| E hene, 15.04.2024, 07:59 PM |
Një shikim 30-Vjetë Prapa
Malli për Atdheun - Trashëgimia e At Gjergj
Fishtës - Tiranët do harrohen
Demokracia nënkupton harmonizim vullnetesh e
qëllimesh
30-VJET
MË PARË ËSHTË INAUGURUAR KISHA E RINOVUAR
NË
HOT TË MALËSISË SË MADHE
Nga
Frank Shkreli
Ishte
viti 1994. Ashtu siç kishte ndodhur me shembjen e komunizmit në vendet
ish-komuniste anë e mbanë Evropës Lindore e Qendrore, edhe në Shqipëri, më në
fund, kishin filluar proceset demokratike. Me ndryshimet politike në vend në
fillim të 1990-ave, vihej re edhe hapja e kishave, teqeve dhe xhamive – ente
këto që ishin mbyllur ose shkatërruar dhe shumë prej klerikëve jan[ pushkatuar,
burgosur ose dërguar në kampe përqendrimi -- për pothuaj gjysëm shekulli
komunizëm – si pasojë e shpalljes së Shqipërisë nga regjimi komunist i Enver
Hoxhës si shteti i parë ateist në botë në vitin 1967 – duke i shpallur luftë
edhe Zotit. Njëra prej objekteve të para fetare që është rinovuar në Shqipëri
me ndihmën e komunitetit shqiptaro-amerikan – ka qenë edhe Kisha e Shën Gjonit
në Hot të Malësisë së Madhe. Autori ka
qenë ftuar nga autoritetet kishtare të asaj krahine për të marrë pjesë në
ianugurimin e asaj kishe në vitin 1994.
Pason fjala e autorit, mbajtur me atë rast në Kishën Katolike të Shën
Gjonit – e pa botuar deri më tani:
“Të
nderuar klerikë, të dashur besimtarë. Përshëndetjet e mia më të përzemërta të
gjithë ju pjesëmarrësve në këtë inaugurim të kësaj kishe të rinovuar pas
pothuaj një gjysëm shekulli diktaturë komuniste. Jam jashtzakonisht i kënaqur
që gjëndem sot këtu në mesin tuaj me këtë rast të inaugurimit të Kishës së Shën
Gjonit -- Kishës së Hotit – ku për një kohë ka shërbyer si famullitar, i Madhi
At Gjergj Fishta, i cili bëri të pavdekshme tiparet e Shqiptarit – ndërkohë që
kujtojmë edhe bajraktarin e Hotit, Mulë Delinë me rastin e kthimit të eshtërave
të tij nga mërgimi, që më në fund të pushojë këtu në Hot të Malësisë së Madhe.
Them
se jam i kënaqur të jem me ju këtu sot se ndonëse kam vizituar Shqipërinë disa
herë me delegacione zyrtare amerikane nga viti 1991, kjo është hera e parë që
vizitojë këto anë të Shqipërisë. Jam shumë i përmalluar të vizitojë këto male,
pasi jo larg prej këtu, pikërisht në Shkrel, e kam origjinën e familjes dhe të
parëve të mi, e nënën nga Vermoshi.
Jam
ardhë pra, nga brigjet përtej oqeanit Atlantik, nga trojet e Xhorxh
Washingtonit dhe Thomas Xhefersonit, nga Amerika e madhe dhe e largët --
strehuasja e të përbuzurëve dhe të shtypurëve – ku jo vetëm mua por edhe mijëra
shqiptarë të tjerë, shumë edhe nga Hoti, nga dëboi tufani i egër i komunizmit
ndërkombëtar sllavo-aziatik. Kemi ardhur dhe jemi mbledhur këtu me ju nga
Amerika mike e shqiptarëve për tu thenë këtyre burrave e burrneshave shqiptare
në varrezat përjashta: lëkundni eshtrat, çojeni kokën dhe hapni sytë për të
parë, mos kini frikë! Gëzonju se ende ka shqiptarë. Emërat e tyre janë të
shkruar, jo vetëm në zemërat tuaja, por kujtimi i tyre i kapërcen kufijt e
Shqipërisë dhe mbërrin deri në Amerikën e largët.
Dëshmi
e kësaj është prania e shumë shqiptarëve këtu të ardhur nga qytete të ndryshme
të Amerikës. Për shqiptarët e Amerikës
dhe shqiptarët e tjerë jasht Atdheut, për pothuja 50-vjetë shkëputje nga trojet
tona – ishte Lahuta e Malësisë e At Gjergj Fishtës që na mbante të lidhur me
Shqipërinë dhe ajo që na ndihmoi të ruanim sadopak thesarin kombëtar, gjuhën,
historinë, kulturën dhe karakterin. Fjalët e Fishtës qëndrojnë si shtyllë drite
për breznitë e tashme dhe të ardhëshme. Veprat e tij venë në dukje shkëlqimin e
trashëgimisë stërgjyshore të shqiptarit.
Në
këtë periudhë të vështirë të tranzicionit nga komunizmi në demokraci – për të
gjithë shqiptarët sot duhet të shë ndrisin figurat historike të Lahutës së At
Gjergj Fishtës në Rrëzhanicë e në Deçiq – ashtuqë të vihet në pah përsëri
vet-mohimi i Patër Gjonit, guximi e burrëria e Ded Gjo’ Lulit, e po edhe
fisnikëria dhe trimëria e Tringës.
