Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Diadema Stil: Në darët e psikozave përjashtuese dhe denigruese

| E diele, 21.04.2024, 07:55 PM |


Në darët e psikozave përjashtuese dhe denigruese

Nga Diadema Stil

Psikologjia shqiptare, sidomos ajo e zonave periferike, është përjashtuese e kërcënuese ndaj çdo shmangie të marrëdhënieve dashurore nga normaliteti, pra, ndaj çdo tërheqje midis dy sekseve të njejtë.

Psikologjia kanunore është tejet e rreptë dhe ndëshkuese ndaj këtyre akteve, që konsiderohen si diçka "heretike" dhe që duhet ndëshkuar me çdo kusht. Shumë krime pa motiv që kanë ndodhur në familje burojnë nga këto tëreheqje dhe marrëdhënie dashurore, që konisderohen "tabu" dhe "të rënda".  Këto trauma sociale nuk shmangen me me fjalë dhe retorika boshe, por rregullohen me ligje, që liria e zgjedhjes seksuale, të jetë një liri e garantuar me ligj, sit ë gjitha liritë e tjera të zgjedhjes njerëzore.

P.N., e datëlindjes 9 shkurt 2003, studente bacelor, viti tretë, dega Fizioterapi ndeshet me mentalitetin e zonave rurale nga vjen, por dhe të mjedisit studentor, për shkak se ka tërheqje seksuale ndaj vajzave. Konkretisht, në Fakultet ajo ka marrëdhënie me një vajzë të quajtur A.K, marrëdhënie për të cilën ndihet e kërcënuar me jetë. Së pari ishte familja e saj që u bë barrikadë ndaj P., duke i mbyllur derën e shtëpisë dhe duke e kërcënuar, se nëse do të vazhdonte këtë "rrugë turpi", siç e quajnë ata këtë marrëdhënie, do ta paguante me kokë.

Çdo ditë, shumë studentë që e dinë historinë e saj intime me shoqen e Fakultetit, jo vetëm e bullizojnë dhe përndjekin, por dhe e kërcënojnë. Megjithë ankesat e saj të herëpashershme në instancat e Fakultetit, ata nuk kanë as dëshirën dhe as mundësinë e duhur për ta mbrojtur Prenildën nga bullizimet dhe kërcënimet.

Para disa ditësh, disa "fanatikë" e kanë ruajtur kur ajo ka shkuar në tualet, kanë hyrë rrëmbimthi dhe e kanë goditur me shkelma dhe grushta, duke e lënë të shtrirë përtokë, në gjendje kome.

Psikozat frenetike përjashtuese, denigruese e kërcënuese ndaj tërheqjes seksuale brenda të njejtit seks janë psikoza që e rëndojnë realitetin shqiptar dhe e bëjnë më të trishtë e më të rëndë atmosferën e dhunës dhe ndëshkimit të femrës në Shqipëri.