| E enjte, 18.04.2024, 07:53 PM |
Flet tregimtari Niko Gjoni: “Mulliri i vjetër” më përcjell Ismail Kadarenë kur ishte në Francë, i cili pinte kafe gjithmonë në një lokal të tillë
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Nikua
ka lindur dhe është rritur në Tiranë dhe pse me origjinë është nga Tepelena. Ka
një jetë mjaft aktive në letërsi, por dhe njohje të shumta në rrethet e
krijuesve…Së fundmi ai ka botuar vëllimin e ri me tregime “Te mulliri i vjetër”
është një sfidë e re për të kaluar nga njëri tregim tek tjetri para lexuesit.
Shumë tregime janë shkruar në vetën e parë dhe për një moment lexuesi ndjen se
është brenda subjektit. Kjo mënyrë rrëfimi të sjell ndër mend prozën e Umberto
Eco-s por dhe të tregimtarëve, apo shkrimtarëve shqiptar, Nasi Lera, Shefqet
Tigani etj. Ngjarjet dhe konkretisht temat vendosen në vitet pas rënies së
sistemit monist dhe ndryshimit të sistemit politik, ekonomisë së tregut , pra
formimit të shtetit demokratik në vend. Qëndresa njerëzore për të mposhtur
vështirësitë e jetës trajtohet me një kompozim të thjeshtë e real nëpërmjet
personazheve të tipave e moshave të ndryshme. Shumë herë tregimet marrin
trajtën e një proze poetike të mbushur me metafora, epitete e krahasime që të
bëjnë ta lexosh me dëshirë tregimin dhe të bëhesh krah me personazhet. Janë
mbresëlënëse hollësitë e përshkrimeve në tregimet “Te mulliri i vjetër”,
“Papagalli parashikues”, “Gruaja kërkon lekë”, “75 vjeçare e vetmuar”, “Vajza
kërkon tapa”,”Unë jam babai”, “Dua të bëhen si Bujari”, etj… Por jeta e tij më
interesante ka qenë në sistemin monist për vetë banesën ku ka banuar në atë
sistem, banesë për të cilën mund të quhet i privilegjuar dhe që ka bërë të
njohë shumë personalitete të atij sistemi.
-Ju
keni lindur në Tiranë. Madje thuajse në qendër. Si do ta përshkruani banesën
tuaj?
Jam
me fat që kam lindur në një vilë trekatëshe në Tiranë. Qysh nga pamja e jashtme
të jipte përshtypjen se ishte një ndërtesë modern, ndërsa brenda saj i gjithë
ambienti kishte kushte speciale jetese për kohën. Të rralla ishin banesat me
banjo të madhe sa një dhomë me vaskë, bide, lavaman, skaldabanjo prej bronxi
dhe gjatë gjithë ditës ujë të ngrohtë. Dhomat me parket dhe me pamje nga
dielli. Para vilës ishte një oborr i madh, i rrethuar me mur dhe me portë të
madhe ku mbyllej ky oborr. Në oborr syri të kapte çdo stinë gjelbërim. Lule të
shumta dhe pemë dekorative, rreth e qark vilës dhe pa asnjë ndryshim kushdo që
e shikonte thoshte se kjo vilë ishte si ato të Bllokut. Në këtë vilë
banonin ushtarakë të lartë, shkrimtarë, përkthyesa dhe historianë.
Po në krah të vilës tonë, ishte një tjetër vilë shumë afër ku një mur na
ndante. Aty banonin ushtarakë të lartë nga Ministria e Mbrojtjes, e po në
krahur tjetër një vilë pothuajse e të njëjtit projekt banohesh nga një familje
e Heroit të Popullit. Pas tyre ishte një shtëpi njëkatëshe dhe ajo me oborr të
gjërë mbushur me lule dhe pemë ku banonte një familje dëshmori ku ne shkonin
çdo vit në 5 Maji.
-Në
banesën tuaj si vilë, a kishte ndonjë shkrimtar që banonte dhe që të ka
tërhequr vëmendjen?
