| E diele, 14.04.2024, 07:58 PM |
DY
MJEKË - NJË JETË, DY PASARDHËS
NGA
NDUE DEDAJ
Janë
disa ngjarje që nuk trondisin vetëm familjarët e atyre që shuhen, por nderën
për një kohë të gjatë si perde trishtimi mbi qytet, dhe bash për këtë nuk
harrohen lehtë. E tillë ishte dhe ikja në mesprillin e kaluar e mjekes
stomatologe Gjelina Mitrushi (Pjetri) në Rrëshen, në gjysmën e moshës, nga një
sëmundje e rëndë. Një njeri që nuk i humbi shpresat as në çastet e fundit, pasi
brenda vetes rrezatonte një energji njerëzore jo të zakonshme. Për fat të keq
ishte përsëritur tragjedia familjare, që gjashtë vite më parë i kishte marrë
jetën në moshën 48-vjeçare bashkëshortit të saj, mjekut të nderuar Bardhok
Mitrushi (Marku), i cili veç të tjerash kishte drejtuar për tetë vite
Angjensinë e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, Mirditë. Personaliteti i tij i
spikatur mund të përmblidhet në trininë e fjalëve: “njeriu, mjeku, qytetari”.
Më
kishin mbetur në krye këto fraza, as shkruar, as pa shkruar, kur para disa
muajsh Klaudio më tha se kishte ndëmend të përgatiste një botim familjar për
Mamin e tij, ashtu siç kishte bërë dhe për të Atin. Por a e di si kam menduar?
- më tha. Dua që ata që do të shkruajnë, të flasin për jetën e saj dhe jo për
vdekjen!... Më impresionoi një logjikë e tillë, por Klaudio nuk më befasonte,
pasi është një djalë inteligjent, inxhinier ndërtimi i diplomuar në Bristol
(Angli), fatmirësisht i formuar herët dhe i mbrujtur me urti e thjeshtësi, që i
ka aq hije moshës së tij të re, por dhe një penë mjaft e zhdërvjelltë në
rrëfimin emocionues të këtij libri, ashtu si dhe kujtimet e pashuara të Klajerdës,
që si përshpirtje biri e bije e fisnikërojnë kujtesën e prindërve. Ndaj dhe
botimi që ata realizun këto ditë, vjen në këtë frymë, atë të jetës së
“pavdekshme” do të thosha.
Familja
e Gjelinës ishte njohur për mua, para se të njihja atë vetë, pasi jemi nga i
njëjti vend, ndonëse me shtëpitë jo afër. Babai i saj, Pjetri ishte një punëtor
i zoti dhe mjaft i përkushtuar në shkollimin e fëmijëve të tij, për çka gëzonte
respekt të veçantë. Vite më parë, një ditë shiu, pata shkuar në shtëpinë e tij
mikpritëse në Kaçinar më miq të mi gazetarë nga Tirana, ku jo vetëm na priti
bujarisht, së bashku me bashkëshorten e tij të nderuar, por mbi të gjitha
rrëfimet e tij për të kaluarën e afërt ishin të drejtpërdrejta dhe të fisme.
Ishte një shtëpi e respektuar ku kisha bujtur që para 35 vitesh, pasi xhaxhai i
Gjelinës, Marku ishte shok i hershëm shkolle dhe koleg imi si arsimtar në atë
zonë dhe pas 90-s drejtues shkolle atje dhe në Lezhë. Me vitet, sigurisht, që
jemi njohur me vëllezërit e motrat e Gjelinës në Rrëshen.
Dr.
Gjelina kishte kryer studimet e larta me rezultate shumë të mira në UT dhe
kishte nisur punën si dentiste në fillim në vendlindje, në vitin 1990, duke
përcjellë atje dhe ndryshimet e para demokratike, dhe një vit më pas në qytetin
industrial të Repsit, për të ardhur në Rrëshen në vitin 1994, ku do të hapte
klinikën dentare private, që shpejt do të merrte zë në komunitetin mirditor.
“Doktoreshë Gjelina” do të ishte një adresë e përhershme për shërbimet dentare.
E papërtuar, e shkathtë, e saktë, e zonja në profesion. E afërt, përherë e
qeshur, miqësore dhe bashkëpunuese me kolegët, të cilët ia kanë thurur aq mirë
portretin përmes rrëfimeve dhe mbresave të tyre në librin e saj përkujtimor, që
kur ajo ishte studente. E tillë ajo vjen dhe në dëshmitë e miqve të familjes
etj. Të bën përshtypje se disa nga shoqet kanë dashur ta përjetësojnë përmes
vargjeve, çka rrallë ndodh. Të gjithë përmendin Dasmën e Klajdit, ashtu si dhe
ne, si ngjarjen më të madhe e më të gëzueshme në familjen “Mitrushi”, dasmorët
e shumtë të së cilës do ta mbajnë mend Gjelinën si një zonjë shtëpie që
rrezatonte lumturi e buzëqeshje për të tjerët, edhe pse fuqitë po e linin.
Jetës
së Gjelinës i dha po aq kuptim bashkëshorti i saj, Dr. Bardhoku, një qytetar i
dorës së parë, që gjithmonë i fliste mendja para gojës. Kishin qenë shokë klase
në gjimnazin e Rrëshenit, që nga viti 1982, por që nuk do të mbeteshin aty,
dashuria e tyre do krijonte një familje solide dhe të emancipuar, nga ato që
mund të quhen familje ideale. Kam njohur njëherësh dhe familjen e Bardhokut,
babain, nënën, vëllain, të gjithë njerëz të mbrujtur me një mirësi gjenetike.
Gjelina,
ndonëse e re, arriti të shihte fëmijën e fëmijës, Dardanin lozanjar, që e
lumturonte në çdo çast të jetës. Ata të dy, nëna dhe nipi, u lidhën ngushtësisht,
por fati nuk deshi që lumuria mes tyre të zgjaste. Siç shkruan e reja, Flavia:
“Vetëm një marrëdhënie aq intensive shpjegon se si një fëmijë aq i vogël e
kërkon sot Nana Ninën gjithandej, i këndon këngë dhe e përshëndet nga telefoni
edhe pse, fatkeqësisht, askush nuk është në anën tjetër të receptorit…” E njoha
dhe unë ato ditë këtë vogëlush të zgjuar dhe madje shkrova një skicë për të.
Së
fundi, më duhet të them se Gjelina dhe ime shoqe, Maria kishin një marrëdhënie
specifike si kolege në shërbimin dentar, që i gjendeshin njëra - tjetrës
gjithmonë, pa folur për anën miqësore, vajtje - ardhjet tona për vite e vite.
Le të mbetën këto pak radhë si një kujtim për miqësinë e çmuar që kishim me
familjen e re e të mrekullueshme “Mitrushi”, kurora e së cilës ishte dhe do të
mbetet përgjithnjë lidhja vëllazërore e Klajdit e Mirdianit, që nisi që kur
ishin 5 - 6 - vjeçarë.
Qofshi
të përjetësisë, Bardhok e Gjelinë, që i latë Mirditës një gjurmë qytetarie të
pashqitshme dhe dy pasardhës të denjë për ta trashëguar genin dhe fisnikërinë
tuaj!
Me nderim
NDUE DEDAJ
Mirditë, prill, 2024