një kërkesë e përhershme
e shoqërisë. Në vorbullën e të shkruarit dhe të lexuarit dallohen lexuesi i
specializuar dhe ai i kënaqësisë. Ky i dyti është më i popullarizuari. Është
lexuesi që zgjedh të lexojë një vepër për të marrë kënaqësi estetike, për të
marrë informacione dhe dije. E nëse do të flisnim për përfitimet e të lexuarit
mund të rendisnim konkretisht disa: mund të parandalojë sëmundjen e
Alzheimerit, është një faktor antistres, mund t’ju ndihmojë për t’u fokusuar më
mirë, është faktor ndihmës i jetëgjatësisë. Nëse do të flisnim për letërsinë
shqipe, për shkak të kushteve historike të vështira, ajo ka lindur
përgjithësisht me vonesë. Në fillimet e letërsisë shqiptare janë veprat e Marin
Barletit (“Historia e Skënderbeut”, 1508) dhe të humanistëve të tjerë, të
botuara në latinisht. Libri i parë shqip është “Meshari” (1555) i Gjon Buzukut.
Në periudhat e mëvonshme, ajo pati zhvillim të ndryshëm përgjatë Rilindjes, pas
Pavarësisë, gjatë e pas diktaturës. Emrat e Dritëro Agollit, Ismail Kadaresë,
Xhevahir Spahiut, Nasi Lera, etj, janë një nder për letërsinë shqipe. Me rënien
e diktaturës u botuan veprat e ndaluara dhe të dënuara gjatë sundimit komunist
të shkrimtarëve të ndryshëm, si Petro Marko, Kasëm Trebeshina, Pjetër Arbnori e
shumë të tjerë. Gjatë rrugës komplekse të letërsisë shqipe vlen të përmendet
zhvillimi i saj brenda kufirit të shtetit shqiptar dhe jashtë tij.
Historia e librit
Historia e librit fillon me paraqitjen dhe
zhvillimin e shkrimit, dhe sidomos të paraqitjes së shpikjeve të ndryshme të
kohës si p.sh. letra dhe shtypi, gjë e cila ka vazhduar deri në
biznesin e ditëve moderne të shtypjes së librave. Historia më e hershme e
librave në të vërtetë fillon me ato që në mënyrë konvencionale në të ardhmen do
të quheshin “libra” duke nisur me tableta dylli, rrotulla dhe fletë papirusi. Pastaj u shfaqën dorëshkrimet e
lidhura, të shtrenjta dhe të hollësishme të njohura ndryshe si kodikë. Këto i
dhanë rrugë vëllimeve të shtypura me makinë gjë që përfundimisht
ndikoi në paraqitjen e vëllimeve të shtypura në masë e që mbizotërojnë edhe
sot. Librat bashkëkohorë madje mund të mos kenë prezencë fizike me paraqitjen e
të ashtuquajturit e-libri (e-book).
Libri gjithashtu u bë më i arritshëm edhe për personat me aftësi të kufizuara
me paraqitjen e Alfabetit të Brajit. Risia
më e fundit në këtë drejtim konsiderohen librat auditiv (me zë).
Lista e librave të parë të shënuar
Jikji, konsiderohet
të jetë libri i parë i shtypur, i njohur deri më tani, 1377. Bibliothèque
Nationale de France, Paris. 1377:
Jikji është
libri i parë 1377 shtypur edhe nga prifti budist korean (Mësime të zgjedhura të urtësive budiste dhe
mjeshtërve seon – Selected Teachings of Buddhist Sages and Seon Masters).
Shënime të shkruara me dorë nga Christopher Columbus në botimin latin
të Marko Polos Le livre des merveilles.
1455: The Gutenberg
Bible (in Latin) libri i parë i shtypur në Evropë
nga Johannes Gutenberg.
1461: Der
Ackermann aus Böhmen shtypur nga Albrecht Pfister, libri i
parë në gjuhën gjermane.
1470: Il
Canzoniere i Francesco Petrarca libri
i parë në gjuhën italiane.
1472: Sinodal
de Aguilafuente libri i parë në gjuhën spanjolle.
1473: Chronica
Hungarorum libri i parë në Hungari. Shtypur nga Andreas Hess në Bud
1474: Obres e
trobes en llaor de la Verge Santa Maria libri i parë në gjuhën
valenciane, në Valencia.
1475: Recuyell
of the Historyes of Troye libri i parë në gjuhën angleze.
1476: La
légende dorée printed nga Guillaume LeRoy, libri i parë
në frengjisht.
1476: Aristotle‘s De Animalibus, libri i parë në fushën e biologjisë,
(përkthyer nga gjuha greke) ky libër është një version tjetër nga ai i Albertit të Madh, përkthyer nga gjuha arabe
prej Michael Scot.
1476: Grammatica
Graeca, sive compendium octo orationis partium, libri i parë i
shtypur në gjuhën greke, nga Constantine
Lascaris.
1477: Edicioni i parë i librit Geographia nga Klaudio Ptolomeu, në Bolonjë, libri i parë me
ilustrim.
1555 Libri i parë i shtypur në gjuhën shqipe
titulluar “Meshari”,dhe përkthyer nga prifti Gjon Buzuku.
Të drejtat e autorit shqiptar të
nëpërkëmbura.
Në më shumë se tri dekada të tranzicionit në
Shqipëri është i dukshëm liberalizimi në tregun e botimeve, të publikimeve dhe
të transmetimeve të krijimtarisë audio e video të autorëve vendas dhe të huaj.
Nga një vend i izoluar me censurë të pashembullt dhe me fobi ndaj produkteve
perëndimore, që konsideroheshin si “dekadente dhe kundër moralit të shoqërisë
shqiptare”, u kalua në një situatë ku pronësia intelektuale nisi të qarkullojë
pa kurrfarë problemi. Fondet muzikore, filmat, dokumentarët, botimet e
literaturës më të mirë botërore, krijimtaria shkencore apo gjithçka tjetër e
krijuar nga autorë të huaj e vendas nisi të riprodhohej, shpërndahej, apo
përvetësohej për qëllime fitimi ose jo nga gjithkush. Kjo shpërndarje dhe
përvetësim është bërë pa bërë asnjë procedurë paraprake për të marrë pëlqimin,
pa paguar asgjë për këtë përdorim. Cënimi i të drejtës së autorit bëhej jo
vetëm nga tregtarë të vegjël buzë trotuareve, por dhe në veprimtari biznesi të
strukturuara dhe me qarkullim të konsiderueshëm monetar, nga operatorë radio
televizivë, nga institucione shtetërore të të gjitha niveleve etj. Krahas
përpjekjeve që kanë bërë vetë autoritetet në Shqipëri për të punuar në
përmirësimin e gjendjes sa i takon respektimit të së drejtës së autorit, vitet
e fundit ka patur dhe një suport nga BE me projekte konkrete. Në thelb kjo
mbështetje e fut Shqipërinë në brazdën e standardeve, që kanë dhe vendet e
tjera anëtare të BE në këtë aspekt. Por mesa shihet ende edhe sot nuk ka një
respektim të ligjit në këtë fushë qoftë dhe nga vetë strukturat përgjegjëse.
Nuk po shohin dritë efektet pozitive që vijnë nga respektimi i të drejtave
autoriale ku t’i ndjejnë në rradhë të parë ata që i meritojnë ata që prodhojnë,
krijojnë, botojnë. Duhet të jenë të parët ata që të shijojnë se si e drejta e
autorit jep efekt në mbarë demokratizimin e shoqërisë.