Në vitet e hershme të fëmijërisë, një kat poshtë nesh banonte shkrimtari
Aleks Çaçi, shkrimtar i dëgjuar. Ishte një burrë serioz, i folur me të gjithë
ne, po veçanërisht me babain tim. Ata ishin pothuajse moshatarë dhe të dy
flisnin mirë greqishten, mbasi kishin qënë shkolluar në Greqi. Kishte tre
fëmijë, dy vajza dhe një djalë, të tre të sjellshëm e të ditur. Mamaja e tyre
ishte mësuese e ciklit të ulët. Një grua e qetë dhe e matur që njihej nga brezi
i asaj periudhe ku kish kaluar ndër vite dhjetra nxënës. Në shtëpinë e tyre
gjeje libra nga më të ndryshmit. Ne shkëmbenim librat me njëri tjetrin për t’i
lexuar. Kur rrëmbeheshim me lojra apo diskutime me zë të lartë, shkrimtari na
vështronte me radhë dhe thosh:” Po bëni zhurmë dhe unë po shkruaj, por nuk tha
kurrë pushoni, ndërprisni diskutimet. Kur ne si shokë mblidheshim dhe loznim në
shtëpinë time, pothuajse tundej e gjithë shtëpia se ishte me parket dhe jo me
beton. Ndihej zhurma sikur binte tërmet. Kur ankohej ndonjë nga banorët
shkrimtari thosh: -Fëmijë janë, duan dhe të lozin dhe ne do i durojmë. Do
rriten dhe do lënë mënjanë çapkënllëqet…
Afër nesh banonte dhe dajë Ferik Lizaj dhe nipi i tij Lirim Deda që ish
ushtarak. Banonin më vehte secili. Ishin nga Tepelena.Lirimi punonte në
Ministrinë e Mbrojtjes, kish botuar disa libra dhe punonte si gazetar. U lidha
më ngushtë me Ferikun, sepse duke qënë i vetmuar i bëja me dëshirë shoqëri. Ai
kishte një bibliotekë të madhe, me shumë libra me autor kryesisht të huaj.
Mbasi mbaroja së lëxuari një libër dhe shkoja për të marrë një libër tjetër, ai
më pyeste për mbresat e personazheve të librit, për idetë e hedhura nga autori
deri tek përshkrimet e përdoruara për të krijuar tabllo frymëzimi në
parafytyrimin tim. Ndonjëherë dhe bënte vërejtje duke më kërkuar ta lexoja me
vëmëndje dhe kujdes çdo paragraf. Më dukej vetja sikur jepja provim para poetit
Ferik Lizaj. Mbasi lexova librin “Shpartallimi” të shkrimtarit rus Fadajev, m’u
dha rasti të diskutoj për të me shkrimtarët dhe poetët Fatos Arapi dhe Xhevahir
Spahiu. Dhe nga ana e tyre ky shkrimtar ishte shumë i pëlqyer.
-Kush
ishte tema e bisedës? Çfarë të thanë krijuesit e talentuar? A treguan
afrimitet?
-Ke
provuar të shkruash, ndonjë poezi, skicë apo tregim?,- më pyeti shkrimtari
Fatos Arapi. Mbeta një çast pa i dhënë përgjigje. Deri atëhere dallohesha për
hartimet në shkollë, punën politike në ushtri në temat e të cilave ndihmoja
duke shkruajtur bashkë me komisarin. E më pas ndihmoja të rinj në bërjen e
hartimeve dhe ata mbeteshin aty pas dere mbasi vlerësoheshin me notën
maksimale. Një ditë mësuesi i letërsisë duke shpërndarë fletoret e hartimit i
tha djalit të një oficeri: -Për këtë hartim ke patur ndihmën e një shkrimtari…
-Po më ka ndihmuar një komshi, që lexon shumë libra dhe shkruan bukur…
-Të kuptoj. Nëse nuk është shkrimtar një ditë do të jetë shkrimtar i mirë…
-Pra
që në shkollë 8-vjeçare ju u lidhët me librin. Po banorët e tjerë të vilave a
ishin dashuruar me librin? Ndonjë ngjarje që të ka ngelur në kujtesë?
Në
familjet tona dhe kur takoheshim me komshinjtë flisnim për librat që kishim
lexuar dhe tregonim për librat më të rinj që kishim blerë kohët e fundit.
Leximi i librave në mënyrë të përhershme ndihmon dhe nxit fantazinë dhe
dëshirën për të krijuar. Për periudhën që jetonim në këto vila të afërta me
njëra-tjetrën dhe ne banorët e tyre ishim në një miqësi të vërtetë, si në një
kolegj ku nuk mungonin profesorët shumë të pregatitur. Kjo bënte që dhe në
shkollë të dallonim në orën letrare dhe hartime dhe profesori i letërsisë të
thoshte: “ Këta janë fëmijët e rritur në ato vila ku ka shumë shkrimtarë e
intelektualë që e duan librin.
Në shumë vite ne u rritëm aty, në ato vila dhe në atë ambjent të këndshëm. Nga
fëmijë, të rinj, të dashuruar dhe krijuam familjet tona. Ditën e martesës time
ndodhi ndarja nga jeta e shkrimtarit Aleks Çaçi dhe menjëherë në shtëpinë tonë
mbretëroi qetësia. Ai gëzimi ynë për një çast veshi vellon e hirtë të ndarjes
nga jeta të atij njeriu te shkrimtari të mrekullueshëm me të cilin kishim ndarë
momente të mira e të këqia në jetë. Në shtëpi nuk u hap as radio, as televizor,
dhe kënga u pre në mes. Një kat më poshtë kish ndodhur fatkeqësia. Siç ishim
vazhduam ritualin e dasmës tek lokali për të festuar. Njeriu një herë martohet
dhe ashtu siç thonë, i gjalli me të gjallë, i vdekuri me të vdekur. Kujtimet
nga viti në vit ngjiteshin në memorjen time dhe mes tyre shkrimtari, që nuk ua
prishte qejfin fëmijëve.
