| E merkure, 17.04.2024, 07:59 PM |
SI TA UROJ SOT KOSOVËN
NGA
NDUE DEDAJ
Gëzofsh
Kosovë! Me faqe të bardhë e dinjitet! Dje në Këshillin e Europës ishte një ditë
e lume për ty. 131 deputetë të Asamblesë Parlamentare votuan që Ti të
anëtarësohesh në këtë forum të lartë ndërkombëtar për të drejtat e njeriut,
demokracionë dhe sundimin e ligjit në Europë, me seli në Strasburg të Francës.
Ditë ndër ditët e tua historike. Deomos që e meriton, madje e ke merituar me
kohë me luftën tënde të pashëmbullt për liri e pavarësi. Do të ishte bukur një
poemë për ty në këtë ditë, një festë në Prishtinë, një koncert… Mirëpo sot,
Kosovë e dashur, gjaku im, ti je në një ditë zije, pasi një grua e re është
vrarë dje në Pejë. Presidentja e Republikës Osmani me të drejtë e ka shënjuar
kështu këtë ditë. Se vetëm para pak ditësh është vrarë dhe një tjetër grua në
Ferizaj. Dhe tre muaj më parë një tjetër grua në Prishtinë!… Je vrarë dhe Ti
ngapak me secilën nga këto vrasje, Kosovë! Jemi gjymtuar të gjithë ne. Se një
vend, një komb, një shtet nuk janë malet e fushat, flamuri e kushtetuta, por në
radhë të parë njeriu! Ai njeri që e kanë vrarë aq shumë të huajt, po vritet dhe
nga vetë ne! Për më tepër në familje. E rëndë ta thuash, por e vërteta është e
pamëshirshme dhe ndaj vetes. Ato tre gra, të gjitha në moshë te re, kishin
emra. Liridona Murseli, 33 vjeç. Erona Cokli, 21 vjeç. Gjuljeta Ukella, 43
vjeç. Kishin fëmijë. Kishin të ardhme. Krimi i la pa to. Po pse e fituam lirinë
nga sundimi serb? Që të vrasim veten në demokraci, me dorën tonë! “Në 13 vite,
2010 – 2023, në Kosovë janë vrarë 55 gra”, thotë statistika e kriminalitetit.
Desha
të të uroja Kosovë, rrofsh e qofsh gjithmonë e jetës, pa u ndalur drejt
Europës. Por njëherësh më duhet të të ngushëlloj, mos paç më ngjarje të tilla
vrastare të grave dhe të askujt…
Një
meshë për ty sot Kosovë! Për paqen tënde shpirtërore…
17
prill 2024
Juaj,
në dashuri, Ndue Dedaj