| E enjte, 18.04.2024, 07:58 PM |
“KAÇAKËT” E MALIT DHE KÇK-TË E BULEVARDIT
(Në
vend të fejtonit)
Nga
NDUE DEDAJ
Kaçakët
kanë qenë gjithmonë problem i pushteteve, qeverive, tash së voni dhe i biznesit
politik. Ata, me pushkë në krah, bam këtu e bam atje, nga Shahin Matraku e
këndej…
Nuk
durohen cubat atje në mal, skërkave të thepisura ka ha pula gurë, le pastaj të
zbresin në fushë e të bëjnë prokopi. Ku ju zihet bëse atyre, ulën si shigjetë
nga maja e malit, me arushën përdore dhe të zënë plazhin buzë detit, që ti e ke
marrë në pronësi, si e ke marrë, edhe pse, dreqi ta hajë, ai copë bregdet është
dhe i atij “kaçakut”, që i thotë njëlloj atdhe si ti çdo pëllëmbe toke
shqiptare. Mirëpo ata duhet të dinë se fjala e urtë “Afër detit, afër mbretit”
nuk është për të gjithë, sidomos për “kaçakët”, apo malcakët, siç po na vjen të
krijojmë një fjalë fejtonike. Ata nuk duhet të kenë asnjë punë me detin, në mos
vetëm si peshkatarë perlash, që të zënë peshk të majmë në rrjetat e fryra të
anijeve për zotërinjtë që i ka pjellë fusha me kimet…
Ah,
po, “kaçaku” nuk është gjithmonë i zi, ku ta gjeshë atë në kohë fushate
elektorale atje në mal e të heqësh me të një tallava vendçe. Të këndosh e të
qash, krye më krye e faqe më faqe, nga gëzimi i fitores. T’i hidhësh në qafë,
megjithëse atij i vjen erë “mal”. Puna është se ai malcaku nuk gëzohet me aq
lumturi sa i fal udhëheqja kur e kacarron, por kërkon shumë më shumë, nuk e
lëshon arushën që e mban përdore, jo në cirk, por në plazh. Kjo është e keqja e
tij, që nuk di të mbajë vendin. Le pastaj kur kaçakët duan të bëhen kapedana e
t’i bëjnë karshillëk “Oborrit”... Ku i dihet me këtë turr të atyre të malit!
Edhe Marash Uci, në vend që të bëjë trimërira në mbrojtje të kufijve të atdheut
prej shkjaut, i hip kalit e kur ta ndalë vrapin në plazh!…
Po
a janë “kaçakët” e vërtetë ata të malit? Apo pushtetarët e rinj të bulevardit,
që shpesh identifikohen me “KÇK”-të, një specie e re e tranzicionit korruptiv
shqiptar? Qofshin ata dhe me statusin e favorizuar të investitorit strategjik!
Ata të malit, njerëzit e thjeshtë, që besojnë se qeveritarët punojnë për të
mirën e popullit, zor se e kuptojnë mirë e bukur se çfarë është ky hall i madh,
që i ka zënë disa njerëz, me qenë investitorë strategjikë? Ore, më mirë mos u
bëfshin këto hotelet “strategjike” në bregdet, përderisa u shkaktojnë kaq shumë
andralla atyre që po sakrifikojnë për këso investimesh me rrezik. Pak kanë
hallet e popullit disa deputetë e ish-deputetë, ministra e ish-ministra,
kryebashkiakë e ish-kryebashkiakë, në burg apo jashtë tij, e deri në arrati, që
u dashka t’i fusin zavallë kresë, siç do të thoshte Fishta, edhe për këto
pronat në bregdet, nga Velipoja në Himarë e deri në Sarandë. Ore, më mirë ta
linin zonë ushtarake bregdetin, siç ishte që nga 44-a, se sa të ngatërroheshin
me “telashet” e tij zyrtarët e lartë! Se ja zbresin ata të malit dhe të rroftë
ty or mik “cicmici”, i vënë ata shezlonget në rërën “tënde” strategjike! E,
nëse është për t’u marrë me “frutat e detit”, o të jesh Kushner dhe e fut
Sazanin në xhepin e vogël pa të hyrë ferrë në këmbë, o hiç!
KÇK-të,
termi që e e kanë shpikur vetë pushtetarët për veten, janë kaçakë me vula
shteti e tendera, inceneratorë e komplekse pallatesh me pikëpyetje, që e kanë
inat malin, si i e egër që është, ndaj sot kanë pushtuar bregdetin, por mos
harroni se nesër ata do të pushtojnë edhe malin, ani se nuk do të quhen
malësorë, apo “malokë”. Se si do të thirrën pak rëndësi ka, ama ata do të jenë
zot të zabeleve, krojeve, deleleve, dhive të egra, doganave, HEC-eve e
minierave (janë dhe sot) etj. Kullave dhe resorteve turistike. Se nuk do të
mbetet asgjë pa u “privatizuar” në këtë vend! Me ligj a pa ligj. Zonë e
mbrojtur apo e pambrojtur. Do të kenë shpëtuar vetëm njerëzit, pasi ata do të
jenë shpërngulur përtej republikës së tyre amtare, në dhera të huaj...
Kështu
që nuk është asesi lapsus kur ndokujt nga qeveritaro-parlamentarët e bulevardit
politik i rrëshqet goja pa dashje në ndonjë televizion e thotë: “ata të
malit”!...
Post
scriptum: Kjo kohë hajdutërie është e pamëshirshme me të gjithë. Babëzia për të
futur në “kadastrën” tënde çdo kokërr rërë nuk të lejon me pa përtej vetes. Por
kur je në bregdetin e Jonit nuk ke sesi të mos kujtohesh për “Shpellën e
Piratëve” të Petro Markos, shkrimtarit idealist që pushon në këtë vend të
magjishëm, i befasuar me çka sheh e ndjen (?!) dhe si një bohem i përjetshëm
shkon “mes reve e gurëve”, me dorën futur në kaçurrelat e zbardhur nga kripa e
detit.
Mbase
nuk është më koha që peshkatari plak i romanit t’iu rrëfejë fëmijëve se si ai
kishte mundur peshkaqenin! “Peshkaqenët” e detit dhe të tokës me gjasë nuk do
të jenë më personazhe negativë?!...