Fëmijët e familjeve që banonin në ato vila u rritën, u shkolluan, u martuan
duke qënë më pas profesionalistë të zotë e qytetarë të nderuar.
-Po
me ardhjen e demokarcisë çfarë u bë me vilat ku jetonit?
Në
vitin 2000 vilat iu rikthyen ish pronarëve dhe ne u sistemuam në apartamente,
por kudo ku ishim takoheshim dhe ende takohemi me njëri-tjetrin me mall duke na
ndjekur pas me nostalgji kujtimet. Ne si familje u sistemuam në një apartament
të bollshëm ngaqë djali i pronarit ishte shok me Vojon, kunatin tim. Në
përfundim të ndërtimit të pallatit apartamenti u bë i yni. E komoduam me
gjithçka që duhet për t’u bërë sa më funksional, por dhe me ambjente të
këndshme.
Dhe në këtë pallat mësuam se banonin familje të dëgjuara me emër. Një kat
poshtë nesh banonte shkrimtari ynë i spikatur Dritëro Agolli. Duhet të mos
bënim zhurmë dhe as të trokisnin takat e këpucëve të sime shoqe, sepse shkrimtari
punonte deri vonë në kompjutër dhe zhurma në raste frymëzimi është shqetësim.
Një banor i pallatit më tha se ditën e diel ne si burra të këtij pallati do të
takohemi tek pista. Do të njihemi me njëri-tjetrin dhe aty do të jetë mes nesh
dhe shkrimtari Dritëro Agolli. Ishte qershor dhe ndihej i nxehti. U vesha me
pantallona të shkurtra, syze dielli, mora me vete syzet optike sigurisht dhe
lekë që duhen në raste të tilla. Kur iu afrova pistës, të gjithë u ngritën në
këmbë dhe po më takonin duke u prezantuar. Isha para Dritëroit kur ai më pyeti
se ku banoja.
Një kat më lart se ju, i thashë.Mbase duhen ndruar katet, ju më lart e ne më
posht, dhe qesha. Qeshën të gjithë me këto fjalë. Edhe Dritëroi vuri buzën në
gaz. Një nga të njohurit e mi iu drejtua Dritëroit duke i thënë: -Zotëria është
shkrimtar. Ka botuar disa libra.Tregime, romane…
Dritëroi më uroi dhe duke zgjatur gotën me raki e trokiti atë me mua dhe të
pranishmit duke më thënë se tani mund të takoheshin më shpesh. Dritëroi filloi
të tregojë episode të ndryshme nga jeta e tij si gazetar e shkrimtar. Ato që
tregonte kishin sensin e tyre të humorit dhe kjo bëri të gjallërohej edhe më
shumë ambjenti rreth asaj piste. Pasi kish pirë dy -tre goda raki nisa dhe unë
të them se që kur kam lindur kam banuar në vila ku kishte familje të
shkrimtarëve dhe artistëve. Linda aty dhe u rrita mes shkrimtarëve…
-Ndryshe nuk do të kishim shkrimtar, tha burri që qëndronte në krah të
Dritëroit. Kjo do të thotë që ne banorët e këtij pallati qënkemi me fat. Tek
fytyrat e të pranishmëve po përhapej buzëqeshja dhe sytë e tyre flisnin shumë.
Sëbashku do dinim të kishim harmoni në vazhdimësi mes njëri-tjetrit, po kështu
si ne dhe fëmijët tanë.
-Po
me librin ‘Mulliri i vjetër” çfarë mesazhi doni të përcillni?
Sa
herë shkoj tek ai lokal më kujtohet shkrimtari ynë Ismail Kadare kur ishte në
Francë. Pinte kafen e mëngjesit aty afër shtëpisë së tij, në një kafene.
Nxirrte nga çanta letër të bardhë dhe në dorë mbante stilolaps me ngjyrë të
kuqe. Këto momente i kam parë në një dokumentar që është realizuar për jetën
dhe veprimtarinë e shkrimtarit të njohur dhënë nga TVSH. Dhe tek kafe “Mulliri
i vjetër” është pothuajse i njëjti ambjent. Aty siç më thanë punonjëset, që
shërbejnë qysh në ditët e para që u hap Kafe “Mulliri i Vjetër” shkrimtarë, jo
vetëm nga Tirana sollën libra të tyre dhe i pasuruan raftet ditë pas dite. Këtu
vura re se kishin sjellë libra nga krijimtaria e tyre shkrimtarët, si Todi dhe
Kiçua, por dhe shkrimtari shumë i pëlqyer nga unë Koço Kosta. Dhe dy vëllezërit
e kancelarisë të kësaj rruge sollën shumë libra duke menduar se jepet mundësia
për të dhënë dhe marrë të tjerë libra për të lexuar. Pronarit të kafe “Mulliri
i vjetër” iu desh të shtojë raftet e bibliotekës duke i sistemuar në autorë të
huaj dhe të vendit, prozë apo poezi, libra politik, social, shoqëror apo
shkencor, deri tek libra kuzhine.