Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vladimir Shyti: Treni Ekspres

| E shtune, 20.04.2024, 05:58 PM |


Poezi

Vladimir Shyti

Treni Ekspres

I ëmbël zëri borisë,

Zgjonte njerzit herët në mëngjes,

Dhe zogjtë shoqëronin lokomotivën,

Me cicërima deri në Prrenjas,

Një kafe e shpejtë,

Ndarje, përqafime midis njerzish,

Dhe treni çante male dhe tunele,

Kënga hushtonte ndër vagone,

Brohorisnin pemët, gëzonin pyjet,

Shkumbini hijshëm shkumbonte,

Shinat mbanin ritmin mbi travese.

Treni ekspres, i mbiquajtur”Mëndjemadhë”

Lodronte mbi hekurat e shkëlqimtë,

Ku dhe dielli e përshëndeste në Elbasan,

Potere,  ndarje, puthje midis të dashuruarve,

Dhe treni gjarpëronte e ndalonte në Rrogozhinë.

Stacion takimi, jugë e veri,

Retë shpërndaheshin, ashtu si njerzit e zhurmueshëm,

I nderuar, falenderime merrte mashinisti,

Dhe bënte gati trenin të fluturonte,

Uturonte brumbulli i hekurt drejt Kavajës,

Përshkonte fusha e kodrina, gjithmonë pranverë,

Puntoria lëvizte, treni krijonte lidhje dashurie,

Dhe krushqit do të vinin të merrnin nusen e zgjedhur.

Mashinisti dredh duhan, duke mbajtur ritmin,

Duar që i ngrihen lartë dhe, ai përshëndet me zemër,

Aroma e detit jep shijen e kripës në kabinë,

Ku, edhe hap magjishëm panoramën e plazhit,

Sirena lokomotivës përcjell pushuesit në Durrës,

Si milingonat gjithsekush në punë të tyre

Treni përshkon qyteti e plakur drejt Tiranës.