Do
të harrohen tiranët dhe veprat e tyre. Do harrohen ata që tretën edhe eshtrat e
Gjergj Fishtës, por shqiptari kujton sot dhe do të kujtojë gjithmonë bijat dhe
bijtë e sajë të denjë. Kujtimi i tyre do të frymëzojë breznitë e reja kah
veprat e mira e të mbara sepse qëllimi i tyre dhe bashk-kohësve të tyre ishte
vetëm që Shqipëria të vazhdonte në atë rrugë të ngadalshme e të vështirë, por
kurrë të ndërprerë të qytetërimit perendimor, sipas traditave më të shëndosha
të Kombit. Ata nuk dëshironin që Kombi shqiptar të futej në një rrugë zhdukjeje
e të gjithë vlerave dhe pasurive kombëtare me qëllim për të krijuar të ashtuquajturin
“njeri të ri”, në bazë të një ideologjie barbare sllavo-komuniste. Të fat të
keq, shumë bijë e bija të Malësisë së Madhe kanë renë martir në mbështetje të
demokracisë. Pjesëmarrja juaj sot këtu dëshmon se shpirti i tyre nuk është
shëndrruar në një ankesë të kotë, ose në një shpirt vëllavrasës. Por,
përkundrazi, dëshmon se ajo frymë vazhdon të jetë ndërtuese e një ndërgjegjeje
kombëtare me mendime e caqe të mprehta dhe me ndjesi drejtpeshimi e bashkimi të
shqiptarëve.
Zonja
e Zotëri, askush nuk pohon se demokracia është një sistem i lehtë qeverisjeje,
siç është shprehur dikur Vinston Çurçilli. Fjala demokraci nënkupton
pjesëmarrje e njerëve të lirë në proceset demokratike. Për më tepër, nënkupton
njerëzillëk, respekt dhe tolerancë ndaj mendimeve të njëri tjetrit, sado të
kundërta të jenë ato, e jo pështjellim ideshë e panjerzi sjelljesh. Demokracia
kërkon hamonizim vullnetesh e qëllimesh nepërmjet diskutimesh të lira e të
kthiellta. Demokracia nuk duron që të ngujohemi në “kullat” e ideve tona, duke
mos u hapur dritaren ideve të ndryshme dhe qëndrimeve të tjerëve, me qëllim
arritjen e objektivave për të mirën e përbashkët.
Kur
mendoj për Shqipërinë, e mendoj mbushë me luftëra e përpjekje gjithmonë për
mbijetesë, si një vend me histori të lashtë, të vështirë por edhe të lavdishme,
me një potencial për një të ardhme madhështore. Mendoj për falëtoret që do të
ndërtohen e rindërtohen siç është kjo Kisha e Shën Gjonit që po inaugurohet sot
këtu në Hot. Mendoj për brezat e rinjë të shqiptarëve, të cilët pas pothuaj një
gjysëm shekulli diktaturë komuniste, me punën e tyre, shpresojnë në premtimet
dhe në realizimin e endërrave që sjellë liria dhe demokracia.
Unë
besoj se demokracia e re shqiptare -- megjithë vështirsitë fillestare që janë
kryesisht, pasojë e komunizmit barbar sllavo-aziatik – do të jetë aq e fortë
dhe e qendrueshme sa ishte kjo kishë që po ripërtrihet sot – e të cilën
ideologjia komuniste enveriste mendonte se do ta zhdukte jo vetëm si
ndërtesë,por edhe si institucion.
Zonja
e Zotërinj, uroj që të bëhemi të denjë të kujtimit të At Gjergj Fishtës (i cili
thuhet se ka shërbyer në këtë kishë për një kohë) dhe i të gjithë atyre
patriotëve që e donin Shqipërinë të lirë e demokratike – dhe të kërkojmë
ndihmën e Zotit që ky vend, më në fund, të gëzojë lirinë, sot për ju e nesër
për pasardhësit tuaj – për një të ardhme më të mirë të mbarë Kombit shqiptar.
Konsideroj
se tranzicioni politik nga komunizmi në demokraci do të jetë një moment
historik për Shqipërinë dhe për shqiptarët -- që pas një gjysëm shekulli
komunizëm, më në fund, të kthejnë vëmendjen e tyre kah traditat, vlerat dhe të shfaqin rishtas
-- ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit - Skenderbe -- bashkimin, besën dhe
vëllazërimin me njëri tjetrin, me shpresën që t’i sjell Kombit shqiptar agime
të reja për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve.
Ceremonia
e sotëme e inaugurimit të kësaj kishe në Hot të Malësisë së Madhe duhet të jetë
një dëshmi e fortë se njerëzimi gjithnjë ringjallet dhe ripërtrihet, ndërkohë
që e mira, rishtas, triumfon mbi të keqën. Prandaj, sot në këtë vend dhe në
këtë moment, me shpresë dhe me arsye mund të brohorisim me Plautus-in,
(dramaturgun romak) se, “Victi, vincimus”: Megjithse të mundur, i kemi mujtë”.
*Fjalim i pa botuar nga autori – mbajtur me rastin e inaugurimit (1994) të Kishës së rinovuar të Shën Gjonit në Hot të Malësisë. Po botohet me rastin e 30-vjetorit të Inaugurimit.
Autori duke mbajtur fjalimin e rastit në Kishën e rinovuar të Shën Gjonit në Hot të Malësisë së Madhe pas shembjes së Murit të Berlinit, (21 Gusht 1994)